Protesta në Teatër: Sindikata e artistëve, debati me Kumbaron “të mërkurën”

Aktorët e organizuar për herë të parë në një sindikatë janë mbledhur sërish dje, këtë herë në godinën e Teatrit Kombëtar duke pritur përgjigje nga kërkesa që iu drejtua ministres së Kulturës pak ditë më parë, për të dialoguar për dy çështje: moszhvendosjen e Teatrit te Turbina, si dhe ndryshimet mbi projektligjin për artin

Lajmi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar prej ditës së enjte ka ngritur në këmbë komunitetin e artistëve, të cilët për herë të parë janë mbledhur në një sindikatë duke kundërshtuar edhe projektligjin për artin skenik.

Ata janë dakord të rregullohet godina aty ku është, por jo të ndërtohet një kullë ku Teatri të jetë aneksi i saj, gjë që ministrja e Kulturës Kumbaro e ka mohuar të ekzistojë një projekt i tillë. Ndërkohë që është nënshkruar një peticion, – nisur me 80 firma të vetë aktorëve, duke u shpërndarë pothuaj në mënyrë virale në rrjetin social facebook, – dje paradite aktorët kanë improvizuar një takim tjetër në hollin e Teatrit Kombëtar, të cilët nuk janë lejuar të hyjnë brenda sallës, ashtu si patën menduar. Ata kanë ripërsëritur kërkesën e tyre, ndërsa Kumbaro ka rënë dakord për takim me sindikatën e artistëve të skenës dhe ekranit, duke e lënë ditën e mërkurë në orën 16:00. Por dje në mbrëmje është bërë e ditur se Kumbaro ka organizuar një takim me disa përfaqësues të Skenës së Pavarur të Artit ku mësohet se është prekur çështja e projektligjit, buxheti i ulët për kulturën, si dhe është folur për kthimin e Qendrës së Artit.

Nëse të enjten e javës së kaluar, fjalimi i aktorit Robert Ndrenika ka qenë historik, duke mos qenë vetëm një qëndrim i momentit, por e gjithë gjendjes së krijuar në këto 27 vite, të raportit të politikës me njerëzit e teatrit, dje ka qenë aktori Bujar Asqeriu i cili është shprehur shumë ashpër duke thënë se shteti po investon sot për ndërtimin e burgjeve për të rinjtë e jo për teatrot.

“Në Shqipëri janë ndërtuar 24 burgje. Më thoni sa teatro janë ngritur? Zero. Gjithë rinia shqiptare është në burgje, nuk ka qytet pa burg, atëherë them unë, këta me shkopinj gome dhe biruce do e edukojnë rininë. Po të ndërtoheshin 4-6 teatro më pak burgje do të kishim, jam i sigurt për këtë. Këta nuk investojnë, dhe ne zihemi këtu për një 5–lekëshe që hedhin ata, kush mund ta kapë dhe tallen”, -tha Bujar Asqeriu.

Regjisori Altin Basha, tha se ishin ende në pritje për të dialoguar me Ministrinë, me kushtin që ky takim të mbahet në sallën e Teatrit Kombëtar: “I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente pasi email-et që supozohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur. Të mërkurën në orën 16:00 e presim në këtë sallë për dialog”. Kineasti Robert Budina, në fjalën e tij u ndal në mungesën e ligjit dhe përballë tij sjell faktin se qendra e Kinematografisë ka mbijetuar dhe tregon se ka mirëfunksionuar: “Ne i kemi kërkuar ministres që të justifikojë ndryshimet dhe i kemi renditur arsyet se duhet të funksionojë kinematografia me dy ligje, është një moment i mirë për të çuar deri në fund kërkesat e artistëve, pasi politika si majtas dhe djathtas ka qenë indiferente. Politika ikën, por këta njerëz mbeten”. Dramatugru Strefan Çapaliku tha: “Ky është një moment i rrezikshëm që ne duhet t’i themi stop. Askush nuk e di sa është fondi i teatrit. Transparenca është zero, pjesa më aksidentale është zgjedhja e lidershipit. Si ka mundësi që një shtet ka precedent si heq dorë nga lidershipi i arsimit dhe drejtorin e teatrit ta emërojë politika, këtë nuk e kuptoj”. Ndërsa ka dy ditë që është hapur gara për drejtor Teatri, duke shënuar mbarimin e mandatit 4-vjeçar të Hervin Çulit. Nga kandidaturat që kanë qarkulluar në këto ditë, janë disa nga protestuesit, si Laert Vasili, Genc Fuga si dhe aktorja Ema Andrea.

 

Bujar Asqeriu: Po ndërtohen më shumë burgje për të rinj e jo teatër

“Në Shqipëri janë ndërtuar 24 burgje. Më thoni sa teatro janë ngritur? Zero. Gjithë rinia shqiptare është në burgje, nuk ka qytet pa burg, atëherë them unë, këta me shkopinj gome dhe biruce do e edukojnë rininë. Po të ndërtoheshin 4-6 teatro më pak burgje do të kishim, jam i sigurt për këtë. Këta nuk investojnë, dhe ne zihemi këtu për një 5–lekëshe që hedhin ata, kush mund ta kapë dhe tallen.

Kjo është e tmerrshme. Këta nuk hedhin lekë për artin dhe kulturën, këta duan burgje. Rinia shqiptare është nëpër burgje dhe pastaj kush do të vijë në teatër, kush do të punojë. Le të punojnë këta, t’i mbyllin edhe teatrot dhe të gjejnë të sëmës. Do më falni që në takimin e parë nuk kisha mundësi të flisja, ndërsa të gjitha i tha Robert Ndrenika, por refleksionet që vijnë nga qeveria janë të vakëta, pafuqishme dhe të ftohta. Këta si duket nuk e kuptojnë se çfarë është artisti. Një aktor merr rogën më të vogël se një nëpunës i rëndomtë i Ministrisë së Kulturës.

Ky është vlerësimi që shteti i bën artistit. Jo më kot, kolegët tanë ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk u kujdes për ata, askush nuk e çau trapin për ata. Ata ikën me pengje në shpirt dhe këto do i ngremë me të madhe. Bujar Lako jetonte në një dhomë dhe në një kuzhinë, ndërsa politikanët tanë në vila 5 apo 10 milionë euro, prandaj nuk ka lekë për teatrin dhe ne duan të na fusin në vrimën e miut.

Këtë vend e drejtojnë hajdutët, prandaj nuk ka lekë për teatrot. Ata marrin edhe lekët e një dosje, 100 lekë. Prandaj ndonjëherë them përse të flas? A përmbyset kjo hajdutëri? Zoti i paftë ata dhe fëmijët e tyre që kanë vjedhur djersën dhe gjakun e këtij vendi, unë ia lë atij. E kuptoj që ata do të tallen me ne dhe do të na përqeshin kur të kalojmë…”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Civici: Studimet master, koha për bilanc dhe reflektim

Studimet Master në Shqipëri janë relativisht të reja, vetëm 15 vjet, po...
Read More