Prokuroria në pritje të dy materialeve që mund të “fundosin” Tahirin

Pas shtyrjes së afateve të hetimit për ish-ministrin Saimir Tahiri edhe për tre muaj të tjerë, institucioni i akuzës mbetet në pritje të dy letër-porosive nga Mali i Zi dhe Italia. Cilat janë dy materialet e forta që pret akuza dhe hetimet për pasurinë e tij.

Edhe për tre muaj të tjerë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të shijojë lirinë e plotë, pa u përballur me gjykatën. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi shtyrjen e afatit të hetimit edhe për tre muaj të tjerë, pasi priten dy letër-porosi nga Mali i Zi dhe Italia. Vonesa e përgjigjeve detyruan prokurorët e çështjes “Tahiri” të shtyjnë edhe me 3 muaj afatin e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm. Prokuroria ka dyshime se Saimir Tahiri ka udhëtuar drejt Malit të Zi me persona të cilët janë nën hetim në këtë dosje.

Ndërsa nga Italia pritet që të mbërrije dëshmia e Frederiko Silvestrit, person i cili dyshohet se i ka shitur një mjet lundrues grupit të “Habilajve”, kushërinj të Tahirit. Të dyja të dhënat konsiderohen të rëndësishme për hetimet e prokurorisë, pasi ka dyshime se ish-ministri Saimir Tahiri ka udhëtuar në këto vende nën shoqërinë e Moisi Habilajt dhe anëtarëve të tjerë të grupit.

Përveç letër-porosive, përgjigjja e të cilave mund të jetë një “armë” më shumë në duart e institucionit të akuzës, dosja pritet të plotësohet edhe me elemente të tjera.

Pasuria e ish-ministrit dhe e të afërmve të tij është nën verifikim nga prokuroria, por kanë hasur në vështirësi për shkak se çdo e dhënë e siguruar deri më tani nga hetuesit ka rezultuar e pastër.

Pronat dhe llogaritë bankare të tyre janë të justifikueshme. Për ish-ministrin rëndojnë katër akuza, njëra prej të cilave është trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Tahiri në kohën kur ushtronte detyrën e ministrit ka siguruar paprekshmëri e grupit të “Habilajve”.

Ky grup ndër vite ka trafikuar drejt Italisë të paktën 3.5 tonë kanabis me vlerë tregu 20 milionë Euro. Në tetorin e vitit të kaluar Policia e Katanias arrestoi disa nga anëtarët e këtij grupi të drejtuar nga Moisi Habilaj, ndërsa në përgjime përmendet në tri raste emri i ish-ministrit, duke nënkuptuar mbrojtjen që kishin. Vëllezërit Habilaj dyshohen se bashkëpunonin me tre ish-drejtues të lartë të Policisë së Vlorës që janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe drejtues Laert Çela, ish-drejtor i Policisë së Vlorës.

Që nga nisja e hetimeve dhe deri më tani institucioni i akuzës ka siguruar disa prova dhe burimet shprehen se hetimet janë drejt fundit dhe shtyrja e afatit edhe me tre muaj të tjerë bëhet vetëm për shkak të mbërritjes së dy letër-porosive nga Mali i Zi dhe Italia. Situata penale për Saimir Tahirin ishte mjaft e rënduar në tetor të vitit të kaluar kur u kërkua arrestimi i tij, por në atë rast deputetët e mazhorancës kundërshtuan urdhrin e prokurorisë, duke mos dhënë autorizimin për arrestimin e tij.

Disa muaj më vonë, pasi ish-ministri dorëzoi mandatin në mënyrë vullnetare prokuroria kërkoi masën “arrest me burg pa afat”, por Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi “arrest shtëpie”. Një masë që Tahiri nuk do e vuante gjatë, pasi në rrethana mjaft të dyshimta Gjykata e Apelit për Krimet e rënda pushoi çdo masë ndaj Tahirit, duke e lënë të lirë.

Vetëm pak orë para se gjykata të lehtësonte Tahirin reagoi ish-ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu që u shpreh se kishte të dhëna që gjykata po shantazhohej apo edhe po i ofroheshin para që të merrte vendim pro Tahirit. Edhe ditën e djeshme ish-ministri e ka pritur i qetë vendimin për shtyrjen e afatit të hetimeve, madje postoi foto duke kalëruar. Krimet e Rënda do të kenë kohë deri në 17 Janar të vitit të ardhshëm për të vendosur mbi fatin e kësaj dosjeje.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zef Skiro di Maxho: Nëpër udhat e parajsit shqipëtar dhe t’arbëresh

Ndëpër udhërat e parrajsit shqipëtar dhe t’arbëresh, Zef  Skiro di Maxho sjell...
Read More