Presidenca e Trump: Ç’është bërë me Partinë Republikane?

The Economist

Partia Republikane është organizuar rreth një njeriu

Të gjithë presidentët, Republikanë dhe Demokratë, kërkojnë ta ribëjnë partinë sipas imazhit të tyre. Donald Trump ka qenë më i suksesshmi nga të gjithë. Si fillim, votuesit që magjepsi në fushatë e përqafuan më ethshëm sesa janë gati ta pranojnë Republikanët në kongres.

Pas 15 muajsh në pushtet, ai ka marrë pronësinë e partisë. Është një arritje e jashtëzakonshme për një njeri që nuk ka jetuar kurrë në Washington DC, i cili nuk ka mbajtur kurrë poste publike, që lëvdohet se ka prekur gra në zonat intime dhe i cili, jo më larg se 2014-a, ka qenë donator për demokratët e urryer.

Parimi organizues i Partisë Republikane të z. Trump është besnikëria. Jo, si me presidentët më të mirë, besnikëria ndaj një ideali, një vizioni apo një programi legjislativ, por ndaj vetëm një njeriu – Donald J Trump-it – dhe përballë paragjykimit dhe zemëratës që konsumoi bazën e votuesve, me raste, edhe ai has vështirësi për ta kontrolluar. Në Amerikë, është e paprecedentë dhe e rrezikshme.

Tashmë, disa nga lexuesit tanë republikanë do të jenë duke rrotulluar sytë. Ata do të thonë se kriticizmi ynë zbulon më shumë rreth nesh dhe elitizmit tonë të hamendësuar sesa flet për z. Trump. Por nuk po flasim këtu rreth politikave të administratës së z. Trump, pak prej të cilave i mbështesim, shumë prej të cilave jo dhe se të gjitha duhet të debatohen në bazë të meritave të tyre. Më i madhi problem urgjent është temperamenti i z. Trump dhe stili i tij i qeverisjes. Besnikëria nënshtruese ndaj një njeriu dhe furia që ai ushqen dhe nxit është një kërcënim ndaj demokracisë së lustruar që bota shpesh e ka si shembull.

Jo çfarë, por si

Pushtimi i z. Trump i ka rrënjët e veta në tribalizmin mos-merrni-të burgosur që kish kapluar politikën amerikane përpara se ai të bëhej president. Dhe në të kaluarën Zyra Ovale me raste i ka përkitur narcisëve, disa prej të cilëve gënjyen, joshën, tallën apo minuan normat presidenciale. Por asnjë nuk është sjellë aq paturp sa z. Trump. Në zemër të sistemit të tij të pushtetit është përbuzja e tij ndaj së vërtetës. Në një memoar botuar këtë javë, James Comey, të cilin z. Trump e pushoi nga puna si drejtor i FBI-së, ankohet mbi “gënjeshtra mbi gjithçka, të madhe e të vogël, në shërbim të ca kodeve të besnikërisë që kanë vënë organizatën mbi moralin dhe mbi të vërtetën”. Z. Trump nuk bën dot – mbase nuk mundet – dallimin mes fakteve dhe pavërtetësisë. Si njeri i biznesit dhe në fushatë ai u soll sikur e vërteta ishte gjithçka nga e cila mund të largohej. Dhe si president, z. Trump me siguri beson se pushteti i tij do të thotë se mund t’i largohet me një ujdi të mirë.

Kur pushteti sundon të vërtetën, kriticizmi bëhet tradhti. Kritikët nuk mund të apelojnë ndaj fakteve dhe të mbeten besnikë, sepse faktet nuk janë neutrale. Siç ka shkruar Hannah Arendt në vitet ’20 dhe ’30, çdo ekspozim fakti bëhet çështje motivi. Kështu, kur H.R. McMaster, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare tha (pakundërshtueshëm) se Rusia ka ndërhyrë në fushatën elektorale, z. Trump i dëgjoi fjalët e tij si pafalshëm armiqësore. Pas kësaj ai u shkarkua.

Kulti i besnikërisë ndaj z. Trump dhe bazës së tij e prek qeverisjen në tre mënyra. Së pari, politikëbërja vuan ndërsa, në vend të një programi koherent, Amerika i nënshtrohet qeverisjes nga impulsi – zemëratë, nativizëm, merkantilizëm – përtej arritjes së argumentit empirik. Viti i parë i z. Trump ka përfshirë arritje: kalimi i një shkurtimi të madh takse, rikthimi i kuadrit rregullator dhe emërimi i gjyqtarëve konservatorë. Por pjesa më e madhe e politikëbërjes së tij është e shënjuar nga kaosi më shumë sesa nga qëllimi. Ai ishte kundër marrëveshjes tregtare Trans-Paqësore, pastaj pro saj, pastaj kundër saj sërish: për kontrollin e armëve, pastaj për armatosjen e mësuesve.

Së dyti, konventat që mbështesin kufijtë e kushtetutës mbi presidentin kanë rënë viktimë e egoizmit të pakujdesshëm të z. Trump.

David Frum, dikur një shkrues fjalimesh për George W. Bush, liston disa që ai ka thyer (dhe prej sa kohësh kanë vëzhguar): refuzim për të zbuluar kthimin e taksës (qysh prej Gerald Ford-it), shpërfillja e ligjeve mbi konfliktin e interesit (Richard Nixon), ushtrimi i një biznesi për përfitim (Lyndon Johnson), emërimi i të afërmeve në poste të rëndësishëm në administratë (John F. Kennedy) dhe pasurimi i familjes nga përkrahja (Ulysses S. Grant).

Dhe së treti, z. Trump i pikturon ata që e pengojnë në rrugën e tij jo si kundërshtarë, por si të ligj, të korruptuar ose tradhtarë. Z. Trump dhe baza e tij i ndajnë Republikanët në njerëz të mirë që e mbështesin dhe njerëz të këqij që nuk e mbështesin – një arsye pse një numër prej 40 kongresmenësh republikanë, përfshi Kryetarin e Dhomës, Paul Ryan, nuk do të kërkojnë ri-zgjedhje.

Media pro tij janë besnikë të zellshëm; ata që nuk janë pro tij etiketohen armiq të popullit.

Ai ka quajtur hetimet gjyqësore nga Robert Mueller në lidhjet e tij komerciale dhe politike me Rusinë si komplot i thellë. Z. Trump thuhet se po luan me heqjen nga puna të z. Muellet apo të shefit të tij në Departamentin e Drejtësisë. E megjithatë nëse një president nuk mund të hetohet pa u cilësuar kjo si tradhti atëherë, si një mbret, ai është mbi ligjin.

Qortimi më i mirë ndaj solipsizmit të z. Trump mund të ishte disfata e Republikanëve në kutinë e votimit, duke nisur me zgjedhjet e nëntorit, në mes të afatit. Por ato ende nuk kanë ardhur. Baza republikane e z. Trump, e nxitur nga media besnike, nuk tregon shenja zbutjeje. Sondazhet tregojnë se anëtarët e tij besojnë në mënyrë dërrmuese presidentin mbi z. Comey. Për ta, kriticizmi nga establishmenti është provë se ai po i bën gjërat siç duhet.

Shih lart, shih përpara dhe shih brenda

Por përgjegjësia bie gjithaq mbi Republikanët, të cilët e dinë se z. Trump keq për Amerikën dhe për botën. Ata ndihen të mbërthyer, sepse nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet pa bazën e z. Trump por, po aq, ata nuk mund të nisin të përpiqen të lënë mënjanë z. Trump dhe bazën e tij pa u etiketuar si tradhtarë.

Republikanë të tillë duhet të reflektojnë se si mënyra si do flasin do mbajë trashëgiminë e tyre. Të ndërgjegjshëm mbi të ardhmen e partisë së tyre, ata duhet të mbajnë mend se diversiteti racor që po rritet në Amerikë do të thotë se nativizmi do të çojë në një xhungël elektorale. Dhe për hir të vendit të tyre, ata duhet të sjellin një projektligj për të mbrojtur hetimin e z. Mueller nga sabotimi. Nëse besnikëria ndaj z. Trump i jep atij pandëshkueshmërinë, kush e di se ku do të aventurohet ai? Duke folur në Konventën Kushtetuese më 1787-ën George Mason tha: “A duhet të jetë mbi drejtësinë ai burrë, i cili mundet të kryejë padrejtësinë më të madhe?”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ndrenika firmos i pari kundër shembjes së Teatrit: Kam frikë se më presin pensionin!

Artistët vijuan edhe të hënën protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Edhe...
Read More