Presidenca: E kanë radhën zonjat…

04 PresidencaDy gra janë shprehur se do e pranonin kandidimin për presidencën, por shanset e tyre janë në dorë të një beteje të ashpër në koalicionin qeverisës dhe me gjasë edhe rivalëve ende të panjohur

Nga Vladimir Karaj

Dy gra përfaqësuese të shumicës kanë lënë të kuptohet se mund të ishin kandidatura të mundshme për presidencën. Mimi Kodheli në një intervistë vitin e kaluar dhe Arta Dade pak ditë më parë. Edhe pse ende nuk është e qartë se si shumica do i japë drejtim këtij procesi, sa kohë ngërçi brenda radhëve të saj dhe përplasjet që duket se kanë për motiv kryesor këtë karrige rriten. Madje edhe dalja e dy grave si kandidate të mundshme dhe nga pozicione të ndryshme brenda shumicës dhe vetë socialistëve mund të lexohen si pjesë e kësaj përplasjeje që u bë më e ashpër me qëndrimet e ministrit të Mjedisit Lefter Koka gjatë një interviste të dhënë dje. Për shumë Mimi Kodheli nëse do kandidohet është zgjedhje e Edi Ramës, ndërsa Dade e cila tha se nuk do e refuzonte një propozim të tillë dhe që vjen në PS nga një rrugë tjetër duket se mban një pozicion më pranë me LSI.

Zgjedhja e një gruaje në këtë post sidoqoftë është diçka që nuk ka ndodhur më herët dhe mund të jetë zgjedhja e duhur dhe një kapërcim jo i vogël cilësor në politikën shqiptare. Presidentja edhe pse propozim burrash, ndryshe nga një ministre apo pozicion tjetër do kishte mëvetësi të mjaftueshme edhe për t’i dhënë institucionit, i cili ka humbur shumë kompetenca dhe nuk ka lënë ndonjë gjurmë në jetën politike në vend, një “jetë të re”, e po ashtu krijuar atë grua politike që mund të shihej si simbol. Një tranzicion i një pushteti të mbajtur kryesisht prej burrash te gratë, sigurisht do ketë pos kësaj nevojë për t’u mbushur me përmbajtje. Ajo që është e sigurt dhe e rëndësishme është se Kodheli apo të tjera kandidatura nuk e shohin sot si të pamundur postin dhe as iu duket ky lloj propozimi diçka që nuk mund të ndodhë.

Ndërkohë zgjedhja e Bujar Nishanit, që mbante postin e ministrit të Brendshëm, me një shumicë jo të cilësuar dhe pa konsensus palësh, e ka bërë të lehtë që kandidatura e radhës të mos jetë domosdoshmërish mbi palët dhe as të kërkohet ndonjë kompromis. Qasja e re i mundëson shumicës të dalë me një emër krejtësisht politik. Ajo sigurisht do të synojë dikë që nuk e “tremb” opozitën, por nga ana tjetër po ashtu do garojë siç bëri PD një të besuar të sajin. E me gjithë këtë nuk duket se beteja do të jetë e lehtë. Përplasja mes LSI dhe PS për këtë pozicion duket se është e hapur edhe pse asnjë prej palëve nuk e ka artikuluar publikisht. Gërvishtjet mes palëve janë bërë më të dukshme ditët e fundit dhe shpërthimi i Lefter Kokës kryesisht kundër PS së Durrësit duket se është pjesë e kësaj loje politike që përfshin veç presidentit edhe përplasjet për Reformën në Drejtësi apo pjesë të tjera të pushtetit që palët ndajnë.

Kodheli si presidente

“Vetë pyetja që më bëni, më përkëdhel sedrën”, i tha ministrja e Mbrojtjes gazetarit që e pyeti për mundësinë e kandidimit në këtë post. “Ka shumë burra dhe gra në këtë vend që mund të jenë të denjë për postin e Presidentit të Republikës”, -tha ajo ndërsa pati deklaruar më herët në intervistë se nuk do ishte më në Ministrinë e Mbrojtjes edhe nëse shumica merrte një mandat të dytë. Mimi Kodheli është një prej njerëzve pranë kryeministrit Edi Rama. Ajo është me të që në kohën që ai drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe me gjasë mund të jetë një nga zgjedhjet e tij për postin e presidencës. Fakti që Kodheli mbajti një ministri me profil të lartë dhe që po ashtu nuk është në listën e ministrave më të sulmuar të qeverisë dhe as nga ata më të ashprit me opozitën duket po ashtu se i shkon një propozimi të mundshëm. Por është e qartë se Rama për të kaluar Kodhelin do duhet të bindë medoemos LSI. E ndërkohë që Kodheli nuk duket se ka qenë pjesë e përplasjeve mes dy forcave të shumicës, ajo ka shkëmbyer replika me Ylli Manjanin kur ky kërkoi përfshirjen e ushtrisë në luftë kundër kanabisit. Megjithatë nuk duket se ka ndonjë qëndrim nga LSI sa i përket përmendjes së Kodhelit. LSI nga ana e saj duket se po këmbëngul të ketë vetë presidencën.

Misteri i kandidaturës së Metës

Ndërsa Ilir Meta ka deklaruar publikisht se nuk ka ambicie për atë post, ai mbetet kandidati më i fortë. Logjika e do se edhe përplasjet e fundit mes dy partive të koalicionit lidhet rreth këtij pretendimi të mundshëm të LSI. Kjo sigurisht është e nxitur edhe nga deklarimet publike të disa ministrave të LSI. Këta nuk e kanë mohuar mundësinë që kreu i kësaj force të ishte edhe kandidat për president. Ylli Manjani tha vetëm pak ditë më parë se Ilir Meta ishte një kandidat i mirë për president. Më herët të tjerë persona me peshë në LSI e patën lënë të kuptohej se kjo nuk ishte jashtë mundësive. Kandidatura e Metës do ishte e vështirë të refuzohej nga PS dhe me gjasë një refuzim i tillë mund t’i japë fund koalicionit para zgjedhjeve edhe pse ai duket se rrezikohet më shumë nga afrimi i PDIU. Nëse Meta kërkon presidencën dhe pakti nuk gjendet, PS do e këtë të vështirë po ashtu të gjejë votat që i duhen për të zgjedhur një president nga radhët e saj. Kjo mund të rikthejë sërish ditët e verës dhe pazarin e votave që do i duheshin shumicës për të zgjedhur një president të ri dhe po ashtu hapte një kapitull tjetër në politikën shqiptare. Një përplasje e tillë megjithatë do i jepte më shumë mundësi kandidaturës së Kodhelit.

Arta Dade si balancë për propozimin Kodheli

“Nëse mua më vjen propozimi nuk do të isha refuzuese nëse mendohet që mund të jem edhe për këtë detyrë”, -tha Arta Dade pak ditë më parë. Me një karrierë të gjatë politike në PS, Dade nuk duket se është në grupin pranë kryeministrit të paktën sa iu përket qëndrimeve publike kritike që ka mbajtur, por nga ana tjetër ajo duket një kandidaturë që do ishte më e pranueshme për LSI. Dade në intervistë po ashtu tha se do ishte gati të mbështeste një grua presidente. “Do ta mirëprisja që një grua të ishte në krye të shtetit sepse nuk i mungojnë Shqipërisë gra me personalitet që nuk bëjnë kompromise dhe që ngrihen mbi interesa partiakë, por nuk është një gjë e dhënë dhe tani duhet të rendim të gjejmë një grua. Unë do të parapëlqeja që të ishte një përfaqësues nga PS”, -tha Dade. Nëse Rama nuk do quante kompromis për Kodhelin, Dade mund të ishte një zgjedhje tjetër për të pasur sërish një presidente grua.

Një kandidaturë tjetër nga LSI

PS nuk duket e gatshme të lëshojë postin e presidentit, por ajo mund të shtrëngohet të shkojë këtu nëse nevoja për LSI në zgjedhjet e ardhshme shihet e madhe dhe për shkak se një ndarje mund të krijonte probleme të qeverisjes në të gjitha nivelet. Thyerja, që edhe mund të ketë ndodhur ndërkohë, do sillte probleme në të gjitha bashkitë ku përcaktohet shumica në këshilla mes këtyre dy forcave dhe ngërçe të tjera jo pak kokëçarëse për qeverinë Rama. Megjithatë edhe pse LSI ka shpallur se ka disa kandidatura veç Metës asnjë emër tjetër nuk është propozuar ende.

Të përhershmit me më pak shanse

Mund të jetë e pamundur që Fatos Nano të marrë presidencën, por është e sigurt që emri i tij do të riqarkullojë sapo të fillojnë ditët e nxehta të kandidaturave. Të tjerë jo pak të interesuar mund të jenë personazhe politikë që e shohin veten në prag të pensionimit dhe që mund ta shohin atë si një post për mbyllje të karrierës. Por duket e vështirë për të qenë të pranuar prej shumicës, sa kohë presidenti i ri, me gjithë cungimin në kompetenca pritet të ketë rol jo të vogël në formimin e drejtësisë së re, sidomos gjykatës kushtetuese. Bujar Nishani mund të jetë një prej këtyre kandidaturave po ashtu edhe pse është e qartë që shumica nuk do e mbështeste dhe opozita deri tani nuk duket se i ka votat për të ushtruar presion për rizgjedhjen e tij. Deputeti dhe ish-kryeministri Pandeli Majko ka qenë gjithmonë në emrat e përmendur. Majko nuk është në shtjellat dhe përplasjet politike të ditës dhe po ashtu gëzon jo pak popullaritet. Zgjedhja sidoqoftë do jetë me shumë mundësi nga radhët e të majtës dhe vendosja e një gruaje në pozicionin më të lartë të vendit do përmbushte edhe qëllimet simbolike të shumicës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shansi im i tretë brenda PS-së

A mund të kthehet demokracia në PS? A mund të kthehen zgjedhjet?...
Read More