Prokuroria “fundos” ish-ministrin Tahiri

Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Orest Sota, Prokuroria ngre dyshimet se 863 mijë eurot e gjetura janë vlerë monetare të siguruara në mënyrë të paligjshme nga ish-ministri Tahiri. Çfarë bisedash përgjoi prokuroria në qelinë e Sotës dhe si u gjendën patentat e Tahirit në makinën e biznesmenit. I riu 25-vjeçar mbetet në burg pa afat. Provat që avokati paraqiti në gjykatë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda është e bindur se shuma prej 863 mijë eurosh që u gjet në automjetin e biznesmenit Orest Sota janë vlera monetare të siguruara nga veprimtari kriminale e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe se Sota po e ndihmonte për t’i larguar.

Këtë pretendim institucioni i akuzës e mbajti dje gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Orest Sotës.

Për të u vendos “arrest me burg pa afat” deri në përfundim të hetimeve, me akuzën e pastrimit të parave, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe drejtim automjeti pa leje.

Duke marrë parasysh rëndësinë që ka çështja, prokuroria më shumë se të hetojë rreth Sotës është përqendruar në dyshimet që vlera e madhe monetare mund t’i përkasë ish-ministrit, aktualisht nën akuzë për veprën e rëndë penale trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik.

Vetë i pandehuri dhe pala mbrojtëse pretenduan se shifra prej 863 mijë eurosh ishte e destinuar si parapagesë për një sasi të madhe hekuri që do të bliheshin në kompaninë Kurum në Elbasan, ndërsa patentat në automjet të ish-ministrit të Brendshëm sipas Sotës ishin harruar aty nga shoferi i Tahirit.

Përgjimet brenda qelisë

Pak orë pasi Orest Sota u arrestua bashkë me shokun e tij Leonard Alimani, të dy të rinjtë u mbajtën në dhomën e paraburgimit nën vëzhgim.

Prokuroria kërkoi përgjim ambiental për të mësuar më shumë rreth dyshimeve për pastrim parash, për më tepër që në lojë krejt pa “dashjen” e tij ishte përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Në një moment Orest Sota pyet shokun e tij Leonard Alimani, duke iu drejtuar: “Po patentat e Saimir Tahirit çfarë donin në makinën time, si është kjo punë”?, nga ana e tij Alimani ia kthen: “Duhet t’i ketë harruar Gent Caka” (shofer i ish-ministrit Saimir Tahiri). Me ketë bisedë të shkëputur prokuroria e vijoi më tej hetimin, pasi sipas saj nuk është rastësi që në makinën ku u bllokuan 863 mijë euro u gjendën edhe dy leje drejtimi për mjete lundruese në emër të Tahirit.

Institucioni i akuzës ka dyshime se shuma e madhe e kapur në makinën e biznesmenit Sota nuk ishte për të kryer blerje në kompaninë Kurum.

Sipas saj, kjo kompani nuk procedon me para kesh, pasi gjithçka e ka nëpërmjet sistemit bankar.

Si prova ata kanë paraqitur dëshminë e financieres së kompanisë Kurum, e cila në deklarime shprehet se maksimumi i lëvizjeve kesh të kompanisë është deri në 160 mijë lekë të rinj, çdo shifër tjetër mbi këtë vlerë kalon nëpërmjet sistemit bankar.

Gjithsesi, pala mbrojtëse kishte argumentet e saj ku tregoi se babai i Orest Sotës, biznesmeni Lefter Sota, ka komunikuar me një nga drejtuesit e Kurum ku i kërkon që të takohej për të kryer një blerje në sasi të madhe të hekurit.

Avokati tha se edhe për kohën që flasim ai ka kryer blerje hekuri në vlerë që kap shifrën e mbi 700 mijë eurove.

“Flitet vetëm për para të ligjshme dhe s’ka asnjë mëdyshje për para të tjera nga burime të tjera”, -tha avokati Fatmir Braka.

Sipas tij, prokuroria ka vetëm dëshminë e financierës së Kurum, por duhet të thellohet më shumë në hetime për të zbardhur të vërtetën.

“Prokuroria i ka gjërat e verifikueshme. Sotës, kur u ndalua nga policia, telefoni s’i hapej dot se ishte i kodifikuar dhe ai u tregua i gatshëm për këtë, duke u vënë në dispozicion të policisë. Prokuroria nuk e sjell si provë këtë gjë. Këtu gjërat verifikohen lehtësisht. Lefter Sota në komunikimin me djalin del se minutë pas minute ai po shkonte te Kurumi, ku dhe ndaloi pas ndjekjes së policisë”, -tha Braka.

Sota-Tahiri, në mes shoferi…

Në lidhje me çështjen më të ndjeshme, atë të njohjes mes biznesmenit Sota dhe Saimir Tahirit, avokati Braka mbajti qëndrim të prerë se nuk kanë lidhje me ngjarjen.

“Shpjegimet për akuzat duhet t’i japë prokuroria, pasi nga përgjimet e saj, del e qartë që vetë shoferi Tahirit ka pranuar se ka bërë një gabim të madh që i ka harruar patentat atje”, -tha Braka.

Ai këmbënguli se klienti i tij nuk kishte asnjë dijeni për patentat e ish-ministrit dhe argumentoi se vlera prej 863 mijë eurosh qe e destinuar si parapagim për një sasi hekuri që Sota donte të blinte nga Kurum.

“Vetë Sota nuk ka pasur dijeni që patentat ishin atje. Nga përgjimet del se shoferi i Sotës ka komunikuar me shoferin e Tahirit dhe ky i fundit i ka thënë se i ka harruar ai aty. Njohje ai ka me ish-ministrin, por kjo s’do të thotë se ka lidhje me paratë dhe patentat. Prokuroria duhet të provojë që paratë janë të Saimir Tahirit dhe të mos dalë me qëndrime të paverifikuara”, theksoi Braka.

Arrestimi i Orest Sotës u krye më 1 nëntor të këtij viti në brendësi të kompanisë Kurum.

Fillimisht një patrullë policie i kishte dhënë shenjë automjetit ku udhëtonte Sota dhe Alimani që të ndalonte, por janë larguar me shpejtësi. Në rrethana të tilla patrulla ka njoftuar kolegët e tjerë dhe janë vënë në ndjekje të makinës së Sotës.

Pas disa minutash e ndalojnë pranë kompanisë Kurum dhe në momentin që nisën kontrollin gjetën sasinë prej 863 mijë eurosh. Bashkë me vlerën e madhe monetare policia zbuloi në kroskotin e automjetit edhe dy patenta të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Para prokurorëve Sota ka mbajtur qëndrim të prerë se eurot ishin të destinuara për kompaninë Kurum, ndërsa patentat ishin harruar nga shoferi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pasi kishte njohje me të.

Pavarësisht këtij qëndrimi, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se shuma prej 863 mijë eurosh mund t’i përkasë Saimir Tahirit dhe është përfituar në veprimtari të paligjshme.

Në momentin që u arrestua Sota, ish-ministri ndodhej nën akuzë pas ndalimit në Itali të kushëririt të tij Moisi Habilaj, i dyshuar për trafikimin e një sasie të madhe kanabisi.

Çështjes Tahiri prokuroria i ka bashkangjitur edhe dosjen “Sota” dhe në ditët në vijim pritet që të ketë zhvillime të reja në lidhje me ecurinë e hetimeve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Memo e Kuvendit, si zgjidhet Prokurori i ri

Një memo e Drejtorisë së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, ka rihapur...
Read More