Protesta paqësore por e paligjshme e opozitës, veçse legjitimon mazhorancën!

Nga Arjan Çuri

Nëse ishte e ligjshme apo e paligjshme protesta, kjo përveçse evidente, i mbetet organeve ligjzbatuese për ta konstatuar dhe për të vendosur për procedimin ose jo të organizatorëve. Por një mendim mund ta them që në fillim, që nëse protestat do ishin spontane dhe të paorganizuara, të paktën ato do të ishin legjitime; por të organizuara mbas thirrjeve për dalje e bllokim rrugësh, me shkëmbim shpërblimin e pjesëmarrësve pas ardhjes në pushtet, ato përveçse të paligjshme, mbeten dhe antihumane dhe të dhunshme në llojin e tyre, pasi shkaktojnë probleme dhe dhimbje te njerëzit që udhëtojnë dhe që kanë halle për të zgjidhur. Dhe që të shmang çdo mendim lexuesi për anësi, siç ndodh gjithmonë në rastin e partiakëve militantë, po deklaroj me përgjegjësi të plotë, se të njëjtat fjalë do t’i shkruaja edhe sikur të ishte e djathta në pushtet dhe e majta në rrugë.

Kështu që nuk më mbetet të bëj tjetër, veç detyrën time si analist, ku të mbaj anën dhe të paraqes në këtë shkrim, mendimin e atyre qytetarëve që kam kontaktuar dhe t’iu shtoj atyre edhe mendimin tim të lirë për këtë situatë aspak të këndshme të krijuar. Nuk dihet akoma dhe do të duhej të bëhej mbledhje e të dhënave, se sa njerëz mund të jenë dëmtuar, të kenë humbur takime, intervista pune, vizita spitalore rutinë apo çdo lloj daljeje nga programi që kishin bërë, për të ardhur herët në Tiranë e për t’u kthyer sërish në rrethet e tyre, pasi nuk mund t’u shtojnë shpenzimeve të tyre, edhe pagesat e hoteleve apo vakteve të paplanifikuara.

Sigurisht që në shkrimet e mia të mëparshme kam mbështetur edhe opozitën në protestën e saj, duke deklaruar madje se vetë Basha, nuk ka rrugë tjetër, përveçse të kthehet “me mburojë ose mbi mburojë”, por nëse opozita vendos të dalë nga çadra, dhe përveç bllokimit të institucioneve, vendos të bllokojë, qoftë edhe për një orë, të gjithë jetën e vendit, nuk mund të më ketë mbështetës në këtë rast. Dhe përveç meje, jam i sigurt që ka edhe zëra të tjerë brenda saj, si deputetë dhe ish-funksionarë të lartë shtetërorë, që thonë se PD-ja dhe partitë rreth saj, duhet të kishin filluar me kohë fushatën elektorale dhe të mos e diskutonin pjesëmarrjen në zgjedhje. Por këto zëra brenda opozitës, ka shumë mundësi që përveçse të mos dëgjohen, të shtyhen edhe për të dalë jashtë, siç ndodh zakonisht me “demokracinë” brenda partive të të gjithë spektrit politik në Shqipëri.

Në këtë moment, do të duhej që të ndalonim dhe të mendonim se çfarë është arritur deri tani me këtë strategji, që në qendër të saj, ka veç një term që e përfaqëson, bllokimin. Nuk dua ta gjykoj strategjinë e opozitës, pasi nuk është qëllim i këtij shkrimi, por gjykimi do të vijë shumë shpejt dhe do të jetë nga vetë anëtarët dhe simpatizantët e saj, mbasi të shihet se çfarë përfundimi do të marrë e gjithë kjo histori. Nëse opozita me këtë kurs bllokues dhe protestash arrin të maksimizojë votat apo mbështetjen popullore, atëherë ia ka vlejtur sakrifica.

Por nëse me këto lëvizje, ajo shton më tepër pakënaqësinë në masat e votuesve, sidomos të atyre që votojnë me mendje të lirë, pa përkatësi dhe militantizëm partiak, të cilëve iu mjafton vetëm një ditë, e sidomos nëse këto ditë do të shtohen, që mos të të mbështesin ditën që ftohen të shprehen para kutive, atëherë gjykimi do të vijë pashmangshmërisht dhe do të vijë shpejt madje. Sepse jo të gjithë njerëzit do të të votojnë për vendin e punës apo për postin partiak që iu është premtuar. Gjithmonë e më shumë do të shtohen njerëzit që do të jenë indiferentë ndaj këtyre joshjeve të pushtetit.

Kështu, pasi shpjegova se ç’ndodhi me njerëzit e bllokuar, në këtë rast, nuk mund të mos rri pa shprehur opinionin tim për efektet që kjo protestë krijoi në marrëdhënien e opozitës me mazhorancën dhe lojën që ato zhvillojnë në skakierën politike. Prandaj, fakti që protesta e opozitës ishte paqësore, edhe pse bllokuese, nuk bëri asgjë tjetër, veçse e legjitimoi akoma më shumë pushtetin qeverisës të kësaj mazhorance, që opozita ka si qëllim ta rrëzojë, përpara zgjedhjeve që po afrojnë.

Qeveria, këto kohë, ka treguar se po ndjek një strategji të hollë dhe të mirëmenduar për të amortizuar butësisht goditjet që vijnë nga opozita. Thirrjet për dialog, për mos shkelje të kushtetutës, deri edhe në pranimin e negociatorëve europianë të djathtë, apo të çdo lloj ndërkombëtari të bindur se mazhoranca ka të drejtë e mbështesin këtë argument. Kështu, edhe trajtimi me butësi ekstreme i protestës së fundit, e cila, si e paligjshme do të duhej të ishte ndaluar nga forcat e rendit, tregon se pushteti po përdor me mençuri, madje edhe me dinakëri, lëvizjet e opozitës, për të legjitimuar vetveten si një fuqi europiane, e cila ka durimin për të pritur reflektimin dhe kthimin nga rruga, brenda shinave institucionale të opozitës.

Dhe rasti i artë do t’i vinte kësaj mazhorance, nëse opozita do ta përshkallëzonte këtë vrull energjish negative bllokuese, sepse ajo do ta akuzonte atë si forcë destabilizuese dhe që nuk shqetësohet aspak për prishjen e qetësisë publike apo pengimin e njerëzve që janë nisur në rrugën e tyre, për të mbaruar punët që kanë. Sigurisht, protesta kombëtare e opozitës, e thirrur për t’u mbajtur në Kavajë, ditën e zgjedhjeve lokale, nëse do të degradonte në akte dhune apo Zoti mos e dhëntë, në shkaktimin e viktimave njerëzore, do ta dëmtonte rëndë dhe më shumë opozitën, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por edhe të shqiptarëve, të cilët po shprehen të lodhur dhe të bezdisur, që po iu devijohen rrugët prej javësh në Tiranë, e tashmë akoma më keq në të gjithë Shqipërinë. Sot, takova shumë të tillë, të cilët dukej se iu ishte sosur durimi, dhe mezi prisnin ditën që do ta shprehnin ligjërisht këtë revoltë të tyren.

Shkrimtari amerikan, Jack R. Rose, në novelën e tij të famshme The Cedar Post, thotë: “Opozita mund të bëhet shoku yt. Opozita mund të bëhet zjarri që farkëton shpatën më të mirë, siç mund të bëhet edhe uji që ftoh më mirë çdo gjë që zjarri farkëton. Mos u largo kurrë prej saj, por mëso nga ajo”. Nuk e di, nëse kjo strategji e ndjekur deri tani, do t’i bëjë njerëzit ta mendojnë opozitën si aleate të tyren, apo mike të interesave të tyre. Pasi vetëm në këtë rast, publiku do t’i kthente sytë drejt saj, duke e sjellë në pushtet veçse me votë. Nëse jo, opozitës do t’i nevojitet akoma më shumë kohë, derisa t’i bindë njerëzit që të mësojnë prej saj, sepse nëse njerëzit largohen nga ajo, do të thotë që vetë opozita e ka harruar artin e të qenit zjarr dhe ujë, për të farkëtuar me urtësi artin e miqësimit me të vetmen forcë që ia jep pushtetin, popullit, që qarkullon përditë në rrugët e këtij vendi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lëreni çadrën se do hyjmë ne të LSI!

Tensioni ka rënë disi pas arritjes së marrëveshjes mes PS dhe PD,...
Read More