Protesta si premiera e dyshes së re opozitare, Basha-Kryemadhi

Nga Ervis Iljazaj

Protesta që do të zhvillohet sot, e thirrur pothuajse dy muaj përpara nga opozita shqiptare, mbi të gjitha, është prova e parë serioze që formëson opozitën, të përbërë nga Basha dhe Kryemadhi.

Edhe pse lideri i Partisë Demokratike sa herë që pyetet për këtë fakt, gjithmonë e anashkalon duke thënë se është herët për të folur për aleanca, politika është akt dhe shpeshherë veprimet e saj edhe nëse nuk shprehen me fjalë, ngjizen me akte.

Në këtë kuptim, protesta e të Shtunës shërben si një lloj paraqitjeje dhe provash gjenerale për alternativën qeverisëse, që tani qartësisht është koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Përtej çdo pritshmërie të kampit opozitar, që siç zakonisht ndodh me militantë që presin me padurim rrëzimin e qeverisë, kam përshtypjen se, të vetmin funksion që ka kjo protestë është konsolidimi i lidershipit të Lulzim Bashës dhe aleancës së tij. Në fakt nuk është aspak një synim për t’u nënvlerësuar, përkundrazi, është një nga aktet të cilin, opozita shqiptare nëse kërkon të jetë një alternativë e besueshme për qeverisjen e nesërme, duhet ta bëjë.

Sepse duket pak si paradoksale, të kërkosh të rrëzosh qeverinë, kur në të njëjtin moment nuk je gati apo nuk të qartë ende se cila është alternativa e qeverisjes.

Kështu që, protesta e opozitës është një hap përpara se ajo të arrijë te qeverisja. Është te hapi ku konsolidohet opozita dhe alternativa e së ardhmes. Sepse çdo veprim politik ka kohën dhe radhën e tij për të patur efekt.

Prandaj, protesta e opozitës është për t’u mbështetur, në këtë drejtim. Për të krijuar një opozitë të qartë dhe kohezive, e cila është një tipar thelbësor për të patur sukses në politikë.

Kampi opozitar në këto momente që po flasim është në gjendje ku ka shumë protagonistë si drejtues dhe frymëzues së popullit të saj. Duhet me patjetër që mesazhi politik i opozitës të përqendrohet dhe të jetë i drejtpërdrejtë dhe për të ndërtuar një figurë politike rreth të cilës duhet të bashkohen të gjitha forcat, gjë të cilën deri më tani me vështirësi e ka bërë.

Le të jetë kjo protestë, si një aksion në shërbim të Lulzim Bashës si lider i opozitës, jo për të në vetvete, por për faktin se, opozita ka nevojë për një figurë qendrore dhe të fortë, pa të cilën nuk mund të jetë një alternativë e besueshme. Sepse, vetëm kështu krijohet një opozitë që i bën mirë politikë në përgjithësi, duke ushtruar trysni politike pozitive.

Prandaj është mirë që opozita të harrojë pretendimet me rrëzime qeverish, sepse në të kundërt mund t’i kthehet në bumerang. Nëse i premton popullit tënd që në një protestë do rrëzojmë mazhorancën, gjë e cila nga historia dhe konteksti duket e pamundur, atëherë zhgënjimi është i madh dhe rrezikon që paradoksalisht të forcojë edhe më shumë mazhorancën.

Për këto arsye, protesta e nesërme, nëse vërtet është paqësore dhe shërben si trysni që ushtrohet kundrejt qeverisë për ta bërë atë më të përgjegjshme është mirë për të gjithë. Për qytetarët, për opozitën dhe qeverisjen vetë. Le të jetë ky rasti për të krijuar një kulturë protestë ashtu siç duhet të jetë, e qetë, e fortë dhe e dobishme për të gjithë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zbardhet krimi makabër: Arrestohet nusja e familjes, vrau burrin dhe vjehrrën

Një muaj nga ngjarja tragjike ku nënë e bir u gjetën të...
Read More