Presidenti Meta

Sjellja presidenciale në katër vjet nuk i mjaftoi Metës për të pasur në sallë opozitën, por i sapozgjedhuri në krye të shtetit thotë se do të vijojë përpjekjet për zgjedhje me PD-në. Meta zgjidhet me 87 vota, disa më shumë se 2 paraardhësit, por sërish me opozitën që bojkoton. Merr urimet e para nga jashtë

Nga Vladimir Karaj

U lexua si surprizë dhe mund të qe e tillë, por ishte diçka e folur dhe stërfolur që prej 2 prillit të 2013. Ilir Meta do ishte president. Edi Rama dhe Ilir Meta me gjasë janë thjeshtë duke vijuar idenë e “bashkimit të së majtës”, me gjithë gërvishtjet dhe përplasjet rrugës mes dy forcave, apo ironitë e kryeministrit se presidenti i zgjedhur ishte  “më me PD-në, por jo i PD-së”. Ish-deputeti i PS Koço Kokëdhima, që po ashtu shihet si një kumbar i koalicionit, thotë se kjo ishte pjesë e marrëveshjes së para katër viteve. Meta vetë tha se do kishte dashur edhe vota të opozitës. Ai pati thënë në media më herët se do e pranonte propozimin vetëm nëse opozita do ishte dakord. Ai dhe Rama po ashtu thanë se bëhej fjalë për një zgjidhje emergjence dhe se Meta nuk kishte dashur në fakt të merrte postin. “Nuk jam i lumtur për arsye se rrethanat politike në vend nuk janë ato që do të donim të gjithë dhe që natyrisht do të dëshiroja dhe unë”, tha Meta në fjalimin menjëherë pas votimit me 87 vota pro, dy kundër në mungesë të opozitës. Presidenti i zgjedhur bëri menjëherë deklarata pajtimi. Ai tha se do angazhohej për “standardin e zgjedhjeve”. Ndërkohë votimi i tij lë të hapura të gjitha skemat edhe pse duket se opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet prej bojkotit. Megjithë numrin e votave Meta është zgjedhur vetëm si president i njërit krah, duke vijuar traditën e mungesës së konsensusit në vend për këtë post.

Megjithatë për 4 vjet me radhë Meta luajti rolin e presidentit hije. Ai ishte shumicën e ditëve presidencial. I “butë” me opozitën deri në pikën e krijimit të iluzionit se po ndërronte krah rrugës gjatë javëve të protestës dhe ndonjëherë i ashpër me Ramën. Aq e lexueshme ishte kjo sa Meta, kundër të cilit  përveç në një momenti kur PD organizoi protesta kjo e fundit zor se ka folur, mori vetëm tre ditë më parë edhe komplimentet e Sali Berishës.  “Përpjekjet e Ilir Metës për tu vlerësuar. Një njeri që thotë se mandatet e mia janë në favor të zgjidhjes së krizës, unë mendoj se ai ka bërë detyrën e tij me përgjegjësi. Çdo politikan që ka nuhatje politike e sheh që vendi është zgrip”, ka komentuar ish kryeministri Berisha gjatë intervistës së tij në Tonight Ilva Tare, disa ditë më parë.

Në korrik një vit më parë ai frenoi votimin e një anshëm të kushtetutës së re dhe i krijoi hapësira të reja PD, duke dalë pas votimit me 140 vota “presidencial”. Të ngjashme ishin qëndrimet e tij për zgjedhjet. Kjo shkoi deri aty sa Rama dhe më tutje Gramoz Ruçi e akuzuan se po mbante anë dhe madje edhe se ishte duke favorizuar çadrën.

Javët e fundit, por edhe më herët është dukur shpesh se koalicioni i majtë po shkonte drejt krisjes përfundimtare, kjo e bëri zgjedhjen e Metës të dukej si diçka e papërgatitur, por zor se ky skenar nuk ka qenë menduar që herët. E megjithëse ka marrë më shumë vota se dy prej paraardhësve të tij Ilir Meta, mbetet kontravers. Lulzim Basha, ndryshe nga ish-kryeministri Berisha që ka heshtur, prej dy ditësh po e sulmon atë hapur. Ai e cilësoi zgjedhjen e tij një farsë, ndërsa duket se ky pakt i të majtëve vulos edhe qëndrimin e PD-së ndaj zgjedhjeve.

Kjo sigurisht e komplikon situatën në vend. Presidenti i zgjedhur la të kuptohej se do të vijonte negocimin, por shanset janë të vogla nëse gjërat mbeten në këtë nivel.

Ndërkohë ndërhyrjet nga jashtë mbeten të forta. Ambasadorët vijuan edhe dje presionin për të shtyrë PD të ndalojë bojkotin. Kjo e fundit u përgjigj ashpër duke i sulmuar. Nga ana tjetër habitshëm ambasadorët nuk ishin të pranishëm gjatë votimit në Kuvend, megjithëse ambasada e SHBA dhe përfaqësi të tjera e përshëndetën zgjedhjen. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Ne mirëpresim bashkëpunimin në vijim me udhëheqësit shqiptarë, për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi dhe për të krijuar mundësi për popullin shqiptar”, thuhej në një njoftim të saj.

Jo të gjithë ishin të kënaqur. Spartak Ngjela e sulmoi menjëherë zgjedhjen e Ilir Metës. Ngjela ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj kreut të kuvendit dhe ish-kryeministrit. “Çfarë po ndodh në Tiranë? “Ç’është ky sheqer kismet; Një Hajdut sot pamë mbret”… Meta ktheu rrugë: u nis për në Çadrën e Saliut dhe përfundoi në Presidencë. Kë trembi: Ramën apo Donald Lunë?”, shkroi avokati. PD po ashtu ishte e ashpër gjatë ditës së djeshme. “Këtu është katandisur demokracia fasadë me kupolën e Edi Ramës dhe Ilir Metës”, tha Basha i cili prej dy ditësh i është rikthyer cilësimit dyshe të qeverisjes. Një natë më parë në intervistë Basha e sulmoi kandidaturën e Metës si pazar të caktuar ndërsa pihej verë e shtrenjtë.

Megjithatë ashtu edhe siç pritet prej një presidenti të sapozgjedhur dhe siç ka vepruar edhe më herët Ilir Meta bëri thirrje të reja për dialog. “I ftoj të gjithë të jenë të qetë dhe të mos prishin qetësinë publike. Aq më tepër që nuk ka ndonjë arsye për të festuar, kur kemi edhe qytetarë të tjerë që janë diku tjetër, aty ku normalisht nuk duhet të jenë. Është e rëndësishme të jemi shumë të qetë”, deklaroi presidenti i zgjedhur Meta. Ai më herët tha se priste këshilla nga Berisha. “Ju e dini që ai është dobësia ime. Por besoj tek eksperienca e tij dhe e politikanëve të tjerë tek PD që të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate”, ka thënë Meta për mediat.

Jashtë sallës së Parlamentit, Meta ka nënvizuar se rrethanat në të cilat u zgjodh president e bëjnë të ndihet i hidhëruar.  “Nuk jam i lumtur sepse rrethanat politike nuk janë ato që do të dëshiroja dhe unë dhe besoj se edhe ky investim i imi dhe mazhorancës aktuale për t’u zgjedhur president synon përmirësimin e këtyre rrethanave dhe krijimin e mundësive më të mira për një klimë më konstruktive lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe për të evituar përshkallëzimin e një ngërçi që tashmë ka nisur”, ka thënë Meta.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në anën tjetër mbajti të njëjtin qëndrim ironik. Rama përsëriti se Meta ishte me PD dhe se “as vetë në PD nuk mund të gjendej”. Kjo përpjekje e kryeministrit duket se kërkon t’i mëshojë zgjedhjes së Metës si dikush që është i pranueshëm dhe mbi palët. Edhe pse karriera e Metës ka kaluar përmes peripecish dhe përplasjesh të forta politike, përfshi edhe ato të 2008-2012 me vetë Ramën, që përfshinë akuza të ashpra dhe gjuhë ofenduese. “21 Janari” ishte një protestë e socialistëve kundër Metës, pas videos të cilën Gjykata e Lartë e rrëzoi në mënyrë kontraverse. PD po ashtu mbajti protesta para kuvendit për t’i kërkuar dorëheqjen, pas një investigimi të BIRN që e lidhte Metën me Kastriot Ismailaj i akuzuar për pastrim parash.

E megjithatë pranë shumicës duket se kishte nga ata që nuk u surprizuan. “Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS-LSI të katër viteve më parë. Unë i uroj suksese zotit Meta në këtë detyrë të lartë dhe në sfidën e tij për të qenë një figurë dhe simbol i bashkimit kombëtar”, tha dje Koço Kokëdhima. Ish- deputeti i PS  njihet si një nga kumbarët e koalicionit.

Megjithëse zgjidhja e Metës duket se mund të qetësojë disa gjakrat të paktën në shumicë, nuk dihet nëse do ketë pas kësaj kompromis. Mbrëmë vonë nga LSI filluan të qarkullonin emrat e kandidatëve për deputetët. Kjo do të thotë se tani ajo do të shkojë në zgjedhje, ndoshta edhe pa PD, edhe pse Meta la të kuptohej që negocimi me të djathtën do të vijonte.

 

Meta e filloi si deputet 23-vjeç

Ilir Meta është prej 27 vjetësh në politikë. 48-vjeçari, Presidenti më i ri i Shqipërisë, ishte vetëm 21 vjeç në vjeshtën e vitit 1990, kur u bë pjesë e lëvizjes studentore që çoi në ndryshimin e regjimit komunist. Ilir Meta ishte në takimin që studentët bënë me ish-udhëheqësin e fundit të regjimit, Ramiz Alia, aty ku u pranua për herë të parë pluralizmi.

Një pjesë e madhe e grupit të studentëve dhe pedagogëve të këtij takimi u bënë pjesë e Partisë Demokratike të sapokrijuar, ndërsa studenti Ilir Meta zgjodhi tjetër drejtim. Ai, së bashku me mikun e tij Pandeli Majko u bë një nga themeluesit e Forumit Rinor Eurosocialist (FRESSH), e më pas deri në vitin 2001, kryetar i tij.

Në zgjedhjet e vitit 1992, ai u bë deputet në vendlindjen e tij, për Partinë Socialiste. Kjo është koha kur Meta nis betejën e fortë si pjesë e së majtës socialiste, që vinte nga një trashëgimi komuniste e Partisë së Punës. Deputeti i ri Ilir Meta ishte pjesë e grupit të të rinjve që nuk kishin një të kaluar komuniste, por edhe një tjetër beteje, me pushtetin pothuajse absulut që sapo kishte krijuar e djathta e re shqiptare pas fitores së zgjedhjeve.

Deputet në të gjitha legjislaturat, Meta ka mbajtur detyra të rëndësishme në Partinë Socialiste, deri edhe nënkryetar i saj. Pas zgjedhjeve të vitit 1997 mori detyra në qeverinë e re të sapokrijuar, me kryeministër Fatos Nanon, dhe në vjeshtën e vitit 1998, pas asaj që u quajt tentativë për grusht shteti, bashkë me ish-“freshistin” dhe ish-studentin e dhjetorit, Pandeli Majko, morën drejtimin e qeverisë shqiptare. Një vit më vonë, Meta do të bëhej kryeministër për herë të parë, duke e çuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2001, të cilat i fituan. Meta u rimandatua sërish kryeministër, por në një klimë aspak miqësore me Fatos Nanon, me përplasjen e famshme të dimrit të atij viti, përplasje që kulmoi në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues. Meta dha dorëheqjen dhe pas vijimit të konfliktit në shator të 2004-rës krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim. Partia e re u provua në zgjedhjet e vitit 2005, pas të cilave, ish-rivali i tij Fatos Nano doli nga skena politike. Në krye të socialistëve do të vinte Edi Rama, me të cilin Meta kishte pasur një bashkëpunim të mirë gjatë kohës që ishte kryeministër. Në zgjedhjet e vitit 2007, LSI-ja mbështeti kryebashkiakun në zgjedhjet për Tiranën, por marrëdhënia e ngushtë mes dy politikanëve u vu në diskutim pranverën e vitit 2008. Ndryshimet kushtetuese të arritura me një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës u komentuan si fundi për partitë e vogla, por rezultoi e kundërta. Në zgjedhjet e vitit 2009, mandatet e fituara nga LSI-ja u kthyhen vendimtare për krijimin e mazhorancës së re. Ishte koha kur lëvizja e Metës për koalicion me Berishën zemëroi shumë të majtët. Një video de regjistruar nga Dritan Prifti solli dorëheqjen e zëvendëskryeministrit të qeverisë “Berisha”ndërsa ndodhi edhe protesta e madhe e 21 Janarit, ku katër protestues u vranë. Gjykata e Lartë i dha Metës shfajësim për akuzën që kërkonte dënimin e tij me 2 vjet burg, duke iu referuar një ekspertize për të cilën pati shumë debate. Armiqësia me PS u kthye në miqësi dhe në prillin e vitit 2013, pak para zgjedhjeve, Meta nënshkruan një nga marrëveshjet më të rëndësishme me socialistët duke rrëzuar nga pushteti PD-në. Meta zgjidhet kryetar i Kuvendit për të vijuar 4 vite bashkëpunim me Ramën, jo gjithmonë me të njëjtën “dashuri e qetësi”, frazë që ai e bëri mit. Kreu i LSI-së u bë aktor kryesor në zhvillimet politike deri në këtë moment, kur u bë i vetmi emër për kandidat për President të Republikës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Përfundon pa marrëveshje takimi mes Ramës e Bashës

Ka zgjatur më shumë se tre orë takimi mes kryeministrit Edi Rama...
Read More