Projektbuxheti 2018 në qeveri, rritje në të ardhura e shpenzime


Qeveria pritet të rrisë ndjeshëm investimet kapitale të cilat parashikohen rreth 86 miliardë lekë. Por vitin e ardhshëm qeveria është treguar dorështrënguar në fondin për politika të reja pagash e pensionesh.

Ministria e Financave ka finalizuar ligjin më të rëndësishëm vjetor, buxhetin e shtetit për vitin 2018. Në draftin paraprak që financat kanë dërguar në qeveri, e që pritet të miratohet së shpejti parashikohen 496,6 miliardë lekë shpenzime në total, me një rritje 27.1 mld lekë krahasuar me këtë vit. Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë për investime publike.

Ndryshe nga katërvjeçari i fundit, në 2018 qeveria do të rrisë ndjeshëm investimet kapitale të cilat në draftin paraprak parashikohen rreth 86 miliardë lekë apo 16% më shumë se viti aktual. Pjesa më e madhe e investimeve do të financohen nga burime të brendshme ndërkohë që 30.5 miliardë lekë do të jenë financim i huaj.

Ndryshe nga shpenzimet kapitale, vitin e ardhshëm qeveria është treguar dorështrënguar sa i përket fondit për politika të reja pagash dhe pensionesh. Nga ana tjetër, sipas planit, totali i të ardhurave për vitin 2018 arrin në 464.3 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4% në krahasim me vitin aktual. E thënë ndryshe qeveria pret të mbledhë në buxhet 27.8 miliardë lekë më shumë të ardhura nga taksat vitin tjetër.

Nga këto para, kontributin më të madh do ta japë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me 9.5 miliardë lekë më shumë me bazë vjetore. Po ashtu, financat llogarisin 4.2 miliardë lekë më shumë nga tatim fitimi dhe 3.7 miliardë lekë më shumë nga akciza. Ndërsa nga taksa mbi pasurinë financat kanë llogaritur 2.8 miliardë lekë të ardhura më shumë se viti aktual. Në draftin e 2018 deficiti në buxhetin e shtetit llogaritet të jetë 2.2 % e prodhimit kombëtar, ndërsa borxhi publik në nivelin 69% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të ardhurat 200 milionë euro më shumë

Sipas planit, totali i të ardhurave për vitin 2018 pritet që të arrijë 464.3 miliardë lekë (rreth 3.4 miliardë euro), me një rritje prej 6.4% në krahasim me aktin normativ 2017, apo rreth 200 milionë euro më shumë se të ardhurat që pritet të mblidhen këtë vit. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat pritet të arrijnë që në vitin 2017 një nivel rekord prej 28.1% të PBB-së dhe ky nivel pritet që të ruhet edhe përgjatë vitit 2018.

Parashikimi i fundit zyrtar për rritjen ekonomike, sipas programit afatmesëm të qeverisë është për një rritje ekonomike prej 4.1% dhe një inflacion prej rreth 2%, çka nënkupton që projektimi real për rritjen e të ardhurave, duke hequr rritjen ekonomike dhe inflacionin është minimal. Të ardhurat tatimore, të cilat sigurojnë 91.5% të totalit të të hyrave në buxhet, pritet që të rriten me 6.7% (+26.8 miliardë lekë), për të arritur në 425 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat, që do të sjellin 63% të totalit të buxhetit, pritet të rriten me 5.9% (17.8 miliardë lekë), duke arritur në 317.2 miliardë lekë. TVSH-ja si gjithmonë, do të mbajë peshën kryesore në të ardhurat nga tatimet e doganat, duke siguruar 47.5% të tyre. Në vlerë absolute, të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar pritet të arrijnë në 150.7 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 6.8% në raport me pritshmërinë e këtij viti. Qeveria ka në plan që këtë vit të zgjerojë skemën e TVSH-së edhe te biznesi i vogël. Megjithatë, në buxhet, plani për TVSH-në mbetet në 9.1% të PBB-së, njësoj si në vitin 2017.

Të ardhurat nga tatimfitimi do të arrijnë në 33.4 miliardë lekë, me një pritshmëri për një zgjerim të ndjeshëm prej 14.4% me bazë vjetore. Nga akciza pritet të grumbullohen 50.4 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 7.9% në raport me pritshmëritë e 2017-s. Tatimi mbi të ardhurat personale pritet me një rritje modeste prej 3%, për të arritur në 37.3 miliardë lekë. Qeveria ka bërë publik planin për të ulur tatimin mbi pagat e larta nga 23% në 18%, por deri tani nuk ka sinjale se kjo do të ndodhë brenda vitit 2018.

Të ardhurat nga taksat nacionale janë të vetmet që parashikohen me ulje prej 3.4%, për të arritur në 38.3 miliardë lekë. Taksat doganore, pesha e të cilave në buxhet mbetet e ulët, pritet të arrijnë në 7 miliardë lekë. Të ardhurat nga taksat lokale pritet me rënie në krahasim me 2017-n, me 11.3% më pak, për të arritur në 10.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore pritet të rriten me 6.2%, në 74.6 miliardë lekë. Të hyrat nga sigurimet shoqërore do të zgjerohen me 7% në 11.9 miliardë lekë. Për kompensimin e pronarëve parashikohen 1.5 miliardë lekë, apo 500 milionë lekë më pak se një vit më parë. Të ardhurat jotatimore pritet të zgjerohen me 5.6% në 25.7 miliardë lekë.

Taksa e pronës, 21 milionë euro më shumë

Qeveria ka bërë publik planin për të ndryshuar taksimin mbi pronën, nga fikse, në bazë të vlerës, ndonëse ende nuk është bërë i qartë projekti final. Në projektbuxhetin 2018, pritshmëria për të ardhurat nga taksa e pronës është rritur ndjeshëm në raport me programin afatmesëm të financave. Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë në raport me pritshmëritë e 2017-s. Pra shqiptarët do të paguajnë rreth 60 milionë euro taksë për pronën, apo rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, të ardhurat nga taksa e pronës pritet të arrijnë në 0.5% të PBB-së, në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në programin fillestar afatmesëm, parashikimi për të ardhurat nga taksa e pronës ishte 5.6 miliardë lekë (pothuajse njësoj me 2017-n), në rreth 0.3% të PBB-së. Por bazuar në planifikimet e qeverisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm taksa mbi pronën do të pësojë ndryshime të dukshme. Financat kanë aktualisht një draft me ndryshime në ligjin “Për taksat vendore”, ku mes të tjerave është vendosur që taksimi mbi pronën të bëhet në bazë të vlerës së tregut. Aktualisht e njëjta taksë llogaritet në bazë të sipërfaqes së banesës, pra metër katror herë një vlerë fikse që ndryshon sipas tre zonave në vend.

Për momentin Ministria e Financave dhe Ekonomisë po diskuton mbi një variant që sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët e këtij institucioni ka nxjerrë si nivelin më optimal të taksimit nivelin 0.05 për qind të vlerë së ndërtesës. Kjo përqindje garanton një vlerë më të përballueshme sipas ministrisë për ata që e paguajnë aktualisht këtë taksë dhe për ata që do të futen në sistem për herë të parë.

Dy vitet e para të zbatimit të taksës sipas formulës së re, deri në finalizimin e kadastrës fiskale duket se do të shërbejnë si provë për ministrinë dhe agjentin tatimor që do të përzgjidhet për të gjetur mënyrën më të mirë të administrimit por edhe nivelin e duhur të taksës që do të shkojë te vendorët. Po si do të bëhet vjelja e taksës. Shpjegimin e ka dhënë Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj. Ai ka deklaruar taksimi do të bëhet sipas vlerës së tregut të pasurisë dhe jo sipas çmimit fiks. “Po ministria e ka të detajuar draftin për taksën e pronës dhe nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta. Ajo që përmban është kalimi nga taksë fikse, në referencë të vlerës.

Pra, nëse një shtëpi i është referuar gjithmonë çmimeve minimale fiskale dhe mbi të është vendosur një taksë fikse, tani do të kalojmë në nivelin e vlerës reale të shtëpisë. Po marr një shembull: shtëpia juaj nuk është 800 euro metri katror por në fakt është 1200 euro metri/katror kjo në bazë të transaksioneve. Mbi këtë vlerë reale do të aplikohet përqindja e taksës. Është një proces që s’do bëhet që në 1 janar 2018 por nis nga 1 janari. Në harkun e dy viteve do të kemi një kadastër fiskale që do të jetë në favor të vlerës reale të pronës dhe bashkive që edhe e përfitojnë këtë taksë. Edhe një herë për të qenë të qartë nuk do të ketë tarifë të diferencuar”, ka sqaruar Ahmetaj.

Shpenzimet, më shumë para për rrugët

Qeveria shqiptare pritet që të shpenzojë gjatë vitit 2018 rreth 497 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro) për pagat e punonjësve, pensione, shpenzimet administrative të përditshme, investime në rrugë, shkolla, rikonstruksione, mbështetje për pushtetin lokal, interesa borxhi e pagesa papunësia. Sipas tabelave paraprake të draftbuxhetit 2018, shpenzimet pritet të rriten me 5.8% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Në krahasim me atë që prodhon ekonomia në një vit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 30.1% e PBB-së.

Në linjë me ambicien për të filluar një program të madh investimesh, të financuar edhe përmes projekteve të partneritetit publik-privat, shpenzimet kapitale pritet të kenë rritje të ndjeshme, sipas draftbuxhetit 2018. Fondet për investime parashikohet të arrijnë në rreth 86 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në krahasim me pritshmëritë e 2017-s. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato pritet të arrijnë në 5.2% të PBB-së, duke iu afruar nivele të larta të para në periudhën 2008-2010. Efekt në këtë rrije do kenë edhe shpenzimet për koncesionet aktuale që kanë nisur vitet e fundit. Pjesa më e madhe e financimit, rreth 62%, do të vijë nga burime të brendshme. Deficiti buxhetor pritet që të qëndrojë në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në nivele të njëjta me 2017-n.

Nuk parashikohen rritje pagash e pensionesh

Fondi i planifikuar për pagat është 65 miliardë lekë, me një rritje me 10.5% në krahasim me 2017-n. Kjo do të thotë që buxheti do të shpenzojë 6.1 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro më shumë për punonjësit. Në buxhetin afatmesëm, i cili është hartuar në fillim të 2017-s, përpara se qeveria e dalë pas zgjedhjeve të qershorit të deklaronte planet e saj të riorganizimit, fondi i parashikuar për paga për 2018-n ishte parashikuar të arrinte në 60.8 miliardë lekë, pra rreth 4.2 miliardë lekë më pak sesa u vendos aktualisht.

Në të kundërt, është ulur ndjeshëm fondi i planifikuar për politik atë reja pagash, nga 5.5 miliardë lekë në 2017-n, në vetëm 1 miliard lekë në draftbuxhetin 2018. Në projektbuxhetin e mëparshëm afatmesëm, si fond për politika të reja pagash në vitin 2018 ishte parashikuar një shumë prej 7.2 miliardë lekësh. Edhe fondi për politika të reja pensionesh është ulur në 1.8 miliard lekë, nga 2.6 miliardë lekë në 2017-n dhe 3.1 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar afatmesëm (për 2018-n). Pas një periudhe, kur qeveria përfitoi nga rënia e interesave në treg, që e lehtësoi atë në pagesën e borxheve, shpenzimet për interesa pritet të rriten me 9.5% për të arritur në 41.5 miliardë lekë. Qeveria do ta rrudhë dorën për shpenzimet operative të mirëmbajtjes, teksa ato do të rriten me 1.3% në 45.5 miliardë lekë.

S’ka fonde për sektorin energjetik

Edhe pse viti 2018 pritet që të ketë prodhim të ulët të energjisë elektrike, qeveria ka vendosur që të mos japë më hua nga buxheti për blerjen e saj. Në projektligjin për buxhetin, Ministria e Financave parashikon 0 fonde për këtë zë, por po ashtu ka shuar edhe të ardhurat që pret nga detyrimet që kompanitë e sektorit kanë në vite ndaj arkës së shtetit. Gjatë këtij viti qeveria akordoi 60 milionë dollarë për blerjen e saj, ku 45 ishin garanci buxhetore për borxhin dhe 15 milion nga detyrimet e prapambetura.

Por pavarësisht situatës së vështirë energjetike dhe importeve të kryera në 5 muajt e fundit, kompania e shpërndarjes ka arritur që të sigurojë 25milion dollarë më shumë se një vit më parë nga faturat e energjisë elektrike. Në total për 9 muaj OSHEE ka arkëtuar 482 milionë dollarë, ndërsa niveli i humbjeve ka arritur në 26.8%. Kompania nuk do të kërkojë rritje të çmimit të energjisë, por pas aplikimeve, në fund të dhjetorit Enti Rregullator i Energjisë do të vendosë nëse do të ketë apo jo ulje të çmimit për konsumatorët fundorë.

Plani, borxhi zbret në 68% të PBB

Projektbuxheti i vitit 2018 ka dy ka karakteristika kryesore. Ai vazhdon politikën e uljes së borxhit dhe rrit investimet publike. Huamarrja e qeverisë për vitin e ardhshëm parashikohet në rreth 240 milionë euro, ose 2 për qind e PBB. Por pavarësisht huamarrjes, treguesi i borxhit ulet, për shkak të efektit që vjen nga rritja ekonomike dhe inflacioni. Sipas llogarive paraprake, në 2018-n borxhi publik do të zbresë rreth nivelit 68 për qind e prodhimit kombëtar nga 70.2 për qind që është aktualisht.

Të ardhurat

2017                436,4 miliardë lekë

2018                464,3 miliardë lekë

+ 27.9 miliardë lekë

Shpenzimet

2017                469,6 miliardë lekë

2018                496,6 miliardë lekë

+ 27 miliardë lekë

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Presidenti Nishani dekoron komisar Artan Cukun pas vdekjes

Rreth tre muaj pas vrasjes së ish-drejtuesit të Policisë Artan Cuku, Presidenti...
Read More