Promovimi në UET, Genta Sula: Duhet të hapen dhe dosjet e shkencës

Dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit për Maks Velon, ka ardhur e botuar në një libër të quajtur “Maks Velo, Jetë Paralele”, përgatitur nga Alda Bardhyli.

Ky libër vjen në kuadër të projektit të Institutit Europian Pashko për njohjen e kujtesës kolektive.

“Për herë të parë në historinë e vëndeve që jetuan komunizmin botohet dosja e plotë e përndjekjes së një artisti”, tha Bardhyli. Në libër janë 106 dokumente një pjesë e së cilave shoqërohen me një histori tjetër të treguar nga Velo.

Në ceremoninë e promovimit Velo u shpreh ashpër duke thënë se “Lidhja e Shkrimtarëve ishte një tmerr”.

“Unë mendoj që libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam insistuar vazhdimisht këto vite, kam thënë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr dhe kur e thoja këtë gjë mua të gjithë më dilnin kundër. Dhe tani kur të lexoni librin do kuptoni që kjo është e vërtetë, po ashtu edhe dokumenti që doli pardje ke Panorama për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shabllo dhe Llazari për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg mqs personazhet thonë këto gjëra. Nuk futet piktori në burg sepse vizatimi nuk të pëlqen. Kjo ishte lidhja. Ky ishte Dritëro Agolli. Duhet ta kemi të qartë unë i kam thënë sepse më thonin ti Maksi sillesh keq. Jo Dritëroi po të ishte kishte dhënë dorëheqjen. Ishte larguar, ai i dinte të gjitha, ekspertizat janë bërë nga lidhja. Ekspertizat e gjyqit. Lidhja ishte qendër arti e nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit kur ajo merrte në analizë dhe kontrrollonte gjithë artisttët një për një, kur ishte qendër e rekrutimit të agjentëve”, tha Velo.

27 denoncime në libër janë vetëm nga Llambi Blido.

“Si është e mundur? Llambi Blido, 27 denoncime, edhe duke gënjyer. Sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë që “Këto informacione që na jep Llambi nuk na vërtetohen me anët e tjera” ose i jep Llambit çantën që të vijë ke studioja ime dhe Llambi do jepte informacione, njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta, të vërtetohej kush gënjente”.

Nga emrat e përmëndur në libër si denoncues Maksi shprehet “Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz dhe Edison Gjergo, për Edisonin më ka ardhur keq. Nuk e besoja. Unë Edisonin e njihja, që ishte në atë kohë i dobët, por e doja. Dhe më erdhi keq kur lëshoi ato deklaratat edhe u ndamë keq në Spaç…”

E pranishme në promovim Genta Sula Drejtore e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve u shpreh se po bashkëpunon me UET PRESS për të bërë të plotë kolanën e librave që hedhin dritë mbi të shkuarën dhe rolin e artistëve gjatë komunizmit.  Sula e quajti një kurajo të madhe botimin e këtyre dokumentave.

Ata nuk kanë qenë dashamirës me ju, ju e dini vetë dhe ne e lexojmë në dokument, është kurajo e madhe që ju të përballeni dhe t’i ofroni publikut këtë histori”, iu drejtua ajo Velos.

Sipas Sulës hapësira e hulumtimit në dosjet e së shkuarës është e madhe, dhe krahas kulturës dhe artit duhet të hapen dhe dosjet e shkencës siç është rasti i Sabiha Kasimatit, që jo vetëm u dënua me vdekje por dhe ka pasur tjetërsim të veprës.

“Me shumë figura të shkencës ka pasur përvetësim të veprës dhe kjo duhet hulumtuar, tha Sula. Nga ana tjetër ajo kërkoi që të mos i gjykojmë menjëherë personazhet që kanë raportuar pasi pjesa më e madhe e tyre i kanë bërë këto bashkëpunime në kushtet e një presioni apo torture”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

BB: Ballkanit i duhen 6 dekada që të arrijë të ardhurat e BE

Një studim i Bankës Botërore tregon se kjo situatë mund të ndryshojë...
Read More