PROTAGONIST/ Luigi Soreca, në kohën e duhur, në vendin e duhur

Në maj të këtij viti u bë e ditur se në vend të Romana Vlahutin, ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, do të vinte sërish një italian. Për shkak të Reformës në Drejtësi dhe qëndrimeve të saj, Vlahutin ia kishte dalë që të ishte në qendër të vëmendjes. Opozita nuk e kishte me sy të mirë, pasi mendonte se ajo nuk ishte treguar shumë e ashpër sa i përket çështjes së trafikut të drogës dhe mbjelljes së kanabisit.

Ndaj kur emri i italianit Luigi Soreca doli si zëvendësues i Vlahutin, mediat e djathta u emocionuan. Sipas tyre, tashmë në Tiranë do të vinte një njeri që ishte marrë me çështjet e krimit dhe të sigurisë në Komisionin Europian. Europa po dërgonte një sinjal se droga mbetet shqetësimi kryesor për ta.

Luigi Soreca në cilësinë e kreut të Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin pranë Komisionit Europian, ka punuar ngushtë me qeverinë “Berisha” e konkretisht me Lulzim Bashën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm për çështjen e liberalizimit të vizave.

Më tej, bashkëpunimi i tij me këtë ministri ka vijuar në implementimin e një sërë marrëveshjesh në procesin e monitorimit të situatës pas liberalizimit të vizave për vendet e rajonit, u tha në atë muaj.

Por mbërritja e tij në Tiranë përkoi me një valë aksionesh të rëndësishme të policisë. Mesazhet e para të tij ishin inkurajime për punën që po bëhej. Ishte koha kur policia kishte goditur grupin e Bajrëve në Shkodër dhe Soreca u shpreh entuziast për këtë aksion. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është një prioritet kryesor për Shqipërinë dhe BE-në”, shkruante ai, duke postuar një mesazh të ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Më vonë në një takim me të, shkruante se “arritja e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar është prioritet”. “Një takim i rëndësishëm me ministrin Xhafaj, ku diskutuam aksionet që vijojnë dhe iniciativat e planifikuara”.

Por siç ndodh zakonisht në Shqipëri, ujërat trazohen shpejt dhe Xhafaj u largua nga detyra, në një zhvillim pa shumë sqarime zyrtare nga qeveria. Një tjetër zhvillim pa sqarime pasoi, ai i bllokimit të dekretimit të Sandër Lleshit si pasues i Xhafës. Edhe këtë herë BE foli njësoj si amerikanët, duke kërkuar një ministri funksionale.

Për Shqipërinë kriteret duken të qarta, ku rëndësia e Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po shihen me “lupë” nga Brukseli. Është një çështje shumë thelbësore dhe ne si Bashkim Europian kemi parë në javët e fundit një përpjekje të rëndësishme, të bërë nga autoritetet shqiptare, nga Policia e Shtetit shqiptar, kam dhënë dhe një deklaratë për këtë, dhe duhet të vazhdojë kjo rrugë, duhet që ne të kemi një Ministri të Brendshme funksionale e cila është e aftë të vazhdojë me forcën e ligjit kundër krimit të organizuar, deklaroi ambasadori i BE-së Luigi Soreca i ftuar në Universitetin Europian të Tiranës.

Është detyrë e të gjithëve ne së bashku. Janë çështje që duhet të çohen përpara nga autoritetet e vendit, ka sensitivitete të ndryshme brenda BE-së, ka persona të ndryshëm që duhet të vijnë në një përfaqësim mendimi, dhe shpresoj që autoritetet shqiptare të fokusohen në këto reforma -tha Soreca.

Kjo gjuhë e BE-së nuk duket se u pëlqen shumë komentuesve opozitarë, të cilët po ashtu nuk e pëlqejnë faktin që kryeministri është më i zoti për të bërë batuta e miqësi të reja.

Kemi një kontradiktë të pashmangshme që do të mbetet deri në fund se ambasadori është me Napolin, unë dihet se me kë jam, me Juventusin. Sa herë e shoh me vjen keq se është gjithmonë i dyti, por sidoqoftë po e mbajtët vendin e dytë në raport me ne jemi mirë të dy palët. Të paktën në këtë rast. Merreni si të doni ju këtë tani, tha Rama gjatë një takimi me diplomatin.

Soreca megjithatë e di se puna në Shqipëri është më shumë se lojë. Situata është delikate dhe ai duhet të punojë në kushtet kur opozita ka braktisur Kuvendin dhe kur ‘partneri’ i tij, ambasadori amerikan nuk ka mbërritur në Tiranë.

Po kush është Soreca?

Luigi Soreca iu bashkua Komisionit Evropian në vitin 2001. Avokat nga formimi, ai e filloi karrierën e tij në sektorin bankar në Itali dhe pastaj iu bashkua Ministrisë së Brendshme Italiane në vitin 1992. Gjatë këtyre viteve, ai pati privilegjin të vendoste kontakte të vlefshme me kabinetet e ministrave të Brendshëm të disa Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe të zhvillonte kontakte personale me përfaqësues të departamenteve të Punëve të Brendshme të vendeve të treta. Ai gjithashtu ka negociuar marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe me vendet e treta për çështjet e krimit të organizuar në emër të Qeverisë Italiane.

Para këtij emërimi, zoti Soreca ka qenë Drejtor për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme të Komisionit Evropian, ku ka mbikëqyrur përcaktimin e politikave të BE-së në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizimit, krimit të organizuar, trafikimit të drogës, korrupsionit dhe krimit kibernetik. Drejtoria e tij ka koordinuar gjithashtu mbështetjen e BE-së për bashkëpunimin në zbatimin e ligjit në nivel europian dhe ndërkombëtar, si dhe ka mbikëqyrur punën e tri agjencive: EUROPOL, CEPOL (trajnimi policor) dhe EMÇDA (Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogat dhe Varësinë nga Droga). Ai ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të këtyre tri agjencive.

Luigi Soreca ka pasur privilegjin të koordinojë, në Komisionin Juncker, përpjekjet e shërbimeve për përgatitjen, miratimin dhe zbatimin e Agjendës Europiane të Sigurisë në prill 2015. Gjatë ngjarjeve terroriste në periudhën 2015-2017 në BE, nga ky pozicion ai ka koordinuar politikën reaguese të BE-së ndaj sulmeve në drejtim të nismave të reja legjislative dhe të politikave, duke përfshirë përgatitjen dhe miratimin e Direktivave mbi Terrorizmin, Armët e Zjarrit dhe Pastrimin e Parave, Planin e Veprimit mbi Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët, si dhe krijimin e Qendrës së BE-së kundër Terrorizmit në EUROPOL.

Luigi Soreca ka mbikëqyrur punën e Rrjetit për Ndërgjegjësimin mbi Radikalizimin (RAN) dhe ka qenë Kryetar i Forumit të BE-së për Internetin, i përbërë nga kompanitë kryesore të mediave sociale dhe autoritetet e Shteteve Anëtare të BE-së të përfshira në luftën kundër propagandës së terrorizmit në rrjet. Në fushën e trafikimit të drogave, ai ka qenë gjithashtu përgjegjës për miratimin e Direktivës për Drogat e Reja Psikotike (NPS), Planin e Veprimit të BE-së për trafikimin e drogave për periudhën 2017-2020, si dhe finalizimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Shqipërinë lidhur me pjesëmarrjen e saj në Programin e Drejtësisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rruga e lirisë së Nikola Gruevskit kaloi nga Shqipëria

Konfirmohet zyrtarisht që ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i shpallur në kërkim...
Read More