Propozimi i opozitës, nuk ka kompromis për kryeprokurorin 

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, njoftoi se sot nis procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. PD e LSI përgatitin amendamentet për këtë proces

Propozimi i opozitës për ndërprerjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme përmes ndryshimit të Kushtetutës është fshirë ende pa iu tharë boja. Mazhoranca nuk do të pranojë kërkesën e dy grupeve parlamentare PD e LSI për zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm me argumentin se ajo shkel marrëveshjen për reformën në drejtësi.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, njoftoi se sot nis procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Për çështje të tjera jashtë saj, Manja argumentoi se nuk do të ketë kompromis në kurriz të Kushtetutës. “Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi në kurriz të Kushtetutës së vendit që e kemi miratuar bashkarisht dhe me vullnet të plotë me 140 vota…”, -tha dje  Manja.

Por a po shkelet Kushtetuta në këndvështrimin e opozitës? “Ne kemi qenë dhe jemi të sinqertë në propozimet tona. Nuk kemi absolutisht asnjë lloj karte politike, që mund ta përdorim. Ne duam që të zbatohet Reforma në Drejtësi. I vetmi njeri që e ka kapur Reformën në Drejtësi dhe e ka përdorur Reformën në Drejtësi për interesat e veta është

  1. Rama…”, -tha dje kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Dy ditë më parë demokratët propozuan amendament kushtetues për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm me 3/5 e votave në Kuvend, si dhe vetting për të deri sa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

 “Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm”, thuhet në propozimin e PD-së e mbështetur edhe nga LSI-ja.

Basha

Ndërsa ky propozim nuk ka gjasa të merret parasysh, beteja e radhës pritet të jetë ngritja e KLP-së dhe KLGJ-së. Sot komisioni i Ligjeve konfirmon fillimin e punës, ndërsa opozita ka sqaruar se do të marrë pjesë në gjithë këtë proces, përmes disa amendamenteve të përgatitura. Grupi parlamentar demokrat ka përgatitur një oponencë për ato që i konstaton problematika të procesit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha dje gjatë një takimit të zhvilluar me demokratët e Tiranës se opozita ka vullnet për zbatimin e reformës në drejtësi. “Se afërmendsh, opozita nuk ka dhe nuk mund të ketë aleatë më të mirë në luftën kundër krimit dhe kriminelëve dhe të korruptuarve, se sa një drejtësi që funksionon. Saimir Tahiri kapet nga antimafia duke përfituar dhjetëra, mijëra euro varëse e byzylykë floriri. 5 milionë euro në muaj nga trafikantët e drogës, dhe Edi Rama ndalon arrestimin e tij. Përse? Fare e thjeshtë, sepse arrestimi i Saimir Tahirit, është hapi i parë drejt arrestimit dhe vënien para drejtësisë të Edi Ramës, si koka dhe arkitekti i kanabizimit dhe kriminalizimit të Shqipërisë…”, -tha Basha.

Për ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së opozita do të ndjekë një axhendë të mirëdetajuar. 

“…Ne do të konsultohemi bashkërisht si opozitë për sa u përket hapave të tjerë, por nuk ka arsye qoftë logjike, por qoftë edhe juridike që mazhoranca të mos marrë parasysh amendamentet që ne kemi paraqitur për sa u përket akteve nënligjore të funksionimit të KLP-së dhe KLGJ-së…Aktet nënligjore janë akte që i japin zgjidhje dhe vazhdimësisë së punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor…”, -tha Kryemadhi.

Protesta

Paralelisht me këtë proces, opozita po përgatitet për protestën e 27 janarit, synimi kryesor i së cilës është pjesëmarrje sa më masive.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, shprehu bindjen se në protestë shumica e shqiptarëve do të tregojnë se nuk pajtohen me këtë qeverisje. 

“John Lennon, me këngën e tij të famshme “War is over, if you want it”, “Lufta mbaron po të duash ti”. Edi Rama mbaron, po të duash ti! Ky është mesazhi që do t’i japim çdo shqiptari. Po të duash ti, po të duam ne, Edi Rama mbaron! Ky është mesazhi i protestës. Po të ngrihet populli, po të bashkohen qytetarët, Edi Rama mbaron!”, -tha Basha.

Edhe Monika Kryemadhi bëri thirrje për protestën e 27 janarit duke sqaruar se ajo do të jetë po aq paqësore sa ajo e 18 dhjetorit e vitit të kaluar.

“…Protesta e 27 Janarit do të jetë një protestë paqësore ku të gjithë shqiptarët që ndihen të varfër, të pashpresë, që kanë shumë pak mundësi punësimi, që paguajnë më shumë para, që ju rri taksidari i qeverisë te koka, për të gjithë ata biznesmenë që ju rrezikohen bizneset e tyre për të gjithë ata njerëz të cilët nuk shikojnë më asnjë shpresë, por duan të ikin nga sytë këmbët sa më përpara nga Shqipëria, i ftojmë që në datën 27 Janar të protestojnë më prezencën tonë për t’i treguar Edi Ramës që shumica e shqiptarëve janë kundër tij. Edhe pse ai kërkon t’ju blejë varfërinë me paratë e drogës shpirtin nuk jua blen dot…”, – tha ajo. Më tej, Kryemadhi sqaroi: “Dhuna nuk është. Dhuna vjen kush e provokon dhe Policia duhet të jetë shumë e kujdesshme për të mos provokuar qytetarët, sepse nëse prindërit do të shikojnë që fëmijët e tyre dhunohen në mënyrë të padrejtë nga policia, nuk ka prind që ta pranojë dhe ta suportojë. Ndërkohë nga ana tjetër rrugët e Tiranës, dhe jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë janë rrugë për të ecur qytetarët, por janë rrugë edhe për të protestuar, sepse ne pretendojmë që jemi një vend demokratik…”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fasonët si një tregues i informalitetit në Shqipëri

Bizneset zgjedhin të jenë informale për shumë arsye, sepse ka disa barriera...
Read More