Pronë dhe pushtet: Pedagogët e Arteve prekin “tokën”…

Toka e pedagogëve të Arteve që vijnë më 15 mars në insertin e përvitshëm të ekspozitës së tyre të organizuar në galerinë FAB, krijon sfida kontekstesh artistike deri në raportet me Shqipërinë, pas 50 viteve diktaturë. Shqetësimet e pedagogëve të arteve pamore kalojnë në filtrin politik: pronë dhe pushtet, çfarë ka ndodhur në këto raporte, jo aq të lehta për të reflektuar si angazhime, edhe pse është pak kohë e vonë në këtë ironi të kulturës politike

Edison Çeraj, një prej pedagogëve të Fakultetit të Arteve gjen një shqetësim artistik të përbashkët për të pasur një kurim mental ku është vizioni i tyre sot. Në asgjë të re, por duket se ka prekur një sizif personal, individual dhe zgjeron rrathët e kuptimit për t’i shtyrë në një perceptim të asaj që është zbuluar, thënë e stërthënë duke u bjerrë nga pak, njëkohësisht. Kjo është Toka e pedagogëve të Arteve që vijnë më 15 mars në insertin e përvitshëm të ekspozitës së tyre të organizuar në galerinë FAB, në fjalën aspak sugjestionuese: Tokë, por në pritshmëri artistike duke kujtuar imazhe, thënie, zbulime të caktuar, aroma konflikte, harta, kolonializime, ishuj, tokë të imagjinuara, ngjyra, vullkane, tërmete, sipërfaqe ujore (si mungesë toke) e plot situata të tjera, që sipas arsyes së kuratorit edhe nëse vazhdon graviteti vazhdon të bëjë të vetën përtej përmasës fizike, “atëherë nis një proces përzgjedhës te secili, për të rrokur në këtë mënyrë atë gjë që i shkon për shtat”. Pjesëmarrja e pedagogëve: Arben Bajo, Ardian Isufi, Artan Peqini, Albes Fusha, Edmond Gjikopulli, Ermal Baboçi, Ervin Berxolli, Fatmir Miziri, Florian Haxhihyseni, Genc Mulliqi, Genc Përmeti, Gentian Tabaku, Ilir Kaso, Ledia Kostandini, Harri Aleksi, Mikel Temo, Najada Hamza, Petraq Papa, Pjerin Kolnikaj, Vladimir Myrtezai.

Nga një kontekst global, kuratori zbret në “tokë” shqiptare…Kujtohen disa kuptime bazë që na jep fjalori shqip-shqip: 1. Planeti ynë, si një nga planetët e sistemit diellor; rruzulli i këtij planeti me pjesën e fortë e me pjesën ujore, si edhe shtresa e gaztë (atmosfera) që e rrethon atë; planeti ku jeton njerëzimi në tërësinë e tij; bota. Rruzulli i tokës. Boshti i Tokës. Korja e Tokës. Bërthama (qendra) e tokës. Ekuatori i tokës. Meridianët e tokës. Jeta në tokë. Toka rrotullohet rreth Diellit. Toka është e rrumbullakët; 2. Rrafshi, në të cilin qëndrojnë e lëvizin njerëzit, kafshët etj., sipërfaqja, trualli. Ulem (shtrihem) në tokë. Rri (bie) në tokë. Zvarritem për tokë. Ngrihet mbi tokë. Zhvillohet nën tokë. Vë këmbën (gjurin) në tokë. Prek tokën. U ngrit nga toka. Zuri tokë. Shkeli në tokë. Preku tokën. U bë njësh me token; 3. Copë trualli që e punojmë dhe e mbjellim me bimë bujqësore; me pemë, me bar etj.; arë, vresht, pemishte etj.; vend i kufizuar, i punuar a në gjendje natyrore, që e ka dikush dhe e përdor për diçka. Tokë e vogël (e madhe). Tokë pjellore. Tokë e lëruar. Toka të reja. Tokë e ujitur (nën ujë). Tokë e punueshme. Tokë djerre. Tokë buke. Tokë për vreshta (për duhan, për pyje, për kullotë). Tokë për vreshta (për duhan, për pyje). Tokë kullotë. Tokat e kooperativës. Tokat e kishës (e teqesë). vjet. Kullimi i tokës. Pjelloria e tokës. Punojmë (lërojnë, mbjellin) tokën. Hapën tokë të re. Pasurohet (varfërohet) toka. Nuk lejohet shitja (blerja) e tokës. Toka i takon atij që e punon.

“Këto kuptime me natyrë tipike përcaktuese, bashkë me semantikën shtesë që ato tërheqin nga pas, – dhe këtu nis të veprojë forca e rëndesës – besojmë se përbëjnë një shkas të qenësishëm për të reflektuar në kuadër të një vepre të mundshme arti. Në njëfarë mënyre, jemi marrë me çdo gjë mbi Tokë, por shumë pak me vetë Tokën, ndonëse Toka është pjesërisht e pazbuluar, ndërsa Bota pjesërisht e zbuluar. Mbase e gjitha i ngjan një gërvishtjeje. Por, arti si i tillë na jep mundësinë që ta tejkalojmë këtë gërvishtje”, ndan kuratori Çeraj.

Aspekti më tërheqës e provokues i këtij subjekti për artistët/pedagogë është toka si territor, si pronë, si zonë, si hapësirë, si thesar që fsheh pasuri të ndryshme e kështu me radhë, duke konsideruar edhe nëntokën, por si një çështje tjetër. Prej këtej buron për kuratorin edhe rasti i Shqipërisë, duke u bërë më komplekse: “…ngaqë pas vitit ‘90 ne dolëm nga një periudhë gati 50-vjeçare ku toka/prona u uzurpua nga shteti dhe, për pasojë, nocioni dhe realiteti i pronës private u përmbys nëpërmjet shtetëzimit të pothuajse çdo hapësire të mundshme. Ky deformim që iu bë idesë/kulturës së pronës është një prej shkaqeve kryesore të shumë problemeve që u shfaqën pas ’90 në lidhje me pronësinë, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë gjeti shesh e bëri përshesh siç ia donte mideja në pronën e mbetur “jetime”. Domethënë, le të themi se nisi një proces riuzurpimi, kësaj herë nga individi”. Nga ana tjetër, toka merret edhe në konceptin e zotërimit që favorizohet nga pushteti, si aureolë që shënjon autoritet, superioritet, ndikim dhe mëvetësi. “Natyrisht kjo vlen edhe për shtetin-komb modern, i cili vjen në ekzistencë pikërisht përmes përcaktimit të një territori (kufijtë), në emër të të cilit u justifikuan masakra të parrëfyeshme mbi jetë të pafajshme”.

Ndaj gjëja më e rëndësishme që do reflektojnë “sigurinë” dhe aurën e interesave artistike për 20 pedagogët e FAB është fjala “tokë”, duke u angazhuar si duket në një politikë aspak të lehtë për t’u kapërdirë mbi një logjikë artistike që implikon politikisht. A do të ketë interes kjo ekspozitë? Çeraj ndan diskursin mbi një insert të thjeshtë, me interes, edhe për faktin se asgjë “nuk është e thënë”, megjithatë ajo lëviz…dhe për të “gjëja më e rëndësishme në këtë tekst është fjala TOKË”. V.M

TOKË

Me këmbë në tokë.

Guri i rand’ peshon n’vend t’vet.

Toka jonë.

Tokë e huaj.

Tokë e zanun.

Toka shitet.

Toka e premtuar.

Sa mban kjo tokë!

Amanetin nuk tret as dheu.

“O tokë, çfarë ndryshimesh ke parë!” (A. L. Tenison)

“Toka është si një anije kozmike që ka ardhur pa manual përdorimi.” (R. B. Fuller)

Tokë buke.

Tokë djerrë.

“Ajo që e bën tokën të duket si ferr është pritshmëria jonë se duhet të duket si parajsë”. (Palahniuk)

“E megjithatë ajo lëviz”. (Galilei)

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si u falsifikua dosja që ktheu 220 ha tokë në Karaburun

Policia arrestoi dje një avokat dhe një notere në qytetin e Vlorës,...
Read More