Presidenti i parë që legjitimoi misionin e Kryepeshkopit Janullatos

Nga Ervis Iljazaj

Në Vigjiljen e Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, pas një kërkese të gjatë nga ana e tij, e cila kishte shumë kohë që qëndronte e depozituar në presidencën shqiptare, por që asnjëherë më parë nuk kishte përfunduar me sukses.

Ndoshta, jo pa qëllim është zgjedhur kjo ditë, pasi simbolika e saj më shumë se kurrë na kujton se besimi fetar, ka qenë dhe do të jetë një pjesë e rëndësishme në jetën e gjithsecilit.

Në një shoqëri si ajo e shqiptare, ku çështjet e besimit kanë kaluar në kalvare aspak të lehta, ku shpeshherë si në rastin e fesë ortodokse janë mpleksur me kombësinë, një veprim i tillë sigurisht që është një hap i rëndësishëm, dhe kuptimplotë.

Në këtë kuptim, Presidenti Meta, është i pari  që ka ndërmarrë një akt, me anë të të cilit ka legjitimuar, ose institucionalizuar të gjithë misionin fetar të Kryepeshkopit të kaq shumëpërfolur për prejardhjen e tij, në raport me shtetin shqiptar. Sepse një nga debatet më të mëdha që ka hasur feja ortodokse në vendin tonë është pikërisht përkatësia e kombësisë nga e cila drejtohej ky mision.

Duke qenë se kjo është një nga temat më të nxehta, që ka shoqëruar komunitetin ortodoks shqiptar, asnjë nga presidentët e mëparshëm nuk ka guxuar të ndërmarrë një veprim të tillë, duke i dorëzuar nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit. Feja dhe kombi, ndryshe nga shumë besime fetare të tjera, për besimin ortodoks ka një rëndësi të veçantë, prandaj dhe është një çështje kaq shumë e debatuar edhe këtu në Shqipëri.

Nëse do t’u referoheshim ligjeve civile, Kryepeshkopi ka shumë vite që jeton në Shqipëri dhe i takon kjo nënshtetësi. Mirëpo, ky gjest është më shumë se kaq, sepse pret shumë sensibilitete kulturore dhe historike në të njëjtën kohë. Kështu që, veprimi i zotit Meta, është një veprim që ndoshta do të hyjë në historinë e tranzicionit  shqiptar, dhe mund të shërbejë si një pikë kthesë në raportet midis kombësisë dhe fesë.

Të kuptohemi, misioni i Kryepeshkopit Janullatos, është një mision i cili është pranuar nga komuniteti ortodoks shqiptar, në praktikën e tij, në mesazhet e tij dhe në të gjitha marrëdhëniet që ai ka ndërtuar më këtë komunitet.  Roli i tij, ka qenë një rol i padiskutueshëm për të ringjallur besimin fetar të shtypur përgjatë komunizmit. Në këtë drejtim i takojnë të gjitha meritat për misionin që e ka përmbushur plotësisht.

Megjithatë, deri në këtë pikë, duke e njohur zyrtarisht si shtetas shqiptar, nuk kishim arritur asnjëherë më parë. Në këtë mënyrë, misioni i tij merr dhe një nuancë të rëndësishme, atë të konvertimit nga një klerik i huaj, në një klerik tashmë shqiptar.

Mirëpo, edhe pas këtij gjesti nga ana e Presidentin Meta, sigurisht që debatet për këtë çështje nuk do të përfundojnë. Zoti Meta, ndoshta ka patur qëllimin e mirë për t’iu dhënë fund këtyre debateve me anë të një gjesti simbolik, por frika qëndron se, shumë prej atyre që preken nga ndjenjat patriotike , nuk do ta kapërdijnë lehtë shqiptarizimin e Kryepeshkopit.

Dhe, në këtë kuptim, çështja e fesë dhe kombësisë, do të vazhdojë ende. Të gjitha përpjekjet e atyre që historikisht janë munduar të na shpjegojnë që besimi ortodoks në Shqipëri, është një besim autokton, që s’ka asnjë lidhje më kombësinë greke, me siguri kanë arsyet e tyre për të bërë.  A mund të themi, që tashmë Kisha Autoqefale Ortodokse drejtohet nga një Shqiptar?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Faleminderit Donald, por është një punë e pambaruar

Nga Ervis Iljazaj Tashmë që është emëruar ambasadori i ri amerikan në...
Read More