Protesta e biznesit, fillim për kapitalizmin modern

Nga Ervis Iljazaj

Dje, Shoqata e Bashkimit të Biznesit Shqiptar, ka protestuar kundër informalitetit. Ndoshta kjo është hera e parë që biznesi shqiptar proteston publikisht për një çështje të caktuar. Sigurisht që biznesi ka gjithmonë hapësirën mediatike për të shprehur problematikat e këtij sektori, por në formë publike dhe të organizuar, ashtu siç e konceptojmë protestën sot, nuk ka ndodhur më parë.

Shqipëria është mësuar shpesh me protesta të klasës së mesme apo të klasës më të margjinalizuar të shoqërisë, por asnjëherë më këtë lloj proteste. Çdo grup shoqëror apo interesi qoftë, ka të gjithë të drejtën për të shprehur nëpërmjet protestave shqetësimet e tyre. Protesta është një e drejtë themelore dhe askush nuk mund ta shtypë atë. Në një shoqëri demokratike dhe të lirë, e rëndësishme është që klasat mos të konfliktohen me njëra-tjetrën, por me qeverinë sa herë që kanë pretendime dhe pakënaqësi ndaj saj.

Përtej çështjes specifike apo tematikës për të cilën biznesi kishte dalë dje në protestë, kjo është një shenjë e mirë dhe një fillim për të instaluar kapitalizmin në Shqipëri si shenjë e lirisë ekonomike, e drejtë themelore kushtetuese.

Në këtë kuptim, biznesi ka të drejtën dhe moralin për të protestuar për çfarëdo problematike që e shqetëson atë. Kjo ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara ekonomikisht, ku kapitali shihet si zgjidhja dhe jo si problemi. Ka të drejtën për faktin se iniciativa e lirë ekonomike dhe risku që vjen si pasojë e saj, është në themel të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së një vendi. Kështu që, çdo biznes shqiptar e ka për detyrim të organizohet dhe protestojë për të mbrojtur mundin dhe investimet e tij, që ndihmojnë jo vetëm ata, por ekonominë në përgjithësi.

Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të instalojmë një kapitalizëm të përgjegjshëm dhe modern, që ka qenë një mangësitë e mëdha të tranzicionit shqiptar.

Mendësia e shoqërisë shqiptare, e ndikuar nga mentaliteti komunist që ka lënë rrënjë të thella, e ka parë biznesin shqiptar shpesh me sytë e kritikës apo si një lloj “zhvatësi” të pasurisë kombëtare.

Por, figura e biznesmenit shqiptar, atij të ndershëm dhe që respekton ligjet dhe jo të një lloji tjetër që ekziston në ekonominë shqiptare, është figura e “heroit” të tranzicionit.

Në këtë kontekst politik, me një administratë të korruptuar dhe me shumë vështirësi që të gjithë i dimë në realitetin shqiptar, ato biznese që ia kanë dalë të kenë sukses dhe kanë ndihmuar ekonominë, duhet të kenë një vend të rëndësishëm në mirënjohjen e përgjithshme të shoqërisë. Një vend të cilin deri më tani nuk e kanë. Shpesh janë anatemuar, akuzuar apo dhe janë bërë shënjestër e politikës dhe shoqërisë në përgjithësi.

Të gjithë ata persona që ia kanë dalë të ndërtojnë një biznes të shëndetshëm për zhvillimin e shoqërisë, kanë të gjithë të drejtën të revoltohen sa herë që mundi dhe djersa e tyre nëpërkëmbet nga një mendësi e tillë.

Prandaj, protesta e djeshme është një fillim i mirë për të kaluar në një fazë tjetër të kapitalizmit shqiptar. Një fazë e cila të respektojë dhe t’i japë vendin e merituar në shoqëri çdo njeriu që ka investuar dhe ka rrezikuar me kapitalin e tij.

Nëse ka një gjë të ndershme gjatë tranzicioni shqiptar, është pikërisht biznesi, që edhe pse me shumë vështirësi, ia ka arritur të ndërtojë një histori suksesi. Një histori që është më e pastër se çdo gjë tjetër në shoqërinë e tranzicionit post-komunist.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mazhoranca: Prokuroria nuk i argumentoi dot akuzat ndaj Tahirit

Në emër të mazhorancës, deputeti socialist Ulsi Manja lexoi raportin e përgatitur prej tyre...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.