Prishet koalicioni i vogël PS-LSI në nivel vendor, bllokohen këshillat bashkiakë

Ka marrë fund dje koalicioni PS-LSI në bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesja e LSI-së Brunilda Paskali dha dorëheqjen, ndërsa Veliaj largon disa drejtorë të kësaj force. PS bën mazhorancë të re në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por rrezikohet veprimtaria e këshillave në bashkitë e tjera. PS dhe LSI nuk arrijnë të bëjnë të vetme mazhorancën në asnjë nga bashkitë e mëdha përveç Vlorës

Pavarësisht përpjekjeve të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për të mbajtur në këmbë koalicionit PS-LSI në nivel vendor, ai që nga kryebashkiaku është konsideruar si koalicioni i vogël ka marrë fund. Debati për çmimin e ujit ka bërë që ky bashkëpunim në nivel bashkiak të marrë fund dhe LSI të dalë përfundimisht në opozitë edhe sa i përket qeverisjes vendore, aty ku ajo drejtohet nga PS. Ajo që nisi me “tradhtinë” e dy këshilltarëve të LSI-së që janë pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës që votuan planin që parashikon rritjen e çmimit të ujit nga 45 në 65 lekë, është finalizuar dje me largimin nga pozicioni i nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, të Brunilda Paskalit. Nëpërmjet një deklarate për mediat nga selia e LSI-së ajo deklaroi dorëheqjen nga posti i nënkryetares së bashkisë duke theksuar se tashmë LSI ishte në opozitë me socialistët.

Dorëheqja

“Ky është një vendim politik i marrë pas zhvillimeve më të fundit në Këshillin Bashkiak, ku bashkëpunimi institucional i deritanishëm u zëvendësua me partneritetin individual të dy këshilltarëve që kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin politik të LSI-së. Misioni në opozitë i LSI më obligon aktin e dorëheqjes si dëshmi serioziteti”, deklaroi Paskali në një komunikim me mediat. Ndërsa më herët, sërish LSI deklaroi se kishte përjashtuar dy këshilltarët Agim Kraja dhe Genta Mezini, sepse bashkuan votat me këshilltarët socialistë. “Grupi i këshilltarëve të LSI vendosi të përjashtojë Genta Mezinin dhe Agim Krajën për veprim në kundërshtim me statutin, programin dhe vendimin e forumeve drejtuese të LSI-së. Qëndrimi dhe votimi i tyre në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës të datës 26 korrik 2017 ka qenë tërësisht individual dhe i shtyrë prej interesave korruptive”, -tha koordinatorja Erjona Bixha. Ndërkohë që për të plotësuar deri në fund ndarjen mes PS dhe LSI edhe në pushtetin dje kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shkarkoi nga detyra tre drejtues bashkiakë të propozuar nga LSI. Më konkretisht bëhet fjalë për administratorin e Farkës, Gazmend Kukli, drejtuesi i ndërmarrjes numër 3 të qytetit, Artjon Çaushllari dhe drejtoren e qendrës sociale në Shkozë, Kajame Guri. Ndërkohë që largimet e drejtuesve të LSI-së nga drejtoritë e Bashkisë së Tiranës pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Por duket se largimi i LSI dhe dalja në opozitë edhe në Bashkinë e Tiranës nuk do të prishë shumë punë sa i përket mazhorancës në këshill bashkiak dhe vendimmarrjes në të. Kjo pasi PS ka mundur të sigurojë tashmë shumicën e nevojshme që të marrë vendimet e nevojshme në Këshill edhe pa votat e LSI-së. Falë mbështetjes së 3 këshilltarëve të PDIU, 1 i PDIU dhe 2 të larguarve në radhët e LSI, ajo ka mundur të sigurojë mazhorancën e nevojshme prej 31 anëtarësh në një Këshillë me 61 anëtarë.

Llogaritë

Por ndërsa në Bashkinë e Tiranës problemi që krijon largimi i LSI-së mund të konsiderohet i zgjidhur, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të gjitha bashkitë e tjera ku drejtojnë socialistët, ashtu edhe në bashkitë e tjera ku drejton LSI, çka pritet ta fusë pushtetin vendor në një kolaps që mund të zgjasë edhe dy vitet e mbetura të këtij mandati. Kështu, nga të gjitha bashkitë e mëdha apo ato që konsiderohen bashki qendër qarku, vetëm në Bashkinë e Vlorës PS mund të bëjë shumicën e nevojshme edhe pa ndihmën e këshilltarëve të LSI-së, ndërkohë që në të gjitha këshillat e tjera ajo humbet mundësinë e vendimmarrjes, pa mbështetjen e subjekteve të tjera. Sa i përket Bashkisë së Vlorës, PS me FRD dhe PDIU-në kanë 21 këshilltarë nga 41 që ka gjithë Këshilli Bashkiak. Por ndërsa mazhoranca është siguruar në vetëm 2 bashki të mëdha, në 10 bashkitë e tjera qendër qarku situata paraqitet problematike dhe mund të lindin probleme reale sa i përket vendimeve të rëndësishme që marrin këshillat, përfshi këtu edhe buxhetet vjetore. Më konkretisht në Durrës PS me PDIU-në dhe FRD-në kanë vetëm 22 anëtarë nga 51 anëtarë që ka gjithë Këshilli Bashkiak. Shumicën në këtë bashki e bëjnë LSI, PD dhe PR, të cilat kanë 29 anëtarë. E njëjta situatë paraqitet edhe në Bashkinë e Elbasanit, ku PS, PDIU dhe FRD kanë sërish 22 anëtarë nga 51 që ka gjithë Këshilli Bashkiak. Por ndryshe nga Durrësi këtu situata paraqitet më e favorshme për socialistët, pasi PD dhe LSI dhe PR kanë vetëm 25 anëtarë, ndërsa pjesën që mbetet e kanë parti të tjera të vogla të cilat mund t’u bashkohen socialistëve ashtu siç ndodhi edhe në Tiranë. Një situatë e paqartë është në Bashkinë e Fierit ku PS, PDIU dhe FRD kanë 19 anëtarë në një Këshillë Bashkiak me 41 anëtarë, ndërkohë që PD, PR dhe LSI kanë së bashku 20 anëtarë. Pra për të bërë shumicën e nevojshme kreut të Bashkisë së Fierit i duhen dhe dy këshilltarë. Në Bashkinë e Korçës situata është balancuar pasi të dyja blloqet kanë nga 19 anëtarë, në një Këshillë Bashkiak me 31 anëtarë. Edhe këtu kryetari i bashkisë nuk do ta ketë të vështirë të sigurojë numrat e nevojshme për të votuar vendimet në Këshillë. Por situata është më problematike në bashkitë që drejtohen nga LSI, kjo për vet faktin se pavarësisht se ajo ka kryetarin e bashkisë të zgjedhur si pjesë e koalicionit me PS, LSI ka një numër shumë të vogël anëtarësh në këshilla. Më konkretisht në Bashkinë e Beratit që drejtohet nga një përfaqësues i LSI-së, kjo forcë në Këshillin Bashkiak ka vetëm 7 anëtarë nga 31 që janë gjithsej. Por ajo që vlen të theksohet është se në këtë këshill ajo nuk arrin të krijojë mazhorancën as në rast se tani e tutje do vendos të bashkëpunojë me PD-në si dy forca opozitare. Të dyja këto forca në këtë këshill kanë vetëm 15 anëtarë, pra pa arritur mazhorancën. Por LSI-së do t’i interesonte bashkëpunimi me PD-në rast se do të marrim në analizë Bashkinë e Gjirokastrës, e cila drejtohet nga përfaqësuese e saj. Kështu, LSI dhe PD arrijnë të kenë të dyja 17 anëtarë në këshillë që ka 31 anëtarë gjithsej. Kjo tablo që paraqitet në bashkitë e mëdha është prezente edhe në të gjitha bashkitë e tjera të nivelit të dytë apo të tretë që drejtohen nga përfaqësues të PS ose LSI. Ndërkohë që situata për bashkitë që drejtohen nga PD mbetet e njëjtë ashtu si deri më tani.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A duhet ta quajmë të humbur betejën me krimin?

Nga Mustafa Nano E dini se çfarë nuk më shqitet nga mendja...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.