Progresioni i taksës progresive

Nisma e qeverisë Rama për të zgjeruar taksën progresive, duke e parashikuar ndryshimin që në buxhetin e vitit 2018 dhe pasojat që do të ketë në ekonomi. Paqëndrueshmëria e sistemit fiskal dhe stepja e bizneseve vendëse dhe të huaja për të investuar nga modeli tatimor që ndryshon edhe brenda një mandati të qeverisë. Flasin ekspertët e ekonomisë Selami Xhepa, Zef Preçi dhe Ilir Ciko mbi efektet e taksës progresive dhe çfarë e pret ekonominë shqiptare për katër vitet e ardhshme.

Në fushatën e vitit 2013, taksa progresive, me idenë pupuliste që paratë: “t’ua marrim të pasurve dhe ua japim të varfërve”, zuri vendin më të madh të diskutimeve për mëtonjësin e postit kryeministror Edi Rama. Pushtetin e mori, taksën e re e vuri në zbatim, por produkti që doli prej saj nuk dha efektet që qeveria priste, ndonëse ky “dështim”, ishte paralajmëruar nga ekonomistë të njohur. Në mandatin e dytë qeverisës Rama nuk heq dorë nga taksa progresive, por kësaj “shtambe” të krisur, po i bëhen disa modifikime, me qëllimin për të siguruar sa më shumë të ardhura buxhetore. Ekonomistë të njohur në vend këtë situatë paqëndrueshmërie në sistemin fiskal, veçanërisht atë tatimor, e shohin si një nga problemet kryesore në stepjen e investimeve serioze dhe është një goditje drejtpërdrejt edhe për shtresat e mesme, apo individët e profesioneve të lira. Taksimi mbi të ardhurat shtesë, përveç pagës do të prekë disa grupe individësh, por të ardhurat që vijnë nga ky taksim i ri më shumë se të mbushin arkën e shtetit, shkojnë në boshatisjen e xhepave të shtresës së mesme të shoqërisë. Ajo rritje 5-6 për qind dhe e qëndrueshme në kohë do ishte frymëmarrje për ekonominë e vendit, por moduli i ndryshueshëm i taksimit, pasiguria mbi investimet për shkak të korrupsionit dhe një drejtësie që nuk po shkon në rrugën e drejtë, po sjellin një ekonomi në vendnumëro. Investitorët e huaj, vijnë, shohin dhe ikin…, dhe një nga shkaqet mbetet sistemi fiskal që ndryshon jo vetëm në një mandat qeveritar, por në disa raste edhe me muaj. Një pjesë e mirë e ekspertëve të pavarur dyshojnë që nisma e re për zgjerimin e taksës progresive do sjellë ndryshime rrënjësore, për më tepër i druhen se kjo mund të jetë “çekan” mbi kokën e shtresës së mesme dhe të profesionistëve që pjesën më të madhe të të ardhurave e sigurojnë nga puna.

Presidenti i Institutit Europian Pashko, Prof. Selami Xhepa 

Çfarë mendoni për projektin e qeverisë që në buxhetin e ri, taksa progresive do të zgjerohet?

Ndryshimet që po diskutohen në paketën aktuale fiskale, kanë dy qasje ose dy rrjedha të ndryshme. Nga njëra anë për disa sektorë të ekonomisë është propozuar një zbutje e barrës fiskale, lehtësim i taksimit me qëllim promovimin e investimeve. Dhe këtu në veçanti spikasin sektori i turizmit elitar (dhe këtu duhet ngritur një pikëpyetje sa i takon faktit nëse për Shqipërinë duhet të ishte strategji e drejtë turizmi elitar ose jo, kjo meriton të debatohet). Sektori tjetër është i teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, të cilat në këndvështrimin e krijimit të një ekonomie moderne janë një qasje racionale dhe pozitive. Dimensioni i dytë është përpjekja që po bën qeverisa për të shëndoshur gjendjen e të ardhurave dhe për të gjetur burimet e reja të financimit të shpenzimeve qeveritare, nëpërmjet rritjes së të ardhurave buxhetore. Në këtë pikë, karakteristika ishte reformimi i mënyrës së tatimit mbi pasurinë, prej të cilave pritet që të kemi rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe që kryesisht që do të shkojnë në favor të pushtet vendor. Nga ana tjetër, në raport se çfarë do ndodhë me të ardhurat e qytetarëve, përveç tatimit mbi pasurinë ka pasur ndryshim të tatimit mbi fitimin ose në kufirin e lartë, pra nga 23 % në 18 %. Kjo lloj uljeje e kufirit të sipërm të tatimit margjinal mbi të ardhurat, duket sikur do të kompensohet, duke ndryshuar mënyrën e llogaritjes së taksave nga tatimi mbi të ardhurat, ku bashkë me pagën është kërkuar të përfshihen të gjitha shpërblimet apo bonuset e tjera që mund të marrin sipërmarrësit. Kjo do të thotë se nëse një pjesë e sipërmarrësve kishin kanalizuar një pjesë të të ardhurave, jo në formë page mujore, por në formën e bonuseve dhe shpërblimeve, si një mënyrë për të përshtatur rritjen e kostove mbi punësimin që kishte ndodhur për shkak të rritjes së tatimit mbi të ardhurat, pra nga 10 % ishte, në tatimin progresiv, që vendosi qeveria e Partisë Socialiste. Kjo mënyrë administrimi të tatimit kërkon të mbyllë këto lloj shtigjesh. Po a është e mundur që të realizohet një gjë e tillë? Mendoj se është pikëpyetja më serioze që duhet vënë. Nëse individi për punën e tij normale merr një pagë, ndërkohë që një pjesë e punësimit mund të shndërrohet dhe në produkte të cilat mund të jetë mbi bazë bonusesh, koha e realizimit të të ardhurave mund të jetë një periudhë që shkon përtej kufirit një mujor, pra një e ardhur si një herë në 3 muaj, 6 muaj, 1 vit etj.

A është kjo një nismë që shkon në ndihmë të rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, rritjes së konsumit?

Nga pikëpamja e mënyrës së administrimit si do të shtrihet në kohë ky shpërblim dhe ky bonus, kjo është e pamundur të zgjidhet. Nëse në rastin e aplikimit tatimit proporcional mbi të ardhurat humbiste sensin, pra, bashkimi i bonuseve etj., në rastin konkret më duket e padrejtë të realizohet. Nëse kjo do të bashkohet mbi të ardhurat e vetëm në muajin që do të paguhet, efektivisht e gjithë kjo e ardhur që mund të jetë akumuluar me punën, ndoshta të një viti, efektivisht do i nënshtrohet nivelit më të lartë të tatimit. Është një diskriminim, është një lloj progresiviteti i progresivitetit. Kjo besoj se është deformimi më i rëndësishëm si do realizohet dhe godasë kjo mënyrë e aplikimit mbi të ardhurat e qytetarit.

Në fillim të mandatit të parë u aplikua taksa progresive, por tashmë do të zgjerohet edhe mbi të ardhurat e tjera përveç pagës, pse ky ndryshim i shpeshtë i modelit të taksimit?

Është provuar që kalimi nga tatimi i sheshtë në progresiv ishte një dështim dhe është pohuar edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN. Vetë statistikat fiskale të qeverisë e treguan, për rrjedhojë çdo ndryshim që do t’i bëhet sërish, vetëm se do të krijojë nxitje negative dhe jo nxitje pozitive të rritjes së ekonomisë dhe të punës së ndershme, në raport me përfitimet që janë totalisht të neglizhueshme. Masa e individëve që do i nënshtrohen kësaj kategorie të taksimit, është shumë e vogël dhe nuk përbën një shqetësim për ekonominë. Më duket që është një ekzagjerim i tepruar dhe një thellim i pandershmërisë që ka sistemi i tatimit në raport me këtë kategori qytetarësh. Këta qytetarë janë ata që punojnë më shumë, që kanë të ardhura që janë kryesisht shtresë e mesme dhe është një goditje që i bëhet klasës së mesme, më tepër kategorisë së profesioneve të lirë. Është një nga shqetësimet më serioze. Fakti që sistemi fiskal ka ndryshuar në mënyrë konsistente jashtëzakonisht të shpejtë, edhe brenda një viti fiskal dhe jo më gjatë një konteksti të një mandati qeveritar, e bën sistemin totalisht të paparashikueshëm do të thotë se pengon investitorët, sidomos ata të huaj, të cilët kërkojnë stabilitet të qartë të sistemit fiskal, pasi është baza thelbësore për llogaritjen e fizibilitetit të një projekti investimi. Edhe thjesht në këtë kuptim ndikon në pasjen e një vizioni strategjik për të tërhequr investimet e huaja apo për të nxitur investimet e brendshme të kursimeve të shqiptarëve.

Cilët do të ishin sipas jush hapat që ekonomia shqiptare të performojë më mirë, duke arritur rritjen 5-6 për qind e cila është e domosdoshme për rilancimin e vendit?

Nuk ka alternativë të thjeshtë për arritjen e një suksesi për kapërcimin e gjendjes stacionare të rritjes ekonomike, apo rritje jashtëzakonisht mediokre. Alternativa e vetme mbeten reforma strukturore, që nuk janë reforma në konceptin revolucionar, që bën një zgjidhje sot e jep rezultatin nesër, por është punë e përhershme që lidhet me përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Fakti që Shqipëria vazhdon të jetë prapë një vend problematik në klimën e biznesit në vend, do të thotë që axhenda për të tërhequr më shumë investime për t’i inkurajuar është një axhendë që prek shumë sektorë, shumë reforma dhe drejtime. Duke filluar që nga stabiliteti i sistemit ligjor, në veçanti taksimi, që prek drejtpërdrejt interesat e investitorëve. Nënkuptojmë sistemin e drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit, që janë dy nga gangrenat thelbësore që pengojnë realisht dhe seriozisht investimet, që lidhet me zbatimin e kontratave dhe mbrojtjen e interesave të aksionerëve të minorancës. E gjithë kjo paketë e madhe është kritike për të garantuar një stabilitet të sistemit ekonomik dhe inkurajim të interesave të investitorëve. Nuk ka rrugë tjetër pasi procesi i rritjes, kalon nga kursimi, akumulimi dhe më pas investimi i këtyre kursimeve në ekonomi, për të zgjeruar bazën ekonomike.

Drejtuesi i qendrës për kërkime ekonomike, Zef Preçi 

Çfarë mendoni për projektin e qeverisë që në buxhetin e ri, taksa progresive do të zgjerohet?

Një raport i publikuar kohët e fundit nga UNDP, konfirmonte atë që shumë prej nesh e kishin paralajmëruar qysh se u prezantua sforcimisht e ashtuquajtura “taksë e ndershme” apo “taksë progresive” – se taksa progresive ka varfëruar shtresën e mesme të shqiptarëve. Nëpërmjet krahasimit të nivelit të konsumit në vite të ndryshme (2008 dhe 2014 dhe sot) dhe vlerësimit të tij me dhe pa nivelin e ri të taksës mbi të ardhurat e aplikuara në vitin 2013, rezulton se nëse nuk do të ishte kryer kalimi nga taksa e sheshtë në tatimin progresiv, do të ishte rritur konsumi dhe zvogëluar varfëria, por edhe klasa e mesme do të zgjerohej me 2.5% e më shumë…, d.m.th. ky element i politikës fiskale, për fat të keq, ka qenë kundërproduktiv për të gjitha palët dhe si i tillë në të vërtetë nuk ka shërbyer për të shtuar të ardhurat buxhetore dhe as për të stimuluar rritjen e konsumit e mirëqenies së qytetarëve. Ndërkohë, shtrirja papritmas e këtij koncepti dhe unifikimi në formën e taksës së sheshtë me 23% në të ardhurat nga puna, duhet analizuar në shumë plane. Së pari, kjo taksë kaq e lartë përkeqëson pozitën e vendit tonë në raport me rajonin, pra Shqipëria bëhet vendi me tatimin më të lartë mbi pagat dhe të ardhurat, edhe ndikimi në shtimin e të ardhurave buxhetore është gati i papërfillshëm. Së dyti, siç provohet edhe nga përvoja negative e vendeve të tjera, taksa e lartë mbi punën, nxit evazionin fiskal dhe mbledhshmëria e kësaj takse shton represionin mbi punëdhënësit dhe të punësuarit, përkeqëson pozitën social-ekonomike të këtyre të fundit. Së treti, shtresa shoqërore me të ardhura më të larta nga puna (mbi një mijë Euro pagë bruto në muaj) në Shqipëri është e vogël, ndoshta diku nja 15 mijë vetë nga më shumë se 1 milion të punësuar dhe shpërblimi më i lartë për punën është vetërregulluar nga tregu për shumë kohë, d.m.th. në pagën e punës përfshi edhe njëfarë kthimi i investimeve që qytetarët dhe familjet e tyre kanë bërë për kualifikimin e tyre, pra të ardhurat më të larta shprehin punë më të ndërlikuar dhe më të kualifikuar. Në të njëjtën kohë, Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon për sa iu takon novacioneve dhe çfarëdo rritjeje e taksës mbi punën dekurajon shpenzimet në kualifikim dhe rikualifikim dhe po kështu edhe kthimin në vend të bashkatdhetarëve që kanë studiuar, janë kualifikuar apo kanë krijuar përvojë pune në vendet perëndimore. Së katërti, rritja e kësaj takse dhe barazimi me 23% i “çdo të ardhure”, mendoj se deformon tregjet dhe rëndon pozitën ekonomike të shumë familjeve. Përvoja e qeverisjes së mirë të financave publike na mëson se taksa e sheshtë duhet të jetë sa më e ulët, të përfshijë mundësisht të gjithë operatorët ekonomik si kontribuues të saj dhe të jetë sa më e qëndrueshme në kohë, d.m.th. të mos ndryshojë shpesh si në rastin e vendit tonë gjatë dekadës së fundit. Mendoj se qeveria është e nxituar në këtë propozim, të cilin e konsideroj si jorealist dhe përpjekje të tërthortë për të korrigjuar efektin gërryes në të ardhurat buxhetore, për shkak të klasifikimit të bizneseve tre vjet më parë kur nxori nga skena taksën e sheshtë, e cila për hir të së vërtetës sapo kishte filluar të fitonte terren dhe të rriste besueshmërinë e vendit, sidomos ndër investitorët e huaj.

A është kjo një nismë që shkon në ndihmë të rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, rritjes së konsumit?

Nisma për të imponuar një taksë progresive 23% mbi punë dhe mbi çdo të ardhur tjetër, nuk ka lidhje as me rritjen ekonomike, as me papunësinë, as me konsumin. Ajo ka lidhje, sipas meje, vetëm me përpjekjen për të shtuar të ardhurat buxhetore, me ngushtimin arbitrarisht të evazionit fiskal si dhe me “ndëshkimin” financiarisht e pjesës më elitë të shoqërisë që gëzon të ardhura nga puna në nivele relativisht më të larta, në të vërtetë nga më të ulëtat në rajon, gjithashtu. Rritja ekonomike presupozon të kundërtën, d.m.th. shtimin e pjesës së të ardhurave që merr i punësuari, zgjerimin e punësimit dhe rritjen e produktivitetit nga çdo i punësuar, me shumë shpenzime private dhe publike për shkollim, kualifikim, rikualifikim e novacione, më shumë import teknologjie bashkëkohore, më shumë konsum dhe eksporte, rritje të mirëqenies etj.

Në fillim të mandatit të parë u aplikua taksa progresive, por tashmë do të zgjerohet edhe mbi të ardhurat e tjera përveç pagës, pse ky ndryshim i shpeshtë i modelit të taksimit?

Ndryshueshmëria e shpeshtë e kuadrit rregullator e atij fiskal është një ndër tri barrierat kryesore për të bërë biznes në vendin tonë. Siç del edhe nga një studim i fundit mbi klimën e biznesit i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) që unë drejtoj, por edhe nga kontaktet me një rrjet të biznesit të quajtur “Forumi Kombëtar i Biznesit”, ky problem ndryshueshmërie të shpeshtë i “rregullave të lojës” fiskale është një sëmundje e vjetër e administratës fiskale e cila duhet të marrë fund. Por që të “shërohet” kjo sëmundje kërkohet më shumë ekspertizë qeveritare, njohje të thellë të problemeve të biznesit, platforma funksionale të konsultimit publik dhe me grupet e interesit, transparencë në qeverisjen e vendit në tërësi dhe të aspekteve fiskale në veçanti, adaptim hap pas hapi të përvojave më të mira botërore. Kërkohet një qeverisje më e përgjegjshme…
Cilët do të ishin sipas jush hapat që ekonomia shqiptare të performojë më mirë, duke arritur rritjen 5-6 për qind e cila është e domosdoshme për rilancimin e vendit?

Mendoj se Shqipëria tashmë përgjithësisht i ka shteruar mundësitë ekstensive për rritjen më të shpejtë ekonomike të saj, se bujqësia dhe turizmi mund të shndërrohen në degë kryesore kontribuuese në GDP e vendit në një periudhë afatmesme, me kusht që të ndiqen politika që integrojnë në zhvillimin e vendit burimet natyrore, njerëzore dhe monetare në dispozicion; se thellimi i formalizimit të ekonomisë kërkon përdorimin e gjerë të arritjeve të sistemit dhe të përvojës botërore dhe kurrsesi metodat represive që vijnë si “kushtrim i të parëve” e që sjellin efektin të kundërt (aksionet etj., janë jashtë mode në ditët e sotme); se rritja e investimeve buxhetore në arsim dhe në shëndetësi dhe investimeve “inteligjente” brenda këtyre dy sektorëve mbetet përcaktuese për një zhvillim më të shpejtë të vendit dhe rritje të GDP së tij; se rikthimi i shpresës së qytetarëve ndaj të ardhmes së vendit dhe marrja e përgjegjësive si qytetar, si komunitet për më shumë sakrifica dhe besim në zhvillimin dhe në integrimin Europian të vendit kërkon një përgjegjësi më të madhe të elitës politike drejtuese e vendit për legjitimitet në veprimtarinë e institucioneve dhe të komunitetit i biznesit për fuqizim dhe pasurim duke u bazuar në rregullat e lojës së ekonomisë së tregut, para së gjithash në konkurrencën e lirë dhe jo në kapjen e shtetit nga bizneset e mëdha apo më keq në sundimin oligarkik të tij.

 

Ekspert i ekonomisë, Prof. Ilir Ciko 

Çfarë mendoni për projektin e qeverisë që në buxhetin e ri, taksa progresive do të zgjerohet?

Shtrirja e taksës progresive mbi individët përtej të ardhurave nga paga dhe përdorimi i këtij sistemi ndaj ardhurave të plota personale, është konfirmim që sistemi i taksimit progresiv ka rezultuar problematik në disa drejtime por në radhë të parë, nuk ka mundësuar rritjen e të ardhurave buxhetore në nivelin e dëshiruar. Që në vitin e parë të zbatimit të taksës progresive, me gjithë rritjen drastike të nivelit të taksës për pagat e larta, në fakt të ardhurat totale në buxhet nga mbledhja e kësaj takse, për paradoks, shënuan ulje, krahasuar me kohën kur taksa e sheshtë zbatohej mbi të ardhurat nga paga. Masën e propozuar, e shikoj si një përpjekje meremetimi të problemeve sistematike dhe të funksionimit të mekanizmit të mbledhjes së të ardhurave nga kjo taksë, veçanërisht të hapësirave që individët që paguhen me paga të larta, kanë ditur të gjejnë gjatë këtyre 3-4 viteve, duke iu referuar rasteve në përputhje me ligjin. Por mendoj se së pari, një masë e tillë rëndon më tej barrën fiskale, jo vetëm për ata që paguhen me paga të larta, por dhe për segmentet e tjera të shoqërisë, gjë që mund edhe të rezultojë kundërproduktive duke stimuluar informalitetin apo fshehjen ligjore sipas hapësirave që kurrë nuk mbyllen dot plotësisht, ose dhe joligjore të të ardhurave. Në kushte të tilla duhet vërejtur nëse gabimi i 4 viteve më parë kur taksat u rritën dhe të ardhurat u ulën, do të përsëritet sërish apo jo. Së dyti, zbatimi në një shkallë më të zgjeruar i tatimit mbi të ardhurat do të kërkonte dhe kapacitete dhe mekanizma funksionalë që druaj se nuk i kemi të gatshme për këtë qëllim. Dhe së fundi, kjo masë bie ndesh me premtimet elektorale të emetuara në publik gjatë këtij viti.

A është kjo një nismë që shkon në ndihmë të rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, rritjes së konsumit?

Jam i mendimit se një nismë e tillë buron nga problematika e mësipërme dhe nevoja e rritjes së të ardhurave në buxhet, ndërkohë që ajo nuk është në funksion apo ndihmon, madje është edhe më tej frenuese për të gjithë faktorët që ju përmendni. Mjafton të vëreni se vendet e rajonit zbatojnë sisteme taksash mbi të ardhurat personale që janë pothuaj sa gjysma e nivelit të sipërm që ne kemi mbi pagat e larta.

Në fillim të mandatit të parë u aplikua taksa progresive, por tashmë do të zgjerohet edhe mbi të ardhurat e tjera përveç pagës, pse ky ndryshimi i shpeshtë i modelit të taksimit?

Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal në tërësi dhe posaçërisht i nivelit të taksave, paparashikueshmëria qoftë dhe afatmesme e raportit që shteti vendos me bizneset dhe individin mbi detyrimet që ata kanë ndaj tij, është ndër problemet më shqetësuese në Shqipëri dhe si i tillë pasqyrohet në publikimet më prestigjioze ekonomike ndërkombëtare. Një raport i tillë, përherë i tensionuar dhe në pritje të surprizave të radhës, me nivel të ulët besimi reciprok dhe krejtësisht të pabalancuar, krijon gjendje pasigurie dhe hezitimi për të investuar, por dhe për të jetuar në Shqipëri. Nuk është nxitës për aktivitet ekonomik e punësim afatgjatë, por i prirur për të mbështetur fitimet e shpejta apo për të kërkuar lëshimet dhe koncesionet nga bizneset që arrijnë të gjejnë çelësin për në derën e duhur. Ndërkohë që Shqipërisë pikërisht në këtë fazë i duhet fuqizimi dhe mbështetja e ndërmarrjeve të mesme, për t’i aftësuar ato të konkurrojnë në tregun e rajonit apo në Europë.

Cilët do të ishin sipas jush hapat që ekonomia shqiptare të performojë më mirë, duke arritur rritjen 5-6 për qind, e cila është e domosdoshme për rilancimin e vendit?

Do të dëshiroja me zemër që një rritje e tillë të arrihej por për fat të keq ende nuk shoh ndonjë premisë të besueshme se ku një rritje e tillë mund të mbështetet në 2-3 vitet e ardhshme. Kemi vite që dëgjojmë premtime për rritje të shpejtë ekonomike ndërkohë ajo që shohim është se dhe rritja e viteve të kaluara, vazhdon të rishihet e korrigjohet, së fundmi para pak javësh dhe në çdo rast, me ulje të mëtejshme, asnjëherë të vetme me rritje. Ndaj duke u ndarë nga një optimizëm i lodhur, i pabazë dhe mendoj i panevojshëm, vlerësoj se vendi ka nevojë për një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror mbi atë se ku do të duam të jemi pas 5 apo 10 vitesh dhe mbi një bazë të tillë të ndërtojmë disa mekanizma pro-biznes – duke patur parasysh të gjitha bizneset, jo vetëm ato të PPP-ve, të thjeshtë e të qëndrueshëm, duke nisur ndoshta nga hapja dhe çlirimi i tregut nga monopolet, me të cilat asgjë nuk ka ndodhur ndër këto vite dhe krijimin e një ambienti ku jo vetëm të huajt që i presim me shpresë, por dhe shqiptarët, të kenë dëshirë për të investuar kapitalin dhe të ardhmen e tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Trebeshinën historia duhet ta regjistrojë si disident, jo si shkrimtar”

Nga Mustafa Nano Nuk di pse nuk kisha marrë mundimin asnjëherë të...
Read More