Presidenti, asgjë nuk është si më parë

Pas paqes së brishtë Rama-Meta, çështja e gjeneral Sandër Lleshajt bëhet kauzë për të treguar forcën mes dy personazheve që përdorin institucionet që drejtojnë si “armë” ndaj kundërshtarit. Kryeministri ridërgon në presidencë të njëjtin emër për ministër të Brendshëm, Meta tregon Kushtetutën. Si do mbyllet “dueli” i miq-armiqve të hershëm dhe lëvizjet e ndërkombëtarëve për të zgjidhur ngërçin në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Flasin analistët Eni Vasili, Roland Lami dhe Ilir Kalemaj.

Nga Sebi Alla

Shtatë ditët e pritjes për dekretimin e gjeneral Sandër Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme u mbyllën në limitet e afatit të fundit, me “tymin e zi” që doli nga presidenca, duke refuzuar të dekretojë ministrin e ri të qeverisë Rama. Rrëzoi një emër, por ngriti një kauzë, ku i hapi rrugën një precedenti të pandodhur më parë me presidentët e vendit. Ilir Meta, në postin e lartë, por të konsideruar si “honorifik”, vendosi diktatin e tij në këtë proces, me dilemën e madhe për një pjesë gjykuesish nëse kapërceu kompetencat Kushtetuese apo e zbatoi më përpikëri atë. Fakti është se një nga ministritë kryesore të vendit sot po drejtohet nga një zëvendësministër si Sandër Lleshaj, që ka marrë kompetencat e ministrit të padekretuar me izmin e kryeministrit Edi Rama. Në situatën mikse, pikëpyetja mbetet në kemi të bëjmë me një përplasje institucionale apo është një plasje brirësh e dy personazheve “miq-armiq” si Edi Rama dhe Ilir Meta. Zhvillimet e orëve të fundit e kanë rikthyer çështjen, (në dukje të mbyllur), në proces të saponisur. Kryeministri njoftoi ridërgimin e emrit të Sandër Lleshit në presidencë për dekretim, me shpresën se firma e kreut të shtetit këtë radhë nuk do të mungojë. Nga ana tjetër, presidenti i pyetur mëngjesin e së premtes, nëse ka ndonjë arsye konkrete për mosdekretimin e Sandër Lleshajt, parashtroi idenë për ta lënë që të ushtronte detyrën e tij. “Për sa iu takon anës ligjore, pa dashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti. Dhe të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë”-deklaroi prerë Meta. Nuk vonoi as qëndrimi i kryeministrit, që për të bërë politikë të “madhe”, ka zgjedhur qëndrimet në Twitter apo Facebook dhe jo deklarata zyrtare të një kreu qeverie. “Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkruan Rama në Twitter. Në situatën e krijuar çdo qytetar i interesuar për politikën po e kthen veten në “konstitucionalist” dhe “bluajnë” në mendje dilemën nëse presidenti veproi në zbatim apo shkelje të Kushtetutës kur nuk dekretoi Leshajn? Një pikëpyetje e madhe që mund të kishte marrë përgjigje në pak orë nëse vendi do kishte në funksionalitet Gjykatën Kushtetuese, ky institucion kaq i rëndësishëm që ka mbetur me vetëm dy anëtarë, për shkak të gijotinës vetting. Rama e Meta mendojnë ndryshe, juristët po ashtu, qytetarët të ndarë dhe sytë i janë drejtuar një arbitri të gjithëgjendshëm në moçalin tonë politik, siç janë personalitete ndërkombëtare. E para që theu heshtjen ishte Ambasada Amerikane në Tiranë, që pasi vlerësoi punën e “një pjese të policisë dhe prokurorëve” në operacionet domethënëse të javëve të fundit, kërkoi specifikisht: “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”. Më shumë se mbajtje ane, deklarata e ambasadës së SHBA-ve është kritike për palët në konflikt, pasoja e së cilës është se Ministria e Brendshme po punon jo funksionalisht për shkak të mosaprovimit të Lleshajt në postin e ri. Edhe BE nuk mund të rrinte spektatore në zhvillimet e javës së fundit në vendin tonë. Eurodeputeti Knut Fleckenstein deklaroi dje se nga gjithë informacionet që ai ka nga organizatat ndërkombëtare, Sandër Lleshaj, i zgjedhuri i Ramës për ministër të Brendshëm, së fundi komanduar si zv.ministër me kompetencat e ministrit, është i gjithi pozitiv. “Informacioni që unë kam rreth Lleshajt është i gjithë pozitiv, por nuk i di arsyet e presidentit, mund të ketë pasur anë të tjera që kanë ndikuar, nuk e paragjykoj, por di nga organizatat ndërkombëtare që Lleshaj ka CV dhe është i pranueshëm, nuk kam përgjigje tjetër për këtë”, -tha ai. Lidhur me pyetjen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, eurodeputeti ka dhënë këtë përgjigje: “Nuk është situatë e mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Ne të gjithë e dimë por në këtë proces ka një lloj efekti domino, por unë nuk shoh një problem”-shtoi Fleckenstein. Në një “fund të lumtur”, presidenti dhe kryeministri mund të arrijnë në dakordësi për emërimin e Leshajt si ministër të Brendshëm dhe gjenerali të shkojë pranë kryekomandantit për t’u betuar jo si ushtarak, por në postin më se civil të ministrit. Kjo është dëshira më shumë e ndërkombëtarëve por edhe e shtetdashësve për të shmangur një krizë të mundshme institucionale për vendin. Për më shumë në një situatë të tillë që Reforma në Drejtësi, edhe pse me hapa të ngadaltë po merr formë në krijimin e institucioneve të reja. Më shumë se për një emër të përveçëm, gjendja shihet me shqetësim veçanërisht nga Ambasada Amerikane për çështjen e Reformës në Drejtësi, që gjithsesi në pjesën fundore duhet të kalojnë në treshen presidencë-qeveri-parlament. Nga ana e saj, opozita po mban një qëndrim disi asnjanës, duke mos u përqendruar në figurën që përfaqëson Sandër Lleshaj, por duke bërë politikë në të drejtën e saj kundrejt kundërshtarit politik Edi Rama. Gjithashtu, ekspertët e njohur të opozitës të çështjeve ligjore iu janë shmangur interpretimeve kushtetuese në lidhje me kompetencat e presidentit për dekretimin e ministrave. Nëse motivi i kthimit pas të kandidaturës së Leshajt lidhet me të qenit ose jo “gjeneral aktiv” mund të kapërcehen me bisedime dhe diskutime të tjera mes palëve. Edhe në rast të dekretimit të Lleshajt (që të premten ia shtuan CV-në edhe ndërkombëtarët me vlerësimet që dhanë), Meta nuk do të konsiderohet një president që u tërhoq nga presioni. Ai mund të ketë kthyer një tjetër faqe institucionale, ku para se të ndërmerret një veprim dialogu mes palëve është më se i nevojshëm. Gazetarja dhe drejtuesja e emisionit “Open” Eni Vasili mendon se përplasja institucionale presidencë-qeveri i ka rrënjët më të thella se aktualiteti dhe në diskutim e “përplasje” nuk mbetet çështja Lleshaj. Për Vasilin, i vetmi problem për t’u zgjidhur në këtë rast është ajo e konfliktit të dyshes Rama-Meta. Analisti Ilir Kalemaj, në qëndrimin që mbajti për gazetën “Mapo” gjykon se konflikti duket institucional, por në thelb ngelet dhe është thelbësisht personal. Që të dy, si Rama ashtu edhe Meta kanë treguar forcë (ndoshta deri në kryeneçësi) përballë çështjeve që venë në pah njërin apo tjetrin individ politik. Në analizë, Kalemaj shprehet se nëse e shohim strikt në lidhje me kompetencat kushtetuese të Presidentit, miratimi i Presidentit është i natyrës formale, sepse akti i vullnetit politik mbartet nga kryeministri që përfaqëson shumicën e zgjedhësve dhe në emër të mazhorancës politike bën propozimin përkatës. “Kjo gjithsesi nuk do të thotë absolutisht që Presidenti është noter i akteve të sjella për firmë nga Kryeministri dhe ky i fundit gabon ose së paku nxitohet kur thotë që nuk i çova kandidat por ministër të emëruar thjesht për firmë”, shton Kalemaj. Profesori i Universitetit Europian të Tiranës, politologu Roland Lami, në analizën e tij mendon se në situatën aktuale jemi në kushtet e një loje politike dhe jo të një interpretimi të ngushtë apo të zgjeruar kushtetues. Sipas tij, Presidenti nëpërmjet këtij akti mendon të japë disa mesazhe se roli i tij në këtë post nuk është honorifik por deciziv në disa raste. Gjithashtu, sipas Lamit, është një mënyrë për të detyruar kryeministrin të negociojë për emra të përveçëm në vazhdimësi.

 

Ministër apo zv.ministër, asnjë problem! Çështja është konflikti Rama-Meta

Drejtuesja e emisionit “Open” në Top Channel Eni Vasili çështjen e mosdekretimit të Sandër Lleshajt më shumë se “kompetencë Kushtetuese” e konsideron si përplasje të dyshes politike.

Mosdekretimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nga Presidenti i Republikës Ilir Meta ka sjellë si pasojë përplasjen me Ramën. Në këtë situatë jemi para një konflikti institucional apo një përplasje “personazhesh” Meta-Rama?

Jemi sigurisht përpara një konflikti institucional që ndoshta rrënjët i ka te përplasja e dyshes Rama -Meta, një përplasje që është pjesë e një telenovele intrigash dhe rivaliteti politik gati 20-vjeçar. Pas një fushate elektorale në kërkim të timonit, duke treguar me gisht nga LSI-ja si shkaktare për shumëçka negative në vend ky, përplasja me ish-kryetarin e LSI dhe themeluesin e saj ishte më se i pritshëm. A është pjesë e një strategjie politike apo thjesht një provokim presidencial me qëllim riformulimin e pakteve të reja, kjo mbetet për t’u parë.

Palët jashtë institucioneve ndahen për sa iu përket kompetencave; disa gjykojnë se në një Republikë Parlamentare kryeministri vendos për kabinetin e tij dhe presidenti thjesht duhet të firmosë dekretet, (ku përgjegjësinë për emrat që propozon e mban kreu i qeverisë), ndërsa të tjerë gjykojnë se roli i presidentit nuk është vetëm si “noter”, ose me rol thjesht ceremonial, por ka të drejtën të kthejë një kandidaturë duke mos e dekretuar. Në këtë “gjykim të kundërt”, Gjykata Kushtetuese që do i jepte përgjigjen përfundimtare mungon, kjo situatë e krijuar “përplasjesh institucionale” si mund të zgjidhet?

PS deklaroi nëpërmjet sekretarit për mediat Alfred Peza në emisionin tim Open në Top Channel se PS do të dërgojë në kushtetuese përgjigjen e presidentit. Më shumë se në kërkim të një zgjidhjeje ky duket një akt propagandistik kur dihet tashmë pamundësia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendime në mungesë të numrave të kuorumit. Kthimi i një propozimi për dekretimin e një ministri nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe do kërkonte një arsye shumë të fortë. Në mungesë të motivimit nga ana e presidencës zgjidhja më shumë se në sferën juridike duhet të kërkohet në atë politike. Të paktën deri në momentet që flasim si kryeministri ashtu edhe presidenti duken të vendosur në llogoret e tyre. E vërteta është që asnjë nga paraardhësit e Metës nuk ka guxuar të kthejë një dekret të ngjashëm me gjithë oponencën që i kanë bërë kandidaturave edhe publikisht.

Edhe pse gjuha e përdorur nga Rama ka qenë disi e rëndë në Parlament, përsëri i është lënë një derë hapur në mundësinë e bashkëpunimit dhe diskutimit institucional qeveri-presidencë. Në situatën aktuale a mund të rinegociohet kandidatura e Lleshajt, (Kryeministri lajmëroi ripropozimin e Lleshajt), për aq kohë sa presidenti ende nuk është shprehur me dekret, por ka sqaruar mosdekretimin për arsyet e refuzimit brenda afatit shtatë ditë që e përcaktonte Kushtetuta?

Edhe këtu opinionet e juristëve dhe konstitucionalistëve janë të ndara. Pavarësisht kësaj e vërteta është që nga pikëpamja institucionale në Ministrinë e Brendshme nuk ndryshon asgjë nëse dikasteri drejtohet nga zv.ministri Lleshaj, po kështu kjo nuk përbën asnjë problem edhe për qeverinë pasi mosdekretimi nuk sjell asnjë pasojë për të në sallën e parlamentit, aq më pak problematika sjell situata për njerëzit dhe përditshmërinë e tyre nëse Lleshaj e drejton Ministrinë si ministër apo si zëvendësministër me kompetencat e ministrit. I vetmi problem për t’u zgjidhur në këtë rast është ajo e konfliktit të dyshes Rama-Meta.

Kemi edhe reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila ndalet specifikisht në çështje duke u shprehur: “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”. Si duhet lexuar ky qëndrim, një “presion pozitiv” presidentit dhe kryeministrit, apo një këshillim i pastër për njërën palë? 

Një gjuhë e drunjtë diplomatike nga ato që mund ta interpretosh me një mijë mënyra, apo edhe në një të vetme. Ambasadës Amerikane si shumë përfaqësive të tjera iu intereson stabiliteti institucional në vend dhe e inkurajon atë pavarësisht se kush e krijoi dhe si do ta zgjidhë përplasjen e fundit politiko-institucionale.

 

Jemi në kushtet e një loje politike, interesi personal e partiak “mposht” ligjin

Pedagogu i UET Roland Lami e konsideron modekretimin e Lleshajt një “sebep” i rikthimit të dualizmit të kahershëm Rama-Meta, ku secili kërkon protagonizmin politik e publik.

Mosdekretimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nga Presidenti i Republikës Ilir Meta ka sjellë si pasojë përplasjen me Ramën. Në këtë situatë jemi para një konflikti institucional apo një përplasje “personazhesh” Meta-Rama?

Te ne, institucionet në përgjithësi identifikohen me titullarin dhe jo anasjelltas. Edhe pyetja juaj këtë realitet pasqyron “përplasje personazhesh Meta – Rama” jo Presidenca – Ekzekutivi. Personalizimi i institucioneve është produkt i kulturës paramoderne që kanë vende si ne me regjime politike hibride ku fryma kushtetuese, procedura ligjore, praktika institucionale zëvendësohet me interpretimet, interesat, agjenda dhe shije të titullarit të institucionit. Produkt i kësaj mendësie është edhe sjellja e fundit e Presidentit Meta me mos dekretimin e kandidaturës Z. Lleshi të propozuar nga ana e kreut të ekzekutivit Z. Rama. Fryma dhe germa e kushtetutës, praktika 28-vjeçare e ndjekur nga Presidentët paraardhës (Alia, Berisha, Meidani, Moisiu, Topi Nishani), shkelja e praktikës së mosbërjes publike të argumenteve ligjore dhe kushtetuese për mosdekretimin janë disa nga arsyet për të kuptuar se institucioni që Kushtetuta i njeh rolin e garantit kushtetues siç është Presidenca, shkel vetë kushtetutën. Në këto raste, jemi thjesht dhe vetëm në lojë politike dhe kemi dalë nga kornizat ligjore dhe kushtetuese. E parë kështu, Z. Meta është korrekt me planin e tij politik, por është në konflikt me frymën dhe kornizën ligjore të institucionit që përfaqëson.

Kreu i shtetit me mosdekretimin e Lleshajt është futur në historinë e 28 viteve të fundit të politikës, duke krijuar një rast të paprecedent, ndërsa mazhoranca dhe vetë Rama, flet për shkelje të Kushtetutës. Në këndvështrimin tuaj, a ka të drejtë presidenti të mos dekretojë një ministër. Hapësirat Kushtetuese a ia lejojnë të refuzojë kandidaturën e propozuar nga kryeministri?

Sigurisht në kushtet e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, shto dhe faktin që për raste të tilla te ne mungon opinioni i kualifikuar i konstitucionalistëve, Presidenti dhe Kryeministri i lejojnë vetes të bëjnë interpretimet e tyre mbi dekretimin ose jo të Z. Lleshi apo emërimin me kompetenca të përgjysmuara. Kështu që, interesi politik lehtësisht i mbivendoset precedentit pozitiv të ndjekur në vite apo interpretimit të frymës kushtetuese që lehtësisht mund të bëhet nga ekipi konsultues pranë Presidentit dhe Kryeministrit. Me sa duket arsyet për lojë politike janë më të forta se arsyet ligjore apo kushtetuese. Presidenti nëpërmjet këtij akti mendon të japë disa mesazhe. Së pari, kërkon të përcjellë mesazhin tek opinioni publik se roli i Presidentit me ardhjen time në këtë post nuk është honorifik por deciziv në disa raste. Së dyti, është një mënyrë për të detyruar kryeministrin të negociojë për emra të përveçëm në vazhdimësi, si kandidatura e kreut të KLSH etj. Së treti, një paralajmërim për mundësinë e prodhimit të një krize institucionale, pasi opozita nuk po ia arrin dot ta bëjë një gjë të tillë dhe roli i Presidentit në këtë drejtim mund të jetë deciziv. Së katërti, nevojë për të faktorizuar rolin e LSI nëpërmjet presidencës, e cila për momentin është thjesht dhe vetëm zgjatim i PD pa ndonjë rol të veçantë në opozitë. Së pesti, nevojë për të ringjallur shpresën te militantët e LSI për rikthim të Z. Meta, të cilët nuk mund ta perceptojnë këtë forcë politike pa drejtimin e tij. E fundit, akt politik për t’i kujtuar Z. Rama se Presidenca për Z. Meta është një pension politik i përkohshëm, jo mbyllja e karrierës politike.

Llogaritë politike nuk mungojnë dhe në krahun tjetër. Kryeministrit Rama pavarësisht se në këto momente nuk i intereson një përplasje me institucionin e Presidencës, pasi i del i tepron ai me opozitën dhe me të tijtë brenda PS, është i vetëdijshëm që tashmë ky konflikt nuk varet më prej tij, atë ka në dorë Z. Meta. Në këto kushte, përpiqet të shikojë çfarë ka pozitive në këtë konflikt. Një aspekt pozitiv për të është përqendrimi i debatit tek aspekti teknik dhe ligjor duke, anashkaluar diskutimin se çfarë mund të sjellë pozitive në drejtimin e Ministrisë një kandidaturë si Z. Lleshaj. Gjithashtu, është sfumuar ndjeshëm akuza e adresuar nga opozita për një numër të konsideruar zyrtarësh të lartë si kryetari i Bashkisë së Durrësit, Z. Dako. Shtyhet në kohë reforma zgjedhore që kështu siç është favorizon më shumë qeverinë sesa opozitën etj.

Edhe pse gjuha e përdorur nga Rama ka qenë disi e rëndë në Parlament, përsëri i është lënë një derë e hapur në mundësinë e bashkëpunimit dhe diskutimit institucional qeveri-presidencë. Në situatën aktuale a mund të rinegociohet kandidatura e Lleshajt, për aq kohë sa presidenti ende nuk është shprehur me dekret, por ka sqaruar mosdekretimin për arsyet e refuzimit brenda afatit shtatë ditë që e përcaktonte Kushtetuta?

Siç e përmendem dhe më lart jemi në kushtet e një loje politike dhe jo të një interpretimi të ngushtë apo të zgjeruar kushtetues. Për sa kohë aktorët politikë të përfshirë në këtë përplasje gjykojnë: interesi personal apo partiak është më i rëndësishëm se respektimi i ligjit; konteksti politik më i rëndësishëm se emërimi formal i një kandidature të propozuar nga kryeministri, klima e acaruar parazgjedhore më e rëndësishme se funksionaliteti normal i ekzekutivit dhe institucioneve të tjera; fati politik i Z. Meta më i rëndësishëm se precedenti që prodhon Institucioni i Presidencës dhe pazari me emrat mes Presidentit dhe Kryeministrit më i rëndësishëm se ndarja e pushteteve na shtyjnë të mendojmë se me këtë logjikë gjithçka mund të ndodhë.

Kemi edhe reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila ndalet specifikisht në çështje duke u shprehur: “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”. Si duhet lexuar ky qëndrim, një “presion pozitiv” presidentit dhe kryeministrit, apo një këshillim i pastër për njërën palë? 

Për momentin nuk kemi informacion të mjaftueshëm të dalim në konkluzionin se për cilin bien këto kambana, për mosdekretimin nga ana e Presidentit apo për insistimin e Z. Rama për të emëruar Z. Lleshaj edhe pse me kompetenca të përgjysmuara. Ditët në vazhdim do të na hedhin dritë mbi adresimin e koduar të mesazhit të ndërkombëtarëve, të cilët flasin për parimin por pa lënë të kuptojmë se kush e mbron dhe kush po e shkel këtë parim. Një gjë është e sigurt që ai që do të tërhiqet i pari nga pozicioni aktual do të lërë të kuptohet që ishte faktori ndërkombëtar në kushtet e mungesës së një vendimi të gjykatës kushtetuese që zgjidhi ngërçin mes institucionit të Presidencës dhe pushtetit ekzekutiv, pavarësisht se tashmë precedenti u krijua.

 

President mbi palët apo edhe jashtë palëve është zgjedhja më e mirë

Politologu Ilir Kalemaj e konsideron një rast interesant në politikë përplasjen presidencë-qeveri që mund të “kufizojë” tendencën qeveritare për kontroll pushtetesh.

Mosdekretimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nga Presidenti i Republikës Ilir Meta ka sjellë si pasojë përplasjen me Ramën. Në këtë situatë jemi para një konflikti institucional apo një përplasje “personazhesh” Meta-Rama?

Çifti politik Meta-Rama ka patur një kimi politike të hershme që ka patur fazën e saj rozë si në rastin kur presidenti i tanishëm atëherë kryeministër e mbështeste asokohe kryebashkiakun rishtar në betejën kundër kullëzimit të Lanës dhe aksioneve të tjera zhurmëmëdha që i sollën jo pak kapital politik Ramës. Por ka patur edhe ulje pikiatë që kulminuan me protestat e Ramës kundër Metës për shkak të videos së famshme që udhëhoqi opozitën e asaj kohe në protestën më masive dhe fatkeqe deri atëherë apo sulmet nën brez te Kurbani ku Rama derdhi talentin prej publicisti polemist për të poshtëruar ish-aleatin e dikurshëm. Mandej vijoi një koalicion solid ndonëse me ulje-ngritjet e tij politike derisa mbërritëm në këtë prag lufte të ftohtë, ku sebepi është gjenerali i Ministrisë së Brendshme por tjetërkund fle lepuri. Ky çift personazhesh aspak rastësore të tranzicionit, duket që kanë thuajse zero besim të ngelur te njëri-tjetri ku fati i mbramë i Partisë Socialiste duket se i përçau keq qysh në krye të herës pavarësisht përpjekjeve për ta fshehur me vështirësi në shfaqjet publike. Konflikti duket institucional por në thelb ngelet dhe është thelbësisht personal.

Kreu i shtetit me mosdekretimin e Lleshajt është futur në historinë e 28 viteve të fundit të politikës, duke krijuar një rast të paprecedent, ndërsa mazhoranca dhe vetë Rama, flet për shkelje të Kushtetutës. Në këndvështrimin tuaj, a ka të drejtë presidenti të mos dekretojë një ministër. Hapësirat Kushtetuese a ia lejojnë të refuzojë kandidaturën e propozuar nga kryeministri?

Ky mosdekretim ka dy qasje analitike nga ku mund të trajtohet. Nëse e shohim strikt në lidhje me kompetencat kushtetuese të Presidentit, natyrisht miratimi i Presidentit është i natyrës formale sepse akti i vullnetit politik mbartet nga kryeministri që përfaqëson shumicën e zgjedhësve dhe në emër të mazhorancës politike bën propozimin përkatës. Kjo gjithsesi nuk do të thotë absolutisht që Presidenti është noter i akteve të sjella për firmë nga Kryeministri dhe ky i fundit gabon ose së paku nxitohet kur thotë që nuk i çova kandidat por ministër të emëruar thjesht për firmë. Nga ana tjetër, në mungesë edhe të Gjykatës Kushtetuese dhe mosfunksionimit të hallkës së tretë të pushtetit, atij gjyqësor, si dhe një mazhorance që e ka krejt për vete tepsinë ekzekutive dhe me shumicë të thjeshtë tek ajo legjislative, Presidentit i përforcohet roli i rojtarit të Kushtetutës dhe qëndrimi i tij i pavarur është një garanci më tepër për funksionimin e ndarjes së pushteteve, conditio sine qua non kjo për vende me demokraci të brishtë si Shqipëria.

Palët jashtë institucioneve ndahen për sa iu përket kompetencave; disa gjykojnë se në një Republikë Parlamentare kryeministri vendos për kabinetin e tij dhe presidenti thjesht duhet të firmosë dekretet, (ku përgjegjësinë për emrat që propozon e mban kreu i qeverisë”, ndërsa të tjerë gjykojnë se roli i presidentit nuk është vetëm si “noter”, por ka të drejtën të kthejë një kandidaturë duke  mos e dekretuar. Në këtë “gjykim të kundërt” Gjykata Kushtetuese që do i jepte përgjigjen përfundimtare mungon, kjo situatë e krijuar “përplasjesh institucionale” si mund të zgjidhet?

Mungesa e funksionimit të arkitekturës së re të sistemit të drejtësisë kur e thënë në mënyrë figurative “trau” është lënë jashtë shtëpisë, e bën imperativ dhe të paneglizhueshëm rolin e Presidentit. Kur ende janë të pakonstituuara KLGJ, KLP, SPAK, Byroja e Hetimeve por edhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese që shërben si gardian i Kushtetutës, në mungesë edhe të një pakti politik pozitë-opozitë që do i jepte fund ngërçit dhe do hapte trasenë e komunikimit politik që do përmbyllte një reformë të vonuar për të krijuar një sistem drejtësie të pakorruptuar por edhe të pakapur, duke i dhënë fund arbitraritetit dhe drejtësisë selektive, një President mbi palët apo edhe jashtë palëve është zgjedhja më e mirë, se sa një president palë me pushtetin. Larg të qenurit një situatë ideale, tensionet politike në vend shpesh shërbejnë për një ekuilibër më të mirë të pushteteve, për një garantim më adekuat të pavarësisë së institucioneve dhe për një sy dhe veshë më tepër që garanton moskorruptimin absolut që të sjellë një shumicë arrogante. Akoma më e nevojshme është kjo kur mungon një shoqëri civile e fortë dhe kurajoze, me zëra të shkëputur por jo koherente dhe media që ka tone jo të forta kritike.

Edhe pse gjuha e përdorur nga Rama ka qenë disi e rëndë në Parlament, përsëri i është lënë një derë hapur në mundësinë e bashkëpunimit dhe diskutimit institucional qeveri-presidencë. Në situatën aktuale a mund të rinegociohet kandidatura e Lleshajt, për aq kohë sa presidenti ende nuk është shprehur me dekret, por ka sqaruar mosdekretimin për arsyet e refuzimit brenda afatit shtatë ditë që e përcaktonte Kushtetuta?

Të premten Kryeministri ia ka çuar sërish propozimin Presidentit për kandidaturën e z. Lleshaj, kësaj here siç shprehet vetë, të mbështetur me argumente, madje duke vlerësuar edhe rolin e Presidentit kur ky i fundit çonte të argumentuar shtyrjen e plotfuqishmërisë për Marrëveshjen e Detit, duke krijuar një praktikë të mirë institucionale dhe konstitucionale që ka ardhur koha të tejkaloj marrëdhënien shpesh të vështirë personale dhe krijon një kulturë politike dhe juridike të ndryshme dhe cilësisht më të mirë në marrëdhëniet ndërinstitucionale.

Kemi edhe reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila ndalet specifikisht në çështje duke u shprehur: “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”. Si duhet lexuar ky qëndrim, një “presion pozitiv” presidentit dhe kryeministrit, apo një këshillim i pastër për njërën palë?

Reagimi i Ambasadës Amerikane dhe ai i Delegacionit të BE-së në Tiranë që ishin në të njëjtën linjë është një presion pozitiv për të patur një funksionim të mirë të një organi kyç ligjzbatues siç është Ministria e Brendshme. Duke qenë se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy plagët më të mëdha që mbajnë peng hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në, çdolloj perceptimi nga krimi, qoftë ky i rrugës apo i “jakave të bardha” për cedim apo mosfunksionim të plotë nga ana e organit që ka detyrë kushtetuese luftën ndaj tij, është rrezik për dështim të procesit dhe vonesa të mëtejshme në rrugën e integrimit të vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Preç Zogaj: Ringritja e PD është fati i saj

Politikani i njohur dhe themelues i PD-së, Preç Zogaj, flet për situatën...
Read More