Prokuroria nuk duhet të bjerë pre e debateve politike

Nga Ervis Iljazaj

Çështja Tahiri ka ndërlikuar dhe ka ashpërsuar tonet midis politikës dhe drejtësisë një ditë më parë. Edi Rama ka akuzuar prokurorinë se po përdoret nga politika, ndërsa kjo e fundit ka përmendur rastin e kryeministrit kroat që shkoi në burg.

Është e qartë që një gjuhë e tillë midis dy pushteteve, aq më tepër në një situatë të tillë nuk është normale nëse vërtet dhënia e drejtësisë, jo vetëm në këtë rast, por në përgjithësi, do të ishte qëllimi kryesor.

Megjithatë ky nuk është rasti i parë, që përplasen pushteti gjyqësor me atë politik në Shqipëri. Ky është një fenomen që ka shoqëruar institucionet sa herë që është në lojë një çështje kaq e rëndësishme.

Megjithatë, barra bie mbi prokurorinë dhe pushtetin gjyqësor në përgjithësi, për të evituar këtë konflikt që nuk ndihmon askënd, aq më tepër atë.

Pushteti gjyqësor në përgjithësi, dhe prokuroria në veçanti, flet vetëm me akte dhe nëpërmjet ligjit, ndërsa politika mjetin e saj ka fjalën dhe debatin.

Nëse politika e ka për zanat debatin politik, prokuroria duhet me patjetër t’i shmanget atij. Në të kundërt aksioni i saj do të paragjykohet. Nëse PD dhe PS, me çështjen Tahiri bëjnë lojën e tyre politike, dhe është normale një gjë e tillë, prokuroria duhet të dalë përtej këtij debati.

Drejtësia ka nevojë për “vetmi” në mënyrë që t’iu bëjë thirrje ndërgjegjes të atyre që e japin dhe profesionalizmit. Nëse prokuroria në këtë rast del nga kjo vetmi, atëherë ndotet mediatikisht dhe paragjykohet. I vetmi habitat normal i saj që të funksionojë dhe të jetë e besueshme është ftohtësia, larg emocioneve që në mënyrë të pashmangshme vijnë nga mediatizimi.

Kjo nuk do të thotë që ky debat vjen për faj të saj. Shpeshherë politika e thërret mediatikisht edhe në “debat” drejtësinë me qëllim. Me qëllimin që ta fusë në lojën e saj, dhe në këtë mënyrë e ka më të lehtë për ta mundur, pasi është e stërvitur në situata të tilla.

Edhe pse kjo është një strategji politike për ta bërë prokurorinë palë politike në këtë çështje, ajo nuk duhet të bjerë pre e kësaj gracke. Por, në mënyrë autonome dhe të ftohte duhet të vazhdojë detyrën e saj, e cila është dhënia e drejtësisë me çdo kusht dhe për këdo.

Deklaratat, pothuajse intimiduese nga të dyja palët, si nga kryeministria kundrejt prokurorisë, po edhe nga anasjelltas, që u shkëmbyen dje nëpërmjet mediave, nuk tregojnë asgjë tjetër përveçse faktit të degradimit të plotë të marrëdhënieve midis dy pushteteve.

Ndoshta, mund të jetë më mirë që këto dy pushtete të jenë në konflikt se sa në paqe, sepse kështu kemi të bëjmë me një ndarje pushtetesh. Por, ndarja e pushteteve është tjetër gjë, dhe konflikti një gjë tjetër. Nuk është nevoja të ketë konflikte midis tyre për të treguar se ka një pavarësi nga njëra-tjetra. Mjafton që gjithsecili të rrijë në zyrën e tij duke bërë punën që i ngarkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në fund të fundit për këtë paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Prandaj, prokuroria shqiptare në këtë rast, duhet të vazhdojë punën që i takon, pa u ndikuar nga politika dhe pa ndikuar atë në të njëjtën kohë. Por, vetëm duke folur nëpërmjet akteve ligjore dhe jo nëpërmjet deklaratave mediatike, edhe nëse është viktimë e tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Krijimi i Shqipërisë në karikaturat austriake

Revista Mapo Krijimi i shtetit shqiptar ka pasur një vend të veçantë...
Read More