Preç Zogaj ‘in Love’: Si erdhën 101 dashuritë e poetit

Promovimi në UET/ Në mjediset e UET, përballë një auditori të mbushur si asnjëherë me poetë, shkrimtarë e njerëz të letrave, Preç Zogaj ka qenë thjesht një poet, lirik i dashurisë. Libri i tij, përmbledhja poetike “In Love, 101 poezi dashurie”, botuar nga Mapo Editions, është shoqëruar nga  fjala e Gëzim Bashës, e vlerësuar si një tekst unik se si mund të shihen poezitë e dashurisë.

Dikush thotë se kur shkruan një libër me poezi është si të hedhësh një petal trëndafili në kataraktin e Niagarës. Si çdo ujëvarë me zhurmim të jashtëzakonshëm, tonelata uji që përplasen – kështu thotë shkrimtari Rudolf Marku është edhe poezia e Preç Zogajt, si hedhja e petalit në Niagarë, si dëgjimi i rënies së këtij petali.

Ky është libri poetik.Rikthimi herë pas herë në zanafillë, e bën edhe sot Zogajn në moshën 60-vjeçare një poet par exelence, një poet që s’ndërron moshë ku vjen fjala tek ndjeshmëria. “In love-101 poezi dashurie” është përmbledhja që takon poetin sërish me lexuesin e rinisë, atyre që ndjekin pasionet. Botuar nga Mapo Editions, në mjediset e UET, përballë një auditori tëtejmbushur si asnjëherë me poetë, shkrimtarë e njerëz të letrave, Preç Zogaj ka qenë thjesht një poet, lirik i dashurisë.Libri i tij, është shoqëruar nga fjala e Gëzim Bashëse vlerësuar si një tekst unik se si mund të shihen poezitë e dashurisë.

Ky libër vjen në pritje të panairit të librit që hapet në mesin e nëntorit, dhe është e përfshirë në kontekstin e strukturës së ndërtuar pranë UET me idenë e ngritjes të një klubi të letërsisë kontemporane shqipe, me takime periodike duke kulmuar tek hapja e degës së letërsisë së Universitetit Evropian të Tiranës. Duke ndalur në format që ende s’kanë ndryshuar në të bërit e promovimeve poetike, Zogaj foli në idenë e botimit të këtij libri duke thënë se: “Ishte ide e Henri Cilit, që përkoi me një mendim që kam krijuar edhe unë me veten time, sepse me çdo autor ndodh një proces i tillë, që precipiton ai qëështë koncentrati i subjektit krijues me kalimin e viteve.

Sepse kur fillojmë, të gjithë pretendojmë të nisim si lumenjtë e gjerë. Shkruajmë poezi, prozë merremi me shumë gjëra të tjera por pastaj vjen në moment në jetë që bën shoshitjen dhe përfundon tek ai koncentrati që më duket se është fiks poezia lirike e dashurisë. Në këtë vit letrar të panairit, Henri më propozoi të paraqitesha me librin përmbledhës 101 poezi dashurie. Është ky moment ku mori jetë ky libër.”

Me tej Zogaj tha se me këtë promovim, mbresëlënës për të ka qenë parathënia e librit, shkruar nga Gëzim Basha, një poet, që ka lënë Shqipërinë prej 20 vitesh dhe jeton në SHBA, njohës i mirë i letërsisë botërore dhe asaj shqipe. “Kjo parathënie është dhuratë e veçantë për poezinë time, por edhe një lloj modeli se si mund të shikohet, e prezantohet para lexuesit poezia e dashurisë, kur je ti dhe lexuesi.  Ky njeri ështëi prirur drejt së bukurës. Kjo është shumë e thjeshtë për ta thënë por shumë e vështirë në përgjithësi në këtë gjurulldinë e madhe ku përfshihemi vazhdimisht, humbasim shpesh sensin e së bukurës. Edhe e bukura duket sikur është përjashtuar, duke marrë rëndësi e dobishmja, pragmatistja.

Kur në fund të fundit arti, poezia ikushtohen së bukurës, sado skematike është kur e themi por kjo është ligjësia. Poezia ekziston sepse shkruan për dashurinë, është e vetmja që mund të flasë me metafora”. Edhe përkthyesi e shkrimtari, Rudolf Marku e ka vlerësuar parathënien e shkruar nga Gëzim Basha  një model se si duhet të flitet për letërsinë, për poezinë; një autoritet letrar që thyen guackën për të gjetur thelbin, tregon se nëse njeriu niset nga dashuria atëhere mund të flasë për poezinë, e trajtuar si proces zbulimi. “Në traditën evropiane poezia e dashurisëështë konflikti mes tundimit sensual ndaj femrës, ose e kundërta, dhe përjetimit shpirtëror.

Nga ky konflikt lind një tension metafizik që krijon edhe poezinë e dashurisë. Tek Preç Zogaj poezia është zbulim si për herë të parë, ose krijimi për të parit e universit. Kjo mahnitje  e zbulimit për herë të parë, ngazëllimi apo pasiguria – të gjitha, bëjnë një kompleks ndjenjash, ato të zbulimit e krijimit tëuniversit. Poezia e Preçit në përgjithësi, e në veçanti, poezia e dashurisëështë një mahnitje. Mahnitja e prekjes për herë të parë, e atij fëmijës që e sheh botën për herë të parë. Ky është poeti. Preçi ka zgjedhur 101 e poezi, por në fakt mund të ishin dhe 1001 netët  magjike të poezisë, sepse gjithë poezia e Preçit është poezi dashurie. Kam parasysh poezitë e mrekullueshme që ka përnënën, janë poezi të mrekullueshme dashurie. Poezitë meditative kanë dashuri, fund e krye”.Kanë folur për librin dhe lexuar poezi prej “In love” të Preç Zogaj edhe poetët Natasha Lako, Agron Tufa duke vlerësuar poezinë për frymën e re, moderne./V.M

 

Odet “Carpe Diem” për dashurinë

Nga Gëzim Basha

Përzgjedhja In Love, si thuajse krejt poezia e Preç Zogajt, është një koleksion odesh moderne, ku klasi teknik, efektet poetike dhe finesa gjuhësore ofrojnë diagramin e ndjeshmërive të një mendjeje refleksive që e sheh botën me sy lirik. Për shkak se fjalori arkaik i termave stilistike të kritikës sonë letrare, ende e merr oden si model të ngurtë në duart e Pindarit: strofë, antistrofë, epode apo si kallëp metalik klasicist të trashëguar nga Horaci, përcaktimi “ode moderne” mund të tingëllojë paksa oksimoronik.Asgjë oksimoronike!Ode, si lloj letrar, mbetet ndër format më të parapëlqyera të poezisë lirike, e pakohë dhe në evoluim të përhershëm. E rivitalizuar fillimisht prej romantikëve europianë, ajo u masivizua në shekullin e njëzetë, duke u bërë njësoj atraktive si për modernistët edhe për eksperimentuesit postmodernë. Në poezinë lirike për dashurinë, ode mbetet lloj letrar i pashmangshëm, sepse, siç shprehet poeti bashkëkohor amerikan Robert Has, “çdo poemë dashurie, pavarësisht në është përshkruese apo meditative, në thelb të vet përpiqet të bëjë gjestin e odes”, çka në shqip do të thotë: ka ton të theksuar adhurimi, diksion elokuent dhe përdorim koshient të kapacitetit melodik të gjuhës, me synim ndikimin imediat mbi lexuesin.

Kur Preç Zogaj botoi librin e tij të parë, emrat tuaj, më shumë se tri dekada më parë, ode ishte një lloj letrar i përjashtuar nga letërsia shqipe; poezia jonë e atëhershme e kishte humbur natyrën konfesionale dhe sillej prej dyzet vjetësh në ngushticën midis himnit dhe elegjisë, glorifikimit panagjerik dhe vomeve patetike. . Si njëri ndër poetët tanë të paktë që lexojnë për inspirim, një poet me shumë “dashuri letrare” po të huazonim një frazë të Harold Bloom-it, Preç Zogaj hyri në poezi si një temperament krijues i maturuar nga leximet, duke sjellë një emancipim të përftuar përmes ekspozimit të vetes ndaj poezisë moderne botërore, e cila atëherë kërkohej në terr, duke luajtur çdo gur. Lexues i Eliotit, Poundit apo i fragmenteve poetike të prozës së Xhoisit, përkthyer nga Rudolf Marku, netëve dimërore pranë një mangalli; lexuesnë origjinal i surrealistëve francezë dhe dëgjues ilegal i emisioneve poetike të radios italiane, Zogaj ishte produkt i grupimit letrar lezhjan, që nisi si një counterculture, por shpejt u bë epiqendër e një poezie ndryshe – më saktë njëra nga epiqendrat e poezisë shqipe, e cila, ndoshta edhe për shkak të represionit politik në qendër, pati marrë karakter regjional duke ikur në margjina si Lezha, Tropoja dhe Tepelena …

Në një ambient letrar, ku Ndoc Gjetja ishte minimalist, Rudolf Marku esencialist kavafian, dhe Agim Isaku eksperimental, Preç Zogaj u shfaq me një exuberance gjuhësore mahnitëse, duke sjellë momente poetike që të kujtojnë poemat moderniste të T. S. Eliotit, veçanërisht Këngën e dashurisë të J. Alfred Prufrock-ut, ku lexuesi i percepton imazhet teksa ndien zhurmën e bardhë të ambientit; e kundron “prarimin e diellit mbi kolonadat e lagura”, teksa mban vesh “bisedat e grave për Mikelanxhelon”.I sigurt në temën e tij letrare, i pajisur me talent dhe dije, Zogaj vërshoi në shtypin letrar të viteve ‘80-të i gatshëm estetikisht për ta rivitalizuar, midis të tjerash, oden në lirikën shqipe të dashurisë. . Ndër të paktët poetë që refuzuan ta shkruajnë poemën sintezë – një hibrid letrar i diktuar dhe promovuar zyrtarisht – Zogaj preferoi të shkruajë seri odesh të lidhura me fije tematike, duke i bërë vëllimet e tij, nga pikëpamja kompozicionale, poema fragmentare. Për fat ia doli mbanë! Përmbledhja In Love është dëshmi e kësaj arritjeje të madhe letrare, një landmark në letrat shqipe.

Në konstruktimin e odeve të tij për dashurinë, mjeti kryesor retorik i Zogajt është Carpe Diem, i cili, pavarësisht kuptimit literal, shqipërohet “shijo çastin”. I trashëguar prej poetikës latine, daton me serinë e odeve të Horacit, Carpe Diem përdor të tashmen për të sugjeruar dilema ekzistenciale të provokuara nga koncepti ynë (i kufizuar) për kohën; është një figurë e mendimit që synon ta vendosë lexuesin në një skenë të momentit, në një rrethanë të caktuar, duke i dhënë shans për eksperienca unike, nën “komandën estetike”, Shijo çastin!Carpe Diem te Zogaj nuk është hedonizëm epikurian! Më shumë se shtyrje për të shijuar vetëm kënaqësinë fizike që vjen me momentin, heroi i tij lirik ka ambicien për të nxitur tek audienca një fokusim sa më të plotë tek ai segment kohe që është bërë ndërkaq e shkuar, sepse, siç shprehet poeti, duke evokuar brengën borhesiane, “s’na lag dy herë i njëjti shi”, mos e humb momentin!

Ndryshe nga tradita e lirikës shqipe, leximi i poezisë së Zogajt të lë me ndjesinë se ikja e kohës nuk ka pse lë vetëm brengën e rrënimit, kujtoni Lasgushin me vargjet, “Përmbys, o jetë / m’i fal stolitë”, por mund të shihet edhe si motiv celebrimi, a ngasjeje, për ta ribërë të shkuarën me materien fillestare të vetë Krijuesit, fjalën. Kjo i bën mjaft nga odet e kësaj përmbledhjeje të lexohen si vizitë tek orakulli, veç jopër të parathënë të ardhmen, por për të paraparë të shkuarën ku pret të (ri)zbulohet identiteti yt! Poezia,Në Shëngjin, për shembull, duket si strukturë tipike e këtij procedimi. Mënyra se si kjo poezi lëviz nga një gjendje në tjetrën, mënyra se si një sekuencë pyetjesh i lë vendin një enumeracioni me imazhe sinematike që ngjajnë si palimpseste të shfletuara nga një dorë magjike, krijon impresionin e një seance terapeutike për kurim të amnezisë, harresës sonë individuale dhe kolektive, ku kolonë zanore është kuja (e pavarrosur) e erës dhe detit.

A të kujtohet?

A të kujtohet kur s’ishe martuar,

Kur s’kishe qëllime,

Kur s’kishe lindur?

Përpara luftës,

Përpara fare,

Kur ishe arbër, ilir,

A të kujtohet?

Në nimfeun pate ardhur me velorën e shpejtë,

I mahnitur nga vajzat shkumëbardha

Të detit dhe bregut diellor pate thënë:

Oh, sa më vjen për të qarë!

Tradita jonë letrare nuk ka pasur lirika dashurie të ndërtuara mbi skena vizive, lëre me skena surrealeqë vijnë si fuzion i ëndrrës me realitetin, ku ëndrra përshkruhet në detaje konkrete. Ka pasur orvatje, kujtoni vargjet e Kadaresë, “… pastaj si në rrugica parqesh / shëtit mes cirkovolucionesh”, por jo realizime të njëmendta siç ndodh me oden e Zogajt, Baladë.

Po flija poshtë lisit hijerëndë

Kur erdhën e më zgjuan, “ngrehu … ”

U hap mbi kodrat e verdha një deriçkë,

(Kraharori im kërciti si dërrasë)

Mes lulesh e gajtanësh hapi sytë

Ajo që nuk u bë më shumë se vajzë

Kjo poezi ode vjen si ekzemplar i qasjes retorike Carpe Diem, përdor me finesë elemente dramatike për ta afruar lexuesin në atë çast skenik, ku dëgjohet dialogu i heroit lirik me folësin e padukshëm.

O ti që flet e s’dukesh, a vërtet,

Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?

Syri lirik i një mendjeje në punë e bën këtë poezi antologjike në çdo gjuhë, ngaqë është kampion i shkrimit imagjinativ; i ofron audiencës një moment të ngarkuar me skenografi detajesh, duke bërë një prerje prej traditës sonë të lodhshme të sublimit sentimental platonik, pa detaje konkrete që fatkeqësisht vazhdon dhe shpesh, edhe në rastet kur virtuoziteti tekniknuk mungon, e dënon lirikën shqipe të dashurisë me anakronizëm.Ndonëse sillen qartë rreth motivit të dashurisë, odet e përmbledhjes In Love e rrisin përmasën e tyre kuptimore nëpërmjet aluzioneve të shumta, veçanërisht të referencave indirekte nga Bibla. Metaforat e tipit, “Një mollë e përjetshme” apo vargjet aforistike të llojit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, nuk ndalen thjesht në evokimin e mëkatit primondial, por shtjellen si përsiatje të thella mbi natyrën njerëzore dhe pamundësinë tonë të lindur për një katarsis përfundimtar. Amour, një ode e shkurtër, por me një thellësi të pazakontë, vetëm në katër vargje ia del të inskenojë krijimin e femrës duke e kthyer heroin lirik në karakter biblik.

Një brinjë më ikën e shkon të ngulet në rërë,

Era fishkëllen në anën time të djathtë …

Në duar mbaj

Zgavrën dhe mallin.

Teknika Carpe Diem, vizualizimi i çastit me imazhe konkrete e të qarta, e trondit lexuesin duke ngritur një luzmë pikëpyetjesh, përgjigjja e të cilave përbën të vetmen mënyrë për të zbuluar mënyrën se si kjo shkurtimë e bën kuptimin e vet.Odet e Zogajt për dashurinë të kujtojnë Odet e Pablo Nerudës, ato i prin synimi për të celebruar atë që kriticizmi i ri e quan the significance of the insignificant apo rëndësinë e gjërave, në dukje, të parëndësishme. Ato e kërkojnë formën si struktura të hapura, janë lëvizje drejt formës, por pa u bërë formale. Ndonëse plot melankoli, ato ndahen qartë prej elegjisë, por kjo ndarje nuk është veçse një membranë transparente, përmes së cilës zhanret shihen dhe ndahen.Preç Zogaj hyn ndër ata poetë që e shohin poezinë si kapacitet të brendshëm të gjuhës, si një apetit të qenies njerëzore të trashëguar nga praktikat e hershme të adhurimit.

Edhe pse thellësisht personale, shumë poezi të tij apelojnë për një celebrim të hapur kolektiv, ku mediumi, gjuha, është njëherësh skenë e festës edhe tempull i adhurimit. Sipas Zogajt, ashtu si te Neruda, gjithçka mund të poetizohet! “Kam vizë nga Homeri, mbreti im demokrat / për t’u ngjitur pa cak”, thotë në poezinë hyrëse të vëllimit të tij të katërt, Qielli i gjithkujt, një poezi që mund të lexohet edhe si Ars poetika, ngaqë aty shprehet synimi estetik i poetit për një hapje të plotë; dëshira për të komunikuar me traditën e letërsisë botërore përmes imazhesh dhe gjendjesh emocionale native. Prej kësaj prirjeje shpjegohet urgjenca e tij gjuhësore, ai synim konstant për t’ia prekur lexuesit të gjithë sensorët, ngasja për t’ia lënë ftesën e festës në dorë.Zogaj shkruan një poezi të cilës përpara kuptimit i ndien intensitetin shprehës, një poezi që jo vetëme përdor gjuhën, por me përdorimin virtuoz të teknikave poetike, e ribën gjuhën duke na përforcuar bindjen në ato qasje që e konsiderojnë poezinë art praktik, kurse talentin, instinkt impulsiv për të bërë me gjuhën më tepër nga ç’mund të pritet prej përdorimit të saj rutinor. Për të qenë më ilustrues, ia vlen të përmendet efekti i fortë poetik që arrin përmes përdorimit të rimave dhe asonancave të brendshme, në vetëm dy shembuj: “Mes shungullimit detar, pendestar” apo “Në fill të zërit shkoja dhe mendoja”.

Këtu rimat nuk janë rastësi tingullore, por kërkime kuptimore; ato ia dalin të evokojnë ritmet e natyrës, duke ndihmuar dimensionin asociativ të poezisë, lëvizjen e saj drejt një kuptimi më kompleks. Rima e brendshme me epitetet, detar / pendestar, për shkak të thekseve të njëjta fundore, por edhe numrit të ndryshëm të rrokjeve, të kujton ritmin e goditjes së dallgëve në breg, kurse rima foljore shkoja / mendoja ia del të përforcojë idenë e lëvizjes.Në përpjekjen për t’i bërë odet e tij më të çliruara, Zogaj shpesh adapton tonin e lirikës popullore veriore, ku dashuria shpesh shkakton, sipas një vargu të Mjedës, “gjama në natyrë” apo inskenon momentin e njohur kur tjetërsimi fizik i së bukurës përjetohet keq tek i përvuajturi. Konsideroni vargjet, “Kur ma ktheve shpinën vera u bë dimër …” apo “Në t’u thinjtë floku, më keq do ta kem!”.Edhe toni adhurues, i shprehur shpesh me vargje si: “O e bukura ime, më e mirë se unë”, ton që i shkonaq shumë për shtat odes, në mjaft raste vjen si kultivim i bazuar në konstruktet e lirikës orale ku dorëzimi përpara bukurisë shprehet me një emfatikë të matur.Gati tri dekada më parë, në librin e tij të dytë E Pakryer, me një aluzion që s’lë mëdyshje, Preç Zogaj shkruante: “qëlloi stinë e thatë për poezinë”.

Ky varg sot, nga një kënd diakronik leximi, përveçse reflekton djerrinën kulturore të një Shqipërie të sapodalë nga shkretia kulturore e viteve ‘70, po aq evokon paepshmërinë e një zëri poetik në nevojë imediate për t’u shprehur. Pyetja eksklamative e Jani Ricos-it, Si rrojnë njerëzit pa poezinë, e përdorur si epigram poshtë titullit të një vjershe në librin e tretë për nga radha e botimit, A thua do të vish duke qeshur, thekson prirjen e përhershme të Preç Zogajt për ta parë poezinë si formë dhe provë të ekzistencës. Bindja për të jetuar në simbiozë me poezinë, pavarësisht rrethanave, e bën atë një zë prolifik dhe krejt unik në poezinë shqipe.

Botimi gati ritmik i mbi dhjetë librave voluminoze në harkun e tridhjetë vjetëve, rezultoi jo vetëm me një poetic oeuvre të destinuar për vendin e vet në kanonin tonë letrar, por mund të shihet edhe si një akt luajaliteti ndaj atyre që u bënë audiencë e tij letrare; përmbushje e disponimit të shprehur në njërën prej poezive të tij të hershme, të cilën në një premtim solemn për të qenë edhe incizues i zërit të të tjerëve, Zogaj pati vendosur ta mbyllë me vargun “unë e kam penën dhe të gjithë janë poetë”. “Poezia lirike”, shkruante së fundi Elizabeth Aleksander, kancelarja aktuale e Akademisë Amerikane të Poezisë, “mbetet mënyra më e mirë për të kuptuar se ti mund të mbështetesh te të tjerët edhe kur të tjerët të kanë zhgënjyer”. Odet e Preç Zogajt në këtë përmbledhje bëjnë gjithçka të mundur për të mbajtur rreth vetes atë komunitet lexuesish, të cilët ende besojnë te poezia e vërtetë lirike, te kjo formë e hershme e komunikimit, e cila me kuptimin dhe jehonat e saj vazhdon të ofrojë mbështetjen më të sigurt për shpirtrat njerëzorë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tërmeti në Itali/ Shpallen 2 viktimat e para. Nxirret i gjallë fëmija

Tërmeti që goditi mbrëmjen e djeshme ishullin e Ischias ka shkaktuar të...
Read More