Premiera në Katedrale: ‘Ndreqje gabimesh’ në skenë nga Timo Flloko

Poemat e Arian Lekës për herë të parë në një format skenik të interpretuar nga aktori Timo Flloko. Bashkëpunimi është në prag Shën Valentini, të martën në mbrëmje, duke bërë bashkë edhe artistët Kristian Koroveshi dhe balerinën Akreoma Saliu që sjell në këtë premierë gjashtë numra koreografikë të krijuar enkas dhe që vihen për herë të parë në skenë.

Poemat e Arian Lekës për herë të parë në një format skenik të interpretuar nga aktori Timo Flloko. Bashkëpunimi është prag Shën Valentini, të martën në mbrëmje, duke bërë bashkë edhe artistët Kristian Koroveshi dhe balerinën Akreoma Saliu, që sjell në këtë premierë gjashtë numra koreografikë të krijuar enkas dhe që vihen për herë të parë në skenë. Vepra poetike “Ndreqje gabimesh” e Arian Lekës rikthehet në këtë format të veçantë, pasi materiali letrar i poemës bën të mundur shndërrimin dramatik, thyerjen e tekstit poetik në dialogë për formatin teatror. Veprimi skenik i aktorëve dhe koreografia i japin veprës një tjetër dimension, jo vetëm për ata që e njohin poemën, por sidomos për ata që ndodhen në sallë. Poezia dhe teatri bëhen pjesë e së njëjtës logjikë artistike. Në qendër mbetet fjala poetike, që zgjedh si shoqërues muzikën dhe lëvizjen si art.

Shfaqja skenike është konceptuar si teatër i poezisë nën titullin “Ndreqje gabimesh” dhe ka një platformë unike regjisoriale. Timo Flloko dhe Kristian Koroveshit krijojnë një dramatikë mbi bazën e monolog/dialogut të një individi në dy kohë, dy perceptime, dy mënyra reflektimi ndaj Erosit në kohë, moshë dhe hapësira të tjera. Nuk është idilikja ajo që kumtohet. Është prirja për të kuptuar më shumë rreth gabimit njerëzor. Teksti i poemës është grishje për të gabuar, për të jetuar me gabimin, si të ishte një antitrup dhe prirja për ta falur gabimin. Fjalët evokojnë një kulturë tjetër: gabimi si mësues, që jep këshillë jo ta zhdukim dhe ta vrasim gabimin, por që gabimin e vjetër ta ndreqim duke bërë një gabim të ri. Ndaj edhe poema tingëlloi e egër, pa mëshirë, blasfemike dhe plot herezi.

Vënia në skenë e veprës “Ndreqje gabimesh” zhvendoset nga formati libër drejt teatrit poetik, për komunikim më të gjerë dhe më të drejtpërdrejt me publikun në sallë, por edhe me kujtesën që merr me vete ai. Sfondi muzikor i përzgjedhur për mbrëmjen “Ndreqje gabimesh” është muzika e autorit austriak Gustav Mahler, “Adagietto” e Simfonisë V, një letër dhe partiturë dashurie e pasionit më të thellë që kompozitori i kushtoi dashurisë – tradhtisë së tij, Alma Schindlerit. Ilustrimet janë një tjetër element që tërheq vëmendjen pasi do të projektohen rreth 300 vepra në pikture, grafikë dhe fotografi. Autorët janë nga e gjithë bota, për të dhënë dimensionin e një ndjenje pa kufi, përndjekjes së të cilës nuk i shpëtojmë dot. Janë autorë nga e gjithë bota, përfshi edhe piktorë e fotografë shqiptarë, që bashkohen në emër të dashurisë, në një poetry-movie, duke filluar që nga nga Schiele, Klimt, Picaso, Khalo, Kaceli, Matise, Warhol, O’Keeffe, Lucian Freud dhe Francis Bacon, Marubi etj. Poema “Ndreqje gabimesh”, e poetit Arian Leka, fitoi Çmimin Kombëtar të Letërsisë, “Lasgush Poradeci” – 2010 , me cilësimin “…për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj”, akorduar nga Ministria e Kulturës.

Kjo vepër, në formë të pjesshme apo të plotë, është përkthyer e botuar në 16 gjuhë. Të gjitha këto versione përkthimore do të jenë pjesë e performancës, ku për t’u shënuar është paraqitja në formë audio e zërave përkthyesve që e sollën poezinë në spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, hungarisht, rumanisht, finlandisht, italisht, arabisht, serbisht etj.

Poezia e librit ‘Ndreqje Gabimesh’ vlon nga asociacionet, herë si pamje konkrete dhe herë abstrakte biblike sidomos, lidhur me Krijuesin dhe krijesën, herë himnizon trupin mëkatar, dashurinë që bëhet tokësore dhe qiellore, të ngarkuar gëzim dhe vuajtje universale. Kështu, ngasja poetike në këtë rrafsh shfaqet si rikrijim, si rilindje, – edhe kur është e tillë brenda ka mallkimin.

Të jetë rebelim kundër institucioneve të Krijuesit, që krijon gabim, përkatësisht rebelim kundër vetë krijuesit, prania e të cilit mund të përjetohet si frymë e ligë? Kundër Krijuesit jo si projekt dhe koncept i krijuar mirë, por si projekt incidental, prandaj e bart në thelbin e vet edhe prirjen për të mëkatuar? Çfarë lloj mëkatesh bart natyra e Trupit, mëkat përherë të mundshëm, në kuptimin e Hamartisë antike greke mëkat, faj, mashtrim, gabim?

Artikulimi i ligjërimit poetik të Arian Lekës, kryesisht vjen përmes pamjeve përqasëse, (të tipit metaforik) përmes imazheve, poet me pjellori të madhe të përfytyrimeve, të vërshimeve metaforike dhe pleksjeve asociative, rrjedhë e pakëputur brenda hapësirës krijuese dinamike, hapësirë ku afrohen a përjashtohen dukuri e gjësende shpesh disparate, ku orë e çast shkëmbehen logjikja me alogjiken, realja me surrealen…

Bota poetike e Arian Lekës vjen përplot histori të pakryera e të papërkryera, botë që vlon mëkatesh të të tjerëve dhe të veta, porosi, dëshira dashurish e qortimesh të shqiptuara e të pashqiptuara, letra të shkruara e të pashkruara, të dërguara e të padërguara, e që në poemthin në fjalë, përmes shprehjeve dhe efekteve estetike, të efektshme, qëndrojnë lule dhe gjemba bashkë, ëndje dhe dhembje, dashuri dhe frikë, ndjesi e plotë dhe boshe. Pse kaq dramatik vokacioni poetik për zhbërjen e Veprës së Krijuesit? Mos vallë pas rebelimit total qëndron një krisje përmasash tjera, krisje që qëndron prapa, e heshtur…?

Të gjitha pra, të gjitha hamendësitë që zumë në gojë dhe ato të papërmendura, si nisje, si qasje leximi në këtë vepër të përkryer, ofrojnë alibi bindëse, përkatësisht secili zë mund të jetë një shteg i mundshëm hyrjeje, përkatësisht, secili në një moment gjatë ecjes tërhiqet për t’ia lëshuar rrugën një tjetër rrjedhjeje. Jo për të ardhur valë e për ta fshirë pararendësen, si zallin e zhubravitur në breg, por për ta paralajmëruar në horizont edhe një tjetër faqe të çështjes bosht, për të vendosur edhe një shtresim kuptimi dhe emocioni. Dhe për ta lënë gjithnjë të hapur shtegun e hyrjes dhe për të bredhur shtratit fabular, pledoajesë për një harmoni të botëjetës së kurdisur plot gunga, qoshe, gropa e fusha, ndjellje për ta ushqyer ëndërrimin drejt ndreqjes së gabimit (gabimeve).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Te fëmijët: Si parandalohen sëmundjet infektive

Gjithmonë është mirë të mos i vaksinoni fëmijët kur kanë temperaturë, më...
Read More