Preljocaj në “still life”: Jeta dhe kotësia në një vepër karriere

Koreografi Angjelin Preljocaj kthehet për herë të dytë në Tiranë, me krijimin e ’89, duke dëshmuar se si mund t’i jepet jetë një baleti, si rikrijohet në çdo rivënie. Sonte në Pallatin e Kongreseve prezenca e koreografit është e lidhur jo vetëm me turin që do organizojë në Ballkan, por si shprehet, me kthimin e tij në “burimin e shpirtit”, ndërsa Franca i dha emër

Këtë herë që mbërriti në Tiranë, koreografi Angjelin Preljocaj nuk bëri zhurmë, as nuk e priti njeri me ceremonialitet si herën e shkuar, kur erdhi për herë të parë. Përkundrazi, pothuaj një konferencë për mediat e improvizuar në sallën e pallateve të Kongreseve, ulur në bordurën e platesë, bashkë me dy kërcimtarë të rinj, e ka shndërruar këtë në një bisedë prezantuese për veprën e re që do të vihet sonte në skenë.

Dihet që Shqipëria për Preljocaj tashmë është bërë një destinacion, çështje rrënjësh, dhe në këtë rikthim është shprehur se: “unë adhuroj të vij këtu, është sikur kthehem gjithmonë në shtëpi. Edhe kur kthehem në Francë jam shumë i gëzuar, është shtëpia ime më ka dhënë shumë, më dha emër. Por kur kthehem këtu, është diçka e rrënjosur shumë thellë, është sikur kam dy burime brenda: një burim të mendjes që e gjej atje në Francë dhe një burim të shpirtit tim që e gjej këtu”.

Spektakli ka dy pjesë: “Un trait d’union”, një krijim i vitit ’89 ku duoja mashkullore vjen në një dialog trupor, për të cilin Preljocaj ka treguar se “është një balet që e kam krijuar në vitin 1989, kështu që është diçka e vjetër. Por vijmë këtu me një krijim të ri, mjaft të ri, pasi e provuam për herë të parë, para një jave. Jam shumë i lumtur dhe i prekur që hera e parë që ky krijim do të shfaqet jashtë pavijonit tim, i cili është vendi im i krijimit në Francë”.

Koreografi e ka quajtur këtë balet “Still life”, që zgjat 50 minuta. Duke zbërthyer konceptin e kësaj pjese, Preljocaj tha se e ka tërhequr loja e fjalëve: still life, natyrë e vdekur, e në shqip, natyrë e qetë, që vjen nga kërcimtarët, që lëvizin, i japin jetë skenës. Fjala “jetë”, çfarë është brenda saj, e mban kjo pjesë.

Arsyeja pse ky balet ka jetuar aq gjatë, Preljocaj shpjegon: “Si krijim, mund t’i japim jetën që duam një baleti, dhe varet nga vullneti dhe dëshira jonë për t’ia dhënë këtë jetë. Ky është balet që më ka pëlqyer dhe më ka prekur shumë, dhe kam dashur të jetojë për t’ju përcjellë gjeneratave të reja atë emocion që ndjej unë brenda, përmes këtij baleti. Prandaj e kam rimarrë dhe rishfaqur disa herë. Është një balet që e kam vënë në kundërpeshë me baletin “Dasma” me muzikën e Stranviskit, që është vënë në Tiranë, është në repertorin e TOB”.

Duke folur se si kjo jetë risillet në skenë, koreografi thotë se çfarë ka dashur të përcjellë përmes lëvizjeve dhe jetës në skenë është pikërisht vaniteti që ne kemi, të tregojë se sa të vegjël jemi ne, në univers, dhe sa e vogël është jeta jonë brenda kësaj jete të madhe. Për Preljocajn ky është një balet për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin…Dhe të realizosh këtë në kërcimin kontemporan, çfarë është punë e gjithë stilit të Preljocajt, ka të bëjë me “punën shumë të madhe, mjaft të vështirë për të arritur virtuozitetin në kërcimin kontemporan”.

Preljocaj ka folur edhe për balerinin e vetëm shqiptar që ka në trupë, Redi Shtylla, duke thënë se “ishte një kërcimtar shumë i mirë dhe kur më tha se ishte shqiptar mendova se duhet ta marr patjetër”. Ndërsa në mbresën e tij, Shtylla tha: “Është kompania e parë që punoi si balerin profesionist, është diçka e re për mua sepse punon më shumë me Angjelinin si koreograf dhe e njeh më shumë jo vetëm si koreograf por edhe si njeri”.

Premiera e Preljocaj do të bazohet te një duo mashkullore e ‘89-ës “Trait d’union”, e shkruar mbi muzikën koncertore të Bachut dhe e interpretuar nga Glenn Gloud. Baleti i Preljocaj do të çelë edhe edicionin e 12-të të Festivalit të Dansit Kontemporan të organizuar nga Gjergj Prevazi. Preljocaj ka lindur në Francë në vitet ‘50 në një familje emigrantësh të arratisur nga Shqipëria. Pas Shqipërisë, koreografi do shfaqë krijimin e tij në Kosovë e më pas në Serbi, por gjithashtu edhe në Europë. “Gjëja e parë që mendova, për ta shfaqur për herë të parë në Shqipëri, dhe vazhdimin e turneve në Kosovë dhe Serbi”.

V.M

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zhurma mbi vjedhjen e zgjedhjeve është qesharake

Nga Mustafa Nano Ka pasur shitje-blerje votash në këto zgjedhje? Me siguri,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.