Profesorët europianë në konferencën e UET: Konkurrencë sipas standardeve të BE në shërbimet publike

 

Ditët e Studimeve Shqiptare çel edicionin e pestë.

Shtatëdhjetë punime shkencore dhe 10 profesorë të huaj janë mbledhur për të adresuar problematika dhe për të ofruar zgjidhje për institucionet politikëbërëse. Këtë vit fokusi është i vendosur te roli i shtetit si rregullator apo ofrues në të mirat dhe shërbimet publike.

Gjatë ditës së parë të konferencës studiuesit ishin të mendimit se politikat publike duhet t’u përgjigjen standardeve të konkurrueshmërisë së tregjeve dhe kërkesave të BE-së. Sipas presidentit të UET, Adrian Civici studimet duhet të kenë impakt në politikat publike.

Që universiteti të mos jetë thjesht një qendër mësimdhënieje, por edhe një qendër që prodhon dije konkrete dhe kontribuon në zgjidhjen e problemeve që ka sot shoqëria shqiptare, për të pestin vit radhazi Universiteti Europian i Tiranës është organizator i Konferencës “Ditët e Studimeve Shqiptare”. I menduar si një festival i ideve dhe kërkimit shkencor që bën bashkë akademikë e studiues nga e gjithë bota, ky edicion -i cili e ka hapur siparin ditën e djeshme e që do i vazhdojë punimet edhe sot gjatë gjithë ditës në auditorët UET – është fokusuar te roli i shtetit si rregullator apo ofrues i shërbimeve dhe të mirave publike.

Nëntëdhjetë e pesë pjesëmarrës nga e gjithë bota, afro 70 punime shkencore dhe 10 profesorë të nderuar nga universitetet më prestigjioze të Europës janë të pranishëm në këtë konferenca e cila do i zhvillojë punimet në shtatë sesione të ndara, sipas tematikave.

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici tha se Ditët e Studimeve Shqiptare janë kthyer tashmë në një traditë të mirë për të pestin vit radhazi në emër të komunitetit shkencor e akademik dhe për ta vendosur universitetin në qendër të propozimeve sa u përket politikave publike, zhvillimit të vendit zhvillimit të kërkimit shkencor apo botimeve akademike.

“UET ashtu si një pjesë e madhe e universiteteve shqiptare është vazhdimisht në kërkim të rolit të tij publik, akademik e shkencor dhe në këtë kuadër puna dhe kërkimi shkencor, botimet shkencore dhe mbi të gjitha komunikimi me një gjuhë shkencore me realitetin dhe mjedisin shqiptar, politikëbërjen dhe vendimmarrjen shqiptare është shumë i rëndësishëm”- u shpreh presidenti, ndërsa tha për të pranishmit se universiteti nuk është vetëm vendi ku mësimdhënia dhe mësimnxënia zë 90 përqind të aktivitetit, por përkundrazi, përpiqet ta transmetojë, grumbullojë dhe ta prodhojë dijen shkencore.

“Në këtë sens, jo vetëm ne, në një bashkëpunim të ngushtë me universitetet prestigjioze, profesorë dhe akademikë shumë të nderuar me përvojë në botimet shkencore organizojmë sesionin e pestë të Ditëve të Studimeve Shqiptare”.

Civici shtoi se ky aktivitet ka qëllim studimin e problematikave që ka sot vendi dhe puna e kërkuesve shkencorë që u janë përgjigjur thirrjes për të marrë pjesë në këtë edicion flet me gjëra konkrete për të për të kontribuar për zgjidhjen e problemit. “Për të mos e parë kërkimin shkencor si qëllim në vetvete por të lidhur ngushtë me sfidat që ka Shqipëria dhe si përballet në zgjidhjen e këtyre sfidave në raport me realitetin ndërkombëtar, rajonal, Bashkimin Europian dhe më gjerë. Në këtë sens, bërja pjesë e punës sonë shkencore në mozaikun e madh të punës shkencore që organizojnë universitetet europiane dhe më gjerë, na vë para përgjegjësisë por tregton se edhe kërkuesit e pedagogët shqiptarë mund të jenë pjesë e gjuhës me të cilën komunikojnë akademikët dhe kërkuesit shkencorë, të cilat janë punimet shkencore, artikujt shkencorë dhe përfundimet shkencore”.

Tema e këtij viti përkon me një dilemë të madhe që has vendi në fazën e ndërtimin të kapitalizmit, zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit të vendit në tërësi pasi analizon raportet mes shtetit dhe tregut sa u përket të mirave dhe shërbimeve publike. “Kudo, nga reformat e mëdha strukturore deri te reformat më të thjeshta gjendemi në këtë dilemë, qoftë për traditën shumë etatiste me të cilën kemi ardhur deri tani, qoftë edhe me përvojat shumë pozitive sa i përket rolit të tregut lirisë ekonomike dhe rolit të aktorëve ekonomikë të lirë, pa trysni, pa planifikim dhe centralizim”.

Civici gjithashtu shtoi se koncepti i të mirave dhe shërbimeve publike që është në qendër të kësaj konference, është një koncept jo shumë i njohur dhe akoma i përvetësuar sa duhet në Shqipëri. Kjo konferencë synon të përfshijë në debat të gjitha institucionet, organet vendimmarrëse apo aktorët e shoqërisë shqiptare; ekonomikë, socialë apo të një natyre tjetër, si edhe të propozojë zgjidhje që të konkretizohen në një sërë fushash të shoqërisë si në luftën kundër informalitetit, ashtu edhe në shërbime më të mira shëndetësore, arsimore, infrastrukturë dhe të gjenerojë energjitë që ka nevojë një vend për t’u zhvilluar.

“Materialet që do prezantohen do të jenë kontribut i shtuar në këtë debat kaq jetik për Shoqërinë sot dhe do të dëshmojnë për cilësinë dhe seriozitetin që kërkuesit tanë dhe profesorët e nderuar nga Europa të mund të përkthehet në propozime dhe politika konkrete. Dhe nëse e realizojmë këtë, universitet vërtet konsiderohet në rolin e tij modern. Jo thjesht si qendër mësimdhënëse por si një qendër kur reflektohen ide, politika , mendime”.

Ky festival i ideve, tha në fund të fjalës së tij presidenti Civici, do të prodhojë muzikën shkencore në formën e rezultateve të kërkimeve shkencore.

Ditën e djeshme paraqitën konkluzionet e punimeve të tyre profesorë të njohur nga bota si prof. Eric Gordy nga Kolegji Universitar i Londrës, Britani , i cili u ndal tek Informaliteti në Europën Juglindore dhe agjendën kërkuese. Prof. Thomas Herzfeld nga Instituti i Zhvillimit Agrikulturor ne Ekonomitë në Tranzicion, nga Lajbnic, Gjermani solli në vëmendje rolin e politikës publike në zhvillimin agrikulturor. Politika e rolit të të drejtave të njeriut në BE për procesin e hyrjes së Shqipërisë ishte tema që trajtoi prof. Wolfgang Benedek nga Universiteti i Grazit, Austri. Dr. Gëzim Visoka nga Universiteti i Dublinit, Irlandë në punimin e tij u ndal te tema e nacionalizmit, integrimi europian dhe paqja në rajon.

Profesorët europianë ishin të mendimit se politikat publike në Shqipëri duhet t’u përgjigjen standardeve dhe kërkesave të Bashkimit Europian. Të tjerë profesorë të shquar nga bota do të flasin sot në panelet e konferencës, si: prof. dr. Adriana Galvani që vjen nga Universiteti i Bolonjës Itali; prof. dr. Peter Morgan nga Universiteti i Sidnejt, Australi; dr. Agostino Massa Universiteti i Gjenovës, Itali; dr. Wioleta Bryniewicz dhe dr. Żaneta Stasieniuk, Universiteti i Szczecin, Poloni; prof. Alessandro Ferrara, Universiteti i Romës ‘Tor Vergata’, Itali; dr. Kornélia Lazányi nga Universiteti Obuda i Hungarisë etj. Ditët e Studimeve Shqiptare është një aktivitet flamurtar akademik i UET, i cili zhvillohet nën ombrellën e projektit madhor të kërkimit “Inovative Albania” dhe ky edicion është i pesti radhazi. Konferenca synon të bëjë bashkë studiuesit më të njohur ndërkombëtarë që janë të fokusuar në kërkimin e tyre mbi Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor për të shqyrtuar çështjet më të spikatura që përballet Shqipëria dhe rajoni.

Fokusi i DSSH-së për 2018–ën është mbi rolin e shtetit si ofrues apo rregullatori i shërbimeve publike. Kërkuesit e interesuar në këtë çështje kanë sjellë bashke politikën, ekonominë, ligjin, sociologjinë, antropologjinë, psikologjinë, financën, arsimin, teknologjinë e informacionit dhe zhvillimit për të diskutuar praktikat formale dhe informale dhe institucionet që ndikojnë rolin e shtetit dhe aftësinë për të ofruar apo rregulluat shërbimet publike në Shqipëri dhe rajon. DSSH kanë një seri konferencash shkencore me sistem “peer review” të fokusuara në debatin rreth çështjeve të rëndësishme në shoqërinë shqiptare, nisur nga ekonomia, historia, media, sistemi ligjor, institucionet politike, politikat publike dhe në zhvillimin e arsimit dhe ndikimi i tij në zhvillimin shoqëror.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shoqërohet në polici ish-presidenti Sarkozy

  Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është ndaluar për t’u pyetur për financimet...
Read More