Protesta që po ndërpret “spiralen e heshtjes”

Nga Prof. asoc. dr. Belina Budini

Prodhimi i një ngjarjeje qendrore, të madhe, dhe vendosja e saj në axhendën e të gjithëve, është duke u bërë pothuajse një pamundësi në kushtet e copëzimit të audiencave ndërmjet një morie mediash, forumesh, rrjetesh sociale dhe folesh virtuale. Të humbur në këtë cikël ngjarjesh dhe axhendash dalin të gjithë nga pak, por jo qeveria ose shumica në qeverisje, që janë të pasur në burime e mjete dhe përgjithësisht të favorizuar në mbulim mediatik. Hapësira territoriale, ajo mediatike e madje shpesh edhe ajo në rrjet është e dominuar dhe e kontrolluar nga njerëzit e pushtetit dhe si e tillë qeveria i ka të gjitha sheshet e rrugët e komunikimit në dispozicion, apriori. Kështu ndodh që të zëshmit mbeten më të zëshëm në një cikël të pandërprerë. Sikurse është rasti në Shqipëri ku mbizotëron rregullisht “tirania” e opinionit të shumicës së supozuar. E supozuar, ngase ajo nuk matet si e tillë dhe si e tërë, përveçse një herë në katër vjet, duke supozuar se mbetet e palëvizshme, gjë që nuk ka pse të merret si e mirëqenë.

Në një spirale të tillë heshtjeje kishte ngecur gjatë jo vetëm zëri i opozitarëve kulturorë e mediatikë, por edhe vetë zëri i opozitës politike në vend. Edhe pse dalja në opozitë nuk nënkupton domosdoshmërish humbje territori mediatik, aq më pak kur bëhet fjalë për partinë e dytë më të madhe, Partia Demokratike e humbi gradualisht pushtetin e saj përkufizues dhe përcaktues të realitetit, duke u trajtuar si “periferike”. Jo vetëm nga qeveria, por edhe nga mediat e nga aktorët e tjerë rreth pushtetit. Derisa ngritja e një simboli modest; një çadër ku protestohet, u shndërrua në aktin e komunikimit politik më qendror dhe efikas që ka pasur opozita e Lulzim Bashës. Duke e nxjerrë aty për aty PD-në dhe bashkë me të edhe aktorët shoqërorë që rezonojnë me të, nga spiralja e heshtjes.

Me një protestë të pandërprerë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht përpara Kryeministrisë, opozita ka rifituar në mënyrë simbolike territorin e humbur, ka krijuar “republikën e saj të re”, sikurse dëshirojnë ta quajnë në PD ose “agorën e re”, sikurse duket edhe më demokratike. Caktimi i një pikëtakimi të hapur për mendimin dhe impulsin opozitar është një lajm i mirë për hapësirën dhe opinionin publik. Formati i protestës, i tipit “reality”, i përgjigjet ciklit të pandërprerë të informacionit që qarkullon sot, duke e bërë ngjarjen jo vetëm kryesore, përkufizuese, por edhe imponuese e të pashmangshme për vetë opinionin publik në radhë të parë, për aktorët mediatikë e platformat e tyre të komunikimit, si dhe për vetë qeverinë e aktorët politikë në vend. Një protestë kaq me “stil përmbajtësor” as nuk mund të fshihet, as nuk mund të anatemohet dhe as nuk mund të të lërë indiferent. Jo se nuk janë tentuar që të tria këto qasje, por pa sukses.

Arsyet pse protesta e PD-së po rezulton “ngjitëse” mund të jenë të shumta, në varësi të argumenteve të kërkuara politike, sociale, ekonomike etj. Eksponentët e vetë radhëve politike po i artikulojnë ato publikisht, duke joshur jo vetëm të djathtët apo radikalët, por edhe opinionbërësit e qendrës dhe kritikët e të gjitha drejtimeve. Mirëpo, ky shkrim synon të trajtojë vetëm njërin prej këtyre argumenteve, atë komunikativ. Aq më tepër, që protesta si akt komunikimi ka shënuar ndoshta edhe avantazhin kryesor deri tani. Ky avantazh lidhet pikërisht me nxjerrjen e opinionit publik të pakicës së supozuar nga spiralja e heshtjes.

Koncepti “spiralja e heshtjes” është aplikuar gjerësisht në shkencat politike dhe në fushën e komunikimit politik, për të kapur dinamikat e opinionit publik. Autorja e kësaj teorie, politologia gjermane, Elizabeth Noelle-Neumann, zbuloi se njerëzit zgjedhin të mbeten të heshtur nëse ndiejnë se pikëpamjet e tyre nuk janë në shumicë, duke qenë se i druhen izolimit. Pikërisht kjo druajtje bëhet faktori zgjatues i spirales së heshtjes, ai që e përforcon dhe riprodhon atë. Protesta e PD-së ka shërbyer, së paku, si oportunitet publik dhe demokratik për të ndërprerë spiralen e heshtjes të instaluar pas ardhjes së Rilindjes në pushtet. Aq sa të besohet se ai që shihet si fitues, ai edhe fiton! Përkundër asaj që po rezulton në momentumin politik ndërkombëtar. Ekzistenca e spirales së heshtjes në kontekstin politik dhe mediatik te ne, është mjaft evidente dhe lehtësisht e observueshme. Matjet dhe vëzhgimet e rregullta shkencore të studentëve e studiuesve në ciklet pasuniversitare ofrojnë rregullisht të dhëna dhe rezultate që konfirmojnë ekzistencën e spirales së heshtjes në mjedisin social, kulturor e politik në Shqipëri. Pavarësisht rrjeteve sociale, pavarësisht mediave të reja, por varësisht nga qeveria dhe strategjitë e saj të pushtetit.

Aty ku sondazhet e rregullta e të besueshme mungojnë, aty ku ato dështojnë të provojnë ngritjen dhe rënien e popullaritetit të një aktori, të një koalicioni politik, të një force të caktuar, spiralja e heshtjes mbetet i vetmi instrument që operon duke ndalur të shprehurit e një pikëpamjeje të parë si në opozitë. “Thuajse shqisa statistikore” e individëve shërben kësisoj për të kapur “rrymën”, “atë që mendojnë të gjithë se do të ndodhë” dhe që përfundon të ndodhë, duke kontribuar që kjo të ndodhë. Prandaj protesta e opozitës i ka bërë shërbimin e parë të madh hapësirës publike në Shqipëri, duke ngritur një çadër si agorën e re vetëshprehëse në kryeqytet. Menaxhimi i kësaj proteste në vijimësi dhe përmbushja e objektivave të saj të shumëfishtë, mbeten ende për t’u parë, por as kaq sa deri tani nuk është pak.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si ‘bllokohet’ Kushtetuta e re nga afatet kontradiktore të 7 ligjeve

Disa nga ndryshimet që iu bënë Kushtetutës kanë efekte qysh në ditët...
Read More