Preç Zogaj: Poezia i përgjigjet gjuhës, si bukuri e sensualitet

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ka qenë befasi në panairin e Librit përmbledhja me poezi dashurie, e sapo botuar, nga Preç Zogaj.

Përfshirë në kolanën letrare “Mapo Editions”, ky libër deri tani ka pasur interes të lartë nga lexuesit. “In love” me 100 poezi dashurie, e vendosur në stendën e UETPress, e ka vendosur poetin në një komunikim të rrallë me lexuesit…  

Intervistoi: Violeta Murati – “In love-101 poezi dashurie” është përmbledhja që takon poetin Preç Zogaj, sërish, me lexuesin e rinisë, atyre që janë të pandreqshëm në pasione. Libri është shoqëruar nga fjala e Gëzim Bashës e vlerësuar si një tekst unik se si mund të shihen poezitë e dashurisë.

Ky libër vjen në pritje të panairit të librit dhe është përfshirë në kontekstin e strukturës së ndërtuar pranë UET me idenë e ngritjes të një klubi të letërsisë kontemporane shqipe, me takime periodike duke kulmuar tek hapja e degës së letërsisë së Universitetit Evropian të Tiranës. Për këto poezi, gjatë promovimit të librit, shkrimtari e përkthyesi Rudolf Marku është shprehur: “Në traditën evropiane poezia e dashurisë është konflikti mes tundimit sensual ndaj femrës, ose e kundërta, dhe përjetimit shpirtëror.

Nga ky konflikt lind një tension metafizik që krijon edhe poezinë e dashurisë. Tek Preç Zogaj poezia është zbulim si për herë të parë, ose krijimi për të parit e universit. Kjo mahnitje  e zbulimit për herë të parë, ngazëllimi apo pasiguria – të gjitha, bëjnë një kompleks ndjenjash, ato të zbulimit e krijimit të universit…

Poezitë meditative kanë dashuri, fund e krye”. Ndërsa në këtë intervistë poeti shkon drejt më të vështirës, që shpesh nuk gjen limit, se ç’është poezia, e në ndjeshmëri estetike, meqë jemi përpara thirrjes së dashurisë, si mund të tregohet bukuria e një femre.

Preç Zogaj  “In love…”, çfarë kërkon një poet kur bëhet gati për një akt final, botimin e një libri? Gjithmonë një libër më të ri se vetja?!

Jo, jo. Larg qoftë të mendojë këtë. Kërkon një titull. Kaq. Një titull që të shprehë sa më mirë dhe sa më poetikisht frymën e poezive të përfshira në libër; një titull-ombrellë dhe përbashkues  të titujve. “In love” është një përmbledhje  me njëqind e një poezi dashurie. Këtë titull vendosëm bashkë me autorin e parathënies, Gëzim Basha, pasi  shqyrtuam katër pesë  versione. Është një  lokucion që anglishtja ua ka dhënë gjithë vendeve të globit.

Përmendët  Gëzim Bashën, autorin  e parathënies. Rudolf Marku i thuri lavde tekstit të tij, por edhe ju e  befasuat audiencën  gjatë promovimit  të librit  kur pohuat se sot promovojmë një parathënie gjithashtu…

Do kisha thënë  të njëjtën gjë edhe nësë një parathënie e tillë do të ishte shkruar për librin e një poeti tjetër. M’u duk një tekst i ndërtuar mbi koncepte bashkëkohore për poezine. Gëzim Basha është një profesor shumë i kualifikuar i letërsisë  klasike dhe moderne. Është  nga Gjirokastra,  jeton në SHBA prej dy dekadash. Jam ndjerë mjaft i nderuar që një profesionist si ai ka lexuar  librat e mi poetikë dhe ka shkruar për to.

Autorët kanë nevojë për Lexuesin në njejës dhe janë me fat kur e kanë apo e gjejnë atë . Siç e thoshte si me shaka Tomas Eliot: do të isha i lumtur të botohesha edhe në një kopje, me kusht që të më lexojë Ezra Paund. Përmenda Gëzimin meqë po flasim për parathënien e librit “In love”. Po unë kam patur fatin të lexohem nga shumë  miq e kolegë- poetë, shkrimtarë, kritikë, gazetarë, leximtarë – që  jo vetëm shquhen si Lexues me L të madhe, por edhe shkruajnë për librat. Më i fundit ishte Agim Baçi në faqet e MAPO-s, shkrimi i të cilit më dha kënaqësinë ta shoh si një poemë për dashurinë që kishte marrë frymëzimin nga leximi i librit “In love”.

Në parathënien e tij, Gëzim Basha thotë  se Preç Zogaj hyn ndër ata poetë që e shohin poezinë si kapacitet të brendshëm të gjuhës, si një apetit të qenies njerëzore të trashëguar nga praktikat e hershme të adhurimit. Edhe pse thellësisht personale, shumë poezi të tij apelojnë për një celebrim të hapur kolektiv ku medium-gjuha- është njëherësh skenë e festës edhe tempull i adhurimit….

Nuk dua të komentoj konsiderata dhe pohime që lidhen me poezinë time. Është i njohur postulati se poezia është një operacion gjuhësor i shkallës më të lartë. Poezia i përgjigjet gjuhës në termat e bukurisë, sensualitetit, urtësisë, ironisë, domethënë  aspekteve të gjuhës “që poeti i reflekton si një pasqyrë e shndritshme”, siç thotë Brodski. Ai shton se poezia nuk është një art apo një degë e artit, por diçka më shumë. “Është mëtimi ynë antropologjik”.

Atëhere ç’është kjo përmbledhje me poezi: poeti së fundi, nga fillimi…apo diçka “lamtumire”?

As njëra, as tjetra veç e veç dhe të gjitha kur i marrim  si një të tërë. “In love” është precipitati i   vizionit dhe krijimtarisë sime poetike të deritanishme. Por më lejoni të them se nuk është një lamtumirë. Unë shkuaj vazhdimisht poezi dhe siç thotë titulli i njëres prej të botuarave në vëllimin “Ushtrimet e melankolisë”, poezinë më të bukur ende s’e kam shkruar.

Çfarë nuk e shterron shpirtin tuaj, në një rast më të përgjithshëm kur një poet si ju identifikohet me sensibilitete “të dobëta”, “të brishta”, pothuaj melankolike për dashurinë?!

Të them të vërtetën nuk kam menduar për këtë. Por tani që vihem përballë një pyetjeje kaq të drejtpërdrejtë, më vjen të them: Mendimi. Vetë dashuria është mendim. Poezia më duket se është  mendim i veshur me metafora, në një komponim ndjesish dhe muzikaliteti. Por kjo mund të mos jetë krejt kështu. Ne vazhdimisht ndeshemi në vështirësinë e përcaktimit të poezisë. Është thënë shumë bukur nga një kritik amerikan: unë nuk e di çfarë është poezia por mund ta dalloj atë kur e lexoj.

Më ka bërë përshtypje një varg: kur humb të dashurën, vashat vjetërohen…s’ke ndroje se mund t’ju konsiderojnë një natyre fatale, a s’është e kundërta dashuria e një burri?

Si ta tregojmë bukurinë e femrës? Kjo është çeshtja e madhe e poezisë lirike. Epitetet nuk thonë më asgjë. Xhevahir Spahiu tregon disa pleq të cilëve po u ftohet kafeja, ndërsa shohin të kalojë pranë tyre një vajzë shumë e bukur. Syimboska, poetja nobeliste e Polonisë, ka një poezi të mrekullueshme  në të cilën tregohet pa asnjë figurë tensioni dhe tjetërsimi që pëson një mjedis njerësish kur  shohin të shfaqet një grua plot hire. Në poezinë tonë popullore gjejmë vargje të mrekullueshme që e sjellin figurën e bukurisë femërore në pasojën që ajo shkakton si e tillë apo duke i munduar heroit lirik. Vargu që cituat ju i përket këtij konceptimi.

Mendoj se ka  ende gjurmë të fortë vëllimi “Qielli i gjithkujt”, botuar në ’90-ën. Është përpirë. Botimet e tjera, si “Fundi,i një fëmijë tjetër”, apo “Ushtrime të melankolisë”, si dhe ky tani duket se nuk kanë të njëjtin fat. A bini dakord me ketë, qoftë dhe nga përpjekja juaj për të kërkuar e kërkuar gjithnjë tek dashuria, çfarë ndryshon tek ajo?

E di se ka një vleresim të veçantë për këtë libër nga brezi juaj sidomos. Ai ka qenë botuar në pesë mijë kopje, por ishin kohë të tjera. E dua edhe unë atë libër. Por e them me bindje se në librat e mëvonshëm e kam  tejkaluar. E di se nuk do të  jeni dakord. Përshtypjet për një libër apo për një poezi të vetme krijohen në rrethana shumë individuale. Si për të mbështetur vlerësimin tuaj, poeti Agron Tufa lexoi në promovimin e “In Love” poezinë “Baladë” që është përfshire te “Qielli i gjithkujt”. Mua më erdhi shumë mirë sigurisht. Në lexues që nuk i ka përcjellë në kohë reale kur janë botuar librat e mi, por i lexon sot, besoj se gjen në to evoluimin që reklamoj unë si autor i tyre.

O zot sa më trembte vërtetësia e saj…një varg, për të reflektuar se ç’është ky raport që krijon distancë të menjëhershme? Cili shqetësim triumfon në këtë rast?

Sërish një citim nga “Qielli i gjithkujt”…Nëqoftese lexojmë gjithë poezine kuptohet se është një lloj elegjie për tjetërsimin e diktuar nga rrethana të papërsëritshme përballë vërtetësisë së pacënueshme të vajzës. Shumë vite më vonë se të shkruaja këtë poezi kam lexuar romanin e mrekullueshëm “Engjëlli im” botuar nga “Tirana time”. Është e njëjta dikotomi e shpalosur në një subjekt romani. Për t’u kthyer te pyetja, shqetësimi që triumfon është pendesa, katharsisi për tjetërsimin.

Libri mban mundime dashurie, kur ty që jua njohin shpirtin, pasionet në kaq shumë poezi për vashën, dashurinë – për t’ju pyetur  a është shqiptare kjo, ç’të ka penguar në këto përvoja për t’u shprehur, mendoni se keni qenë i lirë, i sinqertë?

Asgjë nuk më ka penguar përveç kufinjve të mi dhe kufinjve të estetikës. Në poezitë e mia nuk tregoj histori dhe as shkruaj me tendencë për të thyer ndonjë pengesë apo tabu. Këto nësë ndodhin, vijnë vetvetiu. Poezia është gjuha që këndon, shkruante Pol Eluar. Poezitë e mia të dashurisë  i përgjigjen në njëfare mënyre këtij pohimi. Nga ky këndveshtrim mund të të ndodhë si Nerudës që ka shkruar tetëdhjetë sonete, me sa kujtoj, për një grua dhe për një histori të vetme. Megjithëse siç ka shkruar vetë në librin autobiografik “Po ju them se kush jam”, nuk shquhej për puritanizëm.

A mendoni se poezia ka vendin e saj në Shqipëri, a ka lexues? Ne po shohim ditët e panairit befasi vëmendjeje kundrejt librit tuaj, ndalen mjaft të rinj duke shpërfillur botimet politike…

Poezia ka gjithnjë lexuesit e saj që nuk janë të shumtë në numër, por janë elitarë. Disa prej tyre, që mund t’i konsderoj me mirenjohje lexuesit e mi besnikë, më ndjekin prej vitesh. Ka ndërkaq lexues të rinj që lexojnë shkrime apo dëgjojnë përshtypje  për një libër konkret, siç është  rasti i vëllimit  “In love”.  Është edhe titulli që i tërheq  të rinjtë e të rejat. Shpresoj që unë si autor dhe poezia si e tillë të fitojë lexues të rinj nga ky manifestim kureshtjeje. 

Baladë 

Po flija poshtë lisit hijerëndë,

Kur erdhën e më zgjuan: Ngrehu, të do Ana!

Muzikë më të bukur s’më kishin ndier veshët.

Atë që solli lajmin nuk e pashë.

U gjegj me jehonë shpirti: Të do Ana!

Një fill drite përshkoi kujtesën, ëndrrat,

Dhe malli shpejt u gdhend si fytyrë vajze.

Mendja m’u çel si dita: Të do Ana!

Qirinj e korba u fikën: Të do Ana!

Viset e shpresës u mbushën plot me rrugë,

Gjaku sërish këndoi: Të do Ana!

Në fill të zërit shkoja dhe mendoja:

E di pse jam si firifiu, ka kohë,

Një fytyrë perëndeshe në udhë humba.

Andej-këndej u enda duke qarë,

Nga turpi që s’më donin rashë e fjeta

Nën hijen e lisit degë-rëndë.

O ti që flet e s’dukesh, a vërtet

Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?

Përse më fshihesh, o zë kaq i sinqertë?

U hap mbi kodrat e verdha një deriçkë,

(Kraharori im kërciti si dërrasë)

Mes lulesh e gajtanësh ngriti sytë

ajo që nuk u bë më shumë se vajzë.

Qeshi dhe foli: Pse më prure këtu

Ende pa të dashur shumë mirë?

Përse m’i hodhe gjithë këta xhevahirë? 

 

E mora për dore trishtimin

E mora për dore trishtimin,

Shkova ta mbys në lumë,

Po rrjedha ishte e cekët.

E hodha në krah si hobe,

Shkova ta hedh nga shkëmbi,

Por toka ishte afër.

Atëherë e lidha në djep,

Dy ditë e net e përkunda,

Po gjumi s’e zuri.

Tani bares në rrugë

Me trishtimin tim në fytyrë:

Më falni u them të gjithëve!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Çelësi i IMSI Catcher sekretohej në zarf, pajisja qëndronte në polici”

Autoritetet italiane japin të dhëna për detajet teknike të pajisjes përgjuese dhe...
Read More