Pro ligjit Rama-Basha për reklamat e partive dhe emergjenca për privatizimin e RTSH-së

Nga Ervis Iljazaj

Në seancën parlamentare të jashtëzakonshme të mbledhur për të miratuar emrat e ministrave të rinj dhe komisionin e vettingut, ndër të tjera u aprovua një ligji i cili detyron televizionet private të transmetojnë publicitete partiake falas në periudhën zgjedhore.

Ky ligj ka shkaktuar një debat jo të vogël dhe një pakënaqësi me të drejtë te pronarët e mediave. Nga pronarë të medias kjo është konsideruar vjedhje që dy partitë e mëdha po u bëjnë televizioneve të lira dhe private. Ndoshta, Shqipëria është vendi i vetëm që mund të ketë një ligj të tillë dhe pretendimet e tyre qëndrojnë.

Duhet pranuar që ligji është në kufijtë e kushtetutshmërisë, por konteksti në të cilin ndodhet politika shqiptare dhe domosdoshmëria për të arritur një rend politik normal brenda marrëveshjes të arritur nga forcat kryesore e justifikon atë për disa arsye thelbësore.

Pikë së pari, situata anormale që u krijua nga kriza politike nuk mund të siguronte një ligj normal. Emergjenca për të patur një garë politike të ndershme dhe të barabartë do të prekte padyshim dhe hapësirat mediatike si një nga elementet kryesore të zhvillimit të fushatës zgjedhore.

Në kushte emergjence ka edhe masa emergjente, që ndoshta shkelin parimin e lirisë së mediave private, por që sigurojnë një parim akoma më të rëndësishëm, atë të garës të barabartë midis dy forcave kryesore politike.

Ky ligj duhet konsideruar si një nga elementet e marrëveshjes në tërësi, sepse shqetësimet e opozitës për abuzimin e partisë në pushtet me këto hapësira për shkak të forcës së saj duhej në një farë mënyre të qetësoheshin. Kjo marrëveshje nuk është aspak normale, por ka një mision kryesor, atë të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo ishte një masë shtesë që mazhoranca i jep si garanci opozitës për të arritur këtë qëllim.

Pikë së dyti, edhe pse mediat në fjalë janë pronë private, ekzistojnë disa sektorë të tillë si në këtë rast që ndryshojnë nga aktivitetet e tjera private. Në këtë kuptim misioni i mediave kalon përtej privatësisë dhe siguron disa elemente parësore të interesit publik. Dhe kur situata është e tillë, ndonjëherë duhet të kenë si qëllim sigurimin e një misioni kaq të rëndësishëm përtej fitimit financiar.

Pikë së treti, ligji në fjalë tregon në mënyrë të qartë dështimin e plotë të televizionit publik shqiptar. Për të garantuar këtë akses të barabartë në media partitë politike do të duhej të mjaftoheshin në këtë hapësirë. Edhe pse televizioni publik ka një buxhet të madh i cili sigurohet nga taksat tona me audiencat e tij minimale nuk siguron dot as edhe një besueshmëri te partitë që e mbajnë ende në këmbë. Nuk kuptohet se përse ekziston ende një institucion i tillë shtetëror, i cili ka mbetur si një makinë super e vjetër dhe që harxhon para pafund. Para të cilat mund të përdoren fare mirë për të financuar denjësisht partitë politike dhe të sigurojnë një garë sa më të ndershme në këtë aspekt.

A ka ngelur më arsye për të mos e privatizuar atë ?!

Dështimi i plotë i këtij shërbimi pa asnjë vlerë publike, që nuk siguron dot as një garë normale mediatike midis forcave politike, tregoi edhe njëherë atë që dihej prej kohësh. Domosdoshmërinë për ta privatizuar dhe për ta kthyer në një hapësirë e cila jo vetëm që nuk do të harxhonte më paratë tona, por që do të përmirësonte ndjeshëm konkurrencën midis mediave dhe cilësinë e tyre që vjen si pasojë e kësaj konkurrence.

Për të gjitha këto arsye, shqetësimet e pronarëve të mediave qëndrojnë, por ligji në fjalë është një ligj emergjent në kohë emergjente. Andaj, televizionet private të cilat kanë një meritë absolute dhe të vetme në këtë sektor, duhet të bëjnë një “sakrificë” për hir të parimeve më të rëndësishme të demokracisë shqiptare. Një sakrificë e cila nuk bën gjë tjetër përveçse thekson akoma dhe më shumë forcën dhe rëndësinë e tyre të padiskutueshme.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Bojkoti i Kuvendit: Dilemat e PD për zgjedhjet e 2017

Demokratët e shohin largimin nga Parlamenti si një opsion të mundshëm për...
Read More