Pro të drejtave të LGBTI, kundër provokimit të tyre

Nga Ervis Iljazaj

Komuniteti LGBTI, ka ngjallur jo pak debate në shoqërinë shqiptare, sa herë që ka nxjerrë në sipërfaqe kërkesën për të drejtat e tyre. Por kësaj here me vizitat e tyre nëpër gjimnaze për fushatën sensibilizuese ka kaluar përtej kërkesës së të drejtave. Në këtë mënyrë, ka provokuar pothuajse hapur ndjeshmërinë e shumë familjeve shqiptare.

Dhe, duke bërë këtë, ka kaluar kufijtë e një beteje normale për të fituar të drejtat e tyre. Përtej faktit që vendi ku kanë zgjedhur të zhvillojnë fushatën sensibilizuese, është një vend tërësisht laik, i cili në qendër të tij ka vetëm dijen shkencor dhe kulturën që e përcjell vetëm institucioni që e ka për detyrë, institucioni i mësuesit dhe asnjë tjetër. Nëse do ta pranonim këtë fushatë, atëherë nëpër shkolla do të ishte normale që çdo komunitet kulturor apo fetar të zhvillonte fushatat e tyre brenda mureve të shkollës, gjë e cila është rreptësisht e ndaluar.

E megjithatë, debati i madh që ka shpërthyer për fushatën sensibilizuese në gjimnaze, kundër homofobisë, në radhë të parë është një debat i cili i bën mirë shoqërisë shqiptare, pasi herët apo vonë duhet të përballemi me tema të tilla shoqërore dhe kulturore, duke diskutuar kështu, çështje që deri më tani janë konsideruar tabu për shoqërinë ende konservatore në të cilën jetojmë.

Tema të tilla, në shoqëritë perëndimore janë kthyer në diskutime normale. Jo vetëm kaq, por në disa shtete, tashmë komuniteti LGBTI ka të drejta të njëjta juridike si çdo person tjetër, dhe nuk ka më ndarje në qytetar të kategorisë A dhe qytetarë të kategorisë B.

Diku tjetër, paragjykimet ekzistojnë ende dhe si pasojë personat homoseksualë nuk kanë asnjë të drejtë dhe vazhdojnë të përballen me betejat e tyre.

Por, një gjë është të kërkosh të drejtat si çdo person tjetër, pavarësisht orientimit seksual, dhe tjetër gjë është të promovosh orientimet seksuale të ndryshme, si vlera të një shoqërie moderne. Aq më tepër, në një shoqëri si ajo shqiptare ku pjesa më e madhe është e lidhur fort mbas një kulture konservatore dhe sjellje shoqërore tradicionale.

Pikërisht ky është gabimi i Komunitetit LGBTI në Shqipëri. Mënyra me të cilën kërkojnë të fitojnë të drejtat e tyre, të cilat duhet t’i kenë me patjetër, dhe nuk duhet t’i mohohen për shkak të orientimit seksual, është një mënyrë sfiduese dhe provokuese në limitet e një “dhune” psikologjike që po shkaktojnë në opinionin publik shqiptar.

Shumë nga personat publikë që përfaqësojnë këtë komunitet, të cilët duhet të përgëzohen për kurajën që kanë, në një shoqëri ku nuk është aspak e lehtë të pranosh homoseksualitetin, sillen pothuajse me një “arrogancë” që i vjen ndoshta nga viktimizimi i ekzagjeruar dhe që këtë arrogancë e përdorin si mburojë kundër çdo paragjykimi.

Kot nuk thonë, që mbrojtja më e mirë është sulmi. Mirëpo, ky sulm kundër masës më të madhe të opinioni publik, është duke krijuar një kosto të madhe për ta. Në këtë mënyrë, nëse e kërkojnë vetë “|përplasjen” me opinion publik, atëherë duhet të presin prej saj dhe armiqtë që po krijojnë. Aq më tepër, kur këtë betejë agresive janë duke e zhvilluar nëpër gjimnaze, me fëmijë që ende nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, të cilët ende nuk dinë se çfarë është seksualiteti, e jo më të edukohen me orientimet e ndryshme të seksualitetit.

Kështu që, rritjen e “armiqësisë” kundrejt tyre, nëse betejën për të drejtat e zhvillojnë në këtë mënyrë, duhet ta presin pa asnjë habi.

Sepse, nëse pjesës tjetër të shoqërisë i nxjerrin “armët”, atëherë duhet të presin të njëjtin reagim. Dhe, duke qenë se pjesa më e madhe e shoqërisë nuk e pranon orientimin seksual të ndryshëm, këtë betejë e kanë të humbur.

Mënyra se si komuniteti LGBTI është duke u sjellë, është në disfavor të tyre. Kjo nuk është rruga për të fituar të drejtat që i takojnë. Këto të drejta nuk kanë për t’i fituar asnjëherë, nëse hyjnë në konflikt me pjesën tjetër të shoqërisë duke i provokuar në këtë mënyrë, por vetëm nëse bashkëpunojnë me ta. Sigurisht, që nuk është e lehtë, por të kërkosh të drejtat e homoseksualëve në një shoqëri ende tradicionale, në mënyrë pothuajse të dhunshme, është totalisht e pamundur.

Prandaj, në të mirë të vetë këtij komuniteti, është gjetja e gjuhës së përbashkët me ndjesitë e përgjithshme të shoqërisë, sepse të drejtat në një shoqëri fitohen, nuk pretendohen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita: Dhimitër Vangjeli, një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar

Një emër pothuaj i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare, edhe pse...
Read More