Prokuroria: Ja provat për Tahirin, arrestimin e vendos gjykata

Ka nisur seanca e Komisionit të Mandateve për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri pas akuzave si i përfshirë në trafik droge.

Para nisjes së mbledhjes, kryeministri Edi Rama ka mbledhur anëtarët e Komisioni të Mandateve dhe Imunitetit për qëndrimin që do të mbajnë në lidhje me mandatin e deputetit Saimir Tahiri.

Deputeti i PS, Saimir Tahiri mbërriti në ambientet e kryesisë, i pritur me brohoritje nga mbështetës.

Në nisje të mbledhjes, Saimir Tahiri deklaroi se përfaqësohet nga avokati Artan Hajdari.

Ndërkohë Prokuroria kërkon që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura.

“Ne tashmë kemi paraqitur një kërkesë në lidhje me arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Duke iu referuar edhe dispozitave kushtetuese, duke qenë që ne disponojmë dokumentacion që përbën edhe sekret, i kërkojmë komisionit që kjo seancë të bëhet me dyer të mbyllura,” tha prokurori Besim Hajdarmataj.

Pas një debati në seancë, u vendos që ajo të zhvillohet me dyer të hapura.

Më pas Hajdarmataj foli për kërkesën e Prokurorisë.

“Kemi arritur të provojmë se në fshatin Babicë ishte një sasi droge, gati për transportim përtej brigjeve. Ne nuk kishim informacion sa ishte kjo sasi. Informacionet i kishim të kufizuara, pasi kishte punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet.

Në momentin kur kemi ardhur në dijeni se shtetasi Moisi Habilaj është larguar nga Shqipëria dhe ngaqë nuk po kthehej në Shqipëri, kemi marrë informacion se ishte arrestuar për llogari të Italisë.

Në këto rrethana, duke iu referuar të dhënave, kemi filluar një procedim tjetër për këtë aktivitet, që kishte nisur që në vitin 2013, ku janë përfshirë vëllezërit Habilaj dhe persona të tjerë. Kemi nisur edhe procedim për deputetin Saimir Tahiri.

Rezultonte nga të dhënat që kishte biseda kompromentuese në lidhje me deputetin Saimir Tahiri, qoftë për pjesëmarrjen në këtë grup kriminal, por edhe se bëhej fjalë për marrje parash. Ne ndërhymë në fshatin Babicë me shpejtësi, pasi të dhënat u bënë publike. Referuar nga bisedat e përgjuara, krijohet bindja se në këtë aktivitet është i përfshirë edhe deputeti Saimir Tahiri. Kemi siguruar të dhëna që përforcojnë bindjen tonë se ato biseda, shoqëruar me veprimet tona, dhe na ka rezultuar se deputeti Saimiri Tahiri në vitin 2013, duke pasur në pronësi një automjet të tij, ia kishte shitur Artan Habilajt. Na ka rezultuar më mbrapa se ky automjet është përdorur nga deputeti në vitin 2013 dhe 2014. Ka urdhëtuar kryesisht në Greqi. Na rezulton që ndërkohë që deputeti ndodhej në Greqi, automjeti është dërguar nga njëri prej vëllzërve Habilaj në Greqi dhe më pas deputeti është kthyer në Shqipëri. 

Asnjëherë nga Policia e Shtetit nuk është referuar ndonjë material për këto persona. Megjithëse kemi kërkuar informacion, nuk është referuar ndonjë material. Duke pasur parasysh lidhjet që këta persona kanë me Drejtorinë e Policisë së Vlorës, jemi përpara një rasti kur deputeti Saimir Tahiri është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ne kemi ardhur këtu për të kërkuar heqjen e imunitetit, pasi në çdo moment Tahiri mund të jetë subjekt i heqjes së lirisë. Këtë e vendos Gjykata e Krimeve të Rënda. Saimir Tahiri akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike i kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë të shtetit”, tha Hajdarmataj.

Deputeti Ulsi Manja: Nuk e kuptova, i kërkohet këshillit dhënia e autorizimit për heqjen e imunitetit për arrestimin, apo për kontroll banese e kontroll personal? Kërkoj të qartësohem nga organi i akuzës.

Prokuroria: Kemi kërkuar autorizim për heqjen e imunitetit për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri dhe për kontroll banese.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përçarjes”

Nga Sali Berisha* Te dashur miq, Rezultati i ketyre zgjedhjeve eshte larg...
Read More