Presidenti Meta ka qenë dhe mbetet një alternativë politike

Nga Ervis Iljazaj

Përplasja e ditëve të fundit midis Kryeministrit dhe Presidentit për mos dekretimin e Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm, nuk është aspak një betejë institucionale dhe kompetencash kushtetuese, por, një betejë politike e pastër.

Ata që në Partinë Socialiste mendonin se do ta neutralizonin politikisht Ilir Metën me zgjedhjen e tij President të Republikës, ja ku i kanë faktet që kanë gabuar rëndë.

Ilir Meta ka qenë dhe mbetet në sytë e opinionit publik një alternativë dhe një opsion politik. Për nga pesha dhe historia e tij politike, posti i Presidentit një personaliteti të fortë të politikës si Meta, me siguri i rri ngushtë.

Madje, mund të jetë një alternativë opozitare shumë e rëndësishme dhe një kundërshtar politik që mund t’i krijojë probleme kësaj mazhorance me karizmën e tij politike. Askush nuk mund ta vërë në diskutim që Ilir Meta, vazhdon të mbetet, në mos lideri de jure i Lëvizjes Socialiste për Integrim, lideri shpirtëror i saj.

Por, ajo që nuk shkon në të gjithë këtë histori, është fakti se, nuk mund të jesh njëkohësisht dhe President dhe alternativë politike. Janë dy profile të papranueshme për një demokraci parlamentare si ajo e Shqipërisë.

Në këtë kuptim, Ilir Meta me vendimet dhe lidershipin e tij politik, po i jep një profil tjetër institucionit të presidencës, duke cenuar kështu Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Sepse, me mosdekretimin e Sandër Lleshit, de facto, Republika e Shqipërisë ka marrë formën e një republike gjysmëpresidenciale të tipit francez, ku Presidenti duke qenë se ka pushtet ekzekutiv, emëron dhe shkarkon ministrat.

Në këtë rast, mund të thuhet pa frikë se, Presidenti Meta, është më i fortë se sa kompetenca e tij.

Kjo marrëdhënie, me shumë mundësi, do të karakterizojë të gjithë mandatin e dytë të mazhorancës me institucionin e presidencës. Për nga natyra e tij dhe pesha politike, Ilir Meta nuk do të jetë aspak një kafshatë e lehtë për t’u kapërdirë nga mazhoranca politike.

Që nga koha kur President ka qenë Sali Berisha, Republika e Shqipërisë ka patur në krye të atij institucioni figura politike me pak ose aspak peshë politike. Herë kanë qenë konsensualë dhe herë partiakë, por e përbashkëta e tyre është fakti se asnjëherë nuk kanë mundur të ndikojnë thelbësisht jetën politike me veprimet apo qëndrimet e tyre.

Me reformat kushtetuese, kompetencat e Presidentit të Republikës janë ulur ndjeshëm, megjithatë, roli i këtij institucioni varet shpesh nga personaliteti i njeriut që merr atë post dhe, personaliteti politik i Metës kalon përtej kompetencave formale që ka presidenca.

Shpeshherë rëndësia që ka Presidenti në Republikat Parlamentare varet nga konteksti politik. Nëse klima politike është bashkëpunuese atëherë roli i tij kthehet në formal dhe ceremonial. Por, nëse klima politike, siç ndodh në shumicën e rasteve në vendin tonë është konfliktuale, atëherë roli i Presidentit bëhet i rëndësishëm. Kompetencat e tij janë në formën e një fizarmonike, hapen dhe mbyllen në varësi të situatës politike.

E rëndësishme është që të sigurohet ndarja e pushteteve dhe jo konfliktualiteti i tyre. Që institucioni i presidencës i përket një partie të ndryshme nga ajo e mazhorancës qeverisëse, kjo në pamje të parë mund të duket si e shëndetshme për balancimin dhe ndarjen e pushteteve, por nëse në krye të atij institucioni ndodhet një figurë dhe protagonist i fortë politik si Ilir Meta, atëherë kjo marrëdhënie rrezikon të kthehet në një konflikt, i cili dëmton në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet kushtetuese që duhet të ekzistojnë midis tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kosova, asnjë koncesion që e hollon më tej pavarësinë

Nga Muhamet Hamiti Valerie Hopkins, në artikullin me titull “Serbia dhe Kosova...
Read More