Kryesore

PROTAGONIST/ Emërimi i parë dhe i fundit i Nevila Nikës






               Publikuar në : 10:04 - 20/10/18 |
mapo.al

Kur Nevila Nika mbaroi gjimnazin Ismail Qemali në Tiranë, rregullat ndryshonin. Atëherë nxënësit kishin të drejtë të kërkonin tre degë studimi, tri fakultete. Natyrisht në atë kohë kriter ishte mesatarja e notave, biografia familjare. Historia, ishte dega që ajo kishte kërkuar, pasi i pëlqente gjithçka që kishte të bënte me këtë fushë. Për të fituar të drejtën e studimit atëherë duhet të kaloje në shumë filtra dhe në vitin që ajo përfundoi gjimnazin, për Tiranën, kjo e drejtë studimi i takonte vetëm një nxënësi për lagje. Do të thotë që duke patur 11 lagje, vetëm 11 nxënës mund të ishin nga Tirana për degën e historisë dhe Nevila Nika fitoi të drejtën e studimit në lagjen e saj.


Ajo tregon se dashuria për historinë ka qenë e hershme. Fillimisht pasi kishte fatin që lëndën e Historisë në gjimnaz ta zhvillonte me një mësuese shumë të përkushtuar, Znj. Elima Libohova Selfo, e cila ishte ndoshta ngacmimi i parë që e shtyu Nevilën të ‘dashurohej’ me Historinë. Së dyti, ajo vinte nga dy familje që kanë qenë pjesë e historisë, nga babai dhe nga nëna. Ndoshta dhe ky fakt, të jetuarit në një mjedis historik ka ndikuar në krijimin e pasionit të saj, pasi mësimi i historisë fillon në shtëpi jo në shkollë.

Në këtë mënyrë Nevila Nika nisi rrugëtimin e saj. Fakulteti për të ishte një mjedis shumë i dashur.

Në fakultetin e asokohe rregulli ka qenë që katër vjet t’i ndiqje mësimet dhe në fund kishe një vit stazh. Në mbarim të katër vjetëve gjithmonë të jepej një zarf në dorë në sekretarinë e fakultetit ku kishe marrë emërimin. Çfarë shkruhej përbënte gjithnjë një surprizë… Dikujt mund t’i përcaktohej një vend shumë larg, dikë mund ta ‘përkëdhelte’ fati të qëndronte në qytetin e tij/saj.

Emërimi i Nevila Nikës, ishte në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, i cili ishte emërimi i parë dhe i fundit, pasi aty punoi për shumë vite, ku vazhdon edhe sot për studimet apo kërkimet e saj.

Fillimi i punës ka qenë në shtator të ’76 ku ajo u paraqit në Drejtorinë e Arkivave, i cili ishte disi ‘dramatik’ për të mos thënë tragjik. Nika nuk e kishte vizituar asnjëherë më parë këtë institucion gjatë katër viteve të studimeve, pasi arkivi ishte afër burgut dhe me atë pjesë të qytetit nuk e lidhte gjë. Ditën e parë kur u paraqit në punë thotë se u hap dera e madhe e hekurit dhe një ushtar me kapotë, me automatik dhe një qen përdore, e pritën te dera, sepse ishte një mjedis i ruajtur bashkë me burgun. Për Rektoren e UET, ky institucion ishte gati i frikshëm, i panjohur, ku mund të thuhet, se fillimet nuk ishin aspak të këndshme. Puna e saj e parë ishte të ngjiste etiketa me zamkë në regjistrat e vjetër të periudhës osmane. Në fillim thotë se i vinte për të qarë që ngjiste gjithë ditën dhe s’bënte ndonjë punë më të fisme, duke menduar se përgatitja e saj ishte për shumë më tepër. Sidoqoftë pranoi të bënte gjithfarë punësh, që nga hamalli, te përgatitja e katalogëve, skedave, ku tashmë pranon se e kanë bërë më të fortë. Ka mësuar më tepër. Dijet e pakta me të cilat hyri në këtë institucion u zgjeruan shumëfish në vendin e saj të punës, për shkak të praktikës dhe prezencës së personazheve të njohura në këtë fushë ekspertize, të cilët i mësuan shumë në lidhje me profesionin.

BIO

Prof. dr. Nevila Nika është rektorja e re e Universitetit Europian të Tiranës. Nika është pjesë e stafit akademik të UET që prej vitit 2015. Ajo njihet për një karrierë të gjatë akademike. Studimet e saj ajo i filloi në Universitetin i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Histori. Gjatë jetës së saj të lartë akademike ka mbajtur edhe disa pozicione shumë të rëndësishme. Ajo ka qenë drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror, drejtore e Përgjithshme e DPA, gjithashtu titullare dhe hartuese e programit të masterit në Arkivistikë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në UT.


Etiketa: , , ,

Pas