Protesta e 18 shkurtit: Po më pas?!

Bujar KapexhiuLulzim Basha flet për një “vendim të madh” që merret sot në shesh. Opozita do të kushtëzojë zgjedhjet me largimin e qeverisë, por skenarët për këtë do të zbulohen më qartë pas të shtunës

Nga Vladimir Karaj

Dy net më parë para “Marquee Tirana” në hyrje të kryeministrisë u mbulua me një tendë. Qeveria tha se ajo ishte për shkak të pastrimit të fasadës, por shumë dyshojnë se kryeministri po synon të mbrojë nga gurët instalacionin e Philippe Parrenos gjatë protestës së opozitës ditën e sotme. Instalacioni dhe Bunk’ Art 2 ishin nën shënjestër gjatë protestës së opozitës së para dy vjetëve, pasi opozita i sheh ato si simbolika të qeverisjes së kryeministrit dhe po ashtu edhe si objekte që sipas saj personifikojnë korrupsionin e qeverisë apo lidhjen e saj me diktaturën komuniste. “Sot zotëria foli për bunkerin. S’po bën asnjë tjetër përveçse po përpiqet që të përvetësojë barbaritë e etërve të tij. Ky është djali që mbron krimet e babait të tij”, -tha gjatë një fjale të mbajtur në kuvend vitin e kaluar ish-Kryeministri Sali Berisha.

Nga ana tjetër meraku i qeverisë për instalacionin, duket sikur është edhe paralelja politike për merakun e përgjithshëm rreth asaj që ndodh sot apo asaj që vjen të nesërmen e protestës. Kreu i PD-së Lulzim Basha foli dje për protestë paqësore, ku njerëzit ftoheshin bashkë me familjet dhe fëmijët, por ndërsa forma është e qartë ai la në enigmë kohëzgjatjen e saj dhe vijimin e aksionit politik. Basha u tregua i ashpër me lajmet prej burimesh anonime se protesta mund të kishte provokime, ndërsa apeloi policinë të mos ndikohej nga politika. Dhe ndërsa në këtë pikë kreu i PD-së është i qartë, përmbajtja politike e protestës dhe deri ku mund të shkojë ajo mbetet ende një mister për tu zgjidhur. “Jam i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund së keqes, për të marrë së bashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do ta marrim së bashku aty, të gjithë së bashku, të gjithë qytetarët”, -tha Basha, pasi më herët pati akuzuar qeverinë për tamtame që kërkonin të delegjitimonin protestën. “Vendimi i madh”, duket se është togfjalëshi i zgjedhur nga opozita për të mbajtur ndezur suspancën. Praktikisht askush nuk mund të thotë nëse ky do jetë një vendim për të mos e braktisur protestën apo shpallja e një qëndrimi politik të fortë që do ta bënte qeverinë të detyrohej të negocionte.

Kushtet dhe qëndresa

Drejtues të PD e kanë bërë të qartë një listë kërkesash që fillojnë me: kërkesën për qeveri teknike, dekriminalizimin, luftën kundër kanabisit, zgjedhjet e lira dhe mbyllen me kërkesa teknike për votim e numërim elektronik. Por është e qartë, përpos nëse ndodh diçka madhore, që qeveria nuk do të pranojë asnjë prej këtyre kërkesave. Ato teknike janë refuzuar deri tani si të parealizueshme, më mbështetje këtu edhe të OSBE, pjesa tjetër duket larg për t’u arritur me një protestë. Kjo me gjasë pse PD ka bërë të qartë se protesta do jetë vetëm fillimi. “Ky është vetëm fillimi, dhe do të vijojë në të gjitha format: betejë politike, protesta, betejë ligjore, dhe qëllimi është t’i japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin lirisht. Kjo qeveri duhet rrëzuar se nuk ka zgjedhje të lira. Duhet të shpëtojmë zgjedhjet e shqiptarëve. Rrëzimi i qeverisë ka ndodhur nëse flasim nga pikëpamja përmbajtësore”, -tha Grida Duma dje në News 24.

Edhe Armand Shkullaku në një shkrim që mbështeste protestën e PD si rezistencë ndaj qeverisë e sheh atë si fillim i një rruge pa kthim pas. “Dhe për këtë, të gjithë duan një provë. Protesta e 18 shkurtit duhet të jetë akti i parë një aksioni të gjatë që s’mund të ketë kthim mbrapa”, shkroi ai për MAPO këtë javë.

Por Mustafa Nano i tha MAPO se të paktën një nga kërkesat e opozitës ishte absurde. “Kushti që zgjedhjet të bëhen me një qeveri tjetër është një pretendim absurd. Ne shkuam në zgjedhjet e vitit 2013 duke patur kryeministër atë që urdhëroi, në mos mori në mbrojtje, vrasësit e njerëzve në bulevard. Pse? Sepse ai ishte një kryeministër legjitim. Edhe ky kryeministër është njësoj legjitim. Si tillë ai duhet larguar ashtu si erdhi: me vota. Kjo është demokracia, për të cilën sapo folëm”, -tha Nano. Ky i fundit tha se besonte ndërkohë se PD kishte të drejtë për disa prej pretendimeve të saj dhe vuri në dukje se ato ishin të mjaftueshme për të rrëzuar një qeveri në zgjedhje, por e përshkoi protestën si “mënyrën më të mirë që PD kishte për të matur forcat”.

Nga shumica, përpos mbulimit të instalacionit në hyrje të kryeministrisë, reagimet kanë qenë të pakta. Kryebashkiaku i Tiranës ironizoi PD, në një deklaratë provokuese. “I kam dhënë leje Partisë Demokratike të bëjë protestën, por vetëm një gjë i them: “Mos na bëni pis Tiranën”, protestoni si njerëz të qytetëruar, pa akte vandalizmi. Mos këpusni asnjë lule, mos shqyeni asnjë gur, dhe asgjë të kësaj natyre të shëmtuar. Është kapitull i mbyllur ai kur vijnë njerëzit me autobusë nga rrethet dhe shkatërrojnë Tiranën”, -tha Veliaj. Të tjerë deputetë të PS i kujtuan opozitës “21 Janarin” dhe personat që u vranë në protestën e saj kur PD qeveriste. Kryeparlamentari Ilir Meta pa bërë të qartë nëse i referohej apo jo protestës së opozitës apo ngjarjeve të tjera politike tha se kishte përpjekje për tensione artificiale. “Përgatitjet për zgjedhje nuk duhet të na shpërqendrojnë për të mos humbur vëmendjen nga reformat, siç është avancimi për Reformën në Drejtësi. Nuk mungojnë përpjekjet për të tensionuar artificialisht fushatën paraelektorale”, u shpreh Meta.

Nga ana e saj opozita duket se është e kthjellët në kërkesa edhe pse nuk dihet se çfarë do mund të arrijë prej protestës. Basha dhe partitë aleate që po ashtu janë ftuar të marrin pjesë në protestë, kanë parashtruar në një fushatë mediatike se vendimet politike kanë për të qenë të forta. PD ndërsa thotë se nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, është po aq e bindur se nuk do të shkojë në zgjedhje me këtë qeveri. I ftuar në “Top Story”, edhe pse nuk bëri të ditur se si do të arrihej plotësimi i listës jo të vogël të kërkesave, Aldo Bumçi tha se nuk kërkohej ndërprerje e mandatit të qeverisë, por “Ne kërkojmë që zgjedhjet të bëhen me qeveri teknike sepse fati i mandatit tjetër qeverisës nuk vendoset dot mbi plantacionet e drogës”. Megjithatë PD ka refuzuar të flasë nëse ka ndonjë përpjekje për të krijuar numra që do votonin një mocion mosbesimi të kryeministrit. Po ashtu PD nuk ka dhënë detaje se si ajo planifikon të realizojë teknikisht zgjedhje me proces elektronik, edhe pse këtë opsion e pati rrëzuar në 2013, kur edhe u dështua të aplikohej një provë gjenerale në dy qarqe. E ndërsa për kërkesën e parë duhet të lexohet se çfarë luhet në prapaskenën e politikës dhe përplasjes së vazhdueshme mes PS dhe LSI, e dyta duket më shumë si një rritje pazari për të marrë lëshime të tjera.

Mustafa Nano i tha MAPO se ndërsa kishte të drejtë për një sërë problemesh, opozita dukej disfatiste në kërkesat e saj. Sipas tij, demokracia në Shqipëri nuk është përkeqësuar dhe megjithëse kultivimi masiv i kanabisit ishte një problem, ndikimi i tij në zgjedhje nuk mund të ishte aq i madh sa e pikturon opozita. Freedom House që vlerëson demokracinë dhe liritë në botë, duket se bie dakord me këtë konstatim edhe pse statusi i Shqipërisë, i përmirësuar me pak pikë, duket më shumë një stanjacion.

Por ndërkohë për PD situata është më e rënda. Këmbëngulja e saj në një qeveri teknike, një ide që u artikulua muaj më parë gjatë procesit të votimit të Reformës në Drejtësi, duket se do vijojë deri sa vendi të shkojë në zgjedhje.

Basha tha dje se kishte mbështetje të gjerë për të fituar atë që e quajti “kauzën e zgjedhjeve të lira”. “Shqiptarët”, -tha Basha, “bashkohen dhe nuk thyhen deri sa të realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një pushtet të qytetarëve dhe jo një pushtet të pushtetarëve të korruptuar e të lidhur me krimin”. Më vonë PD po ashtu publikoi një mesazh mbështetës nga një kongresmen i SHBA. Madje opozita ndërkohë, siç thotë Grida Duma, do të surprizojë me numrat. “Do të surprizoheni nesër. Protesta është akt i vërtetë qytetarie. Është akt inspirimi edhe për minimalen e problemeve”, -tha ajo.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lazër Filipi: Si mund të lexohet Teatri në diktaturë

Në mjediset e Teatrit Kombëtar, dje janë mbajtur homazhe në nder të...
Read More