Pritet në Norvegji/ E qeshura e hidhur e Aliçkës me “ndërkombëtarët”

Me titullin “Dosja 12 Tiranë -rrëfenjë me ndërkombëtarë”, romani i shkrimtarit Ylljet Aliçka është përkthyer në Norvegji, nga “Bokvennen Ferlag”, nga origjinali nga Jon Kvaerne; botuesi norvegjez vlerëson romanin se është e pashmangshme të qëndrosh indiferent ndaj të vërtetës së hidhur, e zhveshur nga lëvorja e gjithë përmbajtjes letrare

“…sado të qeshni e të argëtoheni me karrierën diplomatike të nëpunësve ndërkombëtarë, është e pashmangshme të qëndroni indiferentë ndaj së vërtetës së hidhur, zhveshur nga lëvorja e krejt përmbajtjes letrare të këtij romani..” – kjo është fjalia që ndër të tjera, botuesi norvegjez “Bokvennen Ferlag” shënjoi për romanin e Ylljet Aliçkës, “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”.

Dje, botuesi në Tiranë, “Toena” njoftoi përkthimin e këtij romani në vendin nordik, dhe pritjen e kësaj fabule që sapo është hedhur në qarkullim me titullin “Dosja 12 Tirana- Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, përkthyer nga origjinali nga Jon Kvaerne.

Mund të thuhet se është një nga romanet që ka ngjallur më shumë interes, e polemika qoftë në qarqet letrare në vend, e sidomos për “rrëfimin” ka pasur përballje provokative me ndërkombëtarët. Megjithatë ky libër ka nisur një jetë letrare të ngadaltë, botuar disa vite më parë, por me sigurinë e garantuar të receptimit nga lexuesit e huaj. Rasti i përkthimit në Norvegji është një lloj termometri për projektimin e kësaj lënde letrare për lexuesin jashtë kufijve, e kryesisht atë perëndimor.

Ndër të tjera botuesi norvegjez e ka përcjellë këtë botim me fjalët: “Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve ‘90, për të futur vendin në rrugën e mbarë të përparimit, pas brezash të humbur nën regjime diktatoriale. Po si mund të ndihmohet një vend ku kamerierët e trupit diplomatik janë të pashpirt, dhe ku për larjen e rrobave shpenzohen shumë detergjentë, apo në një humbëtirë ku vendësit nuk respektojnë qentë, ndërsa kuajt janë të pastërvitur, fundja si të zotët?! Bëhet fjalë për një ironi që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, me të cilën autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri.

Arrivizmi për të ngjitur shkallët e karrierës është prioriteti absolut i stafit ndërkombëtar apo i dikujt që ia del të zërë butësisht dhe si pa u vënë re një vend pranë ambasadorit në veturën e tij diplomatike. Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë… Teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekur të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendësve”. Kurse për disa të tjerë, oraret e mërzitshme të ditës nëpër zyra mjaftojnë për hartimin e qarkoreve me kërkesa të rrepta për temperaturën e letrave mbi fotokopjuese….!!

Duket se Ylljet Aliçka ka pasur një përvojë të gjatë me të huajt dhe, sado që do të qeshni e do të argëtoheni me karrierën diplomatike të nëpunësve ndërkombëtarë, është e pashmangshme të rrish indiferent ndaj së vërtetës së hidhur, zhveshur nga lëvorja e krejt përmbajtjes letrare të këtij romani”.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kalimi i armëve në Angli, mediat britanike: Rrezik për sulm terrorist

Në lidhje me pjesët e armëve që u gjetën në aeroportin e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.