Prençi: Banorët të lënë shtëpitë, pas orës 15:00 do i evakuojmë me forcë

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi u shpreh se situata nga përmbytjet është kritike, pavarësisht marrjes së masave vitet e fundit.

Ai tha se përmbytjet e këtij dhjetori rrezikojnë të jenë më të mëdha se ato të dy viteve më parë kur vendi kaloi në gjendje të emergjencës kombëtare.

Prençi apeloi që banorët e të gjithë zonave të përmbytura në vitin 2015 dhe që janë prekur edhe këtë vit, duhet të braktisin shtëpitë e tyre deri në orën 15:00.

Në të kundërt, tha Prençi, autoritet do ndërhyjnë dhe do t’i nxjerrin forcërisht nga shtëpitë, pasi sipas tij, nisur edhe nga parashikimet pesimiste të motit, pritet vërshim i fuqishëm i disa lumenjve si Vjosa, Semani dhe Shkumbini.

“Sipas raportimit të sasisë së reshjeve në Greqinë Veriore dhe juglindjen e vendit tonë, priten pas 6 orësh vërshimi i lumenjve Seman, Vjosë dhe Shkumbin e priten përmbytje në hartën e zonave të përmbytura në 2015. Ndaj, duhet të evakuohet popullata e përmbytur në 2015, pasi situata është në ato nivele si në 2015 ose edhe më ekstreme. Ndoshta edhe më e rëndë, por mund të përballohet për shkak të disa investimeve në shtratin, basenet e lumenjve dhe kanalet e kullimit. Edhe për ato familje që nuk pranojnë evakuimin, do ndërhyjë autoritetet për t’i evakuar forcërisht qoftë edhe me bagëtitë. Qytetarët të largohen në drejtim të të afërmëve ose në qendrat e ngritura nga bashkitë. Pas orës 15:00 shtabi i emergjencës do evakuojë banorët duke përdorur edhe forcën”, tha Prençi.

Ai kërkoi ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve në hartën e zonave të rrezikuara nga përmbytjet por edhe në të gjithë vendin, pasi reshjet e shiut do jenë intensive edhe në orët në vijim.

“Intensiteti i reshjeve ka rifilluar dhe situata do shkojë drejt vështirësimit dhe duhet të shkohet ndërprerja e qarkullimi në zonat problematike. Ne kemi dhënë njoftimin se duhet të ishte ndërprerje që dje prej orës 15:00 deri në datën 4, por sot alarmi është më i madh dhe në rrugë duhet të lëvizin vetëm automjetet e emergjencës. Presim automjete ndihme për emergjencën nga Kosova dhe vendet e tjera”, tha Prençi per Report Tv.

Shkruar Nga
More from Revista User

Plagos me thikë vëllanë, arrestohet

Një 40 vjeçar në kryeqytet është arrestuar nga policia për plagosjen e...
Read More