Prefektët ushtarakë, një hap përgjatë fashistizimit të qeverisjes!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Qeveria Rama 1 mund të përkufizohet mbështetur në pesë karakteristikat e saj thelbësore: centralizuese, propagandistike, demagogjike, fasadiste dhe policore. Për katër vite, në një progresivitet të dallueshëm, kjo qeveri rrëmbeu çdo funksion vendor qeverisës dhe ushtroi vendimmarrjen e saj të paligjshme në aktivitete vendore, me dimension të fortë propagandistik, demagogjik dhe fasadist nëpërmjet “dhunës legjitime” të ushtruar nga policia e saj e militarizuar! Ajo anashkaloi detyrat dhe funksionet e qeverisjes kombëtare, si hartimi i politikave kombëtare për shpërndarjen e popullsisë në territor, për transportet dhe infrastrukturën, për mbrojtjen e territoreve dhe zonave natyrore, për turizmin, për kulturën e të tjera si këto, për t’ju dedikuar çështjeve lokale, si të pastrehët, ndihma ekonomike, mbledhja e taksave lokale, menaxhimi urban (lejedhënia dhe kontrolli i territorit), dhe planifikimi urban (planifikimi dhe projektimi urban).

Është kjo veprimtari dhe këto veçori të saj që na kanë drejtuar rreth tri vite më parë në pyetjen legjitime, a po shkojmë drejt fashizmit?! Pyetje kjo që e ka përgjigjen brenda, nëse këtyre karakteristikave që e bëjnë pothuajse komuniste i shtojmë edhe dy të tjera. E kam fjalën për shkeljen e të drejtave kushtetuese të individit, si ajo për të siguruar mbijetesën, e barazisë së shtetasve dhe të drejtat e pronësisë, por edhe të drejtat qytetare si ajo e informimit publik dhe e përfshirjes qytetare në aktivitete qeverisëse. E kam fjalën, gjithashtu, për marrëdhënien okulte midis qeverisë dhe një grushti njerëzish e biznesesh në shpërndarjen e parave, pronave dhe punëve publike. Sepse janë këto karakteristika, veçanërisht e dyta, që ndryshe nga kolektivizmi komunist ‘nuk e lufton sipërmarrjen private por e shfrytëzon atë për unitetin dhe të mirën kombëtare’, që i japin asaj dimensionin unik të mortajës tjetër kolektiviste e marksiste, fashizmit.

Në këto rrethana të frikshme, z. Rama shkarkoi dhe emëroi njëkohësisht të 12 prefektët e qarqeve. Një vendimmarrje qeverisëse plotësisht në baza ligjore e kushtetuese, por që hapi një debat të madh publik. Shqetësimi i parë vjen nga konteksti. Në një kohë kur Kryeministri është vetëkthyer në Kryebashkiakun e Republikës dhe udhëheq nëpërmjet 61 drejtorëve të bindur apo të pabindur të tij lokalë, kjo vendimmarrje të vë në dyshime të thella. Shqetësimi i dytë vjen nga vendimmarrja në vetvete. Shkarkimet lënë një shije të keqe sepse ato u kryen njëkohësisht, çka dëshmon se nuk ishte një vendimmarrje mbi parimin e meritokracisë apo praktikën e vlerësimit të performancës individuale. Sidoqoftë, ajo që mori valencë të lartë nuk ishin shkarkimet, por emërimet e 12 prefektëve të rinj. Të gjithë ata janë ish-ushtarakë të lartë, dhe z. Rama në konferencën për shtyp u shfaq shumë i vetëdijshëm dhe krenar për këtë përzgjedhje të tij.

Kushdo që e ndoqi atë konferencë për shtyp i ka të dallueshme dy thekset që vuri Kryeministri në prezantimin e tij. Theksi i parë ishte kontributi i tyre në ushtrinë shqiptare në kohën ‘urdhëro-si urdhëron’. Pra, atëherë kur në Shqipëri ekzistonte ajo që Kryeministri i sotëm ‘po bën’: Shteti! Dhe shteti, si në regjimin, nostalgjikët e të cilit z. Rama po manipulon sepse e mbajnë në pushtet, edhe në regjimin që ai ka për model të qeverisjes së tij, “bëhet” vetëm me polici të militarizuar dhe drejtim ushtarak. Theksi i dytë ishin trajnimet dhe aftësimet që prefektët e rinj kishin kryer nën kuadrin e NATO-s. Ky theks nuk i prish punë me nostalgjikët, që megjithëse përpara NATO-s do të kishin preferuar Traktatin e Varshavës, janë mësuar me ilegalitetin (dualizmin e diskursit me veprimin) për hir të çështjes së “madhe”. Dhe në të njëjtën kohë i bën punë me ambasadorët dhe ndërkombëtarët, të cilëve mjafton t’ju bëjë injeksionin demagogjik të radhës dhe flenë të qetë.

Përtej debatit publik, mbi vendimmarrjen e z. Rama për prefektët, ka edhe një element shumë të rëndësishëm që e kornizon atë plotësisht. Është baza ligjore mbi të cilën do të operojnë këta zyrtarë, dhe veçanërisht funksionet dhe kompetencat që kanë. Nëse e studion këtë bazë ligjore, kompetenca më e rëndësishme e tyre është ‘verifikimi i ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të qeverisjes vendore’. Pra, veçanërisht aktiviteti i kuvendeve lokale, që në të njëjtën kohë është veprimtaria e vetme qeverisëse jashtë kontrollit të z. Rama. Sigurisht se, kujtdo profesioni t’i përkisnin prefektët, sikurse gjithmonë ka ndodhur, Kryeministri do kishte pushtet mbi vendimet e Këshillave Bashkiakë. Porse në rastin kur prefektët janë ushtarakë të formuar kulturalisht dhe profesionalisht në komunizëm dhe drejtohen nga një epror me qasje fashiste qeverisëse, është evident rreziku që i kanoset qeverisjes vendore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka alternativë opozita ndaj modelit modernist të Ramës?

Nga Klementin Mile Synimi i frontit opozitar për ta rrëzuar Edi Ramën...
Read More