Presidencë-qeveri, ndarje apo konflikt i ri pushtetesh?

Nga Ervis Iljazaj

Në deklaratën e tij të parë për shtyp, pas fitores së vetme në zgjedhjet e 25 Qershorit, Edi Rama nuk la pa përmendur dhe ish-aleatin e tij në qeverisje, Ilir Metën, tashmë në rolin e Presidentit të Republikës. Duke filluar me falënderimin për kohën e qeverisjes, por pa harruar të prekë dhe marrëdhënien e re midis tyre, atë të Presidentit me Kryeministrin.

Një marrëdhënie e cila do të hapë një fazë të re midis këtyre dy institucioneve, duke qenë se tashmë në krye të institucionit të Presidencës ndodhet një person me personalitet të fortë politik dhe një protagonizëm që e shoqëroi edhe gjatë fushatës elektorale. Jo vetëm kaq, por Ilir Meta ka qenë rivali kryesor politik brenda të majtës me Kryeministrin deri pak kohë më parë. Andaj, Rama në konferencën për shtyp nuk harroi të evidentojë këtë fakt në një formë paralajmërimi për rolin e tij të ri institucional.

Kjo konferencë, ndoshta ishte një nuancë e parë se çfarë marrëdhënie e vështirë do të ekzistojë midis dy institucioneve, që njëkohësisht është edhe një marrëdhënie midis dy rivalëve politikë.

Që institucioni i presidencës i përket një partie të ndryshme nga ajo e mazhorancës qeverisëse, kjo në pamje të parë mund të duket si e shëndetshme për balancimin dhe ndarjen e pushteteve, por nëse në krye të atij institucioni ndodhet një figurë dhe protagonist i fortë politik si Ilir Meta, atëherë kjo marrëdhënie rrezikon të kthehet në një konflikt, i cili dëmton në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet kushtetuese që duhet të ekzistojnë midis tyre, aq më tepër në një kontekst të tillë.

Edhe pse ishim në kohë fushatë, ku mund të tolerohet ndonjë deklaratë jashtë normave, ato të Ilir Metës kalojnë pragun e të qenit politikisht korrekt. Të mendosh që tashmë është i detyruar të dekretojë një Kryeministër për të cilin lëshoi akuza pa fund.

Nëse Edi Rama është në rolin e tij normal politik dhe duhet të mbajë patjetër qëndrime politike, kjo nuk mund të lejohet nga Presidenti i ri i Republikës. Roli i tij kushtetues e detyron të jetë mbi palët. Tashmë Presidenti Meta, duhet të kuptojë që është futur në një fazë tjetër të karrierës së tij politike, atë të ruajtjes të ekuilibrave politikë dhe jo prishjes së tyre. Në të kundërt, është e drejta e tij e plotë të rikthehet në rolin e tij si Kryetar i LSI dhe të bëjë betejat politike që tani nuk ia lejon posti që mban.

Askush nuk pretendon që Presidenti i Republikës duhet të jetë apolitik, por kjo nuk do të thotë të bësh politikë në sensin e qëndrimeve. Eksperienca e zotit Meta mund të jetë shumë e vlefshme nëse vërtet arrin të dalë mbi palët. Precedentët me konflikte midis mazhorancës dhe institucionit të presidencës kanë qenë prezentë në politikën shqiptare. Mjafton të përmendim presidencën e fundit për të kuptuar se si respekti ndaj këtij institucioni është ulur në nivelet më të ulëta historike. Kështu që të kesh në krye të shtetit një person i cili vjen nga një parti e ndryshme e asaj të mazhorancës nuk do të thotë automatikisht ndarje pushtetesh. Ndarja e pushteteve do të thotë secili në zyrën dhe në detyrat e tij, në të kundërt ajo kalon në një konflikt të parikuperueshëm.

Megjithatë, bashkëpunimi midis dy institucioneve, qeverisë dhe presidencës nuk nënkupton nënshtrimin e këtij të fundit, por as konfliktualitetin e lartë që parashikohet në kontekstin politik aktual. Këto janë dy ekstreme që duhen me patjetër të evitohen, nëse vërtet duam një ekuilibër politik që ruan rendin kushtetues dhe demokratik të vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Neo-komunistët shqiptarë në shërbim të kapitalizmit

Nga Klementin Mile Neo-komunizmi në Shqipëri është stil jetese. Si i tillë, ai...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *