PROTAGONIST/ Beteja e pafituar e Sandër Lleshit

Portalet pëlqejnë që të luajnë jo vetëm me titujt. Sa herë flitet për një lëvizje në politikë, duan të mësojnë se kush fshihet pas saj nga fuqitë e mëdha. Ditën që u lajmërua se Fatmir Xhafaj ka dhënë dorëheqjen dhe vendin e tij mund ta zërë Sandër Lleshi, pati nga ata që nxituan për të mësuar më shumë për biografinë e këshilltarit të kryeministrit Edi Rama për çështjet e sigurisë.

Dhe ja ku u gjet: ai është një njohës i mirë i gjermanishtes dhe ka një shkollim ushtarak me ndikim nga ky vend. Me fjalë të tjera, ai duhet të jetë një rekomandim i gjermanëve për të zënë postin e rëndësishëm të ministrit të Brendshëm. “Ish-atasheu ushtarak i Shqipërisë në Gjermani, Sandër Lleshaj, përveç pastërtisë së emrit, ka edhe një tjetër përparësi kundrejt ministrit të deritanishëm: njohjen e gjermanishtes dhe të Gjermanisë”, thuhej në një raportim të Deutsche Welle-s. Për Top Channel, ky është një aprovim gjerman për ministrin e ri.

Por vetë Thorsten Frei, njeriu që raporton për Shqipërinë në emër të CDU/CSU në parlamentin gjerman, nuk ka ndonjë koment për figurën e Lleshit, por vlerëson disi largimin e Fatmir Xhafajt, duke thënë se është një hap i vogël pozitiv. “Është e vështirë të gjykosh së largu se cilat kanë qenë shkaqet e dorëheqjes së tij. Dhe nuk më takon mua, sidomos kur në Shqipëri, diskutimet për këtë çështje nuk kanë të sosur. Sidoqoftë, unë e kam theksuar gjithnjë, se thashethemet dhe supozimet e lidhura me zotin Xhafaj edhe për ca kohë do të ishin të papranueshme politikisht në Gjermani. Unë mendoj se dorëheqja është një tregues tjetër në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkatësisht shkëputjes nga politika”.

E meqë jemi sërish te spekulimet, pati nga ato media që shkruanin se propozimi i Sandër Lleshit ka shumë gjasa që të qetësojë opozitën. E prapë, kjo e fundit nuk i kurseu sulmet ndaj tij. Në krye të tyre u vendos ish-presidenti Bujar Nishani dhe jo më pak edhe një tjetër ish- ish-kryeministri Sali Berisha. Nishani tha se ka liruar nga detyra Sandër Lleshin sipas ligjit dhe se ky i fundit iu drejtua gjykatës, e cila u mor sipas tij me dekretin e Presidentit në atë kohë. “Ministrat sot trajnohen si zëdhënës shtypi. Nuk ka rëndësi kush vihet ministër. Personi konkret është një ekstremist politik. Nuk është më gjeneral. Kur ka patur uniformë u angazhua në aktivitet politik të njëanshëm. Nuk ka fare rëndësi kush bëhet ministër, pasi ministrat rezultojnë të lidhur me krimin. Të dy ish ministrat kanë përfituar nga aktivitetet kriminale. Tashmë nuk ka asnjë vlerë sepse ka humbur çdo sens i besimit dhe i shpresës. Sa më parë qytetarët presin që t’i hapet rrugë shpresës. Lleshi ka fyer kushtetutën duke qenë me uniformë. Në FA, ushtarakët shërbejnë brenda një termi të caktuar. Nëse nuk merr gradën e caktuar ti del në rezervë. Lleshi e mbylli fazën përkatëse dhe doli në rezervë sipas ligjit. Gjykata u mor me dekretin e presidentit”, tha Nishani.

Jo më pak se kjo, debati që ndezi rrjetin ishte nëse Rama duhet vlerësuar që propozoi një katolik për postin e ministrit të Brendshëm. Koha Jonë shkruante se Sandër Lleshi është një katolik europian dhe vizionar.

Edhe analisti i gazetës Panorama, Agron Gjekmarkaj kishte vlerësimet e tij. “Nëse nuk janë çmendur të gjitha parimet që e bëjnë funksionuese një shoqëri, një person si gjenerali në krye të Ministrisë së Brendshme të ngjall optimizëm të kujdesshëm, i cili nuk duhet parë thjesht si katolik, megjithëse të jesh katolik nuk është faj siç nuk është jesh mysliman, ortodoks, bektashi, protestant, ateist, agnostik sepse kjo është reduktive dhe mohuese, tejet. Por nëse e shihni edhe si katolik ani s’ka të keqe, thjesht ka marrë një vend që shteti shqiptar ua kishte borxh prej dekadash atyre. Duke i dhënë gjeneralit atë që i takon, për të cilin Presidenti Meta po bën sikur mendohet, shohim të lidhet fija e këputur në PD e përfaqësimit elitar të katolikëve në politikë, e mbi të gjitha, një revolucion imazhi paçka se nga halli në historinë terroriste të PPSH-së shndërruar në PS, me urimin që nuk sillen ndaj tij si ndaj Gjin Markut e Tuk Jakovës”, shkruante ai.

“Kjo nuk do të thotë se ai do të jetë totalisht autonomi dhe i pavarur nga qeveria ku pjesë. Një gjë e tillë është e paimagjinueshme. Por, minimalisht tashmë kemi të bëjmë me një profil ministri që mund të konsiderohet normal. Dhe, politika shqiptare ka vuajtur shpesh nga mungesa e normalitetit”, shkruante drejtori i gazetës MAPO, Ervis Iljazaj në një editorial.

E megjithatë, sfida e parë nuk e vuri përballë krimit të organizuar, por përballë presidentit Ilir Meta. Ky i fundit hezitoi të firmoste emrin e tij, fillimisht duke shpërndarë nën zë një lajm se ngërçi nuk ishte shumë i madh. Por të premten në mbrëmje deklaroi në një intervistë televizive. “Do gjej kohën e duhur, për të marrë vendimin e duhur. Nuk mund të hedh firmë për dekrete formale e aq më tepër për një detyrë të tillë që në momentin aktual, kërkon përgjegjshmëri. Di të marr vendimet e mua, pa u ndikuar nga askush, as nga orët dhe sekondat”, tha Meta ‘kërcënueshëm’. Vendi po futet në një lëmsh shpjegimesh kushtetuese në një vend pa Gjykatë Kushtetuese. Dhe Lleshi po del i humbur. Pa nisur mirë betejën e tij.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përvoja 12-vjeçare e UET përmes katër rektorëve

Në 12 vjet UET arriti të prodhojë katër rektorë duke filluar nga...
Read More