Projekti 250+: UET, bashkëpunim institucional me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave dhe Bankën Credins

Këto takime u zhvilluan në kuadrin e Projektit 250+, projekt që u mundëson studentëve veçanërisht ata të Masterit Profesional të formohen sipas nevojave të tregut duke i formuar në arsyetim, logjikë dhe profesionalizëm, për të qenë kreativë, për të ecur përpara por edhe për të krijuar hapësira të reja në treg. Presidenti i UET, Adrian Civici, shpjegon se këto takime janë përmbyllur me marrëveshje të qarta si me ASD-në ashtu edhe me Bankën Credins 

Prezantim i programeve Master që Universiteti Europian i Tiranës ofron si edhe përfshirja e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për të kontribuuar me module në profilet Financë-Bankë për ciklin e dytë të studimeve ishin disa nga pikat e diskutuara në takimin e zhvilluar mes përfaqësuesve të Universitetit Europian të Tiranës dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Një takim, i cili nuk do të mbetet thjesht në tryezë, sqaron presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, i cili ishte pjesë e këtij takimi së bashku me Presidentin e Institutit Europian Pashko, prof. asoc. dr. Selami Xhepa dhe drejtuesen e ciklit Master dr. Orkida Ilollari.

Në këtë takim që hap rrugët për një bashkëpunim institucional përfaqësuesit e universitetit u pritën nga drejtuesit e ASD-së, si Genc Mamani, drejtor i ASD-së, Rajmonda Malaj, kryespecialiste e Analizës së Riskut, Ermila Petoshati , Përgjegjëse e Sektorit Juridik, Tianda Kaci, Kryespecialiste e Sektorit Juridik dhe Marilda Shkurti, Përgjegjëse e Marrëdhënieve me Publikun.

Ky takim u zhvillua në kuadrin e Projektit 250+ , projekt që u mundëson studentëve veçanërisht ata të Masterit Profesional të formohen sipas nevojave të tregut duke i formuar në arsyetim, logjikë dhe profesionalizëm, për të qenë kreativë, për të ecur përpara por edhe për të krijuar hapësira të reja në treg.

Gjatë këtij takimi mes UET-it dhe ASD-së u vendosën pika bashkëpunimi për mundësinë e praktikave dhe internshipeve të cilat mund të kthehen në punësime.

“Ky bashkëpunim do të përfundojë me një marrëveshje të qartë disavjeçare që synon nga njëra anë të marrë vlerësimin e këtyre institucioneve se në çfarë niveli janë kurrikulat dhe programet e dijeve financiare më afër tregut, si edhe presim propozimet e më të rejave që ka në këta sektorë specifikë në mënyrë që t’i pasqyrojmë në programet tona”, thekson presidenti Civici, duke shtuar se një tjetër qëllim i këtyre bashkëpunimeve që UET ka nisur në kuadër të Projektit 250+ është t’i çojnë studentët për stazhe e praktika pranë këtyre institucioneve e më pas për t’u punësuar.

“Duam të bëjmë studime të përbashkëta që një pjesë e punimeve Master apo Doktoraturave të marrin tema me objekt studimi gjëra që bën ASD-ja dhe të marrim përfaqësues të ASD-së për leksione të hapur, por edhe praktika të veçanta të tyre që studentët të marrin zhvillimet e fundit të dijeve financiare nga kjo agjenci”, përfundon Civici, duke shtuar se institucionet me të cilat UET ka patur takime deri më tani kanë qenë të hapura për bashkëpunim.

Ndërsa drejtoresha e Programeve Master në UET, Orkida Ilollari, thotë se UET gjithashtu çon ofertat akademike në këto institucione me synimin e kualifikimit të stafeve.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) u krijua në vitin 2002 dhe administron skemën e sigurimit të depozitave, e cila mbulon depozitat e individëve në të gjitha bankat që veprojnë në Shqipëri, që sipas të dhënave të kësaj agjencie janë 16 të tilla.  Ligji “Për sigurimin e depozitave”, gjithashtu e ngarkon ASD-në të ndërmarrë sigurimin e depozitave edhe në Shoqëritë Kursim Kredi (SHKK).

Sigurimi i depozitave, aktualisht është i detyrueshëm për të gjithë bankat. ASD mbron vetëm depozitat e personave fizikë deri në 2.5 milionë lekë për depozitues, për bankë; dhe deri në 2 milionë lekë për depozitues, për SHKK.

Agjencia ka krijuar fondin e sigurimit të depozitave i cili rritet nga viti në vit dhe shërben për sigurimin e depozitave. Financimi i skemës së sigurimit të depozitave fillimisht është bërë nga buxheti i shtetit dhe ka vijuar të rritet nëpërmjet pagesës së kontributit fillestar të subjekteve që anëtarësohen për herë të parë dhe pagesës së primit të sigurimit periodik. Primi i sigurimit të depozitës përllogaritet nga subjektet dhe paguhet në llogarinë e Agjencisë në Bankën e Shqipërisë, në tremujorë.

UET dhe Banka Credins, partnerë strategjikë në mbështetje të studentëve për tregun e punës

Po në kuadër të Programit 250+, u zhvillua takimi midis drejtuesve të Universitetit Europian të Tiranës dhe drejtuesve të Bankës Credins, Bankë e cila është edhe partner strategjik i UET.

Takimi konsistoi në prezantimin e programeve Master, përditësimit të kurrikulave sipas kërkesës së tregut të punës. Gjithashtu u vendosën pika bashkëpunimi për mundësinë e praktikave për studentët që ndjekin programet Master, mbi përmirësimin e kurrikulave të programit Master në Financë dhe Bankë për t’ia përshtatur ato kërkesave të kohës, kërkimit shkencor por dhe integrimit më organik të studentëve me kërkesat e tregut të punës. Drejtuesit e divizioneve të Credins u treguan të gatshëm për të qenë pjesë e auditorëve tanë për leksione të hapura.

Në këtë takim morën pjesë presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, Administratori i UET prof. asoc. dr Arbi Agalliu, zv.rektorja e UET prof. dr. Drita Kruja.

“E shohim bashkëpunimin me bizneset si një platformë afatgjatë. Synojmë t’i përgatisim studentët tanë për tregun e punës dhe gjithë risitë e botës financiare e cila në vitet e fundit po zhvillohet shumë shpejt. Duam që studentët tanë të kenë mundësinë të kryejnë praktikat pranë këtyre institucioneve dhe bizneseve, por dhe të integrohen e të kenë mundësi punësimi”, u shpreh Orkida Ilollari, drejtore e programeve Master pranë UET.

Drejtuesit e Credins Bank, një pjesë e të cilëve japin një kontribut aktiv në sistemin akademik, prezantuan çështje të rëndësishme lidhur me pritshmëritë e sistemit bankar nga studentët Master.

U evidentuan mangësi të rëndësishme që lidhen me fushën e informatikës financiare, statistikave e analizës së riskut dhe u shpreh gatishmëria për të dhënë kontribut real qoftë përmes sugjerimeve për përmirësimet e programeve, leksioneve të hapura nga drejtues në Credins apo bashkëpunimit në temat e diplomave ku në vend të trajtimit teorik të problematikave, studentët të orientohen drejt çështjeve konkrete në fushën bankare që kërkojnë zgjidhjen e që në të ardhmen dhe mund të aplikohen brenda sistemit.

Ky bashkëpunim i shërben edhe kërkimit shkencor e përafrimit të tij me standardet ndërkombëtare. Gatë takimit u fol për Licencimin e Credins Bank si broker, një fushë shumë e rëndësishme në zhvillimin e tregut financiar, për të cilën universiteti është shumë i interesuar për ta përfshirë në programin e tij.

“Unë mendoj që të organizojmë edhe një aktivitet më të hapur ku ju të jeni si bankë prezente, qoftë për të folur me studentët, për t’i shpjeguar të gjithë zhvillimet dhe produktet e reja bankare që mund të jenë të dukshme por larg publikut për t’i konceptuar. Dhe mund ta bëjmë në një lloj manifestimi të edukimit financiar dhe bankar, një aktivitet më të gjerë, jo thjesht një ardhje në auditor, qoftë me një stendë, qoftë me prezantime me video, me kurse të mëdha studentësh”, -tha presidenti Civici. Credins Bank në mbështetje të studentëve nuk ofron vetëm bashkëpunime për përcjelljen e njohurive dhe risitë në fushën bankare por edhe kredi me kosto të ulëta si edhe sigurim jete falas, paketë ekonomike shërbimesh për studentët që i ndihmon ata të përjetojnë eksperiencën e klientit, të kenë akses në shërbimet financiare, të jenë në pararojë të shërbimeve digjitale, përfshirë kartat contactless, internet banking, pagesat online të tarifave universitare e pagesave utilitare.

Projekti 250+, por edhe filozofia e Universitetit Europian të Tiranës, siç ka shpjeguar presidenti prof. dr. Adrian Civici është që në të ardhmen të bëhet universitet i biznesit, duke ndjekur shembullin e mirë të disa prej universiteteve më prestigjioze të botës duke bërë të mundur që njohuritë kryesore që merr studenti dhe aftësitë e tij t’u përgjigjen nevojave që ka sot ekonomia, financa dhe veçanërisht biznesi shqiptar. Sfida e sotme është që universiteti, nga ofrues i dijeve të përgjithshme të kthehet në një garantues të dijeve të specializuara, në funksion të nevojave të tregut. Studentë të Universitetit Europian të Tiranës, si pasojë e marrëveshjeve të shumta të bashkëpunimit që ky institucion i arsimit të lartë ka me botën e biznesit, arrijnë të kryejnë praktikën apo internshipin në kompani private administratë publike, institucione të pavarura, medie etj., dhe në numër të madh arrijnë të punësohen pranë tyre.

Projekti 250+ do të vazhdojë punën e tij për të shkëmbyer informacion dhe ide me botën e biznesit, të cilat më pas do të vijojnë të përkthehen në programe studimi me vlerë të vërtetë e konkrete në treg.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protestat e Partisë Demokratike, jo kreative, të përsëritura dhe aspak efikase

Nga Ervis Iljazaj Ditët e fundit, Kryetari i Partisë Demokratike është duke...
Read More