Prapaskenat: PD e var fatin e reformës te zgjedhjet elektronike



Sali Berisha dhe Lulzim BashaBasha ndodhet mes dy rrymave; ish-ministrave, dhe deputetëve që kërkojnë miratimin e Reformës në Drejtësi, nën garancinë e SHBA e BE. Qëndrimi i tij pritet që të jetë çelësi i një zgjidhjeje të mesme, që me shumë gjasë nuk do të shmangë kushtin e votimit dhe numërimit elektronik në 2017-n

Edhe pse u cilësua një takim i dobishëm ai me ambasadorët, Partia Demokratike nuk e ka dhënë fjalën për Reformën në Drejtësi. Kapitujt e amendamenteve kushtetuese po shqyrtohen një e nga një në Kuvend, ndërsa nuk kanë kaluar ende për diskutim ndryshimet, të cilat PD i lidh me garantimin e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë dhe luftën ndaj korporatizmit. Dhe kjo, jo pa qëllim.

Në fillim të javës së kaluar, atëherë kur ky qëndrim pritej që t’iu parashtrohej ambasadorëve, kryetari Lulzim Basha thirri një mbledhje jashtë radhe të grupit parlamentar. Edhe pse debati nga disa ish-ministra u fokusua te Reforma në Drejtësi, vetë Basha kërkoi ta lidhte atë me një tjetër reforme po aq të rëndësishme për PD, atë zgjedhore. Pas mbledhjes, Basha i tha medias në mënyrë të beftë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme ishin prioritet i prioriteteve. “Dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës, për gjithçka tjetër në këtë vend…” -tha ai. Qëndrimi i Bashës se zgjedhjet qëndronin mbi gjithçka tjetër ishte një mesazh i qartë edhe për ndërkombëtarët, të cilët një ditë më pas zbritën në selinë blu. Në të njëjtën ditë, ambasadorët kuptuan hapur gjithashtu se brenda PD-së qëndrimi për Reformën në Drejtësi nuk ishte i unifikuar. Mungesa e Berishës, largimi i parakohshëm i Topallit, qëndrimi i Pollos, Shehut, mungesa e Rulit dhe heshtja e Imamit, treguan se kjo reformë nuk mund të kalojë aq lehtë dhe brenda afateve të kërkuara. Jo pa qëllim, edhe Patozi teksa foli përballë ambasadorëve, e vuri theksin te një tjetër reformë, ajo zgjedhore, duke u shprehur se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin si dy proceset e kaluara, atëherë PD do të asgjësohej. Përballë kësaj tabloje, kur nuk është aspak e lehtë bindja e ish-ministrave, skepticizmit të deputetëve të tjerë (nisur nga qëndrimi i ekspertëve demokratë), dhe frikës së paralajmëruar për fatin e opozitës zgjedhjet e 2017-s, Reforma Zgjedhore mbetet për PD-në garancia e vetme dhe zgjidhja ideale e sheshimit të zërave kundër. Sepse një reforme të tillë për drejtësinë mund t’i përgjigjesh me një tjetër proces po aq jetik dhe të domosdoshëm për PD-në, siç janë zgjedhjet e ardhshme. Një lëvizje e tillë nuk mund të pritet mirë nga ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar me çdo kusht miratimin e Reformës në Drejtësi, duke i kushtuar pak rëndësi çështjes tjetër mbas së cilës PD-ja do të kapet fort. Për të zbutur këtë qëndrim të pritshëm të ndërkombëtarëve, Basha pas mbledhjes së grupit nuk e përmendi më kushtin për Reformën Zgjedhore, por cilësoi se në rastin e Reformës në Drejtësi (përkundrejt padurimit të ndërkombëtarëve për ta kaluar brenda qershorit), nuk kishte rëndësi koha, por cilësia. Basha kësaj here ia la bashkëkryetarit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, që në një prononcim tjetër për mediat një ditë më pas të shprehej se Reforma Zgjedhore ishte reforma bazë dhe se Shqipëria duhet ta përmbushte me sukses dhe tani. Dhe këtu hyn në lojë Reforma në Drejtësi, të cilën mazhoranca nuk mund ta votojë dot e vetme, pa votat e opozitës. Vetë Bylykbashi u tregua i qartë kur u shpreh se suksesi i Reformës në Drejtësi ishte gjithashtu i varur nga suksesi i Reformës Zgjedhore.

Kushti i PD

Por çfarë kërkon konkretisht PD nga Reforma Zgjedhore, me qëllim që të japë votat edhe për Reformën në Drejtësi. Burime nga PD thanë për gazetën MAPO se votimi dhe numërimi elektronik mbeten kushti kryesor që duhet të plotësojë mazhoranca. Ajo që mbetet ende e paqartë është se kur… Sepse Reforma Zgjedhore ka kohë për të kaluar. Ndërsa Reforma në Drejtësi duhet të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar.

A do të mundet Basha që të bindë mazhorancën që të miratojë numërimin elektronik para se të japë votat për Reformën në Drejtësi? Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që është e sigurt deri më tash është se PD-ja po i mëshon shumë kësaj kërkese, duke e konsideruar parësore në zhvillimet e ardhshme politike. Dje, Partia Demokratike mblodhi edhe aleatët e saj. Sërish nuk foli Basha, por nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho. “Në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta që po bëjmë për hartimin e një platforme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tryeza e koalicionit të partive të djathta sot diskutoi rreth sistemit të votimit dhe numërimit dhe arritëm në konkluzionin e përbashkët për të mbështetur praktikën e votimit dhe numërimit elektronik, votimin biometrik dhe numërimin elektronik. Në tryezat e ardhshme të koalicionit do të vazhdojmë me çështje të tjera, të cilat përfshijnë sistemin zgjedhor, financimin e partive politike, marrëdhëniet me mediat, depolitizimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor dhe çështje të tjera, të cilat janë me interes për të gjitha partitë pjesëmarrëse në këtë koalicion“, -tha Spaho, një deklaratë që e miratuan me heshtje edhe partitë aleate pjesëmarrëse në tryezë.

Por pse e kërkon PD-ja me ngulm votimin biometrik dhe numërimin elektronik? Pak ditë më parë, Bylykbashi argumentoi: “Është e mundur që për vitin 2017 ne të kemi për herë të parë një sistem që do të mundësojë identifikimin biometrik të zgjedhjeve, pra pa nevojën e një karte që blihet dhe do të mundësojë votimin elektronik dhe nxjerrjen e rezultateve menjëherë nga qendra, pa pasur nevojë për ato procese të zgjatura dhe të lodhshme”

Dallimet në PD

Nëse do t’iu referoheshim qëndrimit të deritashëm të disa prej deputetëve të rëndësishëm në PD, Reforma në Drejtësi nuk do të merrte votat në union nga partia më e madhe në opozitë. Në mbledhjen e të hënës së kaluar, Topalli u shpreh ndër të tjera se ajo ishte për Reformën në Drejtësi, por kurrë për një reformë, pa e parë, pa e lexuar dhe pa e studiuar. “Është momenti që secili prej nesh të bëjë zgjidhjen përfundimtare, në mënyrë që të mos shkojmë te 2013-a, të mos shkojmë te ‘44-a dhe të mos qëndrojmë te 2016-a”, -është shprehur ajo. Imami në anën tjetër ka qenë më i drejtpërdrejtë në përmbajtjen e tij për draftin e ofruar nga ndërkombëtarët. Si njohës i mirë në fushën e juridiksionit, ai ka nënvizuar se “është një draft i shkruar nga njerëz të paaftë, nga njerëz që nuk kanë shkruar kurrë në jetën e tyre një Kushtetutë…” . Ndërsa Genc Ruli ka shkuar më tej, teksa ka theksuar se ai ka qenë dhe mbetet mbështetës i idesë se Partia Demokratike duhet të ketë një draft të sajin për Reformën në Drejtësi. Genc Pollo, po ashtu ka dhënë objeksionet e tij. Dhe Topalli, Imami, Ruli apo Pollo nuk janë njerëz të parëndësishëm në PD. Dhe as në sytë e Lulzim Bashës, i cili tre prej tyre iu ka besuar drejtimin e qarqeve për të ristrukturuar degët në bazë. Përballë tyre, qëndron një rrymë tjetër në PD, ajo e përfaqësuar nga Eduard Selami, i cili edhe në mbledhjet e javës së kaluar, ka nënvizuar domosdoshmërinë e kalimit të Reformës në Drejtësi, sepse në këndvështrimin e tij, pa të nuk do të kishte integrim të vendit. Edhe pse Selami ka pikëpyetjet e veta në drejtim të reformës, duket se ai është më i ekuilibruar në raportin me ndërkombëtarët, duke marrë edhe rolin e negociatorit, për të bindur jo pak skeptikë në radhët e grupit parlamentar demokrat për reformën.

Basha ndodhet mes këtyre dy rrymave, andaj dhe qëndrimi i tij në ditët në vijim pritet që të jetë çelësi i një zgjidhjeje të mesme, por që me shumë gjasë nuk do të shmangë kushtin thelbësor që bashkon të gjithë në PD, atë të garantimit të zgjedhjeve të lira, që sipas burimeve brenda partisë, pikësëpari do të vijë duke marrë garancinë e pare, atë të votimit dhe numërimit elektronik.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

“LIBRA, revolucioni im politik”

A janë opsione radikale të majta apo diskursi antisistem, ai që propozon...
Read More