Problemet normale të PD me kundërshtarin politik dhe problemet anormale me arbitrin

Nga Ervis Iljazaj

Ditët e fundit ka një sulm të paprecedent të opozitës kundrejt qëndrimeve zyrtare të Bashkimit Europian apo edhe kundrejt personave që përfaqësojnë këtë institucion në vendin tonë. Sulme që vijnë nga drejtime të ndryshme. Sulme politike, mediatike apo edhe personale. Qëndrime të cilat po rrezikojnë përfundimisht raportin e Partisë Demokratike jo vetëm me BE, por edhe me gjithë sistemin politik në tërësi.

Deri më tani, në konfliktin e përhershëm midis forcave politike ka ndodhur që njëra palë të mos njohë qëndrimet e tjetrës, por asnjëherë që të mos njohë arbitrin. Kjo po ndodh për herë të parë me qëndrimet e Partisë Demokratike. Letra e komisionerit Hahn dhe shumë qëndrime të tjera që kanë mbërritur në adresë të saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit e vërtetojnë këtë.

Duke qenë se mungesa e besimit midis forcave politike e cila reflektohet edhe poshtë te qytetarët shqiptarë ka qenë gjithmonë konstante, rolin e arbitrit, për shkak edhe të mungesës së institucioneve të pavarura e kanë kryer gjithmonë ndërkombëtarët. Jo vetëm se ata shihen nga shqiptarët si një arbitër mbi palët, por edhe për faktin e proceseve të rëndësishme të integrimit euroatlantik.

Raporti që ekziston sot midis Shqipërisë dhe institucioneve ndërkombëtare nuk është vetëm politik dhe strategjik. Ky raport tashmë ka hyrë drejt një integrimi të plotë të vendimeve të tyre si të detyrueshëm për të gjithë rendin politik të vendit. Kjo si pasojë e procesit të integrimit, tashmë të pakthyeshëm. Kush mendon që qëndrimet e BE nëpërmjet përfaqësuesve apo funksionarëve të tyre cenon sovranitetin e vendit apo ndërhyn në punët e brendshme tonat ose nuk ka kuptuar asgjë nga Bashkimi Europian dhe politika ndërkombëtare ose bën një tentativë të dëshpëruar për të shpëtuar nga efektet ë këtij procesi.

Nëse ky proces është rruga më e mirë apo jo për fatet tona, ky është një diskutim tjetër, por tashmë është i legjitimuar në rendin tonë kushtetues. Në fund të fundit, jemi ne ata që duam të shkojmë drejt tyre dhe në këtë kuptim jemi të detyruar të ndjekim atë rrugë. Ekzistojnë edhe alternativa të tjera ku Shqipëria mund të integrohet në zhvillimet gjeopolitike të momentit. Ato janë Vëllazëria Myslimane, Rusia ose te forcat tona, siç propagandonte njëherë e një kohë regjimi komunist që kemi përjetuar.

Mirëpo ky është akti i fundit i përplasjes së Partisë Demokratike me sistemin. E gjithë sjellja politike e saj përgjatë këtyre muajve është tipike e një partie antisistem dhe si e tillë në mospërputhje me rendin kushtetues shqiptar. Duke filluar që nga mosnjohja e këtij Parlamenti i cili është zgjedhur me vota të lira në vitin 2013 e deri te kërkesa absurde e zhvillimit të zgjedhjeve të reja përtej afatit kohor që do të zgjasë në mënyrë të paprecedent mandatin e këtij Parlamenti më shumë se sa koha që i ka dhënë populli shqiptar për të qëndruar në pushtet, nuk bën gjë tjetër veçse përjashton veten nga ky rend politik.

Kërkesa e saj për të ankimuar datën e regjistrimit të listave të partive që do të marrin pjesë në zgjedhje për shkak të disa orëve brenda apo jashtë afatit tregon edhe njëherë çoroditjen e sjelljes në raport me institucionet. Nga njëra anë kërkon shtyrjen e zgjedhjeve dhe shkeljen e çdo afati kushtetues, nga ana tjetër ankimon në Kolegjin Zgjedhor regjistrimin e listave për kandidatët për shkak të afatit. Nga një anë nuk njeh asnjë institucion legjitim të shtetit, nga ana tjetër kërkon të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve nëpërmjet rrugës institucionale. Si të thuash, me institucionet e “Republikës të vjetër” kërkon të ndërtojë “Republikën e re”’. Çfarë paradoksi!!

Kjo metamorfozë e PD-së nga një parti e cila ka patur merita të mëdha në arritjet e shoqërisë shqiptare përgjatë tranzicionit në një parti që si rrugë të vetme të politikës sheh denoncimin radikal deri në dhunim të rendin kushtetues, padyshim që është një humbje e madhe për garën politike duke rrezikuar të përjashtojë veten mbas 18 Qershorit nga sistemi politik. Megjithatë opozita ekstraparlamentare është një fenomen që ekziston dhe ka ekzistuar në shumë shembuj edhe jashtë Shqipërisë. Por, këto janë parti të cilat konsiderohen si parti antisistem. Ndërkohë që PD ka qenë një nga aktorët kryesorë me meritat dhe dështimet e saj në sistemin tonë politik.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria drejt zgjedhjeve pa opozitën

Ka qenë një mision i pamundur ai i dy përfaqësuesve europianë McAllister-...
Read More