Pro ‘vendeve të rezervuara’. Pro Reformës. Pro Aleatëve.

Alfred LelaNga Alfred Lela

Spiralja e kontestimeve dhe përbetimeve ndaj Reformës në Drejtësi ka hyrë në një rreth të ri, që nuk është i fundit, por është ndoshta më interesanti. Me gjasë nervalëshuar, kryeministri Edi Rama ka artikuluar dje pasdite të parin kundërshtim të hapur ndaj mundësisë së miratimit/kalimit të reformës së shumëpërfolur. Sigurisht, është debatuar shumë për ata që e duan dhe ata që reforma i tmerron, dhe Rama ia ka arritur që të vetëportretizohet, ndihmuar edhe nga makineria mediatike pranë tij, si shenjti pro reformës duke pikturuar opozitën si një ikëse prej saj si djalli prej temjanit.

Që prej dje, ai e ka kategorizuar veten si një prej refuzuesve të mundshëm të reformës, në mos refuzuesi i fundit. Ky nuk është një pozicion për t’u lakmuar.

Duke lëshuar një mallkim epik të llojit ‘kurrë mos u bëftë ajo reformë’, edhe pse nëpërmjet një mediumi postmodern si facebook-u, kryeministri është ekspozuar si jotolerant, në kohën kur ambasada amerikane para pak ditësh e kish cilësuar si fleksibël (në krahasim me opozitën). Si pjesë e kujtesës duhet të shërbejë gjithashtu fakti se skajimi i ri i kryeministrit erdhi edhe pas takimit me vëllanë/armik Metën, i cili vinte nga takimi i një dite më parë me shefin e opozitës Basha. Veç kryeparlamentarit ai u takua edhe me dyshen e pandashme të proponentëve të reformës, ambasadorët Lu e Vlahutin.

Kryeministri ka megjithatë një lëshim të fundit për të bërë: ajo që duket se është kthesa e fundit në rrugëtimin e opozitës, të ashtuquajturat ‘vende të rezervuara’. Para se të shpjegohet se pse duhet dhënë kjo dorë në lëshim, të kuptojmë se çfarë kihet parasysh me këtë term. Ndër 11 vendet vakante për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), 6 zgjidhen nga institucionet e drejtësisë, ndërsa 5 vende i nënshtrohen një votimi në parlament. Me përbërjen e tanishme, ku mazhoranca është e madhe dhe e fortë, ajo mund të emëronte 5 lakej të vetët dhe do i duhej vetëm një rekrutim në mes të profesionistëve për të ‘kapur sistemin’. Opozita kërkon që kjo pesëshe të ndahet në një dyshe që gëzon mbështetjen e saj, një dyshe të mazhorancës dhe një e fundit nga shoqëria civile. Ndërkohë që ky propozim nuk e blindon sistemin, të paktën e bën më të vështirë ‘kapjen’. Kjo është një zgjidhje politike, të cilën e sugjeron në pikën 88 të vërejtjeve edhe Komisioni i Venecias. Pra, ka për të edhe një rekomandim të huajsh, të pavarurish dhe ekspertësh. Nuk është thjesht një tekë opozitare.

‘Vendet e rezervuara’, nëse janë kushti që shpëtojnë reformën, duhet të jenë edhe një lëshim i kryeministrit dhe mazhorancës. Në një mënyrë, përshëndetja e parë iu shkon atyre që bënë lëshimin e fundit dhe jo autorëve të kërkesës së fundit. Një plus i dytë, përtej motiveve të egos, ka të bëjë me kalimin e një reforme thelbësore, e cila gëzon mbështetjen popullore por edhe shtysën dhe inkurajimin e partnerëve ndërkombëtarë. Së treti, përmes marrëveshjes me opozitën, Rama pajton edhe partnerin e koalicionit, i cili ka artikuluar vazhdimisht nevojën për konsensus mes palëve.

Meqë jemi në një stinë futbolli, ndoshta një analogji nga ky sport do të shkonte. Në një skuadër me 11 vetë, opozita kërkon 2 mbrojtës. Le të jenë ata rojet e një frike, e cila, e qenë apo e mosqenë, rrezikon 11-shen, Reformën, apo dhe finalet e një Kampionati Europian, që luhet përditë e përvit dhe që quhet BE.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shkodër: Përplasje biznesmenësh, PD në kërkim të lavdisë së humbur

Në Qarkun e Shkodrës gara bëhet interesante pasi përveç tri forcave kryesore...
Read More