Prokuroria e Katanias dorëzon dosjen “Habilaj”, zbardhet misioni në Tiranë

Dosja “Habilaj” është rikthyer sërish në vëmendje me disa zhvillime të rëndësishme. Në gjykatën e Katanias nisi gjyqi ndaj 11 të arrestuarve si pjesë e rrjetit kriminal të trafikut të drogës, ndërsa Prokuroria konfirmoi zyrtarisht misionin në Tiranë për këtë çështje. Ndërsa policia shqiptare sekuestroi pronat e vëllezërve Habilaj në qytetin e Vlorës me dyshimin se ato janë krijuar nga të ardhurat e trafikut të drogës.

Dosja “Habilaj” ka rrëzuar teorinë e përdorur rëndom në Shqipëri se çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Pas një pauze disaditore, kjo çështje është rikthyer sërish në vëmendje me të paktën tri zhvillime të rëndësishme ditën e djeshme.

Në gjykatën e Katanias nisi gjyqi ndaj 11 të arrestuarve si pjesë e rrjetit kriminal të trafikut të drogës, ku Moisi Habliaj kërkoi lirimin nga qelia.

Ndërsa Prokuroria e Katanias konfirmoi zyrtarisht misionin e grupit hetimor të kësaj çështjeje në Tiranë, ku thotë se ka dorëzuar dosjen pranë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila gjithashtu ka një hetim për dosjen “Habilaj”, ku përfshihet dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërsa policia shqiptare sekuestroi pronat e vëllezërve Habilaj në qytetin e Vlorës me dyshimin se ato janë krijuar nga të ardhurat e trafikut të drogës.

Prokuroria e Katanisas nëpërmjet një deklarate për mediat zyrtarizoi dorëzimin e dosjes “Habilaj” në Prokurorinë e Përgjithshme në Shqipëri.

Një ekip hetimor është nisur me mision në Tiranë, posaçërisht për këtë çështje, pasi disa prej të dyshuarve si pjesë e grupit të trafikut të drogës nuk janë arrestuar ende. “Financierët e Komandës Provinciale të Katanias janë drejtuar në ditët e mëparshme, me mision në Tiranë (Shqipëri)”, thuhet në njoftim.

Më tej, prokuroria e Katanias konfirmon se prokurorisë shqiptare i janë dorëzuar dosjet për shtetasit e tjerë shqiptarë që nuk janë arrestuar ende.

“Janë dorëzuar aktet lidhur me ndjekjen penale në Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare”, citohet më tej në deklaratën e Prokurorisë së Katanias.

Njoftimi thotë se delegacioni i kësaj Prokurorie që hetoi çështjen “Trëndafili i Erërave” janë drejtuar në ditët e mëparshme, me mision në Tiranë (Shqipëri).

“Ushtarakët në Bërthamën e Policisë gjyqësore të Katanias- mbështetur nga kolegët e shërbimit të Bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë kanë dorëzuar aktet e lidhura me ndjekjen penale në Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare dhe kanë marrë pjesë në fazat e lidhura me arrestimin e një prej 4 subjekteve të kombësisë shqiptare, që nuk janë gjurmuar në territorin italian”, thuhet në deklaratë.

Kjo organizatë sipas prokurorisë së Katanias vitet e fundit kishte arritur të transportonte në Itali nga bregu shqiptar më shumë se 3500 kg marijuanë që është sekuestruar. Po ashtu, dispononte armë automatike tip “Kallashnikov” dhe qindra municione, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit. Lënda narkotike, armët dhe municionet ishin trafikuar nga Shqipëria në sasive të konsiderueshme.

Sipas prokurorisë së Katanias lënda narkotike e tipit marijuanë më pas përdorej për të furnizuar sheshet ku shpërndahej, kryesisht në Katania, ashtu edhe në provincat e Raguzës dhe Sirakuzës, duke realizuar një xhiro prej më shumë se 20 milionë eurosh.

Po dje në Gjykatën e Rivlerësimit në Katania nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimimeve të bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës.

I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Catania të Moisi Habilajt. Moisi Habilaj është paraqitur i fundit përpara gjyqtarëve.

Top Channel thotë se Habilaj është dërguar në Gjykatë me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie, pasi dyshohet si kreu i grupit të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Ai është përballur me gjyqtarët Iarato, Benanti dhe Catena.

Por siç konfirmoi dhe avokati i tij Biagio Maurizio Catalano, Habilaj i ka mohuar akuzat, duke kërkuar lirimin.

“Prokuroria kërkoi që të konfirmohet urdhri për mbajtjen e tyre në burg. Ndërsa ne kërkuam anulimin për mungesë provash. Kjo është pikënisja ndaj s’mund të themi saktësisht se si do të shkojnë gjërat. Vetë urdhri i ndalimit, për të cilin besoj se jeni në dijeni sepse është publikuar, mendoj se është maja e ajsbergut, përmbledhje e një fashikulli të tërë dosjesh voluminoze hetimesh, të cilën unë vetë nuk kam patur kohë të konsultohem. Por në këtë fazë, faza e parë së paku këtu në Itali, është ajo për t’ju drejtuar Gjykatës së Lirisë, për të pasur në qoftë se së paku një prej pozicioneve, nga ky moment, mund të lëshohet dhe t’i rikthehet liria së paku ndonjërit”, u shpreh Biagio Maurizio Catalano, avokat.

Tashme Gjykata e Katanias, brenda 48 orëve, do duhet të shprehet lidhur me fatin e të arrestuarve. Prokuroria e Katanias njoftoi arrestimin në Shqipëri të Nezar Seitit dhe bën të ditur se i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare informacione dhe materiale në lidhje me këtë person. Informacionet janë dërguar edhe gjatë aksionit kur u kap një sasi prej 4 tonë hashash.

Nisur nga zhvillimet përtej Adriatikut, policia dhe prokuroria shqiptare kanë tentuar të tërheqin vëmendjen me çështjen Habilaj, duke identifikuar dhe sekuestruar disa prej pronave që të dyshuarit disponojnë në qytetin e Vlorës.

Policia njoftoi se janë sekuestruar 6 prona, nga të cilat tre njësi shërbimi dhe tri apartamente, por nuk tha se kur kishin nisur hetimet për pasurinë e vëllezërve Habilaj. Sipas burimeve të besueshme mësohet se policia e ka referuar këtë çështje në prokurori më 18 tetor, një ditë pasi në Itali ishin arrestuar 11 të dyshuar si pjesë e rrjetit të narkotikëve, përfshi dhe Moisi Habilajn.

Prokuroria konfirmon se përpara kësaj date policia nuk ka dërguar asnjë material qoftë për pasuritë e dyshuara të Habilajve apo edhe për aktivitetin e tyre në trafikun e narkotikëve. Në një njoftim për mediat policia tha ka ekzekutuar një vendim të Gjykatës së Vlorës për sekuestrimin e disa pronave në emër të vëllezërve Habilaj.

“Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Vlorë, në vijim të informacionit, lidhur me procedimin penal në ngarkim të shtetasve, Artan Habilaj, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kanë bërë ekzekutimi i Vendimit Penal Nr. 379 datë 30.10.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”, thuhet në njoftimin e policisë. Në listën e pronave të sekuestruara janë 45 metër katror ndërtim njësi shërbimi dhe tri apartamente me sipërfaqe 200 metër katror (për njërin prej apartamenteve nuk specifikohet sipërfaqja). Po ashtu, policia thotë se vijon punën për identifikimin e pronave të tjera në emër të vëllezërve Habilaj.

Të sekuestruara:

Njësi Shërbimi me sipërfaqe 157 m2, ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shoqërisë Turi&Mzb sh.p.k. dhe Florian Habilaj.

Njësi shërbimi me sipërfaqe 136 m2, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shtetasit Florian Habilaj.

Apartament banimi në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj.

Apartament banimi me sipërfaqe 69 m2 , në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të K.H.

Apartament banimi me sipërfaqe 104.5 m2 në Vlorë, në pronësi të shtetasit F.M.

Njësi shërbimi dhe banimi, me sipërfaqe 156 m2, në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Krimi i vërtetë i politikës dhe lidhjet e tij me 43% të shqiptarëve

Axhenda Liberale /6 Nga Besart Kadia Jeta në tranzicion! Kështu e quan...
Read More