Propozimi i vështirë i Thaçit: A mund të jetë tradhtar komandanti i UÇK-së? JO

Rrugëtimi i Hashim Thaçit si njeri i luftës çlirimtare, paqes në marrëveshjet e mëdha, Pavarësisë së Kosovës dhe politikanit që ka marrë përsipër t’i dalë në ballë një marrëveshjeje të mundshme, edhe me kosto, Kosovë-Serbi për “korrigjim” apo shkëmbim territoresh. Amerika dhe BE me qëndrime të njëjta: “Palët të bien dakord për rrugën e përbashkët drejt BE-së”. Çfarë humbet dhe fitohet. Flasin analisti Mustafa Nano dhe pedagogu i UET Kristaq Xharo. Qëndrimet e analistëve Baton Haxhiu, Artur Zheji dhe filozofit Blerim Latifi.

Një djalë i gjatë, thatim, stoik dhe mjaft i ri për vendime të mëdha, por momenti e solli të ishte krah liderëve të mëdhenj botëror në Rambuje, shkurtin e vitit 1999, nën dirigjimin politik të sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright. Aty u përcaktua fati i Kosovës që ende ishte i larë në gjakun që sillnin armët dhe masakrat masive të ushtrisë serbe, por Hashim Thaçi që sapo hoqi për pak ditë uniformën e UÇK-së, kishte një barrë të rëndë. Pas shumë hezitimeve, hodhi firmën në Marrëveshjen e Rambujesë, një vendim që i hapi rrugën ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Thaçi u nis me dilema të mëdha, por u kthye si hero, Kosova u çlirua dhe nëntë vite më vonë, po ky personazh i luftës që kishte firmosur për paqen, ishte në krye të qeverisë kur Kosova shpalli Pavarësinë. Pa mbushur dy dekada si Kosovë e lirë, “djaloshi” i Rambujesë që mbart eksperiencë të gjatë politike, po mban në supe tani damkën si “tradhtar” i interesave të popullit të Kosovës. Deklaratat e tij dhe qëndrimet e qarta për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë nxitën jo vetëm një debat të madh, por edhe dilemat se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Edhe pse nuk ka një opsion zyrtar të servirur, një “dakordësi paraprake” mes Thaçit dhe homologut serb Vuçiç, është kalimi i Luginës së Preshevës nën hartën e Kosovës, ndërsa Veriu i Mitrovicës t’i bashkëngjitet Serbisë. Pyetja e madhe që ngrihet është të jetë një iniciativë e Thaçit dhe Vuçiç në këtë marrëveshje historike edhe me ashtuquajturat tradhti, fitore apo humbje? Që të dyja shtetet kanë treguar se nuk mund të arrijnë në kompromise të mëdha, pa yshtjen e fuqive shumë më të mëdha se kjo “provincë Ballkanike”. Nëse në Serbi politikanët që u artikuluan për “korrigjim kufijsh” janë më të qetë, me përjashtim të ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, (që mund të jetë “instruktuar” për të bërë opozitarin), Kosova i numëron me gishtat e dorës ata të cilët tashmë po mbështesin idenë e Hashim Thaçit për “korrigjim kufijsh”, që në të vërtetë në përfundim me gjasë do shkojë drejt një shkëmbimi territoresh. “Kufijtë janë shënuar me luftë dhe vetëm me luftë mund të lëvizen”-deklaroi kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Dhe nuk është i vetmi që shprehet me këtë gjuhë të ashpër, që vret edhe më shumë se arma, pasi të tjerë drejtues politikë, përfshi edhe individë nga PDK e Thaçit kanë dalë kundër presidentit të tyre. Përtej qëndrimeve pro dhe kundra, realpolitika nën dirigjimin e SHBA-së dhe BE-së, kanë hedhur në tavolinë opsionin për një marrëveshje mes dy palëve që janë në konflikt të hapur përmbi një shekull. A është ora tani për një marrëveshje që do sillte paqe? Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi në një qëndrim me gjuhë të “drunjtë diplomatike”, por nënkuptimi ishte i qartë: “Thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Europian si lehtësues”-tha zëdhënësi i DASH, duke shtuar se politika e administratës Trump është e qëndrueshme në këtë çështje. Edhe pse nga sallone të ndryshme politike, edhe qëndrimi i BE-së është thuajse i njëjtë. “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për synim ka nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm mes të dyja palëve dhe t’ju ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën e tyre drejt Europës”-thanë burime zyrtare. Kosova mund të humbasë Veriun e Mitrovicës, një territor që realisht nuk e kontrolloi kurrë. Politika shekullore serbe mundi të instalojë ndikimin e saj dhe me një popullsi me shumicë serbe kontrollon gjithçka, gati si një krahinë me “autonomi të zgjeruar”, ku autoriteti i shtetit të Kosovës është mjaft i pakët. Nga ana tjetër, në lojën (më jep-të jap), Presidenti Thaçi ka artikuluar përfshirjen e Luginës së Preshevës brenda Kosovës, duke u nisur edhe nga ideja e referendumit në këtë territor. Në Preshevë politika strategjike serbe ka mundur që të punojë me metodat e saj të njohura për të shpopulluar nga shqiptarët këto territore, ndaj në një kohë jo shumë të largët nuk do të jetë aspak e habitshme që të vihen para një fakti të kryer, ku shqiptarët atje të jenë në minorancë. Ndoshta koha është tani për një marrëveshje të dhimbshme me tri opsionet: “fito-fito”, “humb-humb” dhe “fito-humb”, për të dyja palët, që në të ardhmen mund ta shohin veten përkrah në BE. Analisti Mustafa Nano është kritik për sa i përket formës që Thaçi e ka hedhur në diskutim, duke u kamufluar pas shprehjes “korrigjim kufijsh”. Sipas Nanos, Thaçi duhet të ketë nuhatur apo duhet të jetë informuar, që faktorë të ndryshëm me peshë e ndikim ndërkombëtar (diplomatë apo diplomací) mund të jenë duke e parë “korrigjimin e kufijve” si zgjidhjen më të mirë e përfundimtare, ndaj e ka hedhur këtë opsion tani, qoftë edhe për t’i paraprirë vijimit të bisedimeve. Pedagogu i UET, njohës i mirë i politikës rajonale gjykon se Kosova nuk është në një pozicion më të vështirë se pala tjetër. Sipas prof. Xharos, është fakt që Republika e Kosovës është frut i përpjekjeve jo vetëm të faktorit shqiptar, por edhe ndërkombëtar, ndërsa Thaçi ‘guxoi’ të trazojë ujin që nuk lëvizte, në sipërfaqe, duke marrë personalisht një barrë që shumëkush do donte të mos e pranonte.

 

Mustafa Nano, analist politik: “Thaçi me siguri ka në kokë një marrëveshje, por duhet të jetë i qartë…”

Kosova është përfshirë në një debat të madh në lidhje me qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, çka sipas tij do të sillte marrëveshje afatgjatë dhe paqe mes dy vendeve. Si e konsideroni këtë propozim?

E konsideroj të paqartë si propozim. Dhe Presidenti Thaçi, ndonëse ka dalë disa herë për ta bërë më të qartë propozimin e tij, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse është bërë edhe më konfuz. Por është marrë vesh se çfarë është në thelb propozimi i Thaçit. Të gjithë e dimë tanimë. Ai është një propozim mbi ndryshimin e kufijve të sotëm të Kosovës. Thaçi me siguri ka në kokë një marrëveshje, me anë të së cilës t’u jepet serbëve veriu i Kosovës dhe t’u merren viset ku sot banojnë shqiptarë. Ky është një propozim, rreth të cilit mund të diskutohej, por Thaçi, duke mos e hedhur këtë ide, duke e fshehur pas formulave e emërtimeve të tipit “korrigjim kufijsh”, nuk po lejon as diskutimin që të bëhet. Në vend që ta hedhë këtë ide, dhe ta mbrojë në publik (nëse ka këllqe), ai po flet mufka. “Me korrigjimin e kufijve kam në mendje që, në fund të negociatave serbo-kosovare, ne shqiptarët t’u marrim serbëve edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin”, po thotë ai. Mirëpo nuk ka asnjë shqiptar që mund ta besojë se kjo mund të ndodhë. Edhe të dehur, edhe nëpër ëndrrat e tyre më të çartura, shqiptarët nuk mund të arrijnë ta besojnë se do marrkan urtë e butë, falë ndonjë dredhie e escamotage-i të Thaçit, vise të tjera të Serbisë së sotme.

Disa eksponentë të politikës, por edhe analistë po e etiketojnë presidentin Thaçi edhe si “tradhtar”, ndërkohë që mbetet një nga personazhet kryesor të luftës së UÇK-së. A mund të konsiderohet “tradhtar” një person që luftoi për çlirimin e Kosovës, fitoi zgjedhje dhe drejtoi qeverinë, ndërsa tashmë është në krye të shtetit, por ka hedhur në diskutim një çështje të madhe?

Unë shoh dy mundësi në këtë mes. Së pari, Thaçi duhet të ketë nuhatur apo duhet të jetë informuar, që faktorë të ndryshëm me peshë e ndikim ndërkombëtar (diplomatë apo diplomací) mund të jenë duke e parë “korrigjimin e kufijve” si zgjidhjen më të mirë e përfundimtare të çështjes së Kosovës. Duhet të ketë nuhatur gjithashtu që këta faktorë mund të bëhen shumë, me fjalë të tjera mund të krijohet ndonjë klub ndërkombëtar në favor të kësaj teze. Dhe Thaçi thjesht po ngutet të vihet i pari në radhën e miqve kosovarë të këtij klubi. Me këtë rast, rregullon disi biografinë me të huajt.

Ose së dyti, ai mund të ketë realisht në kokë idenë se shkëmbimi i territoreve, apo i popullsive, është edhe në të mirë të Kosovës. Thënë me fjalë të tjera, ai ka në kokë atë që, me shumë guxim e qartësi, e tha Rexhep Qosja në një shkrim të tijin të këtyre ditëve: “Ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njërën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale (si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”. Ah, më ndjeni, ka edhe një mundësi të tretë: Hashim Thaçi ka filluar të drogohet. Mirëpo, për këtë nuk kemi dëgjuar të flitet. Kështu që le ta përjashtojmë.

Si e shihni mundësinë e ndarjes dhe nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës dhe Mitrovica e Veriut Serbisë, do kishte paqe afatgjatë. Sipas jush a janë ndërmjetësuesit e kësaj marrëveshjeje të mundshme SHBA dhe BE? Po rreziku i precedentit për ndryshime kufijsh, a mund të sjellë destabilitet edhe në vendet e tjera ballkanike?

Deri më sot nuk ka asnjë shenjë se qëndrimi ndërkombëtar mbi këtë çështje të ketë ndryshuar. E vërteta është se serbët kanë qenë shumë aktivë me diplomacinë e tyre, më së pari për të promovuar tezën e shkëmbimit të territoreve, apo popullsive. Por deri para pak kohësh, vetë serbët ishin duke jetuar me idenë se mundimi po u shkonte dëm. Vuçiçi ka qenë duke i përgatitur serbët për humbjen e madhe. Edhe dialogu i brendshëm që ai shpiku ishte një truk për të mos e mbajtur i vetëm përgjegjësinë e humbjes. Nuk dihet të ketë ndodhur ndonjë gjë e çuditshme gjatë javëve të fundit. Veç në është marrë ndonjë vendim në Helsinki, në takimin kokë më kokë (në prani të dy përkthyesve, në fakt) mes Trumpit e Putinit. Nuk është e pabesueshme kjo hipotezë, pasi Trumpi s’do ta kishte për gjë të binte dakord mbi një propozim të tillë, por hë për hë mbetet një hamendje, të cilën publikisht nuk e ka mbrojtur askush. Por edhe në qëntë e vërtetë që Trumpi të ketë rënë dakord, të vjen të besosh se do të jetë po Trumpi që do bëjë një hap prapa (kur t’ia shpjegojnë pamundësinë e pasojat e këtij veprimi në Ballkan). Kështu që besoj se shumë shpejt gjërat do kthehen në vendin e tyre. Dhe ky debat do të harrohet. Por Thaçi vetë do të mbahet mend si njeriu që në kulmin e dëshpërimit serb mbi humbjen e Kosovës tentoi që Kosovën ta zgjeronte edhe më shumë!!! Në kurriz të Serbisë, kuptohet!!! Kjo qyfyre gushti nuk do të harrohet.

 

Kristaq Xharo, pedagog në UET: “Një tradhtar zgjedh formë tjetër shfaqje, Thaçi ‘guxoi’ të trazojë ujin që nuk lëvizte”

Kosova është përfshirë në një debat të madh në lidhje me qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, çka sipas tij do të sillte marrëveshje afatgjatë dhe paqe mes dy vendeve. Si e konsideroni këtë propozim?

Deklarimi i presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” ka ndezur debatin jo vetëm në faktorin shqiptar dhe serb, por edhe në faktorin ndërkombëtar. Nuk kemi informacion zyrtar për kontekstin dhe me formulën e plotë të propozimit. Definicioni ‘korrigjim’ nga mjaft analistë është barazuar me terma ‘shkëmbim territori’, ‘ndarje’ apo edhe më tej ‘falje’. I pasuruar ky propozim, edhe me mjaft informacion konspirativ, analiza vështirësohet edhe më shumë. Ajo që njohim është fakti që propozimi po vjen tashmë kur bisedimet e Kosovës me Serbinë, nën drejtimin e BE, kanë hyrë në fazën finale. Ne njohim gjithashtu pozicionin e fuqinë e palëve në bisedime. Kosova nuk është në një pozicion më të vështirë se pala tjetër, për ta menduar se është propozim i imponuar. Është fakt që Republika e Kosovës është frutë i përpjekjeve jo vetëm të faktorit shqiptar, por edhe ndërkombëtar. Ajo u ngrit dhe konsolidua me bekimin e ndërkombëtarëve, perëndimit. Aktualisht në Kosovë ndodhet NATO dhe BE. SHBA janë të pranishme më tepër se në çdo zonë tjetër të Ballkanit. Kjo kupton që si deri tani edhe në të ardhmen Kosova nuk ka dilema të sigurisë dhe mbijetesës. Kur kancelaritë e fuqive të mëdha po angazhohen edhe për tymueset në parlamentin e Kosovës, ato kanë krijuar garancinë që nuk do të qëndrojnë indiferent për marrëveshje midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dhe për më tej, që të garantosh një marrëveshje afatgjatë midis dy vendeve duhet të analizosh faktorin e brendshëm për të cilin do të arrihet marrëveshja. I gjithë propozimi do të mund të marrë jetë vetëm pasi ai të fitojë mbështetjen e gjithë faktorëve të brendshëm politikë e socialë.

Disa eksponentë të politikës, por edhe analistë po e etiketojnë presidentin Thaçi edhe si “tradhtar”, ndërkohë që mbetet një nga personazhet kryesor të luftës së UÇK-së, a mund të konsiderohet “tradhtar” një person që luftoi për çlirimin e Kosovës, fitoi zgjedhje dhe drejtoi qeverinë, ndërsa tashmë është në krye të shtetit, por ka hedhur në diskutim një çështje të madhe ende me te panjohura?

Që nga periudha e krijimit të shtetit shqiptar etiketime termit ‘tradhti’ kanë qenë aq të pranishme, sa edhe në luftëra ballkanike apo botërore, ne, më shumë shfaqemi se kemi luftuar me ‘tradhtaret’ se me pushtuesin. Që të etiketosh një person ‘tradhtar’ duhet të deklarosh luftën, më pas frontet, e më tej: të mirët e të këqijtë. Në debatin që është ‘ndezur’, me gjithë qëndrimet kategorike ndaj propozimit të Thaçit, termi ‘tradhtar’ nuk ndihmon në zgjerimin e argumentit. Thaçi nuk ka nevojë për mbrojtje. Siç e shprehni edhe ju, me të drejtë, në pyetjen tuaj Thaçi nuk është një person që u shfaq ‘papritur dhe nga hiçi’. Pavarësisht nga epiteti që zgjodhi gjatë luftës, për çlirimin e Kosovës, të gjithë e kanë ditur të menduarit dhe vepruarit për Kosovën. Një tradhtar zgjedh formë tjetër shfaqje. Por, çfarë shprehu Thaçi për tu quajtur ‘tradhtar’. Asgjë më shumë, se atë që kanë shprehur të gjithë që në 1913. Janë mbi një qind vite që shqiptarët flasin për padrejtësitë që na janë bërë me territoret dhe për korrigjim kufijsh. Askush më parë nuk u quajt ‘tradhtar’. Thaçi ‘guxoi’ të trazojë ujin që nuk lëvizte, në sipërfaqe. Nuk besoj se e kanë seriozisht përdorimin e termit. Pavarësisht nga propozimi me mjaft të panjohura, etiketime të tilla veç dobësojnë pozitën e faktorit shqiptar dhe energjinë për të gjeneruar zgjidhje, e konsumojnë duke u sherrosur me njëri-tjetrin. Megjithatë kjo nuk e zbeh aspak nevojën për mënyrën e sjelljes dhe të komunikimit të drejtuesve të shtetit me publikun. Sot nuk ka çështje monopol, që i zotërojnë vetëm liderët e mëdhenj, aq më tepër kur flitet për kufij, territor dhe sovranitet. Edhe kjo e dallon demokracinë nga autokracia.

Si e shihni mundësinë e ndarjes dhe nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës dhe Mitrovica e Veriut Serbisë, do kishte paqe afatgjatë. Sipas jush a janë ndërmjetësuesit e kësaj marrëveshjeje të mundshme SHBA dhe BE? Po rreziku i precedentit për ndryshime kufijsh, a mund të sjellë destabilitet edhe në vendet e tjera ballkanike?

Pyetja juaj është e vështirë pasi me siguri ne mund të flasim veç për të shkuarën ndërsa për të tashmen e të ardhmen vetëm mund të bëjmë supozime. Për pjesën e parë të pyetjes që lidhet me bashkimin apo shkëputjen e territoreve, sigurisht që duhet t’iu referohemi praktikave ndërkombëtare. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo më së paku që nga viti 1945 është e vështirë të përmendim ndonjë rast të korrigjimit të kufijve e aq më pak të bashkimit të territoreve apo të shkëmbimit të tyre, përveç rastit minor belgo-holandez. Po, kemi ndryshime kufijsh, kryesisht, për shkak të krijimit të shteteve të rinj. Fillimisht, pas Luftës së dytë Botërore, shtete që lindën pas shembjes së kolonializmit dhe më vonë, shtete që lindën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë: shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, e Çekosllovakisë dhe e Jugosllavisë. Frutë i këtij procesi është edhe vetë shteti i Kosovës. I vetmi rast, ndryshimi kufijsh me proces bashkimi është rasti i Gjermanisë. Por, në çdo rast: dukuria e shpërbërjes apo bashkimit kanë marrë bekimin e fuqive të mëdha e të komunitetit ndërkombëtar. Krimea është precedent që rindau komunitetin ndërkombëtar. Pra, çdo propozim nga Thaçi apo Vuçiç do të realizohen apo të jenë afatgjatë kur të gjejnë dakordësinë e fuqive të mëdha. Balanca e fuqisë dhe dilema e sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë është tërësisht e varur nga faktori ndërkombëtar. Kosova, Serbia, Presheva apo Mitrovica vështirë se do të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre nga bashkimi në rajonin më të varfër të Europës. Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, pothuaj se vuajnë nga të njëjta probleme. Duket paradoksale që ndërsa gjithë Europa heq kufijtë debati bëhet si të çimentojmë apo ‘korrigjojmë’ kufijtë. A nuk do të ishte më qetësues propozimi që si Kosova dhe Serbia të ishin në të njëjtën kohë pjesë e Bashkimit Europian?

 

Analistët Zheji, Haxhiu dhe filozofi Latifi pro ‘opsioneve të hapura’ ndaj propozimit të Thaçit

Analistët Artur Zheji, Baton Haxhiu dhe filozofi Blerim Latifi janë ‘për opsione të hapura’ ndaj propozimit të Thaçit, duke guxuar të shkojnë në dukje jashtë rrymës masive. Baton Haxhiu thekson se ndarjet janë gjithmonë të vështira, veçanërisht ato territoriale, por për të shqiptarët duhet të jenë të vendosur të japin propozime të zbatueshme në praktikë për pajtim me Serbinë dhe të gjejnë realisht zgjidhjen për paqen e së ardhmes. Sipas tij, Kosova mund të bëhet shtet funksional vetëm nëse zgjidhja kërkohet në ridefinim ose delimitim të kufirit me Serbinë, sepse, ndryshe, frika kurrë s’do ndalojë së krijuari probleme në këtë tokë. Edhe filozofi Blerim Latifi, nënvizon që një nga traumat, në mos trauma themelore, e kombit dhe nacionalizmit shqiptar është trauma e kufirit. Prandaj, sipas Latifit, sa herë që në mesin tonë preket çështja kufirit, trauma aktivizohet, nga thellësitë e errëta të asaj që Jungu e quante “e pavetëdijshmja kolektive” dhe më pas frika e mbërthen kombin. Në rastin për Kosovën, Latifi deklaron se këshilla e Burke-s, do të ishte kjo: Duhet të bëjmë politikë duke pasur kujdes me traumat e paraardhësve tanë dhe të njëjtën kohë edhe më shumë kujdes që të ndërtojmë një të ardhme pa trauma kolektive për ata që do të lindin. Analisti Artur Zheji është i mendimit se të akuzosh Thaçin për tentativë tradhtie kombëtare, është një fantazi Mesdhetare dhe një lojë e pastër politike. Ai thotë se Thaçi ka qenë dhe është një njeri që ka mbi supe ngrohtësinë e mbështetjes amerikane, që në kohën e Luftës së Kosovës, dhe pandashmërisht deri më sot. Sipas Zhejit, “Tezat” e Thaçit për korrigjime kufijsh, nuk mund të jenë asnjëherë “vetëm tezat e tij”… “Thaçi, ka patur një partiturë të qartë politike dhe gjeopolitike, që në periudhën e Rambujesë, e cila e ka sjellë Kosovën, këtu ku është sot, të lirë dhe të pavarur”, nënvizon Zheji.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Studimi: Ajri i ndotur, rrezik për ishemi cerebrale

Studimet e fundit kanë treguar se ajri i ndotur është një rrezik...
Read More