Presidentja e UET Alumni ka një këshillë për studentët, Adela Danaj: Të marrin iniciativën, të aplikojnë…

Ditën e djeshme u mbajt aktiviteti i 100 studentëve ekselentë të dhjetë brezave që kanë mbaruar studimet e tyre në UET. Adela Danaj, një histori suksesi, është tashmë Presidente e UET Alumni. Pozitivizmi, natyra e socializuar e saj, dëshira për të qenë sa më pranë shoqërisë bëri që të realizonte një kthesë të madhe në karrierën e saj. Danaj na foli rreth pozicionit si Presidente e UET Alumni, rreth ish-studentëve që vazhdojnë të rikthehen në UET, eksperiencës së saj në Hungari dhe gjithashtu dha disa këshilla mjaft të vlefshme rreth rëndësisë së studimeve jashtë vendit.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Ju jeni imazh i dy universiteteve, atij në Hungari dhe UET gjithashtu. Çfarë ndjenje është kur shndërrohesh në imazh promovues në degën Shkenca Politike në një prej universiteteve më prestigjioze në Evropë?

Nuk është e thjeshtë të përshkruash se çfarë ndiej, por e kam më të thjeshtë për të thënë se çfarë mendoj dhe si arrita unë deri aty. Sigurisht që të bën të ndihesh mirë, në momentin që ti kthen kokën pas dhe sheh që je shndërruar në imazh tek dy prej universiteteve, të cilët kanë lënë një shenjë shumë të rëndësishmë në jetën tënde dhe jo vetëm më kanë formësuar si njeri, por më tepër kanë ndikuar pozitivisht por kanë patur dhe  një rol thelbësor në atë çka unë jam sot si individ dhe profesioniste patjetër. Fillimisht erdha të studioj në UET në vitin 2011 për Shkenca Politike pasi përfundova studimet për Stomatologji dhe kisha punuar si mjeke stomatologe për rreth tre vite.

Gjatë studimeve të mia arrita të identifikoja tek vetja atë që unë dija më mirë të bëja. Gjatë studimeve unë njoha dhe limitet e mia deri ku unë mund të shkoja dhe atë që për mua përbënte realisht interes dhe mund të bëhesha në të ardhmen. Dhe ndoshta ky ishte motivacioni kryesor që aktivizoi të gjithë motorët e mi të fuqisë dhe më bëri të studioj, por dhe njëkohësisht të përfshihem në jetën kurrikulare të UET-it, në jetën studentore, por dhe përtej saj duke u thelluar akoma më tepër në akademi. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që arrita të dal me rezultate të shkëlqyera dhe të kthehem në një nga ato personazhet që evidentohesha në universitet. Gjatë Bachelor-it u atashova tek zyra e projekteve dhe pas praktikës së punës që ne rëndom e njohim si Intership, fillova të jem punonjëse me kohë të plotë në UET. Aplikova më vonë për të studiuar jashtë, tek CEU, një universitet amerikan i pozicionuar në Hungari, i cili i dedikohet të githë studentëve ekselentë në fushat e tyre respektive.

Mbas përgjigjes pozitive m’u desh të shkëputem nga Shqipëria për dy vite dhe të studioja po për Shkenca Politike në nivelin Master. Nuk e kisha menduar kurrë dhe këtë e kam shumë të sinqertë që do të shndërrohesha në imazhin e Departamentit të Shkencave Politike duke qenë se fillimisht sfidat kanë qenë të mëdha. Ndihesha jo në pozita të barabarta me pjesën tjetër të studentëve, kjo jo për shkak të background-it tim, por për shkak të pasigurive që kisha për faktin që ishte hera e parë që kaloja kufinjtë për të studiuar në një universitet aq sfidues sa është CEU. Motivi për të qenë një njeri i ditur, për të njohur më tepër fushën, për t’u thelluar më tej në studime ka qenë çelësi kryesor, i cili në fakt u përkthye një ditë në një telefonatë dhe në një email teksa më kërkuan të bëhem imazh i departamentit përkatës për procesin rekrutues te vitit të ardhshëm. Në vitin 2017-2018 unë e pashë veten imazh në broshurat e CEU. Ndihem mirë, e vlerësuar. Dhe më tepër mendoj për rrugëtimin tim për të ardhur deri këtu. Nuk ishte qëllim dhe pjesë e objektivave të mia, por pashë që në rast se punon fort, dedikohesh, punon seriozisht, je e përpiktë në gjërat që bën, kërkon nga vetja pa u sforcuar në të bërit e asgjëje tjetër përveç studimeve, mund të arrish një sukses që ndoshta dhe s’e ke paramenduar.

Në çfarë konsiston aktualisht puna juaj si presidente Alumni? A janë ende aktivë ish-studentët e UET kur ju organizoni evente në të cilat kërkohet pjesëmarrja e tyre? Çfarë shihni tek ata?

Unë do t’i jem UET-it mirënjohëse jo si Adela, jo si individ, por si pjesë e shoqërisë shqiptare, që po arrin të ngjizë një koncept kaq të rëndësishëm në Shqipëri siç është Alumni. Kjo besoj i paraprin shumë përgjigjeve. Së pari Alumni nuk është  një koncept i njohur për ne. E dyta, sjell sfida të mëdha për të ngritur struktura siç është ajo e Alumnit. Ashtu sikurse e thashë pak më sipër unë pata fatin të vij nga një background tek i cili gjeta të konsoliduar shumë fort strukturën e Alumnit dhe tek i cili pashë se çdo të thotë të kesh një zyrë Alumni apo të krijosh dhe të mbash kontakte me ish-studentët e tu. Titulli presidente është shumë i madh për shpatullat e mia, por unë preferoj ta quaj veten koordinatore e një procesi të gjatë dhe kompleks, i cili nuk ka për qëllim t’i japë frytet e tij në terma afatshkurtër, por në ato afatgjatë. Alumni si filozofi ka si qëllim krijimin e network-eve, krijimin e rrjeteve.

Unë para dy ditësh dëgjova një shprehje shumë interesante, e cila është si këto goditjet që të vijnë herë pas here dhe ti e mban mend gjatë: ‘Të krijosh miq, të krijosh network është pasuria më e madhe që mund të kesh në një epokë ku gjithçka ecën shpejt, dinamikat janë të shumëllojshme dhe ti ndonjëherë e ke të vështirë të kapësh ritmin”. Dhe Alumni bën këtë funksion.  Krijon rrjete, mban kontakte me të gjithë ata që dikur kanë qenë protagonistë kryesorë ose jo të universitetit. Pavarësisht kësaj ata mund të jenë sot kontribues në shoqëri. UET-i ka luajtur një rol shumë të madh në këtë pjesë. Ka kontribuar nëpërmjet edukimit që është arma më e fortë e njerëzimit sot. Ne përpiqemi t’i rikthejmë studentët, të kemi kontakte herë pas here me ta, të ndihmojmë  njëri tjetrin dhe të rikujtojmë që është edukimi, ai që i ka çuar këto individë në këtë fazë dhe të arrijnë këto vlera.

Është e vështirë të organizosh evente me ta. Ka qenë, është dhe shpresoj që nesër të jetë më pak e vështirë. Unë mora përsipër një sfidë të madhe për t’i rikthyer ish-UET-istët në muajt Prill, Maj dhe tani në fund të Korrikut. Megjithatë erdhën, sepse panë një ambient të ngrohtë, panë që kjo strukturë po ngrihet seriozisht dhe arritën të kuptojnë që për ne nuk është thjesht e rëndësishme marketimi i Alumni-t, vetëm të themi që po bëjmë diçka. Për ne është me të vërtetë e rëndësishmë që të mbajmë kontakte më ish-studentët tanë. Unë po përpiqem fort të injektoj këtë frymë bashkëpunimi. U jam shumë mirënjohëse që kanë kontribuar pafund si në dhënien e fondeve teksa realizuam javën ‘Filantropike’ dhe për herë të parë ngritëm Bursën Alumni në Shqipëri, një bursë mbështetëse për një student ekselent në nevoja. U jam shumë mirënjohëse që erdhën jo më larg se dje për të ritheksuar dhe një herë që ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në UET dhe për më tepër vazhdojnë të jenë më të mirët sot. Dhe jo më kot u dhamë dhe çmimin e ‘Presidentit’. Institucioni mendoi për të na nderuar të githëve së bashku.

UET Alumni më ndihmon mua për të parë sesa shumë mund të arrijë një njeri kur vë në punë të gjithë kapacitetin dhe fuqitë e tij. Jam përpjekur pafund për aq kohë sa kam marrë në duar këtë ‘post’ që për ata që kanë bërë realisht diçka, që kanë kontribuar në shoqëri, kjo të evidentohet sa më shumë.

Ju tashmë jeni presidente e UET Alumni nga ana tjetër hoqët dorë dhe nga një fushë fitimprurëse si Stomatologjia për t’u rikthyer në UET dhe akademisë gjithashtu. A jeni penduar për këtë vendim do të ishit kthyer ndoshta pas?

Unë në fakt nuk ju riktheva akademisë, unë e nisa nga zero. Në momentin që mbarova studimet këtu e kisha shumë të qartë se çfarë doja. Dha thashë unë i përkas këtij rrethi kësaj fushe dhe kjo është gjëja që unë dua të bëj në jetën time. Nuk dua të bëhem hipokrite duke thënë që Stomatologjia nuk është fitimprurëse. Por nuk është vetëm kjo gjë që të mbush si individ. Për një person si unë, që i pëlqen të jetë gjithmonë në kontakt me njerëzit, që i pëlqen të lexojë, të shkruajë dhe të merret me kërkime shkencore, të hyjë në auditorë të japë mësim, Stomatolgjia në këto terma thotë shumë pak për mua. Jo vetëm që nuk jam bërë pishman, por në një herë tjetër do zgjidhja po  këtë që po bëj tani. Nuk do ndryshoja asgjë nga zgjedhjet e mia. Sepse kjo fazë e jetës sime më tregoi mua që njeriu di të bëjë shumë mirë dhe të ketë sukses kur bën gjërat që don dhe me zemër dhe kur investohet në atë që ai e konsideron shumë të rëndësishme. Dhe unë bëra këtë gjë, e konsiderova të rëndësishme punën që bëj sot si pedagoge në UET dhe drejtuese e Alumni-t.

Si i vlerësoni ju studimet jashtë Shqipërisë? Eksperiencën e Erasmus-it me të cilën UET identifikohet më së miri përgjatë një semestri apo dy në Bachelor dhe Master? A përbën në vetvete një fazë rritjeje? Do ia këshillonit të tjerëve dhe çfarë përfituat ju nga studimet në Hungari dhe nga konferencat jashtë vendit?

Sigurisht që i vlerësoj studimet jashtë Shqipërisë, jo vetëm sepse ne vijmë nga një vend i vogël që ka një etje të frikshme për dijen, por dhe sepse studimet jashtë ty te çojnë në një habitat të ri, tek i cili sfidon veten dhe frikërat e tua. Dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme për një individ. Unë personalisht nuk kam qenë asnjëherë student Erasmusi, por mendoj që është një vlerë jashtëzakonisht e shtuar e UET-it që i shton mundësitë këtyre studentëve për të shkuar dhe studiuar jashtë. Unë do t’i thoja një po të madhe. Të marrin iniciativën, të shkojnë me studime jashtë sepse jo vetëm do zhvillojnë më tepër kapacitetet e tyre jo vetëm nga pikëpamja profesionale, por mbi të gjitha nga pikëpamja njerëzore.

Do kenë mundësi të njihen me një mjedis, i cili do t’i ofrojë atyre perspektiva pafund njohje, duke nisur që nga një ambient multikulturor dhe duke përfunduar në auditore të cilat deri dje mund t’i kenë parë në videot e tyre ne Youtube apo filma. Një student jashtë në gjykimin tim nuk shkon vetëm për të perfeksionuar njohjet e tyre në arsim, por shkon mbi të gjitha për të parë çbëhet përtej portës së tyre të shëtpisë. Për mua kjo është e para në listë. Nga eksperienca ime personale më kujtohet që në muajt e parë e kisha shumë të vështirë të socializohesha me studentë që vinin nga kontinente dhe kultura totalisht të ndryshme nga unë. Gati- gati kisha frikë sepse duke mos njohur kulturën e tyre kisha frikë se mos padashje cenoja diçka tek personaliteti i tyre, mos pa dashje i fyeja dhe rrija në heshtje për të parë deri ku duhet të shkoja në komunikimin me ta.

Dhe kjo më ka forcuar si njeri, më ka zgjeruar patjetër horizontin dhe më ka rritur sigurinë në vetvete shumë sepse sot nuk kam asnjë lloj frike për t’u përballur me këdo pavarësisht origjinës. Kjo sigurisht që të rrit si individ. Për fatin tim të mirë kontaktet me Hungarinë dhe me një mjedis ndërkombëtar vazhdojnë ende. Kjo dhe për shkak të studimeve të mia doktorale. Unë jam aktualisht doktorante në Óbuda University në Budapest. Unë po thellohem më tepër në studime. Konferencat sigurisht që ndikojnë pozitivisht thjesht për të zgjeruar network-un pra rrjetin tënd me studiues dhe ekspertë të fushës kërkimore. Këshilla imë që studentët e Bachelor-it apo të Master-it duhet vazhdimisht të aplikojnë për studime jashtë, një, dy, tre apo katër semestra, për t’u përfshirë sa më tepër në konferenca, ka pafund konferenca studentore. Do të shohin që në terma afatmesëm e gjitha kjo të përkthehet në sukses, stabilitet, kënaqësi dhe padyshim shkëlqim në profesionin e tyre.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Truproja: Ju tregoj minutat e fundit të Hitlerit dhe urdhrin e tij pak para vdekjes

Truproja personal i Hitlerit ishte i pari që e pa trupin e...
Read More