Priebe: Kriza politike rrezikon ta lërë integrimin në pritje

Megjithëse i rezervuar për të folur rreth ngjarjeve aktuale në  Shqipëri, ish-drejtori për Ballkanin Perëndimor në KE, lajmëron se kriza politike mund të rrezikojë që procesi integrimit të vendit të lihet në pritje. 

Intervistoi: Suadela Balliu

Të pyesësh një njeri, i cili i ka kushtuar tridhjetë vjet të jetës së tij profesionale proceseve të integrimit, nëse ëndrra e Bashkimit Europian ka marrë fund, mund të tingëllojë ironike. Por Bashkimi Europian nuk është në ditët e tij më të mira. Në kremtime e 60 –vjetorit të themelimi të Komuniteti Ekonomik Europian,  27 vendet anëtare dolën në një deklaratë ku e pranuan se BE po përballet me sfida pa precedentë.Këtë nuk mund ta mohojë as një europianist që beson te vlerat e unionit dhe sheh dritë pozitive në të ardhmen. Tashmë si një zyrtar i tërhequr nga detyrat Reinhard Priebe flet për vështirësitë me të cilat po përballet BE-ja; populizmin në rritje, Brexit dhe rreziku i një tjetër dalje nga një shtet i madh… nëse zgjedhjet në Francë fitohen nga Marine Le Pen. Megjithëse i rezervuar për të folur rreth ngjarjeve aktuale në  Shqipëri,  ish-drejtori për Ballkanin Perëndimor në KE,  që shërbeu si  Kryenegociatorit të Komisionit Europian në marrëveshjen e Asocim Asociim – Stabilizimit me Shqipërinë në vitin 2005, lajmëron se kriza politike mund të rrezikojë që procesi integrimit të vendit të lihet në pritje.

Duke i qëndruar temës suaj  në Konferencën e organizuar në UET,  rreth Agjendës  së  Romës për BE-në,  siç edhe përmendet në deklaratën e Romës , Bashkimi Europian po përballet me sfida të paprecedentë…Me Brexit që do të thotë Britania jashtë BE-së, me rrezikun me të cilin u përball Holanda me partinë e ekstremit të djathtë, që pavarësisht se nuk i fitoi zgjedhjet po fiton terren dhe me Marine Le Pen me fitore në raundin e parë dhe në garë për zgjedhjet presidenciale në Francë, a është i rrezikuar projekti i Bashkimit Europian?

Situata në BE nuk është një  situatë e lehtë. Ka pasur gjithnjë kriza në Europë në  50 vitet e  shkuar , disa prej tyre janë harruar, por ajo që shohim sot është një  grumbullim i vështirësive. Kemi probleme me sigurinë kryesisht nga sulmet terroriste, por siguria nuk është e cenuar vetëm prej terrorizmit, por edhe prej krimit të organizuar, krimit ndërkufitar; vështirësitë ekonomike nuk janë kapërcyer ende krejtësisht, kemi probleme me emigracionin që nuk është tejkaluar dhe kemi në disa shtete anëtare disa vështirësi serioze institucionale siç është reforma  e gjyqësorit apo kushtetueses  në Poloni, diskutimet në Hungari mbi pavarësinë e universiteteve  dhe sigurisht kemi kërkesën e  një prej shteteve anëtare të lërë BE-në, Brexit. Pra janë shumë vështirësi. Siç e përmendët në pyetjen tuaj  ka një shqetësim të rritjes së populizmit dhe radikalizmit të partive. Le Pen fitoi raundin e parë, pra mori votat për të vijuar në raundin e dytë, por nuk ka fituar ende –kandidati  tjetër fitoi më shumë vota –dhe  ka një shqetësim se mund të kemi më shumë populizëm dhe radikalizim në gjuhën dhe sjelljen politike. Duhet të shohim! Jemi në një vit me zgjedhje të rëndësishme në Bashkimin Europian nisur me Holandën, që nuk i konfirmoi frikërat . Do të  shohim ç’do të ndodhë pas dhjetë ditësh në Francë, kemi zgjedhje në Britani, kemi zgjedhje në Gjermani dhe do të kemi zgjedhje në Shqipëri, meqë ra fjala, Pra, situata nuk është lehtë për BE-në. Por nga ana tjetër krerët e qeverisjes së BE-së , shtetet anëtarë që u mblodhën  6 javë më parë në Romë për të kremtuar  60- vjetorin e Komunitetit Ekonomik Europian, që hodhi bazat më pas të Bashkimit Europian  dhe bënë një deklaratë që sheh përpara në të ardhmen, si edhe analizuan çfarë duhet bërë dhe shoh një lloj shtyse –nxitur  edhe prej procesit Brexit –për t’u bashkuar, për të ardhur me  një marrëveshje se ç’duhet bërë dhe cilat janë përparësitë kryesore për të ardhmen. Pavarësisht pesimizmit, mendoj se do të ketë një mënyrë për të parë përpara.

A mendoni se populizmi ka gjetur terren në Europë  për shkak se  qytetarët europianë janë të pakënaqur me  BE-në?

Është e çuditshme! Jam gjerman , por për 30 vjet kam punuar për BE-në  dhe jetoj në Belgjikë. Është  e habitshme se edhe pas 60 vitesh integrim europian, populli di shumë pak për BE-në. Nuk është vetëm rasti i  Ballkanit apo vendeve kandidate, por në një shtrirje të gjerë edhe në shtetet anëtarë. Mbase për një kohë të gjatë unioni, përfaqësuesit dhe zyrtarët nuk kanë bërë mjaftueshëm  përpjekje për të shpjeguar se çfarë është. Arsyeja është se  për dikë që punon në BE është aq e dukshme se  një treg i  brendshëm pa barriera në të mira, shërbime, kapitale është shumë më mirë për ekonominë,  sesa tregje të vogla të shteteve anëtarë. Është aq e dukshme se procesi i integrimit në BE ka çuar në një paqe të gjatë në Europë , paqe që nuk ka qenë ndër shekuj. Në sfera të sigurisë ka luftuar terrorizmin, krimin serioz… dhe kjo mund të bëhet vetëm bashkë. Pra është gjithashtu një arritje. Dhe është e mirë që  deklarata e shteteve anëtarë në Romë nis duke nënvizuar arritjet e mëdha të BE-së. Kam pasur gjithnjë përshtypjen se në këtë rajon të Europës, Ballkan,  ka shumë për të kuptuar sesa e rëndësishme është të jesh në BE për stabilitetin dhe paqen.

Forcat politike  që synojnë daljen nga Bashkimi Europian fajësojnë Brukselin për  pushtet të tepërt edhe e bëjnë  atë shkaktar për varfërinë, rënien e sigurisë, sulmet terroriste, valën e  emigrantëve…Si europianist, cili është qëndrimi juaj?

Mendoj se askush nuk mund të fajësojë BE-në për sulmet terroriste . Mendoj se është një nga argumentet, të flasim hapur, të pakuptimta. Por ka një perceptim  të gjerë në opinionin publik dhe jo vetëm në anën ekstremiste dhe populiste. Populistët e përdorin këtë se  në Europë ka burokratë që shpikin ligje të pakuptimta dhe budallaqe , se  në Bruksel të gjithë duan të bëjnë gjithçka dhe të mos lënë asgjë për shtetet anëtare dhe kjo nuk është e vërtetë. Për t’ju dhënë një fakt bazik që shpesh shpërfillet; të gjitha vendimet në BE merren nga këshilli i ministrave në Parlamentin Europian dhe këshilli i ministrave  janë përfaqësues të qeverisë së shteteve anëtare . Pra, nëse një ministër apo anëtar i qeverisë thotë se Brukseli ka vendosur, ai ka qenë pjesë e tij. Nuk ndodh kurrë jashtë ndikimit të shteteve anëtare. Sigurisht që shtete anëtarë janë kyç për të marrë vendime në BE, jo vetëm vendimet e mëdha por edhe në detajet e vendimeve të vogla.

Po shumë pakënaqësi prej  shteteve anëtarë të BE-së  duket se vijnë  për shkak të hegjemonisë së Gjermanisë…

Nuk e di ç’kuptoni me hegjemoni të  Gjermanisë.  Ndodh që  jam gjerman, nuk kam punuar kurrë në administratën apo qeverinë gjermane. Kam punuar si gjyqtar, krejt i pavarur. Gjermania ndodh të jetë shteti më i madh anëtar. Por jo i vetmi. Franca është shtet i madh anëtar, Italia gjithashtu. Është e trishtë , të flasim qartë, se do të humbin Mbretërinë e Bashkuar si një tjetër shtet të madh. Ndaj është normale që Gjermania ka ndikim në vendimmarrje, por është e gabuar të mendohet se Gjermania apo qeveria gjermane merr të gjitha vendimet në Europë. Nuk ka një vendim të rëndësishëm në BE që mund të merret i vetëm nga një shtet anëtar, kundër mendimit të të tjerëve. Jo vetëm se Franca Italia dhe Britania duhet të jenë dakord, por nuk  nënvlerësohen as ndikimet e vendeve të vogla anëtarë, të shteteve të mesme si Polonia, Spanja apo  vendet Beneluksit… Pra nuk është një spektakël i një shteti  të vetëm. Aspak.

Duke u kthyer te Ballkani;  rajoni mbetet i paqëndrueshëm dhe i prapametur. Politikanët vendas fajësojnë vonesat që Brukseli po u bën  proceseve integruese në BE. Një mendim i juaji rreth kësaj!

Kam qenë në detyrë  në  fillim vitet 2000-në periudhën  2001-2006-  për marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Është periudhë  që e njoh shumë mirë, por ka ndodhur dhjetë vjet më parë. Tanimë nuk kam më detyra zyrtare, jam një zyrtar i dalë në pension…Jo vetëm për vendet e rajonit, apo ju  si qytetarë apo qeveritarët është frustruese që  procesi po  zgjat kaq shumë. Është gjithashtu frustruese për ata që kanë punuar me të gjitha energjitë dhe vullnetin, nga ana tjetër. Ne  fillim të viteve 2000,  kur kjo perspektivë anëtarësimi u premtua dhe ende i premtohet këtyre vendeve, mbase e  nënvlerësuam pak kohën për të bërë ndryshimet e nevojshme. Duhet të kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të  adoptimit të ligjeve, por të implementimit  të duhur.  Qeveritë e vendeve të rajonit duan të anëtarësohen dhe ankohen se procesi është shumë i gjatë- le ta bëj si një pyetje -a e kanë vendosur këtë si prioritet kryesor ? A nuk kemi një situatë-që hamendësoj të  vështirë  tani në Shqipëri, por jo vetëm në Shqipëri-  ku  klasa politike duket e shpërqendruar nga çështje që dukën nga jashtë, jo thelbësore?!  A ka konsensus  në këto vende -përfshirë Shqipërinë  -mes  kampeve politike në prioritetin  për të hyrë në BE, për të punuar fort dhe për t’u përqendruar në këtë çështje ?!  Bashkimi Europian, kohët e fundit, ka vëzhguar dhe rikonfirmuar në fjalë të forta se  mbetet i hapur për vendet kandidate nëse ata përmbushin kriteret dhe dyert nuk janë mbyllur. Ne e rikonfirmojmë se jemi të hapur dhe është shumë e rëndësishme në këtë moment të vështirë, por shtetet, edhe në rajon,  duhet  të jenë të vetëdijshëm dhe janë të vetëdijshëm se opinioni i përgjithshëm publik dhe vendet anëtarë janë pak skeptikë, thënë  kjo në një mënyrë të sjellshme. Pra njerëzit duhet të binden. Nga ana tjetër është gjithashtu e rëndësishme kur flitet për një proces të ngadaltë dhe  nuk duhet  harruar se dy vende të rajonit janë bashkuar, janë anëtarë, të tjerë janë në proces integrimi dhe Shqipëria ka fituar statusin kandidat. Pra gjëja nuk është lënë në pritje, por  jam dakord që po ecën ngadalë dhe në disa vende vazhdon të përballet me situata me ndikim të gjerë dhe të habitshme. Nuk flas vetëm për Shqipërinë, por situata gjithashtu në Maqedoni, për t’ju dhënë një shembull tjetër, që nuk duhet nënvlerësuar. Pra,  si mundemi të bëjmë progres në këto vende? Asnjë vend nuk detyrohet të hyjë në BE, është një zgjedhje, por  nëse e bën këtë zgjedhje, si popull, si qeveri e zgjedhur, atëherë duhet të përqendrohesh në të. Është me e rëndësishme sesa të kalosh kohë duke u ankuar se gjërat po shkojnë ngadalë.

Kujtoj kohën  kur negocionim marrëveshjet e asociim-stabilizimit  në Ballkan, marrëveshje jo vetëm për të përgatitur vendet për hapat e mëtejshëm, por  marrëveshje që krijojnë marrëdhënie shumë të afërta mes vendit dhe BE-së. Jam pak i habitur se shumë pak është thënë, si  nga vendet përkatëse ashtu dhe nga BE, për arritjet e marrëdhënieve të asociimit, që nuk është hapi final. Këto marrëveshje nuk ishte  për t’u thënë  vendeve: “Kënaquni me këtë asociim dhe nuk do të ketë më shumë!”, por këto janë arritje të rëndësishme  dhe gjithçka që është bërë tashmë në marrëdhënie mes BE-së dhe vendeve në përgatitje  për statusin kandidat dhe negociatave nuk duhen nënvlerësuar, janë bërë shumë. Mos e neglizhoni këtë!

Mendoni se kriza politike në Shqipëri e çon vendin një hap pas në procesin e integrimit europian?

Ka një rrezik, le ta them  kështu!  Nuk shoh hapa të vërtetë pas, por ka një rrezik që e gjithë kjo të lihet në pritje. Mund të imagjinoj se ndonjëherë njerëzit në rajon dhe qeveritë janë pak të mërzitur duke dëgjuar të njëjtat gjëra nga Brukseli; sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave themelore, shoqëria civile, e kështu me radhë. Por këta janë elementet thelbësorë në demokraci. Dhe sigurisht gjyqësori është  pjesë e saj, nëse nuk keni një gjyqësor të pavarur , mund të ëndërroni të bëheni shtet anëtar i BE-së, por kjo nuk do të ndodhë. Thënë këtë, nuk dua të them se gjithçka është e përsosur në sistemet gjyqësorë të të gjithë shteteve tona anëtare. Por u rekomandoj që të shohin sesa intensivisht  Komisioni Europian po diskuton me shtetin anëtar, Poloninë  në reformat kushtetuese të tyre që konsiderohet, në  terma të standardeve  bazë, nga BE si e papranueshme. Dhe askush nuk ka frikë të diskutojë hapur dhe intensivisht.  BE nuk po mat shtetet anëtare dhe kandidate në mënyra të ndryshme. Është thelbësore që reforma e gjyqësorit në Shqipëri si edhe në vende të tjera , Vettingu është një hap i rëndësishëm përpara për të marrë ketë vendim dhe modifikuar kushtetutën por e kuptueshme që disa njerëz mund t’i frikësohen gjyqtarëve më të pavarur, por ende  ka shumë për të bërë.

Kjo vonesë e proceseve integruese apo lënie në pritje e bën Rusinë të fitojë terren në vendet e Ballkanit Perëndimor? A ka një rrezik rus në rajon?

Le ta them kështu; Vendet e Ballkanit perëndimor duhet të kuptojnë se procesi do të jetë i gjatë,  shumë i gjatë për ta. Shumë i gjatë për qeveritë që duan të rizgjidhen pas katër vitesh. Jep sigurisht pak hapësirë që  qeveritë  të shohin alternativa përreth. Vështirë se shoh për vendet e rajonit alternativa serioze për t’iu afruar BE-së . Kjo mund t’u japë mundësi vendeve të tjera-ju përmendët Rusinë-për të qenë më aktivë në këto vende dhe për të promovuar agjendën e tyre. Nuk mund ta quaj rrezik, por një fakt të jetës. Mbase më shumë në vendet të tjera të rajonit se në Shqipëri.

Një pyetje të fundit, a ekziston ende ëndrra e BE-së?

Po pyesni  një njeri që ka kaluar  të gjithë jetën profesionale duke punuar për integrimin europian. Siç e përmenda më parë, është një arritje e madhe që  pas Luftës së Dytë Botërore shtete  u bashkuan dhe ranë dakord dhe nënshkruan një marrëveshje. Ishin disa politikanë largpamëse për kohën. Ishin burra të vjetër. Adenauer ishte  tek të  shtatëdhjetat mw 1957 –wn  kur u krijua Marrëveshja Ekonomike,  por kishin vizionin për të ndalur konfliktet dhe luftërat dhe për t’u bashkuar. Ishte e vështirë dhe vazhdon të mbetet e vështirë , diskutimi i politikave agrikulture, mbrojtja e konsumatorëve… të ndërlikuara, shpesh teknike, ndonjëherë frustruese sepse kompromiset jo gjithnjë janë zgjidhjet ideale,  por mendoj se pjesa më e madhe e njerëzve në shtetet e BE-së jo vetëm të Europës Perëndimore, janë thellësisht të bindur se nuk ka alternativa të tjera përpos BE-së. Ka debate si të ndahet puna mes kompetencave kombëtare dhe europiane. Ka shumë kundërshti,  por mendoj se ka konsensus të gjerë se BE-ja  jo vetëm ka qenë një ëndërr, por është kthyer në  zhvillimet e mëtejshme një realitet shumë pozitiv.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Tri jetët e Edi Ramës

Kohën e tij e ndan në tri jetë. E para është piktura....
Read More