Projekti i ri për Teatrin Kombëtar, a do ta pëlqejnë aktorët?

 

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke postuar disa foto nga projekti i ri për Teatrin Kombëtar.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga projekti i Teatrit të ri Kombëtar, që do të transformojë gërmadhat ekzistuese në një nga teatrot më të bukur bashkëkohorë të ndërtuar rishtas në Europë, ju uroj një ditë të mbarë,” shkruan Rama.

Në mbështetje të projektit edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili e cilëson projektin e ri të Teatrit Kombëtar tepër dinjitoz. I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” nga gazetari Bashkim Hoxha, Erion Veliaj thekson se ky projekt i është besuar një prej arkitektëve më të mirë sot në botë.

“Kemi humbur shumë kohë, tani kemi 2 mundësi, ose ne i bëjmë gjërat ecim përpara, jemi avangardë siç kemi transformuar pjesë të tjera të Tiranës, ose ne vazhdojmë edhe një shekull tjetër, duke bërë të njëjtat biseda. Më vjen mirë që më në fund kemi një projekt dinjitoz, të arkitektit më të mirë sot në botë. Shumica e listojnë Bjarkin si yllin e arkitekturës moderne bashkëkohore, jo të qerpiçit, jo të tallashit, por të infrastrukturës bashkëkohore”, u shpreh Veliaj teksa vlerësoi dhe formulën e zgjedhur për ndërtimin e teatrit të ri.

“Që Bashkia e Tiranës apo qeveria të bëjë teatër do të duhet që investimet e kulturës për 20 vjet t’i paketojë në 1 vit. Është fizikisht e pamundur. Pra, o do të lërë disa shkolla pa bërë, që shkollat na duhen të gjitha dhe besoj do flasim për shkollat se Tirana është gati të nisi 17 shkolla të reja, o do t’i lëmë rrugët pa bërë. Pra pyetja është kjo: A jemi ne gati të bëjmë sakrifica të mëdha? Të themi ne s’do bëjmë më asnjë rrugë dhe për 20 vjet do t’i çojmë fondet këtu? Nuk jemi”, u shpreh ai.

Duke komentuar zërat kritikë, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se një histori e tillë përsëritet sa herë që fillon një projekt i ri. Duke sjellë në vëmendje rezultatet fantastike të Pazarit të Ri, këndit të lojërave e të sheshit “Skënderbej”, Veliaj theksoi se gjithmonë në fillim ka rezistencë por në fund të gjithë përqafojnë ndryshimin.

“Për mua ky është një film që unë tashmë e kam parë këto 2 vjet e gjysmë. E pashë tek këndi i lodrave, e pashë tek Pazari i Ri, e pashë tek Bulevardi i Ri, e pashë tek sheshi “Skënderbej”, kështu që unë e di si përfundon ky film. Pra, filmi fillon me një propozim të ri, që provokon, që sjell një ide të re, që disa i shtang, që disa i habit, që disa i kërcënon nga ndryshimi, se ndryshimi është e bukur si fjalë, por nuk jemi të gjithë gati të ndryshojmë.

Por, kur vjen ndryshimi pastaj e përqafojmë të gjithë. Pra, në fillim ka rezistencë, ndonjëherë ka histeri. Mbaj mend këndin e lodrave deri tek Presidenti i Republikës duke protestuar. Kur shikoj disa nga personazhet që po mundohen të ngjizin një lloj histerie, disa nga këta janë të njëjtët personazhe që kanë qenë edhe në këto betejat e tjera. Ama ja ku kemi sot të paktën 4-5 shembuj, ku mbas histerisë vjen ndryshimi dhe pastaj kur vjen ndryshimi ti nuk e dallon dot kush e ka kundërshtuar, të gjithë e përqafojnë ndryshimin. Edhe teatri do ta kalojë këtë cikël”, tha Veliaj.

Por çfarë thone aktorët për projektin?

Aktori i njohur Timo Flloko ka folur për here të parë mbi debatin e hapur në vend për Teatrin Kombëtar. “Unë jam për një teatër unik, grehinë që të qëndrojë më vete, të mos përfshihet në një ndërtesë biznesi. Jam i atij mendimi që artistët vetë, më mirë se ata nuk e di askush, se sa vlen ajo strehë ku ata krijojnë.

Teatri është kujtesë, memorie, janë disa pisha që kanë emrin e një artisti. Është një kujtesë që nuk mund të zhbëhet. Eshtë aty”, tha Flloko në emisionin e mëngjesit në ‘Top Channel’.

Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës janë shprehur se do të shembet teatri ekzistues për tu ndërtua një tjetër më modern.

Ende nuk ka një projekt se si do të jete teatri i ri, por vete artistët kanë deklaruar se janë kundër ndërtimit të teatrit në një qendër biznesi, siç është modeli i stadiumit kombëtar.

Ikona e skenës shqiptare Robert Ndrenika ka qenë një nga artistët e pranishëm në prezantimin e projektit të Teatrit Kombëtar. Pas prezantimit ai ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat ku ka ka ironizuar kryeministrin Edi Rama pasi nuk i dha fjalën në aktivitet. “Kryeministri nuk na donte se kështu na kishin thënë, por rezulton se na dashka”,- tha Ndrenika duke iu referuar debateve për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri.

Për sa i përket projektit të prezantuar, Ndrenika tha se është kundër metodës së ndërtimit të tij përmes Partneritetit-Publik-Privat, ose ndryshe koncensionit. Ai shtoi se do donte ta njihte nga afër maketin për të parë si do të jetë skena.

“Më shqetëson Partneriteti-Publik-Privat. Kjo është dyndje e xhunglës urbane.

Por unë dua ta shoh në maket, për të parë nga afër si është skena dhe xhepat e saj. Ajo që na intereson ne artistëve”,- deklaroi aktori i madh, një nga zërat kundër prishjes së teatrit aktual.

Para se arkitekti i teatrit të ri Bjorke Ingles të merrte fjalën, Ndrenika kërkoi të fliste por kryeministri iu përgjigj: “Jo jo, prit shiko projektin njëherë”. Më pas aktori është ulur duke thënë se po pret të shohë projektin njëherë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi i ditës, 1 qershor

Dashi Kjo ditë do ju gjejë melankolik sa i takon dashurisë, ndoshta...
Read More