PROTAGONIST/ Protestuesi anonim: Shumë i zemëruar dhe akoma i paqartë

Howard Moskowitz është një njeri që i di disa gjëra. Edhe pse punon në fushën e studimit të tregjeve, e di se është e vështirë të kuptosh se çfarë duan njerëzit. Edhe pse mund të bëhen sondazhe, studime e anketa, sërish është e vështirë që të kuptosh se çfarë duan në të vërtetë. Fjala bie, përse është kaq e vështirë që njerëzit të shpjegojnë thjesht se si i duan makaronat spageti?

Kur mijëra studentë vërshuan nëpër rrugët e Tiranës për të protestuar për një Vendim të Këshillit të Ministrave, të dalë këtu e disa muaj më parë, pati nga ata që u habitën. Kjo për shkak se askush nuk e kishte parë teksa po vinte. Vërtet kishte patur disa lëvizje dhe protesta, por zor se do ishte menduar se do vinim në këtë pikë.

E megjithatë, ajo që bie në sy është se edhe studentët vetë nuk e dinë se çfarë duan. Ata e kuptojnë se arsimi falas sërish nuk do e zgjidhë problemin e tyre. Tek e fundit, a nuk do dalin sërish këto para nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë?

Ajo që i tremb më shumë është e ardhmja, tek e cila ndiejnë se nuk kanë shumë shpresë. Historia e tyre nuk ndryshon shumë nga ajo e të rinjve në vendet e tjera europiane, ku papunësia është më e madhe dhe shanset për një karrierë të mirë nuk janë të mëdha si dikur. Sir Ken Robinson, një njohës shumë i mirë i arsimit, thotë se në kohën e tij, kush mbaronte shkollën e lartë, kishte të sigurt punësimin e profesionin deri në vdekje, por tashmë gjërat janë ndryshe.

Protesta të mëdha të këtij lloji ka njohur edhe bota, madje njihen edhe si lëvizjet e të majtës, por si ‘Pushtimi i Uoll Stritit’ e të tjera protesta nuk është se kanë dhënë shumë fryte. Kjo pasi sido që të shkojnë gjërat, duhet një përfaqësim politik që të udhëheqë revoltën.

“Suksesi i populizmit vjen pikërisht nga kriza e përfaqësimit politik. Gjithmonë e më shumë, elita politike që deri më tani bazohej te një regjim demokratik përfaqësues, është larguar nga problematikat e qytetarëve duke krijuar një lloj kaste, e cila harroi misionin e saj të përfaqësimit. Si reagim i krizës së përfaqësimit politik, tanimë qytetarëve po u ofrohet një alternativë e kundërt me atë të demokracisë përfaqësuese, e cila kërkon të na propozojë se populli mund të bëjë politikë, ose atë që quhet demokracia direkte. Me fjalë të tjera, populli merr në dorë fatet e tyre.

Mirëpo, pikërisht ky është rreziku i populizmit. Sepse, ata që drejtojnë këto lëvizje, janë duke krijuar iluzionin se demokracia direkte mund të funksionojë. Mirëpo, ky është një iluzion i rrezikshëm dhe utopi, që çdokush që ka një minimum njohurie historike dhe politike, e kupton fare mirë që kjo rrugë të çon drejt totalitarizmit”, shkruan drejtori i gazetës Mapo, Ervis Iljazaj në një editorial.

“Sepse, populistët, mendojnë që populli është një trup organik i vetëm dhe i ngjashëm, dhe që nëpërmjet demokracisë direkte, mund të marrë vendime për të gjithë. Ndërkohë që, shoqëria e hapur dhe demokratike përbëhet nga kultura të ndryshme, ide të ndryshme, dhe interesa të ndryshëm. Kështu që, deri më tani, këta interesa janë munduar të realizohen nëpërmjet demokracisë përfaqësuese”.

Por si lindi protesta?

Si shkëndijë shërbeu njoftimi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ku u kërkohej studentëve shlyerja e tarifës vjetore të shkollimit brenda datës 15 dhjetor, si dhe viheshin në dijeni për tarifën e re për kredit në rast se përsërisnin provimet, sipas VKM-së së re.

Në kohë rekord ka xhiruar njoftimi për t’u ngritur në revoltë kundër kësaj “gjobe”, duke mbledhur më shumë se 1200 nënshkrime në peticionin dorëzuar dekanit të fakultetit.

Përsëri, edhe më optimistët e protestave nuk do e kishin parashikuar diçka të tillë. As qeveria, që thuhet se është e mirë sa i përket sondazheve dhe anketimeve, nuk e dinte se do vinte diçka që vetëm sa rritej, me efektin e topit të borës.

Pastaj në rrjet nisën spekulimet. Disa thonë se edhe protesta është nxitur nga dikush që kërkon të përdorë situatën e brendshme tek e majta për luftën që po ndizet në prag të zgjedhjeve vendore për Tiranën.

Të tjerë janë të ndërgjegjshëm se kurdo që të ketë protesta, është prekur ‘xhepi’ i protestuesve. Nëse të preket xhepi direkt, shqiptarët protestojnë, siç bënë në rastin e Kukësit.

Disa thonë se tek e fundit, zemërimi për mënyrën se si po qeveriset dhe si është qeverisur Shqipëria, do të shpërthente dikur. Edhe pse studentët po flasin për tarifa e VKM dhe nuk janë shumë të qartë, mund të lexosh se ata kanë një zemërim për mënyrën se si kanë shkuar gjërat në Shqipëri.

Por si do shkojë fati i kësaj proteste? Vështirë të parashikohet me saktësi, ashtu siç nuk e pa askush ardhjen e saj. Ndoshta na duhet një ekspert si Moskowitz.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çfarë ndryshimi sjell në BE anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor?

Nga Valentina Romei, Financial Times Rajoni është shumë më i varfër se...
Read More