Projekti i COORP: Akademikët Shqiptarë të Diasporës, katalizatori i kërkimit shkencor në Shqipëri

Pas evidentimit të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët po korrin një sukses ndërkombëtar në shkencë, COORP ftoi dr. Gëzim Visokën nga Dublin City University, Irlandë, i cili zhvilloi seanca trajnuese me pedagogë dhe kërkues të Universitetit Europian të Tiranës mbi praktikat që duhet të ndiqen për të hartuar një projekt cilësor kërkimor, si dhe i njohu ata me rrugën që duhet të ndjekin për të publikuar punimet e tyre në revista apo forma të tjera publikimi prestigjioze

Kërkimi shkencor mund të konsiderohet si një nga fushat e reja në zhvillimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e cilësisë si dhe kultivimit të dijes në Shqipëri. Megjithëse, prej vitesh kërkimi shkencor është në faza të avancuara në botë, në Shqipëri duket se jemi ende në mes sfidave të zhvillimit të tij. Duke njohur rëndësinë dhe kontributin që kërkimi shkencor ka, jo vetëm në zhvillimin e arsimit, por dhe më gjerë si një nga faktorët kyç në përmirësimin e shoqërisë, COORP inicioi projektin “Angazhimi i Akademikëve Shqiptarë në Diasporë në Arsimin e Lartë në Shqipëri”. Praktikat e njohura të kërkimit shkencor në universitetet apo qendrat kërkimore të konsoliduara në fushën akademike, COORP përpiqet t’i sjellë në auditorët akademike shqiptare përmes nismave të këtij lloji. Pas evidentimit të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh të cilët po korrin një sukses të shkëlqyer ndërkombëtar në shkencë, COORP ftoi dr. Gëzim Visoka nga Dublin City University (DCU), Irlandë. Dr. Visoka zhvilloi në dy ditë, seanca trajnuese me pedagogë dhe kërkues të Universitetit Europian të Tiranës mbi praktikat që duhet të ndiqen për të hartuar një projekt cilësor kërkimor si dhe i njohu ata me rrugën që duhet të ndjekin për të publikuar punimet e tyre në revista apo forma të tjera publikimi prestigjioze.

Dr. Elvin Gjevori, pedagog dhe drejtues i shkollës Doktorale pranë Universitetit Europian të Tiranës, njohës i kërkimit shkencor, bëri të mundur koordinimin e eventit dhe lehtësoi zhvillimin e organizimit të seancave trajnuese të cilat patën një ndikim të lartë dhe pozitiv te pjesëmarrësit.

Dr. Visoka si dhe dr. Gjevori, si përfitues dhe kontribuues të kësaj nisme të COORP të mbështetur nga PERFORM, folën për MAPO-n për rëndësinë e saj si dhe rekomanduan zhvillimin e mëtejshëm të nismave të kësaj natyre, me qëllim zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri si një nga format më të mira për kultivimin e dijes.

Për Visokën, ky lloj bashkëpunimi, i nisur nga COORP në mbështetje me PERFORM është thelbësor kur bëhet fjalë për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore në shoqëritë në tranzicion.

 Shqipëria dhe Kosova në dekadat e fundit është hapur ndaj mundësive për kërkim të mirëfilltë shkencor, mirëpo strukturat institucionale dhe universitare nuk kanë traditë të kërkim rigoroz shkencor. Prandaj, diaspora akademike është një urë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve tjera në rajon me debatet, rrjetet, dhe qasjet e mirëfillta akademike ndërkombëtare. Shkëmbimi i përvojave akademike është dritare e rëndësishme për studiues të rinj shqiptarë, që të inspirohen dhe nxiten të prodhojnë dije rigoroze akademike me ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar. Nisma për bashkëpunim akademik, si kjo e ndërmarr nga COORP dhe PERFORM, është hap konkret për të avancuar kërkimin shkencor në Shqipëri, që ka nevojë për një lloj emancipimi gjithëpërfshirës epistemologjik dhe metodologjik”- ishte i mendimit Visoka, i cili megjithëse këtë lloj shkëmbimi përvojash e sheh pozitiv, mendon se është i pamjaftueshëm. Thelbi i avancimit akademik dhe kërkimor është te mbështetja institucionale, financiare, dhe materiale. Duhet të krijohet një infrastrukturë dhe kulturë kërkimore që vlerëson, shpërblen, dhe fuqizon dijen inovative, kreative, dhe meritore përtej interesave nepotiste, materiale dhe momentale. Shteti nuk duhet të kontrollojë kërkimin shkencor, mirëpo mund të ofrojë përkrahje institucionale dhe financiare, dhe promovojë praktika të mira rregullative për të nxitur kërkimin shkencor kritik, kreativ, dhe cilësor. Por në fund të ditës, është përgjegjësi e kërkuesve shkencorë të avancojnë angazhimin për kërkim cilësor dhe publikim në platforma kredibile ndërkombëtare” –vijoi pedagogu i Universitetit të Dublinit, ndërsa përmendi modele të mira europiane që ofrojnë shembuj sesi mund të promovohet kërkimi shkencor. Por pa vullnet individual, theksoi Visoka, nuk mund të avancojë kërkimi cilësor në vend.

Nga trajnimet që realizoi me kërkues dhe profesorë të Universitetit Europian të Tiranës, Visoka, i cili mori pjesë gjithashtu në konferencën kombëtare të kërkimit shkencor “Ditët e Studimeve Shqiptare”, thotë se kërkimi shkencor në Shqipëri është ende në fazë të hershme. “Edhe pse duket që ka shumë universitete dhe vullnet për kërkim shkencor, duket që kapacitetet dhe mundësitë kontekstuale janë ende të kufizuara. Bashkëpunimi ndërkombëtar akademik duket që është në rritje në Shqipëri që mendoj se është hap adekuat dhe do të marr kohë konsolidimi i një kulture të re shkencore. Mirëpo, duket se ende ka hapësirë për angazhim dhe përmirësim të cilësisë së kërkimit shkencor dhe publikimit në revista me ndikim ndërkombëtar”.

Në fund ai dha edhe disa rekomandime për kërkuesit e rinj shkencorë.

“Shqipëria ka një histori të pasur me zhvillime që mund t’u ofrojë kërkuesve të rinj mundësi ideale për të prodhuar dije me ndikim ndërkombëtar. Kërkuesit e rinj në Shqipëri duhet të marrin guximin dhe krijojnë agjenda individuale dhe grupore kërkimore dhe ndërtojnë partneritet dhe ndërlidhje me kërkues të njohur ndërkombëtar, dhe përmes kësaj logjike bashkëpunuese të avancojnë shkathtësitë, dijen dhe identitetin kërkimor” –përfundoi Visoka duke shtuar se kërkuesit duhet të përfitojnë nga nismat rajonale dhe përkrahja ndërkombëtare për ngritje kapacitetesh për kërkim shkencor.

 

Elvin Gjevori: Po risjellim trurin e humbur shqiptar në vend

Pedagogu dhe drejtuesi i shkollës Doktorale në Universitetin Europian të Tiranës është i mendimit se në kushtet ku 40 për qind e fuqisë punëtore dhe intelektuale ka ikur jashtë dhe paaftësisë së vendit për të gjeneruar energji të nevojshme intelektuale, bashkëpunimi me akademikët shqiptarë në diasporë e sjell edhe njëherë trurin e humbur shqiptar për të kontribuuar në vende. Edhe pse përkohësisht ky shihet si një hap pozitiv.

A mendoni se nxitja e bashkëpunimit midis akademikëve shqiptarë në Diasporë dhe arsimit të lartë në Shqipëri, është një nga format që garanton sukses për përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor në Shqipëri?

Shqipëria ka disa dekada që po përjeton një ‘brain drain’ rraskapitës pasi kërkuesit dhe specialistët e saj më të mirë vazhdojnë të largohen drejt vendeve perëndimore që ofrojnë më shumë si nga pikëpamja financiare, ashtu edhe nga ajo profesionale. Ky nuk është një fenomen tërësisht shqiptar, por e ka goditur Shqipërinë fort pasi thuajse 40% e fuqisë së saj punëtore dhe intelektuale ka ikur. Si rrjedhojë Shqipëria është e paaftë që të gjenerojë energjitë e nevojshme intelektuale që të furnizojë zhvillimin e saj. Bashkëpunimi me shqiptarët akademikë në diasporë synon që ta adresojë sado pak këtë problem duke risjellë, të paktën përkohësisht, trurin e humbur shqiptar në Shqipëri. Duke risjellë në Shqipëri për trajnime dhe konferenca kërkues të kalibrit botëror si Gëzim Visoka ne marrim prej tyre njohuri, eksperiencë dhe lidhje me botën e jashtme akademike. Dhe duke bërë këtë ne rrisim aftësitë e stafit lokal dhe kapacitetet tona për mësimdhënie më të mirë dhe kërkim shkencor më profesional. Kjo është gjithashtu mënyra më e mirë për të mbajtur të gjallë marrëdhënien me diasporën dhe për të diversifikuar remitancat nga ekskluzivisht financiare në dije e cila ka potencial të shumëfishtë për të zhvilluar vendin e për ta ankoruar atë me vendet perëndimore drejt të cilave duam të shkojmë.

Si e vlerësoni projektin që COORP ka ndërmarrë në këtë drejtim?

Duke pasur parasysh sa më sipër, COORP është një instrument efikas, i thjeshtë, dhe ndërkombëtarisht i certifikuar për të ndihmuar vende si Shqipëria që të kenë ‘brain gain’. Shqiptarët e suksesshëm jashtë Shqipërisë duan ta ndihmojnë Shqipërinë por shpesh e kanë të pamundur të navigojnë në realitetin tonë dhe institucionet vendase nuk kanë mundësi financiare për t’i tërhequr ato të kthehen. Kësisoj, COORP bën të mundur që të lidhë burimet intelektuale të diasporës akademike me nevojat në vend, të financojë bashkëpunimin dhe ta bëjë atë në mënyrë afatshkurtër që është e përshtatshme edhe për akademikët shqiptarë nëpër botë. Gjatë qëndrimit së tyre në Shqipëri, akademikët e ftuar bëjnë trajnime, diskutime informale, marrin pjesë në konferenca e ndërtojnë rrjete kontakti që janë esenciale për zhvillimin profesional të akademikëve në Shqipëri. Në tërësi COORP është një instrument i cili përpiqet të përbashkojë dhe sintetizojë energjitë dhe aftësitë intelektuale të shqiptarëve kudo që ato ndodhen për të ndihmuar në avancimin e mendimit, kërkimit dhe arsimit në Shqipëri.

 

COORP – platformë bashkëpunuese për kërkimin shkencor

COORP është një platformë online dhe offline bashkëpunimi për kërkimin shkencor e themeluar nga dy kërkues të rinj – Blerjana Bino, UET dhe Fabjan Lashi, CIT – për të fuqizuar bashkëpunimin mes kërkuesve dhe zhvilluar kapacitetet për kërkim dhe aplikime për grante. I themeluar në prill të vitit 2016, COORP mbështetet nga PERFORM, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, i cili po zbatohet në Shqipëri dhe Serbi nga HELVETAS dhe Universiteti i Fribourg.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Elsie në Alpet shqiptare

Pas dy orëve homazh në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, trupi i pajetë...
Read More