Protesta: Sot para Parlamentit, studentët përballë politikës



Studentët vijojnë protestën masive para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe refuzojnë kërkesën e përsëritur të kryeministrit për të dialoguar. Sot grupet protestuese bashkohen në revoltën para Parlamentit. Çfarë pritet të ndodhë mes palëve. Universiteti i Tiranës “lë në baltë” kryeministrin: “Nuk e kërkuam ne vendosjen e tarifave për provimet e mbartura, mbështesim kërkesat e studentëve”.

Të ndarë në dy drejtime, por me të vetmin qëllim, protestat e studentëve kanë vijuar gjatë ditës së djeshme pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit. Studentët janë shprehur të vendosur për të mos u tërhequr nga tetë pikat e drejtuara qeverisë, ndërsa refuzuan çdo dialog me kreun e qeverisë, që e ripërsëriti kërkesën për takim e bisedime. “Nuk ka negociata me kryeministrin, të plotësojë tetë kushtet e vendosura, ne nuk tërhiqemi”. Kjo ishte kryefjala e të gjithë qëndrimeve, por sot është “prova gjenerale” e revoltës studentore që do protestojë para Parlamentit, duke bashkuar të dyja grupet që protestojnë para kryeministrisë dhe ministrisë së arsimit. “Nuk ka përçarje, por vetëm shpërndarje të dy vendeve të revoltave për një qëllim të përbashkët”. Kështu janë shprehur shumica e studentëve që prej tetë ditësh kanë bojkotuar mësimin dhe gjenden në rrugë për të kërkuar uljen e tarifave të studimit, shtimin e buxhetit për arsimin në 5 % të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, kushte më të mira në konvikte dhe auditorë, përkrahje për studimet master dhe doktoratura, kartën e studentit  dhe përfaqësi studentore në bordet e administrimit të universiteteve. Kreu i qeverisë e ka konsideruar edhe një “ditë të shkuar kot” protestën, duke bërë thirrje për bisedime për protestuesit për të ndryshuar të gjithë sistemin e arsimit të lartë, duke u premtuar jo vetëm plotësimin e tetë kushteve të tyre, por edhe më shumë se aq. Por ndërsa po flitet për “frymë bashkëpunimi”, protesta e studentëve e futur në ditën e tetë të saj ka sjellë të tjera zhvillime, jo në favor të kërkesave të drejtuar nga protestuesit, por nga Policia e Shtetit që ka proceduar penalisht dje 25 persona, prej të cilëve 23 studentë, profesor Edmond Tupen dhe artistin Robert Aliaj, të akuzuar për tubim të paligjshëm e bllokim rrugësh. Kjo ka nxitur një grup studentësh që përveç tetë kërkesave të bëra publike shtuan edhe një “telash tjetër” për Ramën, duke sanksionuar pikën e nëntë që të hiqet hetimi penal për të 25 të proceduarit.

Studentët të vendosur, UT “tradhton” Ramën

Përballë Ministrisë së Arsimit protesta e djeshme ka ndryshuar format në mënyrën e reagimit, por jo qëndrim. Protestuesit mbanin në duar letra të bardha në shenjë revoltë ndaj mosplotësimit të kërkesave të tyre të bëra publike prej tetë ditësh. Ndërsa përballë Kryeministrisë grupet e studentëve protestues kanë bërë thirrje për vijim të revoltës së tyre dhe i bënë thirrje kryeministrit që të vendosë sa më parë miratimin e tetë kërkesave të tyre. Që të dy grupet protestuese kanë refuzuar çdo negocim me kreun e qeverisë, pavarësisht se ky i fundit në tentativë për të kapërcyer situatën mjaft të vështirë që ndodhet ka kërkuar edhe një herë dialog dhe sipas tij jo vetëm do të plotësohet tetë pikat e kërkuara, por mund të ofrohet edhe shumë më tepër se aq. “Një tjetër ditë e humbur me arsyen e Mosarsyes: Kam kërkesa po s’dua të flas për to, prandaj m’i plotëso! Kështu funksionon në Klinikën e Doktorreshë Monës, në Gjumin e Lul Artistit, në Megafonin e Profesor Qorrit, po jo në mësimet e demokracisë e të prindërve tuaj. Unë ju pres”, shkruan Rama, duke “veçuar” studentët, por bërë një diversion politik, që sipas tij grupet studentore në kauzat e drejta të tyre po shfrytëzohen nga opozita. Gjithashtu, Rama në daljet e ditëve të fundit dhe reagimet nëpërmjet statuse në rrjetet sociale ka bërë përgjegjës drejtuesit e universiteteve për VKM-në e famshme që nxiti revoltën, i cili parashikonte tarifa shtesë për të gjithë studentët që kishin provime të mbartura. Ky pretendim është rrëzuar dje nëpërmjet një deklarate zyrtare të Universitetit të Tiranës. Në këtë deklaratë bëhet më dije se Universiteti i Tiranës nuk ka bërë  asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e bartura. Më tej thuhet se  mbështesin dhe kërkesën e studentëve  për uljen e tarifave të shkollimit, për studimet e larta. “Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit, dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në”-thuhet ndër të tjera. Në këtë përplasje deklaratash dhe qëndrimesh studentët kanë njoftuar se ditën e sotme protesta do të zhvendoset nga kryeministria dhe ministria e arsimit përballë Parlamentit. “Njoftohet se nesër (sot), Dt: 13/12  do bëhet mbledhja në çdo universitet në orën 08:00-09:00. Marshimi do të bëhet drejt Parlamentit të Shqipërisë dhe në orën 10:00 fillon protesta për plotësimin e kërkesave të bëra me dije nga Këshillat Studentorë”, thuhet në një deklaratë për të mediat.

Në Tiranë studentët, në rrethe qytetarët…

Fryma e protestave është shtrirë në të gjithë rrethet e vendit, që ndonëse në grupime të vogla kanë bllokuar për disa orë akse të rëndësishme rrugore në vend. Në Shkodër, Fier, Vlorë, Elbasan dhe Lezhë qindra qytetarë të veshur me jelekë të verdhë kanë protestuar kundër çmimit të lartë të naftës. Gjithashtu, protesta ka vijuar edhe në të gjitha universitetet e rretheve që bashkë me studentët janë përfshirë edhe qytetarë që përveçse mbështesin kauzën e tyre specifike janë ngritur kundër taksave, tarifave të larta të shërbimit të energjisë dhe kundër çmimit të naftës. Për organizimin e këtyre protestave nëpër rrethe kryeministri Rama ka bërë përgjegjës drejtuesit e opozitës. Për protestën që është në ditën e tetë të saj reagoi edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. “I gjithë opinioni publik sot është i shqetësuar për Universitetet dhe arsimin e lartë. Përballë studentëve është një kryeministër mashtrues që propozon të ashtuquajturin dialog. Zgjidhja e vetme është vetëm një, marrja  e përgjegjësisë me ligj. LSI ka dorëzuar  amendamentet në Kuvend që i japin zgjidhje çështjes së studenteve. Me këto amendamente rritet buxheti për arsimin. Protesta e studentëve është plotësisht e drejte”- tha Vasili. Situata mbetet ende e ndezur nga revoltat, ku përveç studentëve po reagojnë edhe qytetarë nga shumë qytete të vendit. Sot në Parlament pritet të mbajë sërish fjalim kryeministri që mund të bëjë një kthesë të madhe në plotësimin e kërkesave, por duket se nuk do të heqë dorë nga “dorëzimi pa kushte”, duke u kërkuar studentëve dialog për të bërë bashkërisht shumë më tepër nga çfarë kërkohet. Kjo ofertë deri më tani është refuzuar kategorikisht nga studentët që kanë nisur të artikulojnë se nuk kanë besim dhe se tentativa për t’u ulur për bisedime është taktikë për të devijuar problemin e vërtetë që kanë studentët.

 

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si i shpëtoi sigurimit Mons. dr. Zef Oroshi!

Historia dhe peripecitë e jetës së Mons. dr. Zef Oroshit, i lindur...
Read More