Profesori Kolë Ashta në një jetë kushtuar gjuhës shqipe

Çfarë nuk u tha për prof. Kolë Ashtën në konferencën shkencore, që u mbajt në Universitetin e Shkodrës.

Nga Prof. dr. David Luka

Kur, pas një ndërprerjeje të gjatë, po përgatiteshim të nxirrnim numrin e parë (pas vitit 1990) të “Buletinit shkencor” të Universitetit të Shkodrës, iu lutem prof. Kolës që të na shkruante një artikull përmbledhës e informues për veprën e tij “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, me të cilin do të hapnim revistën. Ai na e plotësoi kërkesën duke na dërguar një shkrim me titull “Pasqyrimi i punës për hartimin e leksikut historik të gjuhës shqipe”. Ngjan që ky ka qenë artikulli i fundit që shkroi me gjallje të vet. Ky shkrim, megjithëse profesori qe i lodhur, mishëronte në vetvete të gjitha cilësitë e vyera të tij. Ai dallohej për qartësinë, thjeshtësinë e veçanërisht për stilin e punës. Gjithnjë prof. Kola na porosiste që në fund të çdo punimi shkencor duhej bërë edhe njëlloj rezymeje, sepse, siç thoshte ai, studiuesit e rinj nuk kishin durim ta lexonin atë nga fillimi deri në fund e, duke e lexuar pjesë-pjesë me zgjatje në kohë, kur arrinin në fund, harronin se çfarë ishte shkruar në krye të tij! Prandaj edhe në punimin e botuar në “Buletin”, ai kishte ndjekur të njëjtën mënyrë pune.

Përfundimet e këtij punimi, që ngjanin si testament, unë i kam rreshtuar në një shkrim të gjatë (SGJ XIII, Shkodër, 2011, f. 88 v), duke menduar që më mirë se ai vetë asnjë tjetër nuk mund ta jepte me vërtetësi punën e madhe që kishte bërë për të paraqitur leksikun historik të gjuhës shqipe.

Punimet e K. Ashtës, krahas rigorozitetit shkencor dhe një metode tepër të qartë e konstruktive, ndërkaq edhe lehtësisht të përdorshme, dallohen edhe nga besueshmëria, absolutisht e nevojshme, e të gjitha të dhënave konkrete, që përbën një ndër kushtet paraprake si edhe një ndër faktorët vendimtarë për një gjykim të drejtë të burimit etimologjik të fjalëve. Për këtë do të mjaftonte të citonim E. Çabejn, që shkruan se në materialet gjuhësore të Studimeve të tija etimologjike “Për autorët tanë të vjetrit mbështetemi në vjeljet tona personale; po për Buzukun, Bardhin e Kazazin jemi mbështetur në punimet e K. Ashtës” (SE I 45).

Opusi i prof. Kolë Ashtës duhet vështruar në disa drejtime.

Së pari, duhet vënë në dukje se ata që morën përsipër botimin e tij, nuk kanë mundur ta kryejnë këtë detyrë ashtu si duhet. Arsyet janë të karakterit objektiv e subjektiv. Prof. Kola krejt veprën e vet e kishte shkruar me dorë në fletore aritmetike të asaj kohe, gjithsesi tepër qartë e me hapësira një rresht po, një rresht jo. Kështu që gjithçka lexohej qartë. Gjithashtu, ai kishte respektuar të gjitha detajet për një punim shkencor të këtij tipi, duke përdorur me saktësi grafemat e veçanta të autorëve të vjetër, shenjat diakritike, shenjat e pikësimit, thonjëzat etj. Do të mjaftonte vetëm një krahasim i të gjithë vëllimeve të botuara për të vënë re se kjo metodë e paraqitjes së autorit nuk është respektuar aspak. I gjithë vëllimi i pestë p. sh. është shkruar me kursiv duke vështirësuar dallimin e shembujve të sjellë nga Da Lecce e Kuvendi i Arbënit, me fjalët e shpjegimet e autorit. Ndryshimi i mënyrës së paraqitjes së materialit nga njëra vepër në tjetrën ka shpërfillur e shpërbërë stilin e punës së prof. Ashtës, së bashku edhe me pasigurinë në përdorimin e saj për të vërtetuar dukuri të ndryshme gjuhësore.

Së dyti, kanë kaluar gabime të shumta nga dorëshkrimi i prof. Ashtës në kompjuter e, prej andej në vepër. Ky fakt vihet re kur krahasohet p. sh. botimi i Buzukut në “Buletinin shkencor” të Universitetit të Shkodrës (viti 1964 v) me vëllimin e parë, botuar më 1996. Këtu mospërputhjet janë jo vetëm në tekstin përkatës, por edhe në faqet ku duhet kërkuar fjala te “Meshari” i Buzukut. Këto gabime bëhen të shumta veçanërisht në vëllimin e dytë (Budi), aq sa unë kam qenë i detyruar të përdor në punimet e mia shkencore jo veprën e botuar, po dorëshkrimin e vetë Ashtës. Veprën në origjinal të prof. Kolës ma ka vënë në dispozicion e shoqja e tij, Aneta, të cilën e kam falënderuar gjithnjë për këtë gjest bujar.

Së treti, e ajo që është më kryesorja, ata që morën përsipër botimin e Opusit të Kolë Ashtës nuk kishin as përvojën e as përgatitjen e nevojshme për t’i dalë zot botimeve të kësaj natyre. Detyrimisht duhej që dikush nga redaktorët të njihte domosdo greqishten (e vjetër, e mesme, e re), latinishten (atë klasike, lat. mesjetare a ital. e vjetër, italishten), sllavishten (e vjetër, e re), turqishten etj. Përndryshe gabimet në përdorimin e fjalëve të huaja do ta bënin të papërdorshme veprën e Kolë Ashtës, duke mos u shërbyer studiuesve e, veçanërisht, atyre të rinj, të cilët gabimet do t’i merrnin për fakte të vërteta, duke ngatërruar veten e të tjerët. Për të vërtetuar sa thashë më lart, kam paraqitur (SGJ XIII, Shkodër, 2011, f. 87 v) një tabelë me gabime të kësaj natyre, të nxjerra nga vëllimi i dytë i K. Ashtës (Budi), gjithsesi vetëm në një shikim të shpejtë, pa kurrfarë mëtimi për t’i parashtruar këto gabime e pasaktësi në mënyrë shteruese.

Së fundi, mungesa e shenjave diakritike dhe e grafemave të veçanta të përdorura nga autorët e vjetër, qoftë ndër kompjuterat e asaj kohe, qoftë ndër shtypshkronjat, bënte që vepra të dilte e mangët, e pasaktë e me gabime (natyrisht as për faj të autorit të veprës, që i kishte paraqitur të gjitha në dorëshkrim, e as për faj të redaktorëve). Me shumë mundime, me sa mbaj mend unë për atë kohë, kolegët e mi u përpoqën për t’i shmangur këto pasaktësi, deri edhe duke përdorur metoda “origjinale”, duke ndërhyrë në kalk me stilolaps të zi ose me bojë kine për të shënuar gjatësitë e zanoreve, hundorësinë, thekset e shenjat e tjera, të përdorura në dorëshkrim.

***

Është vendi këtu të thuhen dy fjalë për qëndrimin e shtetit komunist (shprehur nga gjuhësia “zyrtare” e kohës) ndaj vetë personit dhe punës së tij.

Në vitin 1976, kur profesori mbushte 58 vjeç dhe ishte në kulmin e veprimtarisë së vet shkencore, e nxjerrin në pension me motivacionin: “Është i lodhur!”. E ashtu “i lodhur!”, ai vazhdoi të punonte me ngulm për realizimin e atij qëllimi që i kishte vënë vetes. Punonte, siç thoshte ai vetë shpeshherë në intimitet “me frikë në zemër” dhe gjithnjë “me frikën se mund ta dënonin për atë që nuk kishte bërë”. Prof. Kola nuk lejohej në atë kohë të takonte studiues të huaj. U thuhej atyre që “ishte i sëmurë”. Tregonte ai vetë se si kishte dashur ta takonte prof. Engjëll Sedaj (ardhur nga Kosova). I kishin thënë si të tjerëve “është i sëmurë”. Mirëpo, prof. Sedaj, kishte marrë informata të sakta për vendin ku prof. Kola kishte shtëpinë. Në një çast, u shpëtoi shoqëruesve dhe, me ndihmën e një qytetari, që për fat e kishte shtëpinë në rrugicën ku banonte prof. Kola, arriti atje ku donte. Tregonte e shoqja, Neta, se kur Kola hapi derën dhe pa prof. Sedën, u mpi krejtësisht. Gjatë gjithë kohës që ai ndenji për vizitë, Kola nuk foli asnjë fjalë. Më pas, kur e pyetëm prof. Kolën se ç’kërkonte prof. Sedaj, na u përgjegj:

– Kërkonte dorëshkrimet për botimin e Budit. – I thamë:

– Përse nuk ia dhé? – Na u përgjegj:

– Unë atë ditë nuk qeshë i zoti as me folë!

Raste të kësaj natyre, sa të trishta e tragjike, më vonë (pas viteve 1990), dukeshin komike e të pabesueshme.

Më i mbrapshtë e diskriminues ishte qëndrimi i gjuhësisë “zyrtare” ndaj punës së madhe që kishte bërë prof. Ashta për leksikun historik të gjuhës shqipe. Dhe në raportet e fjalimet e kësaj gjuhësie “zyrtare”, prof. Kola harrohej. Dhe harrohej qëllimisht. Dhe kjo punë do të vazhdojë deri në vitin 2004. Në referatin me temë “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë”, mbajtur në konferencën shkencore “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë” (Tiranë, 3 dhjetor 2004), nuk thuhet asnjë fjalë për prof. Kolë Ashtën dhe punën e tij. Referuesi ngjan nuk ka qenë në dijeni as për botimin e veprës së tij (deri në vitin 2004 ishin botuar katër vëllime, titulluar “Leksiku historik i gjuhës shqipe”), të cilët mungojnë në bibliografinë e paraqitur në fund të referatit. Aty ndërkaq rreshtohen vetëm tre-katër artikuj, të botuar në revista të kohës, që datojnë deri në vitin 1976. Ngjan jo rastësisht ky vit takon me atë të daljes e prof. Kolës në pension. Për gjuhësinë “zyrtare” të kohës (të përfaqësuar tani në referatin e një konference shkencore, që po bënte bilancin e punës për leksikun e shqipes), prof. K. Ashta kishte vdekur më 1976, sa kohë që pas këtij viti nuk i përmendet më emri në këtë referat. (Shënojmë se Kolë Ashta ka lindur në Shkodër në vitin 1918 dhe ka vdekur po në Shkodër më 1998.)

Është për t’u theksuar se në referatin e sipërm, qoftë në parashtrimin e përgjithshëm të zhvillimit të leksikografisë shqipe, qoftë në kërkesat apo detyrat parësore për të ardhmen në fushën e kësaj leksikografie, nuk thuhet asnjë fjalë për leksikun historik të gjuhës shqipe dhe për nevojën e një Korpusi të tij, pa të cilin nuk mund të realizohet hartimi i Fjalorit të madh (disavëllimësh) të gjuhës shqipe, si një ndër detyrat parësore për të ardhmen; rreshtuar në referatin e sipërpërmendur.

***

Pas vitit 1993 Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” bëri propozimin në Komisionin e Atestimit në Tiranë për t’i dhënë prof. Kolës titullin “profesor”. Mirëpo, doli një problem thjesht administrativ. Duhej numri, data e gjeneralitete të tjera, që vërtetonin që personi i propozuar e kishte gradën shkencore “doktor”. Dukej punë e mbaruar, por komunikimi me prof. Kolën për kësi rastesh nuk ishte fort i lehtë, sepse, megjithëqë kishim disa vjet në demokraci, ende nuk i kishte dalë frika. Më ngarkuan mua për ta zgjidhur këtë punë. I shkoj në shtëpi dhe e pyes:

– Prof. Kola, duan që të japin titullin “profesor”. Mirëpo, për këtë punë duhen të dhënat për gradën “doktor”. Po deshe m’i jep e t’ia dërgoj Tiranës!

M’u përgjigj se e mori vesh se çfarë i thashë, dhe vazhdoi bisedën. Unë, meqë e njihja mirë, nuk ngula këmbë. Para se të dilja, ia kujtova edhe njëherë kërkesën. M’u përgjegj se do të më lajmëronte ai vetë për këtë punë.

Kaluan do ditë të mira dhe unë e harrova fare këtë punë. Kur një ditë të nxehtë gushti më lajmërojnë se te dera e institucionit, ku unë punoja, kishte ardhur një njeri që kërkonte të takohej me mua. Kur u hap dera dhe pashë prof. Kolën, të larë në djersë nga vapa, buzëqesha. Në dorë mbante një tub kartoni gati gjysmë metri të gjatë. Gulçonte kaq shumë, ngaqë kishte ngjitur shkallët deri në kat të tretë, sa pata frikë se mos i binte ndonjë send. E ula në poltron dhe fillimisht e qetësova. Pastaj e pyeta se përse kishte ardhur. Pa folur, hoqi kapakun e tubit dhe nxori andej një diplomë të madhe sa një faqe jesteku, të shkruar bukur me bojë kine dhe zbukuruar me ornamente. Ishte “doktorantura”. I them:

– Po pse u mundove deri këtu në tërë këtë vapë. Vija unë e merrja tek ju në shtëpi. Megjithëse ju asnjëherë nuk na e kini treguar më përpara.

Prof. Kola bëri buzën në gaz dhe foli:

– Çfarë të tregoj, lexoje titullin e saj e mandej fol!

Tek lexoja titullin e doktoranturës, më mori gazi. Ajo i kushtohej poetit Gjergj Fishta. Prandaj prof. Kola nuk e kishte përmendur asnjëherë më parë nga frika se “mos çonte qêjt peshë!”

Për ta qetësuar prof. Kolën deri në fund, mora në telefon atë që më kishte ngarkuar për këtë punë dhe i dhashë çfarë kërkonte. Prof. Kola, që besonte me shumë zor, u qetësua. Ndërkaq unë thirra shoferin dhe e porosita që ta dërgonte prof. Kolën në shtëpi e t’ia dorëzonte shëndosh e mirë  së shoqes.

***

Në verën e vitit 1987 takova në shtëpinë e tij prof. Kolë Ashtën. Biseda u soll rreth mundësisë së botimit të plotë të veprës së tij disavëllimëshe. Në atë kohë unë shpreha mendimin që prof. Kola do t’i bënte një shërbim të madh gjuhësisë historike shqiptare në qoftë se këtë vepër do ta realizonte në një vëllim të vetëm, duke përfshirë aty të gjithë leksikun e autorëve të vjetër.

Mbaj mend që prof. Kola, pasi më vështroi për mjaft kohë në heshtje, m’u përgjegj:

– Kjo punë do edhe një jetë tjetër. – Më pas vazhdoi:

– Mund të kryhet nga një institucion i specializuar, po pasi të vendosen kritere e parime tepër të sakta.

Prof. Kola kishte realizuar “historinë” e leksikut të autorëve të vjetër të gjuhës shqipe. Tani dikush tjetër duhet të paraqiste vetëm leksikun. Raporti këtu ishte i njëjtë me punën e E. Çabejt për etimologjinë e gjuhës shqipe. Në veprën e vet madhore prof. Çabej kishte paraqitur “historinë e fjalëve” (në disa vëllime). Tani na duhej Fjalori etimologjik me një vëllim, e vetëm me përfundimet e arritura.

Mendoj se Universiteti i Shkodrës (përkat. Instituti i Studimeve Albanologjike i tij) do t’i bënte nder jo vetëm kujtimit të prof. Ashtës, por edhe vetes së vet, në qoftë se do të merrte iniciativën për botimin e këtij leksiku në një vëllim të vetëm. Kjo me dy qëllime të caktuara.

Së pari, do të ndreqeshin të gjitha gabimet, që kanë kaluar në vëllimet e botuara, duke dhënë tani një vepër akademike serioze për qëllime studimi të mirëfillta shkencore.

Së dyti, një vepër e tillë do të shërbente si baza e nisjes së fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që pret të hartohet në të ardhmen.

E përsëris, emri i prof. Kolës (tani post mortem) nderohet duke vlerësuar veprën e tij e jo duke thurur Osanna me fjalë që të kujtojnë vargjet e një këngë të bukur italiane: “Parole, parole, parole …!”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rruga e Ramës drejt fitores

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin zyrtar për zgjedhjet e 25...
Read More