Projektligji: Test psiko-emocional për mësuesit dhe edukatorët

ShkollaTre deputetet Bregu, Vokshi dhe Doda kanë paraqitur në Kuvend tre nisma ligjore që synojnë të forcojnë masat e dënimit ndaj personave që abuzojnë me fëmijët. Njëra prej nismave parashikon dhe testin psiko-emocional të mësuesve dhe edukatorëve

Shtimi i rasteve të dhunës fizike apo abuzimeve seksuale nga prindër, mësues e persona të tjerë mbi fëmijët ka detyruar tre deputetet Majlinda Bregu, Albana Vokshi dhe Mesila Doda të paraqesin në parlament 3 nisma ligjore që synojnë të forcojnë masat ndëshkuese për autorët, si dhe të përcaktojnë disa filtra më të fortë për njerëzit që shërbejnë fëmijët dhe të pambrojturit. Ato propozojnë ndryshime konkrete në ligjin “Për arsimin parauniversitar”, ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kodin Penal. Ndërmjet tyre parashikohet që të gjithë mësuesit, edukatorët apo kujdestarët që i shërbejnë fëmijëve, njerëzve me probleme fizike apo mendore si dhe të moshuarve, të bëjnë testin psiko-emocional si dhe të vetëdeklarojnë se nuk kanë qenë dënuar apo përfshirë në vepra penale.

Testi psiko-emocional

Deputetët nismëtarë të këtyre tri projektligjeve gjykojnë se të gjithë mësuesit, edukatorët dhe kujdestarët duhet të kalojnë disa teste shtesë për të vlerësuar qëndrueshmërinë psikologjike dhe atë emocionale të tyre në raport me marrëdhëniet që ata krijojnë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Për qëllim ata propozojnë disa ndryshime në ligjin parauniversitar duke nisur që nga përkufizimi i testit psiko-emocional dhe mënyra e organizimit dhe frekuenca e përsëritjes së tij në vite. Kështu, me ndryshimet në nenit 28 të ligjit bazë deputetët nismëtarë përkufizojnë se “Vlerësimi psiko-emocional është procesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjik-psikiatrik, me qëllim për të përcaktuar një diagnozë. Vlerësimi përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike. Ky vlerësim kryhet zakonisht nga një psikiatër, por mund të jetë edhe një proces multidisiplinor që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj.” Më pas propozohet që “Mësuesi i arsimit parashkollor, i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë përmbushur kriteret e parashikuara në pikat 1,2,3 dhe 4 të këtij neni, si dhe pasi të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional”. Po ashtu në këtë projektligj propozohet që vlerësimi psiko-emocional për mësuesit që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit zhvillohet çdo pesë vjet. Pra nëpërmjet këtyre ndryshimeve parashikohet tashmë që rreth 35 mijë mësues në të gjitha nivelet arsimore që nga kopshtet e deri në gjimnaz të kalojnë në testet psiko-emocionale për të vlerësuar sjelljen e tyre ndaj situatave të veçanta dhe prirjen e tyre për të ushtruar dhunë dhe abuzime të llojeve të tjera ndaj fëmijëve dhe nxënësve. Gjithsesi kjo mbetet ende në kuadrin e një nisme pasi që të bëhet realitet ky draft duhet të marrë pëlqimin edhe të shumicës qeverisëse.

Vetëdeklarimi

Jo vetëm kaq pasi tre deputetet, Bregu, Vokshi dhe Doda kanë propozuar disa ndryshime edhe në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Risia që sjell projektligji, përveç shtimit të subjekteve vetëdeklaruese, është se janë shtuar veprat penale, për të cilat personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike. Kështu shtohen veprat penale si: “Pornografia”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Shtytja e të miturve në krim” apo edhe “Dhuna në familje”. Është propozuar që personat subjekt i vetëdeklarimit, sipas këtij ligji, pra mësuesit dhe profesionistët që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror për fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, viktimat e dhunës dhe trafikimit apo moshën e tretë, në sistemin publik ose jopublik, pra që janë aktualisht në detyrë, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë Departamentit të Administratës Publike, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Ndryshimet në ligjin “Për arsimin parauniversitar”

Ne nenin 2 shtohet pika 28 me këtë përmbajtje:

“Vlerësimi psiko-emocional” është procesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjik-psikiatrik, me qëllim për të përcaktuar një diagnozë. Vlerësimi përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike. Ky vlerësim kryhet zakonisht nga një psikiatër, por mund të jetë edhe një proces multidisiplinor që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj.

Në nenin 57 bëhen këto shtesa:

  1. Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje:

“Mësuesi i arsimit parashkollor, i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë përmbushur kriteret e parashikuara në pikat 1,2,3 dhe 4 të këtij neni, si dhe pasi të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional.

Vlerësimi psiko-emocional për mësuesit që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit zhvillohet çdo pesë vjet. Kriteret dhe mënyra e zhvillimit të vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”.

  1. Pas pikës 5 shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:

“6. Institucionet apo ekspertët psikologë të licencuar që kryejnë vlerësimin psiko-emocional përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Dhunuesit dhe abuzuesit me fëmijët nuk mund të përfitojnë nga vënia në provë

Të gjithë ata persona që janë dënuar apo që dënohen për vepra penale që kanë të bëjnë me ushtrimin e dhunës dhe abuzimin me fëmijët nuk do mund të përfitojnë nga e drejta për t’u vënë në provë. Kjo nëse nisma ligjore e tre deputeteve, Majlinda Bregu, Mesila Doda dhe Albana Vokshi do të miratohet nga Kuvendi. Kështu ato kanë paraqitur një nismë të veçantë për të bërë disa ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet të cilit kërkojnë të përjashtojnë nga mundësia për t’u dënuar me masën e provës të gjithë ata persona që kryejnë vepra të dhunës apo abuzimeve të ndryshme me fëmijët. Sipas këtij projektligji propozohet që në nenin 59 të Kodit Penal, të shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Gjykata, kur personi plotëson kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, por është dënuar për kundërvajtje penale ose vepër penale të kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen, e përjashton atë nga vënia në provë”. Ndryshimi i propozuar në Kodin Penal, ka si qëllim të reflektojë këtë problematikë. Sipas paragrafit të parë të këtij neni ekzistues në Kodin Penal, i dënuari, për shkak të rrezikshmërisë së paktë të tij, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, si dhe kur ka marrë dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërohet nga gjykata që të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. Qëllimi i shtesës së propozuar në këtë nen është që kur i dënuari i plotëson kushtet e përcaktuara nga paragrafi i parë, por vepra penale e kryer prej tij ka qenë kundër fëmijëve, nuk mund të përfitojë nga vënia në provë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fier, arrestohet vëllai i Lul Cakës

Policia e Fierit ka shpallur në kërkim Klement Kastratin, personin që i...
Read More